OpEd

Këndellja shumë e ngadalshme

Politika e orientuar nga zhvatja na ka bërë shumë dëm. Dhe mënyra më e lehtë për ta goditur një popull e për ta nënshtruar është kur e lë analfabet dhe të paaftë për ta luftuar të keqen. Për më tepër, e bën pjesë të sistemit zhvatës, sipas të vjetrës,

Dy vendime u morën javën e shkuar: një, që viti shkollor shtyhej edhe për dy javë, ndërkohë që me këtë rast mbylleshin edhe çerdhet e fëmijëve deri më 26 shtator. I dyti, që zgjedhjet nuk shtyheshin, për shkak të mungesës së qartë të bazës ligjore, si dhe mungesës së konsensusit mes partive politike.

Përderisa pushtetit i konvenonte që zgjedhjet të shtyheshin, opozita ishte kundër. Dhe në fakt, nuk kishte asnjë arsye të fuqishme që zgjedhjet të shtyheshin. Kishte shumë arsye të fuqishme që fushata me prezencë fizike të ndalohej, dhe këtu ka pasur bazë ligjore: Ligji për luftimin e pandemisë, që është ligj special e që i jep fuqi ministrit të Shëndetësisë që ta ndërmerrte një hap të këtillë.

Pra, as nuk u shtynë zgjedhjet e as nuk u anulua fushata, edhe pse partitë politike u deklaruan për fushatë të kufizuar me ditë, apo edhe të kufizuar vetëm në formën e elektronike. Porse sa funksionon kjo në terren nuk e dimë. Shohim fotografi tubimesh të mëdha pa masa mbrojtëse, e shohim edhe paraqitje kandidatësh me pak përkrahës tek enden prej një fshati në tjetrin.

Ndërkohë, debatet në televizione, edhe ashtu të nisura nja një muaj më herët, do të vazhdojnë të na godasin në kokë dita më ditë deri më 17 tetor. Uroj që KQZ-ja së paku t'i bëjë përgatitjet e duhura e që të mos na ndodhin tollovitë e panevojshme nëpër vendvotime e që ajo ditë të mos na shërbejë si shpërndarëse e virusit që duket se po e ngadalëson ritmin këto ditë sa i përket infektimit, por jo edhe të vdekjeve.

* * *

Pas një jave Kosova regjistron edhe 2.880 raste të reja të infektimit e edhe 120 raste të vdekjes nga virusi - pra situata vazhdon të jetë e nderë nga aspekti epidemiologjik dhe në asnjë mënyrë nuk do të mund të pretendohej se gjërat janë vënë nën kontroll. Për shkak se nuk është ashtu, sado që vaksinimi po vazhdon të ecë mirë, me ritëm thuajse të njëjtë.

Edhe pse janë administruar 1.12 milionë doza vaksinash, megjithatë vetëm 23% e popullsisë është vaksinuar me të dyja dozat. Ende më duket nuk na është treguar se sa njerëz duhet të vaksinohen sipas planit, posaçërisht pas vendimit që të përfshihen edhe moshat më të reja në program. Mirë do të ishte të tregohej numri e edhe të ndahej informata se a janë siguruar edhe vaksinat për ta, si dhe për dozën e tretë eventuale diku nga fundi i vitit?

Konferencat për shtyp nga zyrtarët e Ministrisë duhen të jenë më të shpeshta, më telegrafike, porse të domosdoshme për të treguar se ende jemi larg synimit për vaksinim, dhe se pikërisht vaksinimi është e vetmja armë që kemi për t'u mbrojtur nga virusi.

* * *

Porse shqiptarët në përgjithësi nuk kanë si të mbrohen nga virusi politik, i cili duket se vjen brenda secilit prej nesh që në lindje.

Gjatë javës që e lëmë pas kancelarja gjermane, Angela Merkel, së pari u ndal për vizitë në Beograd e më pas shkoi në Tiranë, ku u takua me gjashtë shefa qeverish të Ballkanit Perëndimor. Porosia e saj ishte e qartë: që të mos hiqej dorë nga Procesi i Berlinit, të cilin e kishte nisur vetë ajo, duke e ritheksuar se ky nuk ishte zëvendësim për anëtarësimin eventual në BE.

Ajo që ne kosovarëve na la pa fjalë qe sjellja skajshmërisht arrogante e Edi Ramës, fillimisht karshi gazetarëve kosovarë, të cilëve nuk iu lejua të shtronin pyetje. E më pas karshi Kosovës përfaqësuar nga Albin Kurti, të cilin e akuzoi se besonte në teori konspiracioni në lidhje me nismën e tij dhe të Vuçiqit, të cilën e quajtën Open Balkan.

Ishte e qartë habia e Merkelit në konferencë për shtyp teksa e dëgjonte përkthimin e asaj që e thoshte Rama, se Open Balkan ishte pjesë e Procesit të Berlinit. Si, nuk diti ta sqaronte. Fytyra e saj ishte fuqimisht përshkruese, thuajse shtronte pyetjen: "Po tash këtë çka e gjet që flet kështu?"

