Nga shembja e dinastive perandorake kineze dhe presidenca Trump kuptojmë rrezikun që i kanoset vendit nga personat të cilët vendosin interesin e “shefit” para interesit të shtetit, servilizmin para karakterit dhe manipulimet para kompetencës
Javën e kaluar kam shkruar për rëndësinë e mandarinëve si gur-themel i shtet-ndërtimit dhe gardianë të interesit publik. Në anën e kundërt të tyre janë eunukët. Në pak fjalë eunukët janë persona të cilët vendosin interesin e “shefit” para interesit të shtetit, servilizmin para karakterit dhe manipulimet para kompetencës. Së fundi në Washington gjatë presidencës Trump ata kanë marrë titullin famëkeq “enablers”, ndërsa këtu te ne vijnë nën epitete të ndryshme: ministër, deputet, analist, portal, ekspert, këshilltar i brendshëm, këshilltar i jashtëm, etj. Titujt i kanë të ndryshëm, por rolin e njëjtë: lojalitetin pakurrizor ndaj shefit. Por para se të flasim për eunukët e sotëm, një intermezo për historinë e shkurtër të eunukëve.
***
Kastrimi i gjenitaleve është performuar fillimisht si dënim në Kinën antike. Kastrimi përmendet si njëri nga “Pesë Dënimet” në dokumentin më të rëndësishëm të civilizimit kinez – Libri i Dokumenteve. Por me kalimin e kohës, përveç si dënim kastrimi është performuar mbi rob lufte që janë marrë me dhunë nga tokat e pushtuara të perandorisë kineze. Këta eunukët pastaj janë vendosur brenda pallatit perandorak për t’i shërbyer oborrit perandorak dhe për të mirëmbajtur pallatin. Detyrat e tyre ishin bazike siç është shërbyes të haremit, dadoja, pastrues, lolo, berber, kuzhinier, etj. Duke qenë se eunukët ishin të paaftë për të bërë familje lojaliteti i tyre ishte vetëm ndaj perandorit dhe oborrit të tij. Ky lloj i lojalitetit me kalimin e kohës është shpërblyer me besimin gjithnjë në rritje të perandorit. Jo rrallë perandorët kanë parë eunukët më të besueshëm se konfuçianët mandarinë të cilët lojalitetin sublim e kishin ndaj perandorisë dhe jo ndaj perandorit. Kësisoj, dalëngadalë eunukët janë shpërblyer me rolet çdoherë më të larta brenda perandorisë. Por eunukët ishin tradicionalisht të paarsimuar dhe të patrajnuar në çfarëdo aspekti të punëve të perandorisë. Vlera e tyre e vetme ishte marrëdhënia personale me perandorin. Kësisoj ata morën namin e të qenit “veshët dhe sytë” e perandorit. Një lloj agjencie personale e inteligjencës dhe terrorit të perandorit. Të vendosur pranë perandorit dhe në epiqendër të lojërave të pushtetit ata shpejt kuptuan vlerën e intrigave, manipulimeve dhe aleancave personale dhe kësisoj, arritën në nivelet më të larta të pushtetit perandorak. Por kjo nuk do të kalojë pa armiq. Kina Perandorake tani më kishte strukturë të konsoliduar burokratike të përbërë prej mandarinëve konfuçianë. Ata ishin një lloj establishmenti: burrështetas, ushtarak, shërbyes civil dhe dijetar virtuoz dhe të trajnuar për punët e perandorisë të cilët kanë parë ngritjen e eunukëve si kërcënim për perandorinë. Shumë shpejt ata do të provohen të saktë. Mbështetja e perandorëve kinezë në këshillat e eunukëve do të shkaktojë asgjësimin e disa dinastive perandorake kineze. Në fakt, dinastia e parë perandorake dhe themeluese e Kinës së bashkuar do të bjerë falë një eunuku - Zhao Gao.
