OpEd

Kërcënimi i eunukëve (2)

Në skenën politike po shohim zonja dhe zotërinj të cilët mund të jenë politikanë të gjeneratës së re dhe të cilët vendosin integritetin personal dhe interesin e shtetit, para interesit të “shefit”. Në fakt, po shohim se fjala “shef” dalëngadalë po tërhiqet nga përdorimi i saj i pahijshëm dhe omniprezent. Por sikur që kemi mësuar nga historia e eunukëve kinezë, eunukët në Kosovë nuk do të tërhiqen asnjëherë. Disa janë këtu në mesin tonë duke e pritur nën hije “shefin” e ri të tyre

Eunukët, personat servilë kanë rrëzuar dinastinë e parë perandorake kineze, dinastinë Qin. Rënia e dinastisë Qin hapi rrugë për ngritjen e dinastisë Han. Sundimi 400-vjeçar i dinastisë Han do t’i sjellë Kinës atë që do të njihet “epoka e artë kineze”. Gjatë kësaj kohe, tregtia do të rritet eksponencialisht, do të ndërtohet Rruga e Mëndafshit, Konfuçizmi do të njihet si fe zyrtare, ndërsa zbulimet shkencore do të vendosin themelet në shumë fusha siç janë matematika, bujqësia, inxhinieria, navigacioni, etj. Sidoqoftë, sikur në rastin e dinastisë Qin, fati i dinastisë Han do të vuloset, pasi që perandori lejon rol më të madh të eunukëve në punët e perandorisë.

Njëqind vjetët e fundit të dinastisë Han karakterizohen me jostabilitet politik dhe një kohë jashtëzakonisht turbulente. Çdo dhjetë vjet është duke u fronëzuar një perandor i ri. Shumë prej tyre janë fëmijë të manipuluar nga familja dhe aleatet e tyre. Një mjedis i tillë i paqëndrueshëm është mjedis ideal për lojëra të pushtetit, intriga dhe manipulime. Në këtë kohë, një grup i quajtur “Dhjetë Eunukët” është ngritur në majet e pushtetit perandorak. Ata kanë ndihmuar perandorinë Huan të ruajë pushtetin, duke i ndihmuar në eliminimin e dajës së vet që ishte kërcënim për sundimin e perandorit. Për këtë ndihmë të eunukëve perandori i shpërblen ata me pushtet pothuaj të pakufishëm. Por eunukët ishin tradicionalisht të paarsimuar dhe të pa trajnuar në çfarëdo aspekti të punëve të perandorisë. Përsëri, sikur në rastin e dinastisë Qin, perandoria do të zhytet në rebelim dhe anarki. Pakënaqësisë qytetare përsëri do t’i prijnë konfuçianët mandarinë. Në qytetin Luoyang profesorët konfuçian dhe studentët do të organizojnë protesta kundër keqqeverisjes dhe pushtetit në rritje të “Dhjetë Eunukëve”, por eunukët do të arrijnë të manipulojnë perandorinë dhe të prezantojnë protestën si rebelim kundër pushtetit të tij. Të gjithë protestuesit do të arrestohen. Por pakënaqësia e qytetarëve nuk kishte ndalur. Së shpejti do të shpërthej “Rebelimi i Çallmave të Verdha”. Të ngjashëm jo vetëm në emër me protestat franceze të Jelek Verdhëve dy mijë vjet më vonë, rebelimi i Çallmave të Verdha ishte i ngjashëm edhe në qëllim. Rebelimi mori emrin prej çallmave të verdha të cilat ishin veshje tipike e protestuesve. Ata u ngritën kundër tatimeve të larta dhe kërkesës eksplicite për largimin e “Dhjetë Eunukëve”. Edhe pse rebelimi u shua, ai dëmtoi rëndë legjitimitetin e dinastisë Han. Ky ishte fillimi i fundit të dinastisë. Pak kohë pas rebelimit të çallmave të verdha, perandori Ling do të vdes. Vdekja e tij dhe emërimi i perandorit të ri do të jetë shkak për ballafaqimin final në mes “Dhjetë Eunukëve” dhe konfuçianëve mandarinë, të prirë nga gjenerali suprem i forcave ushtarake He Xhin. Gjenerali Xhin do të arrijë me sukses të sigurojë emërimin e perandorit të ri dhe menjëherë përgatit planin për eliminimin e “Dhjetë Eunukëve”. Pasi që eunukët e kundër-zbulojnë planin e gjeneralit Xhin ata godasin të parët dhe vrasin gjeneralin Xhin. Ky akt shkakton zemërim të pafund të forcave ushtarake besnike gjeneralit Xhin dhe ata pushtojnë pallatin perandorak dhe masakrojnë mbi 2000 eunukë. Ky do të jetë edhe fundi i dinastisë Han. Eunukët kishin arritur të rrënonin edhe një dinasti perandorake kineze, por përsëri kjo nuk do të jetë e fundit.

***

Gjatë pjesës dërrmuese të perandorisë kineze, miliona eunukë kanë jetuar jetët e mërzitshme dhe kanë bërë punët e thjeshta brenda oborrit perandorak, me lojalitet të verbër ndaj perandorit. Por disa nga ta krijuan iluzione se mund të jenë më shumë se kujdestarë personalë të perandorit, duke hyrë kështu në botën komplekse të punëve të perandorisë. Ata nuk kishin përgatitjet dhe trajnim të nevojshëm për këtë botë dhe tentuan që mungesën e shkathtësive administrative dhe profesionale të zëvendësojnë me besimin e perandorit, krijimin e aleancave të pushtetit, intrigave dhe manipulimeve. Siç kuptuam, e gjithë kjo rezultoi në një fatkeqësi të tyre personale dhe rrënimin e drejtpërdrejt të së paku tri dinastive perandorake kineze.