Kurti pas takimit me Merkelin tha se Kosova nuk do të bëhej pjesë e nismës Rama/Vuçiq, dhe se perspektivën e vetme e shihte te Procesi i Berlinit si rrugën që do të na shpjerë dikur në BE. E tha edhe këtë: "...Ballkani jo që nuk është 3 shtete, por as 6 shtete, por është së paku 12 shtete. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi e ta kërkojmë njohjen e saj e jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës... Ne nuk e konsiderojmë në interes që të bashkëpunojmë me një Serbi që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e prandaj duhet të bëhemi bashkë. Nuk bën që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë, e cila i mohon krimet dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Serbia është problem, nuk janë shqiptarët dhe Kosova. Kuptojeni këtë!”

* * *

Dhe kjo deklaratë pa dyshim i dhembi Ramës, i cili të nesërmen në Kuvendin e Shqipërisë doli për të thënë se "Shqipërisë nuk i jepen leksione", pra, nuk është punë e Kosovës nëse Shqipëria bashkëpunon me Serbinë që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, në një proces që nuk duket të jetë aq i qartë sa e deklamon Rama. Legjitime.

Porse është po aq legjitim edhe qëndrimi i Kosovës që të mos jetë pjesë e kësaj iniciative, e që as Kosovës të mos i mbahen leksione dhe të insistohet se ajo patjetër duhet të bëhet pjesë e kësaj nisme. E të akuzohet se nuk e kupton se çfarë humb me të. Jemi ngopur me pretendentë për baballarë të kombit.

E megjithatë është tejet pikëlluese që në kohën kur shqiptarët gjithandej duhen treguar njëfarë uniteti e solidariteti, në fakt fjalosen nëpërmjet mediumeve. E fjalosjeve të tilla përherë ua sheh hairin i treti - në këtë rast Vuçiqi, i cili po u "grah" punëve të veta si ia ka ënda. Për shkak se ka mbërritur ta fitojë simpatinë e Perëndimit; të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në krah të Kosovës dhe të mbledhë investitorë prej cilitdo cep të botës.

Në Shqipëri nuk di çfarë ndodh, sepse nuk duhet dhënë leksione, porse në Kosovë shumë pak gjëra kanë ndryshuar dhe rruga drejt heqjes së barrës së korrupsionit dhe keqqeverisjes është tejet, tejet e gjatë. E në këtë situatë sulmet nga Shqipëria nuk ndihmojnë. Përkundrazi.

Asnjë qeveri, me super duar të pastra që do të mund të vinte në pushtet, nuk mund ta kthejë këtë vend në normalitet as për një, as për dy e as për tri mandate madje.

Filozofia e krimit dhe korrupsionit është shndërruar në kulturë, e kjo kulturë në vlerë, dhe kështu kemi funksionuar 20 vjet. Se sa keq i kemi punët e tregon aktgjykimi i djeshëm në rastin “Pronto”, dhe lirimi i Grabovcit dhe Gashit nga çfarëdo përgjegjësie për krejt punësimet që janë bërë me thirrje telefonike e me urdhra për të "kunkurru".

E tregon edhe fakti se zyrtarë ministrish marrin mitë për të siguruar vula apostile, e mjekët e shkelin secilën copë të etikës për ta mbrojtur një zyrtar serb që ka blerë vota duke dhënë vërtetime të rreme shëndetësore. Për kapak e dëshmon edhe praktika e fajdeve që merr jetë apo që si zanat vazhdohet nga bashkëshortja pasjetuese e fajdexhiut që u bën trysni huamarrësve që t'i paguajnë borxhet me kamatë jashtë normales.

* * *

Ky vend ka shumë probleme të mëdha, të cilat nuk zgjidhen me heqjen e taksave të studimeve, e as me shtesat simbolike që u ndahen kategorive të ndryshme të popullatës. Janë premtime zgjedhore që po realizohen, porse sinqerisht, nuk është se mund të ndryshojnë shumë cilësinë e jetës që e jetojmë.

Ta marrim për shembull taksën e studentëve. Kosova ka shumë, shumë studentë dhe nuk ka treg pune për ta. Nuk ka zanatlinj e as njerëz që me aftësim profesional të mesëm do të mund të orientoheshin për prodhim e punë specifike që nuk mund t'i kryejë gjithkush.

Ky vend nuk ka boll profesorë të mirëfilltë për të prodhuar profesionistë shumë të mirë. Ka shumë profesorë që prodhojnë shumë analfabetë funksionalë, sepse nuk kanë kohë t'i kushtohen mësimdhënies siç duhet, për shkak se kanë shumë tezga. Pra, mësimdhënien e kanë shndërruar në pazar, sepse ashtu ua lejon sistemi.

Arsimi i dobët është rrënja e shumë problemeve në këtë vend dhe reforma aty duhet me qenë tepër e thellë. Aq, sa shumë gjëra duhen të shkurtohen dhe të riorganizohen. Nuk po them se UP-ja, në kohën kur kam studiuar unë, ka qenë universitet kulmor, porse krahasuar me këtë që kemi tash të shpërndarë në gjashtë universitete publike dhe një grumbull institucionesh private, ishte larg, larg më cilësor.

Politika e orientuar nga zhvatja na ka bërë shumë dëm. Dhe mënyra më e lehtë për ta goditur një popull e për ta nënshtruar është kur e lë analfabet dhe të paaftë për ta luftuar të keqen. Për më tepër, e bën pjesë të sistemit zhvatës, sipas të vjetrës, "nëse nuk mund ta luftosh, bashkoju!". E kjo është ajo çfarë na ka ndodhur për 20 vjet. Fatkeqësisht!

Uroj të mos kalojnë edhe 20 të tjerë për t'u këndellur.

[email protected]