Në përvjetorin e vdekjes së shkrimtarit kroat Mirosllav Kërlezha, më 29 dhjetor 1981.
1.
Në Institutin Leksikografik në Zagreb, një institut me nam i dijes, Mirosllav Kërlezha ende e ka një zyrë. «Mirosllav Kërlezha, themelues», shkruan në derë. Edhe Instituti bart emrin e tij. Sepse Mirosllav Kërlezha është institut. Autor i romaneve, dramave, eseve, poezive. I përkthyer në shumë gjuhë, edhe në shqip. Dramat e tij që në vitet 60-të luheshin në teatrin e Prishtinës. Edhe më herët Mirosllav Kërlezha shkroi për Kosovën.
2.
Kërlezha u lind në Zagreb më 7 korrik 1893 në rrugën Radiçeva, që atëbotë quhej Duga Ulica. Gjatë gjithë jetës së tij aktive si shkrimtar Kërlezha ishte majtist në kuptimin modern të fjalës. Në gjuhën shqipe te «Rilindja» janë botuar këto vepra të tij: «Novela» (1960, ribotim 1978), «Kthimi i Filip Latinoviqit» (roman, 1966), «Glembajët» (drama, 1974), «Ese» (1979).
Në esenë «Mbi të vetmit flamuj të kohës sonë», Kërlezha shkruante në vitin 1924 – para një shekulli - kundër terrorit që ushtrohej mbi shqiptarët në Jugosllavinë e posathemeluar mbretërore. Në vijim po sjellim një paragraf nga eseja e tij (përkthyer nga Vehap Shita): «U ngrit ushtria dhe i vrau me topa dyqind qytetarë të vet, për t’i treguar rajës shqiptare ad oculos, çka do të thotë e Drejta e Shpatës. (…) Ndodhi që prapë menjëherë, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë, e ndjeva çka do të thoshte të jesh një nga dyqind Mustafa Abazët ose Adem Beqirët njëzet e pesëvjeçarë dhe çka do të thoshte të bjerësh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar lojal nga mitralozi i shtetit tënd, vetëm nga mendjelehtësia e faktorit parlamentarisht të papërgjegjshëm, që krenohej se sundonte me Vullnetin e Perëndisë».
3.
Më 30 dhjetor 1981 gazeta «Rilindja» jepte, në faqen e parë, lajmin për vdekjen e Kërlezhës. Ai përshkruhej si «kolos i fjalës së shkruar, poet, romansier, novelist, dramaturg, eseist, themeluesi revistave letrare të paraluftës ‘Republika letrare’, ‘Vula’ dhe ‘Sot’, akademik, drejtor i Entit
Leksikografik jugosllav në Zagreb, anëtar i Këshillit të Federatës. (...) Prej vitit 1917 deri në vdekje ka botuar më se 60 vepra, të përkthyera në 40 gjuhë anembanë botës dhe në të gjitha gjuhët e kombeve dhe kombësive tona.»
4.
Deklarata e poetit Esad Mekuli më 1981 me rastin e vdekjes së Kërlezhës: «Kërlezha edhe para paraqitjes së ‘Këngëve të Ali Binakut’ të R. Zogoviqit dhe të Poezive të Tetorit, në veçanti asaj të V. Majakovskit, e cila më ka rënë në dorë më vonë, me fjalën e vet të zjarrtë dhe kumbuese poetike fuqimisht ndikoi edhe në përcaktimin
tim artistik — klasor. Ishte ky një ndikim i Mësuesit — kolos i cili, në mënyrën e vet të veçantë e karakteristike, si askush para tij, zbuloi realitetin e hidhur të jetesës duke porositur depërtimet e mundshme kah e reja, kah një shoqëri më njerëzore, ku hyhet me synime të mëdha dhe me luftë të pakursyeshme. Kështu, aty për aty, isha i ballafaquar me aso çështjesh vendimtare, siç janë liria e jo të lirëve, barazia e të pabarabartëve... Duke u frymëzuar, tejet e etshëm, me poezitë e tij për mjerimin, por edhe Panin e ngazëllyer, në Evropën sot shtëpi të pikëlluar etj. — mësova të mendoj ndryshe nga ajo që imponohej, që gjithnjë më me vetëdije t’i bëj rezistencë robërisë ekzistuese dhe mjerimit të popullit tim dhe popujve të tjerë (...).
Për të gjitha këto, pra shprehim mirënjohjet tona më të thella dhe më të sinqerta për këtë ithtar të paluhatshëm dhe luftëtar këmbëngulës nga kreu i kolonës për çështjen e progresit dhe afrimit të njerëzve e të popujve, këtë mendimtar të pavdekshëm — enciklopedist, këtë mjeshtër të fjalës së shkruar...».
5.
