Nga PDK-ja dhe LDK-ja, Haradinaj ka mësuar si zhvatet buxheti, si mbështeten bastionet, si punësohen militantët e familjarët, si tregtohet me ndërmarrjet publike e me ato private, si pushtohen institucionet e drejtësisë e të arsimit. Ka parë se si dy partitë e mëdha kanë përfituar nga tenderët publikë, kanë kontrolluar farmacitë dhe tregtinë me karburante. Ka parë se si gënjehet, blihet e mbahet elektorati për 20 vjet rresht. Më kryesorja si ruhet e forcohet pushteti
Qytetarët kanë të drejtë ta thonë e ta përsërisin pa fund se Qeveria Haradinaj është kampione e keqqeverisjes, ashtu siç e ka “lartësuar” me këtë gjetje, analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi.
Kanë të drejtë të luten që kësaj qeverie të mos i shkojë gjatë, ashtu sikur luteshin ndërmjet viteve 2004-2007, që një koalicion si ai i AAK-së me LDK-në të mos përsëritet kurrë.
Por këtë të drejtë nuk e kanë partitë politike që tash janë në opozitë. Ato kanë përgjegjësinë e madhe që sot kemi një koalicion, që në vend të “Qeverisë së punëve të mëdha” të quhet “Qeveri e skandaleve të mëdha”.
LDK-ja, që në një matje të fundit të opinionit publik ka dalë e para, ka edhe një faj “historik”. Ishte ajo, që me qëllimin që të përçajë “krahun e luftës”, më 2004 e kishte futur në “shtrat” AAK-në, ndërsa liderit të saj, Ramush Haradinaj ia kishte besuar drejtimin e Qeverisë. Ky pazar politik u bë për të gjallë të liderit të saj Ibrahim Rugova. Pra, në vend të shpërfilljes, LDK-ja ua dha shansin komandantëve që kishin braktisur Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të promovohen në politikë dhe të shijojnë pushtetin. Nga atëherë, AAK-ja nuk ka hequr dorë kurrë nga ëndrra që edhe ajo të përfshihet në kapjen e shtetit, pavarësisht se ka qenë dhe mbetet parti me fuqi të vogël elektorale.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas LDK-së u “keqpërdor” 10 vjet më vonë edhe nga LVV-ja. Jo për të penguar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi e as për ta penguar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kauzë mbi të cilën u bë koalicioni opozitar, por për ta goditur PDK-në e Hashim Thaçit, LDK-në e Isa Mustafës dhe për ta marrë pushtetin.
AAK-ja u përdor së fundi edhe nga PDK-ja, tash për ta ruajtur pushtetin e marrë që nga viti 2007. Ashtu si LDK-ja dikur, edhe PDK-ja e pagoi çmimin e heqjes dorë nga posti i kryeministrit. Por nuk ngeli keq në kushtet e rënies së lirë - mori hise në Qeveri, e ruajti pushtetin në Kuvend dhe në Presidencë.
Haradinaj këtë lojë të ndytë të partive rivale e ka kuptuar që nga fillimi i aktivitetit të tij politik. Ai, edhe sot, përjashtimisht kur shfaqet ashtu çfarë është në të vërtetë, arrin që të mbajë raporte miqësie jo vetëm me partnerët në koalicion, por edhe me opozitën. Me PSD-në e Shpend Ahmetit ka krijuar traditën e bashkëpunimit nga mandati i kaluar i qeverisjes komunale në Prishtinë. Me LDK-në i mban të lidhura fijet e bashkëpunimit që nga koha e afrimit të tij me familjen Rugova, por edhe me drejtuesit e komunave ku bashkëqeverisin. As Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka thelluar armiqësinë me Haradinajn, ashtu si ta zëmë me PDK-në dhe ish-liderin e saj, Hashim Thaçi. I lë derën hapur kryeministrit të tashëm për një aventurë të re politike. Edhe ftesa e saj për protestë nuk po merret seriozisht nga dy partitë tjera në opozitë, LDK dhe PSD.
Haradinaj, duke parë fuqinë e kontestuar të partive që kanë ambicie pushtetin, ka të drejtë të ndihet rehat. E ka të lehtë të deklarojë se opozita e ka përkrahjen e tij kurdo që ajo i bën votat për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
Në këtë marrëdhënie “biznesi” të partive politike, janë të padenja kritikat publike të atyre që kanë mbetur jashtë Qeverisë, për “paaftësinë” e Haradinajt për ta drejtuar Qeverinë. Rugova ia kishte besuar postin e kryeministrit. Edhe Isa Mustafa me Albin Kurtin e Fatmir Limajn nuk kishin rezerva që ai si përfaqësues i koalicionit VLAN të vihet në krye të Ekzekutivit. Kryeministër e bëri edhe PDK-ja.
Nëse këta liderë dhe partitë e tyre nuk e kanë njohur Haradinajn, atëherë ata kanë probleme më serioze sesa vetë i “akuzuari” për keqqeverisje. Nëse për këto vite kanë abuzuar me Haradinajn, me shpresën se ai edhe mund të mashtrohet me një copë të vogël nga kulaçi i pushtetit, atëherë kanë bërë dëm të dyfishtë. Kanë afirmuar artificialisht një person, që ata e quajnë të paaftë për menaxhim të institucioneve dhe kanë vënë në rrezik sundimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve.
Nëse Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe të tjerët ishin në dijeni të personalitetit kontrovers të Haradinajt - se ai ka prirje të fyejë, të kërcënojë edhe të godasë kushdo që vihet kundër tij, është dashur që të mos i ofrojnë partneritet. Nëse ishin në dijeni se ai për të mbyllur hesapet me drejtësinë, kërcënon zyrtarët e Prokurorisë e të gjyqësisë, se fyen analistët dhe gazetarët..., është dashur ta luftojnë politikisht deri aty se ai dhe të tjerët afër tij të binden se nuk e kanë vendin në politikë.
Fundja, Haradinaj nuk është produkt i partive të mëdha, vetëm si politikan-lider. Nga PDK-ja dhe LDK-ja ai ka mësuar si zhvatet buxheti, si mbështeten bastionet, si punësohen militantët e familjarët, si tregtohet me ndërmarrjet publike e me ato private, si pushtohen institucionet e drejtësisë e të arsimit. Ka parë se si dy partitë e mëdha kanë përfituar nga tenderët publikë, kanë kontrolluar farmacitë dhe tregtinë me karburante. Ka parë se si gënjehet, blihet e mbahet elektorati për 20 vjet rresht dhe më kryesorja si ruhet e forcohet pushteti. Tjetër që ai nuk ka struktura mirë të organizuara ku delegon një pjesë të diskursit publik, siç e ka PDK-ja “Pronton”. E tjetër që këtë model abuzimi e ka ngritur në nivel të “kataklizmit” institucional.