***
Zhao Gao ishte eunuk personal i dinastisë së parë perandorake Kineze – dinastisë Qin. Nga emri i kësaj dinastie rrjedh emri modern i Kinës. Themeluesi i dinastisë ishte perandori Qin Shi Huang. Ai u bë themelues i Kinës së bashkuar dhe perandor virtuoz, i cili vendosi themelet e bashkimit të mbretërive të pavarura kineze. Kësisoj, gjatë qeverisjes së tij u ndërmorën një varg reformash politike, administrative dhe kulturore për të jetësuar bashkimin e Kinës. Ai filloi investime të mëdha publike siç është Muri i Madh Kinez dhe Kanali Lingqu – dy nga tri mrekulli të inxhinieringut antik kinez. Sidoqoftë, gjatë sundimit të tij, eunuku Zhao Gao kishte filluar dalëngadalë ngritjen brenda rangjeve të pushtetit perandorak, duke krijuar aleancat personale të pushtetit dhe duke manipuluar besimin e oborrit perandorak. Kësisoj, pas vdekjes së perandorit Qin Shi Huang, eunuku Zhao Gao me ndihmën e kryeministrit kinez, Li Si, fabrikuan testamentin e perandorit për të parandaluar inaugurimin e trashëguesit të ligjshëm, djalit të madh, Fusu. Fusu kishte mbështetjen e konfuçianëve për të kufizuar rolin e eunukëve brenda perandorisë. Në testamentin e fabrikuar eunuku Gao kishte kërkuar ekzekutimin e Fususë dhe gjeneralit Meng Tian (gjeneral konfuçian i cili nuk kishte qejf eunukët). Të dytë u ekzekutuan, ndërsa eunuku Gao instaloi si perandor të riun 19 vjeçar Qin Er Shi. Duke qenë se perandori i ri ishte i papërvojë dhe naiv në punët e perandorisë, i besuari i tij, eunuku Gao, ishte efektivisht perandor. Në aktin e parë të pushtetit, eunuku Gao do të kthehet kundër bashkëkomplotistit të vet, kryeministrit Li Si. Gao do ta ekzekutojë Li Sinë dhe gjithë familjen e tij deri në brezin e tretë. Pas kësaj, ai do të zbatojë një plan të gjerë të eliminimit të konfuçianëve mandarinë, të cilët ishin kërcënim për pushtetin e tij. Por eunuku Gao nuk kishte aftësi tjera përveç manipulimeve, intrigave dhe kaosit dhe shumë shpejt perandoria do të zhytej në rebelim dhe anarki. Pakënaqësisë qytetare do t’i prijnë konfuçianët mandarinë. Në një nga konfliktet më të ashpëra në mes eunukut Gao dhe mandarinëve konfuçianë, ushtria perandorake do ta humbasë Betejën e Julusë pas së cilës do të varrosen për së gjalli 200,000 ushtarë perandorakë. Ky do të jetë efektivisht fillimi i fundit të dinastisë Qin. Shumë vonë, perandori i ri, Qin Er Shi, do ta kuptojë se është manipuluar nga eunuku Gao dhe në aktin e dëshpërimit do të bëjë vetëvrasje, bazuar ironikisht në këshillën e vet eunukut Gao. Por ky fund i dhimbshëm i perandorit të ri nuk do ta ndalë eunukun Gao. Eunuku refuzon të dorëzohet dhe tenton instalimin e perandorit të ri, të riut Zijing. Por i rui Zijing është djali i Fususë – trashëguesi i ligjshëm të cilin e kishte ekzekutuar eunuku Gao. Gjatë gjithë kohës Zijing ishte duke pritur hakmarrjen për babin e vet. Në ditën e inaugurimit Zijing dërgon fjalë eunukut Gao se është i sëmurë dhe se ka nevojë për ndihmen e tij. Në momentin kur eunuku Gao arrin, ai ekzekutohet në vend nga eunuku personal i Zijingut, Han Tani. Por e gjithë kjo është vonë për shpëtimin e dinastisë Qin. Perandoria tani më ka shpërthyer në luftëra. Ajo do të vdesë së bashku me eunukun Gao. Tani do të ngrihet dinastia Han... por vetëm për t’u shembur përsëri nga një eunuk.
Në kolumnën e radhës, ngritja e dinastisë Han, “Dhjetë Eunukët”, masakra e madhe dhe reflektimi për eunukët e sotëm