OpEd

Kërcënimi i boshllëkut

Kancelaritë perëndimore nuk zgjohen çdo ditë duke menduar për Kosovën apo Serbinë. Në fakt zhvillimet e fundit në botë vetëm janë duke e larguar vëmendjen nga Ballkani. Dhe në këtë drejtim, sa herë shohim çfarëdo vëmendje perëndimore për Ballkanin është me rëndësi të mos e humbasim atë mundësi. Pasi që ngjarjet e kohëve të fundit na treguan sa shpejt kjo vëmendje mund të zhduket duke vrapuar pas krizës së radhës në botë. E ndërkohë, në rajonin tonë do të ngelet boshllëku. E boshllëku i vëmendjes perëndimore historikisht është dëshmuar i dëmshëm për interesat tanë kombëtarë

“Bota është në pikën e thyerjes”, ka thënë presidenti Biden në korrik të vitit 2021, kur i është drejtuar për herë të parë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por ndoshta as ai vetë nuk ka besuar se ngjarjet të cilat së shpejti do të pasojnë e do ta jetësojnë këtë profeci të tij. Si asnjëherë më parë që nga Lufta e Dytë Botërore rendi global nuk është afruar kaq afër pikës së thyerjes.

Në Evropë pushtimi rus i Ukrainës po sfidon arkitekturën e sigurisë, e cila ka mbajtur kontinentin evropian në paqe për 70 vjet të fundit. Eskalimi i luftimeve përsëri ka rikthyer mundësinë e konfrontimit bërthamor në mes fuqive të mëdha, duke e transformuar një konflikt rajonal në luftë globale. Ndërkohë, jashtë Ukrainës Rusia është duke ndezur flakë konfliktet e grira të botës. Këtë e përjetuam në lëkurën tonë më 24 shtator në Banjskë. Në një vend tjetër evropian, Azerbajxhani jetësoi në praktikë synimin kryesor rus: se me forcë mund të vendoset rendi i ri. Kësisoj, Azerbajxhani mori më në fund nën kontroll Nagorno-Karabakh. Pra, të gjitha ato që Evropa ka menduar se i ka lënë mbrapa vetes: pushtimi i vendeve sovrane, forca si mjet zgjidhjes së konflikteve dhe ndarjet etnike janë tani përsëri në skenën politike evropiane.

Në Lindje të Mesme zhvillimet e kësaj jave kolapsuan çfarëdo shprese për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Sulmet terroriste të Hamasit i kanë dhënë fund çdo mundësie për dialog dhe zgjidhjeje diplomatike me Izraelin. Nga ana tjetër, Izraeli duket qartë se ka nisur një fushatë hakmarrëse e cila do të ushqejë edhe më tutje skizmat në mes shteteve arabe dhe Izraelit. Ajo çfarë tani për tani është luftë lokale rrezikon të shndërrohet në konflikt rajonal. Në këtë drejtim Irani vazhdon të jetë inspirues, mbështetës dhe organizator kryesor i terrorizmit në rajon. Synimet iraniane për prodhimin e armëve bërthamore e bënë atë faktor më kërcënues për stabilitetin e rajonit. Me eskalimet e fundit ky kërcënim bëhet edhe më imediat. Po ashtu, me programin e vet të dronëve Irani ka treguar se si një akter malinj rajonal mund të ushqejë konflikte shumë larg kufijve të vet gjeografikë.

Në Azi, Kina është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në Ukrainë dhe Lindje të Mesme me qëllim të shfrytëzimit të këtyre krizave globale për të çimentuar dominancen e saj në kontinentin aziatik. Ushtrimet çdo herë më agresive ushtarake mbi dhe përreth Tajvanin janë koreografi për të ardhmen që Kina projekton. Xi Jinping tani më edhe zyrtarisht ka kërkuar që ushtria të jetë gati për të pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027. Ndonëse veprimet e Kinës janë lokale, synimet e saj janë globale. Ajo synon ridizajnimin e rendit global në bazë të interesave të saj strategjike. Xi Jinping synon zyrtarisht të pozicionojë Kinën si fuqi dominuese globale deri në vitin 2049. Kjo do ta vendosë Kinën në kurs drejtpërdrejt kolizioni me SHBA-të. Siç pranon edhe Strategjia Kombëtare e Sigurisë amerikane, sot Kina është i vetmi vend në botë i cili ka potencial real diplomatik, ekonomik, ushtarak dhe teknologjik për të rrëzuar SHBA-të nga froni i liderit global. Dhe ndonëse Kina është kërcënim më serioz për rendin global në kontinentin aziatik, ajo nuk është e vetmja. Kapacitetet ushtarake, dhe në veçanti bërthamore, të Koresë Veriore vazhdojnë të rriten. Bashkëpunimi i saj i afërt me Rusinë, Kinën dhe Iranin po krijon front të përbashkët në luftë kundër rendit perëndimor. Në Indi rritja e mostolerancës etnike dhe sjellja autokratike e Modit janë arsye për brengosje në demokracinë më të madhe në botë.

Dhe kjo panoramë gjeografike po ndodh në një sfond jashtëzakonisht fragjil global. Ndryshimet klimatike tani më janë kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Mungesa e ujit të pijshëm dhe ushqimit të mjaftueshëm po nxit drejtpërdrejt konfliktet për resurset bazike. Sipas OBSH-së, 250,000 njerëz vdesin çdo ditë, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Në veçanti pushtimi rus i Ukrainës ka ndërprerë zinxhirët furnizues të ushqimit për vendet më të varfra të botës, kryesisht në Afrikë dhe Azi. Përveç kësaj, ai ka çrregulluar tregun energjetik, duke ushqyer kështu krizat politike dhe ekonomike në gjithë globin. Mungesa e bashkëpunimit global është duke rritur gjasat e një pandemie tjetër sikur COVID-19. Vetëm pandemia e fundit ka vrarë 7 milionë njerëz. Zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale dhe militarizimi eventual i saj përbënë një nga kërcënimet më serioze për mbijetesën e njerëzimit.

Ndonëse shumica e këtyre rreziqeve kanë ekzistuar edhe më parë, shpejtësia e degradimit të tyre, ndikimi i teknologjisë, ndërlidhshmëria globale dhe mungesa e një konsensusi për të menaxhuar dallimet politike në mënyrë paqësore janë risitë të cilat kanë sjellë botën në “pikën e thyerjes”.

Pra me pak fjalë, u mundova të pikturoj sfondin ndërkombëtar përballë të cilit gjen veten sot vendi ynë i vogël. Arsyeja përse vendosa të bëj këtë është për të përcjellë mesazhin se bota sot është e preokupuar me prioritetet shumë më urgjente dhe të rëndësishme sesa Ballkani. Kancelaritë perëndimore nuk zgjohen çdo ditë duke menduar për Kosovën apo Serbinë. Në fakt, zhvillimet e fundit në botë vetëm janë duke e larguar vëmendjen nga Ballkani. Dhe në këtë drejtim, sa herë shohim çfarëdo vëmendje perëndimore për Ballkanin është me rëndësi të mos e humbasim atë mundësi. Pasi që ngjarjet e kohëve të fundit na treguan sa shpejt kjo vëmendje mund të zhduket duke vrapuar pas krizës së radhës në botë. E ndërkohë, në rajonin tonë do të ngelet boshllëku, e boshllëku i vëmendjes perëndimore historikisht është dëshmuar i dëmshëm për interesat tanë kombëtarë.