Por në fund fare, përgjegjësinë për rënien e tyre e kanë perandorët të cilët kanë lejuar të rrethohen dhe të pranojnë këshillat nga eunukët të paaftë. Dhe ky është mësimi kryesor i historisë së eunukëve dhe rënies së dinastive kineze. Në punët e shtetit liderët nuk mund të rrethohen nga “yes man-a” dhe pa kurrizoret. Mjetet e tyre të punës nuk mund të janë intrigat, manipulimet dhe propagandat. Ata kanë nevojë të rrethohen nga persona të aftë me integritet dhe karakter të hekurit, të cilët do t’i mbajnë me këmbë në tokë gjatë ushtrimit të pushtetit të tyre. Të vepruarit ndryshe çdo herë do ta sjellë fundosjen e tyre.

Këtë e kuptoi edhe Trumpi gjatë presidencës së tij. Që nga fillimi i presidencës së tij, Trumpi u rrethua nga një grup eunukësh të pasprovuar në punët e shtetit. Strategu kryesor i tij politik, Steve Bannon, nuk kishte asnjë ditë përvojë pune në institucionet amerikane. Vlera e tij kryesore ishin teoritë konspiracioni, manipulimet dhe propaganda. Emërimi i Bannonit si strateg kryesor politik, ishte mesazh i qartë për të gjithë të tjerë se çfarë shkathtësi Trumpi vlerëson në ekipin e tij. Ata pak mandarinë të cilët shërbyen si gardianë të institucioneve amerikane me kalimin e kohës konfrontuan hapur sjelljen dhe vendimet e Trumpit. Ata u zëvendësuan me personat lojalë, ndërsa presidenca Trump degradoi në cirkus politik të akuzave për konspiracione, “deep state”, “witch hunt” dhe “emailat e Hillarit”. Kur erdhi fundi i presidencës Trump asnjë eunuk nuk kishte kurriz për të kundërshtuar “shefin” për versionin e tij të fitores së zgjedhjeve. Në vend të kësaj, ata mbështetën konspiracionin për “vjedhjen e zgjedhjeve” dhe sulmin mbi Kongresin Amerikan. Në fund, fati i presidencës Trump ishte fati i çdo perandori kinez i cili zgjodhi eunukët për këshilltarët e tij.

Dhe këto mësime janë edhe për Kosovën. Personat që synojnë të jenë liderët e Kosovës nuk guxojnë të lejojnë vetes të rrethohen nga eunukët politikë dhe partiakë. Jeta politike patjetër kërkon që të akomodohen shumë interesa të grupeve të ndryshme. Disa nga to nuk do të jenë edhe virtuoze. Kështu e ka jeta politike. Por është detyrë e liderit t’i menaxhojë këta interesa, duke i mbajtur njerëzit e tillë sa më larg prej vetes dhe epiqendrës së pushtetit. Lideri duhet të rrethoj vetën me njerëzit që kanë integritet të sprovuar dhe profesionalizëm të dëshmuar.

Shpesh thuhet se “Character is policy”, prandaj njerëzit që rrethojnë një lider tregojnë gjithçka për karakterin dhe synimet e tij. Pushteti është joshës dhe opium i rrezikshëm, prandaj çdo lider virtuoz do ta rrethojë veten me njerëzit të cilët do ta kenë kurrizin për të kundërshtuar çdo devijim të tij nga vlerat dhe parimet fisnike të cilat çdo parti dhe institucion mishëron.

Kjo është në veçanti e rëndësishme në Kosovë ku servilizmi ndaj “shefit” është monedhë kryesore për avancime në jetë. Fillimisht ky ka qenë sindrom i përkufizuar kryesisht brenda jetës politike. Termi “shef” ishte institucionalizuar vetëm brenda partive dhe institucioneve të Kosovës. Nënkuptimi i hyrjes së këtij termi në politikë ishte që çdokush tjetër, përveç “shefit”, është argat i parëndësishëm, skllav i privuar nga çfarëdo integriteti dhe si i tillë i gatshëm për nënshtrim ndaj vullnetit të “shefit”.

Por me kalimin e kohës ky sindrom është zgjeruar si virus në gjithë shoqërinë e Kosovës. Kësisoj, ky virus i ka infektuar vlerat fisnike të shoqërisë siç janë integriteti, nderi dhe kompetenca, dhe i ka zëvendësuar me servilizëm, intrigë dhe manipulime. Prandaj, sot e keni tepër vështirë të gjeni zonjat dhe zotërinjtë virtuozë dhe fisnikë në parti politike, institucione, media, shoqëri civile, etj.

Por nuk duhet të jetë kështu. Nuk jemi të dënuar që të jetë kështu. Dhe këtu është roli i liderëve të partive politike. As the saying goes, “peshku qelbet nga koka”. Liderët janë përgjegjës për të vendosur shembullin e duhur. Prandaj, është inkurajuese përfshirja në rritje në politikë dhe institucione të njerëzve të cilët pas vetes kanë një bagazh të konsiderueshëm profesional. Në nivel qendror dhe lokal po shohim zonjat dhe zotërinjtë të cilët mund të janë politikanët e gjeneratës së re dhe të cilët vendosin integritetin personal dhe interesin e shtetit, para interesit të “shefit”. Në fakt, po shohim se fjala “shef” dalëngadalë po tërhiqet nga përdorimi i saj i pahijshëm dhe omniprezent. Por sikur që kemi mësuar nga historia e eunukëve kinezë, eunukët në Kosovë nuk do të tërhiqen asnjëherë. Do të jenë këtu në mesin tonë, duke pritur nën hije “shefin” e ri të tyre.