Sërish Kosova po keqpërdoret nga politikanët e Tiranës për betejat e tyre të brendshme dhe të pista politike. Bëhen sikur po i ndihmojnë Kosovës, në të vërtetë ia fusin thikën pas shpinës. Me fjalime absurde dhe me poza të rrejshme patriotike.
Ta marrim si shembull kryeministrin aktual, Edi Rama. Më 2015 e ka përkrahur themelimin e Gjykatës Speciale, madje erdhi në Prishtinë për t'i mbështetur Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën për të krijuar gjykatën. Atëherë që të tre mallkonin kritikët e gjykatës dhe i konsideronin armiq të Perëndimit.
Më 2018, Edi Rama tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Gjykata Speciale është e pashmangshme dhe nuk ekziston rreziku i shpërbërjes së saj. Nuk erdhi në Prishtinë për ta përkrahur Thaçin, i cili synonte zhbërjen e gjykatës.
Rrjedhimisht, fjalimi i sotëm i Edi Ramës në Kuvendin e Shqipërisë ku përpiqet të mbajë leksione kinse patriotike, është aq qesharak, aq i dobët, aq jokredibil. Një karikaturë fjalimi! Si t'i besohet një politikani që 7 vjet e ka përkrahur një gjykatë, pastaj thotë të kundërtën?
Akuza e Ramës se PD-ja ia ka futur thikën pas shpinës Kosovës, është paushalle. Po, PD-ja ka bërë disa marrëzi ndaj Kosovës. Ndërsa Kosova në vitin 1998 ishte përfshirë nga flakët e luftës, në Tiranë PD-ja përpiqej të bënte puç.
Por, e vërteta tjetër është se kanë qenë socialistët në pushtet, kur në Tiranë është vrarë Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Kosovës. Kurrë kjo vrasje nuk u ndriçua, sepse nuk është në interesin e politikanëve që qeverisnin në atë kohë dhe që kanë ndikim edhe sot. A janë arrestuar vrasësit e Ilir Konushevcit?
Ka qenë Partia e Edi Ramës në pushtet kur një strukturë e UÇK-së u tolerua të hapë burgje brenda Shqipërisë. Janë dënuar njerëz në Kosovë për keqtrajtim civilësh në këto burgje. Nëse ka një parti në Shqipëri që me keqqeverisjen e saj e ka bërë të mundshëm raportin e Këshillit të Evropës, atëherë ajo parti është Partia Socialiste. Edi Rama vetëm duhet ta shikojë arkivin e partisë së tij.
Nuk them që PD-ja do të kishte qeverisur ndryshe nga PS-ja po të ishte në pushtet në fund të viteve ‘90, por përpjekja e Ramës që për betejat e brendshme politike ta etiketojë PD-së si parti antikosovare është pak më shumë se dashakeqësi dhe fyerje e logjikës minimale të opinionit.
Për këso “ndihmash” nuk ka nevojë Kosova. 12 vjet pas publikimit të raportit të Këshillit të Evropës, 8 vjet pas raportit vendimtar të prokurorit amerikan, Clint Williamson, 7 vjet pas themelimit të Gjykatës Speciale – të krekosesh se tani me një rezolutë mund të bësh hatanë, është hedhje e pluhurit në sytë e opinionit për të mbuluar heshtjen 12-vjeçare. Kosova nuk do të duhej të keqpërdorej si leckë për tharjen e moçalit të politikës së Tiranës.
PS. Ky shkrim nuk mund të botohet nga mediat pa lejen e autorit.