Deklarata e Rexhep Qosjes me rastin e vdekjes së Mirosllav Kërlezhës: «Gjithmonë, kur dëgjoj tekstin e MirosIlav Kërlezhës, më bëhet se dëgjoj ushtimën e ortiqeve të tmerrshme, që me vete marrin krejt çka gjejnë përpara.
Mirosllav Kërlezha, gjithësesi, është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë. Në veprën e tij është shprehur në gjithë thellësinë e saj drama historike e popujve të këtyre meridianeve me shekuj të shqetësuara.
Mirosllav Kërlezha, pa dyshim, iu takon atyre krijuesve të rrallë, të cilët kulturat kombëtare i përgaditisin me shekuj, në mënyrë që ata, mandej, me veprën e vet t’i tejkalojnë suazat e tyre. Në veprat e shkrimtarëve të tillë, zakonisht, sintetizohen idetë, tendencat, proceset, që përpara mund të kenë qenë në margjinë të jetës intelektuale por, në saje të veprës së tyre, bëhen qëndrore. Në krijimtarinë e Kërlezhës janë sintetizuar idetë, tendencat, rrjedhat më vitale të kulturës moderne dhe janë konstituar në një model kulturor të pashembullt në këto hapësira.
Poet, romansier, tregimtar, dramaturg, kritik, eseist, mendimtar, polemist Kërlezha është krijues i prirjes dhe i dijes univerzale. Kritika është kuintesenca e veprës së tij: kritika e pakompromis e miteve dhe e fetisheve, e botës borgjeze dhe kapitaliste, e aleksandrinizmit dhe e akademizmit, dhe, më në fund, e romantizmit të dogmës më të re: të dogmës së realizmit socialist. Krijues i etikës më të lartë intelektuale, aq shpeshë i vetmuar, por i vetmuar në emërin e shumicës, Kërlezha është krijuesi të cilit ardhmëria i ka dhënë të drejtë.
Mirosllav Kërlezha mbetet shembëll monumental i krijuesit të majtë, revolucionar, internacionalist, vepra e të cilit ka domethënie dhe vlerë internacionale.
Është i lumtur populli që ka lindur një shkrimtar sikundër është Mirosllav Kërlezha.»
6.
Kërlezha ishte disident në mënyrën e tij. «Për të ushtruar si duhet zanatin e tij, shkrimtari duhet të ketë mundësinë të jetë një lloj disidenti, madje edhe defetist sa i përket shtetit dhe institucioneve të tij, sa i përket kombeve dhe autoriteteve. Ai është biri i humbur që kthehet në shtëpinë atërore vetëm sa për t’u larguar përsëri. Negacioni është forma e tij familjare për të akceptuar botën». Kur shkrimtari Danilo Kish shkroi romanin «Një varr për Boris Davidoviqin», ku përshkruhej revolucioni që i hante fëmijët e vet (lexo: i dërgonte në Gulag), Kërlezha u angazhua për botimin e tij. Më 1967 nënshkroi një deklaratë kundër dominimit të serbishtes në Jugosllavi. Së fundi në gjermanisht është botuar romani i tij monumental dhe epokal «Flamujt» – me mbi 2000 faqe, ku përshkruhet historia kroate, ballkanike dhe europiane, përfshirë edhe krejt kthesat e mëdha të Kroacisë – nga ikja prej «burgut të popujve», siç quhej Perandoria Austro-Hungareze nga intelektualët indipendistë kroatë, te «kontejneri jugosllav». Ose me fjalët e Kërlezhës: tradita austro-hungareze kroate u përplas në kontejnerin e familjes mbretërore serbe Karagjorgjeviq si një shishe e zbrazët birre.
7.
Dy mendime të Kërlazhës:
a) «Godina impozante e civilizimit europian është e ndërtuar mbi eshtrat e popujve të panumërt dhe të mposhtur europianë. Kur flasim sot për Europën dhe kur përpiqemi të ftillojmë se ku qëndron misioni i këtij kontinenti lavdiplotë, të madh dhe aq të shtrenjtë, ne nuk guxojmë të harrojmë se ekzistojnë dy Europa. Krahas Europës klasike perëndimore, muzeore-grandioze, historike-patetike jeton një Europë e dytë, modeste, e shtyrë në qoshe, prej shekujsh vazhdimisht e mposhtur, pra një Europë periferike e popujve lindorë dhe juglindorë».
b) «Më duket se sot ndër ne si parim i parë dhe i vetëm i atdhedashurisë sonë krijuese (dhe letrare-kulturore) ka mbetur kjo: të mos mendosh asgjë, të përdredhësh faktet, të interpretosh shtrembër të vërtetat themelore, të përhapësh gënjeshtra, të përtërish kultin e frazave të thata, shkurt të bësh gjithçka që është kundër edhe ndaj shijes më primitive të mendjes së shëndoshë».