E këtë kavanozin e qelqtë ballkanik tradicionalisht e kanë tundur qendra politike interesash meskine. E tani në shekullin 21 këto interesa meskine kanë evoluar dhe janë shumë më të avancuara me metodologjitë e tyre, që të mund të identifikohen dhe të konspirohen shumë lehtë. Ato futen thellë në shoqëritë të cilat i kanë në cak dhe injektojnë propagandën dhe dezinformimin, si dhe shantazhin e tyre. Herët apo vonë përçarjet përbrenda shteteve dhe shoqërive bëhen hendeqe të cilat vështirë kapërcehen pa ndonjë konflikt të armatosur, sidomos në kavanozin e qelqtë ballkanik
Janë bërë tri ditë qysh se në tryezën time ende qëndron hapur dokumenti me urdhrin ekzekutiv nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Urdhri ekzekutiv flet mbi ndëshkueshmërinë e të gjithë liderëve politikë të Ballkanit Perëndimor dhe ndalesën e udhëtimeve të tyre për në SHBA, si dhe ngrirjen e pasurive apo aseteve të tyre në SHBA apo gjetiu, ku SHBA-ja do të mund të ketë qasje nëse ata identifikohen si personat të cilët janë të zhytur në korrupsion, shkaktojnë destabilizim drejt qeverisjes efektive dhe demokratike, dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Urdhri administrativ flet mbi minimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe mospërmbushjen e tyre nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, në mënyrë eksplicite përmenden Marrëveshja e Prespës e vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshjet e Dejtonit; ose Konkluzionet e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e përfaqësuesit të lartë, Këshillit të Zbatimit të Paqes ose Bordit Drejtues të tij; ose Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ose, në lidhje me ish-Jugosllavinë, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetjeve për tribunalet penale.
Në ndërkohë u mbajtën shumë panele me debate banalistësh politikë dhe vështrimet e tyre në lidhje me vazhdimësinë e urdhrit administrativ të vitit 2001 nga presidenti George Bush, por kësaj radhe shumë më eksplicit dhe shumëpërfshirës. Ky urdhër administrativ na del në dritën e diellit disa ditë pasi që këto masa u ndërmorën ndaj ish-kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Ai tashmë mund të ndiejë një ngushëllim se së shpejti ai do të ketë edhe shoqërues të tjerë pjesëtarë të listës së zezë i së cilës veçse është bërë z.Berisha, si dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tij.
Çka duhet të ndijë secili udhëheqës shtetëror dhe politik i Ballkanit Perëndimor me të lexuar të këtij urdhri ekzekutiv të lëshuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden?
Së paku, në njërën nga pikat e marrëveshjes në mënyrë direkte apo indirekte secili nga ta mund ta gjejnë veten aty dhe kjo mbetet koha e fundit që secili nga ta të reflektojë mbi qasjen dhe drejtimin e tyre politik, para se që edhe emri i tyre të publikohet në lista të zeza të administratës amerikane.
Unë mbes i mendimit se administrata amerikane veçse është e tejngopur me qasjen joserioze dhe tipike mashtruese të Ballkanit ku një gjë thuhet, një gjë tjetër nënshkruhet e një gjë krejtësisht tjetër veprohet. Këto gjëra kanë ndodhur në këtë mënyrë, në mënyrë direkte apo të tërthortë në 20-30-vjeçarin e fundit. Mendoj aq sa është qortuese për vetë liderët dhe politikanët e Ballkanit Perëndimor në të njëjtën kohë është edhe një rishikim, udhërrëfyes dhe përkushtim më serioz i administratës ndaj çështjeve të Ballkanit Perëndimor.
E në diplomaci edhe tajmingu është mbreti i rastit. Gjatë javës së fundit ishim dëshmitarë të ndalesës për Sali Berishën dhe familjen e tij, verifikimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për burgimin e përjetshëm të kriminelit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë, për krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë, ish-gjeneralit Ratko Mladiq.
Vizita të cilën presidenti Biden do ta bëjë në Mbretërinë e Bashkuar, duke dashur që dëmet e shkaktuara në politikën e jashtme amerikane gjatë presidencës së fundit të riparohen dhe rrugëtimi i bashkëpunimit fuqiplotë të fuqizohet para takimit me presidentin rus, Putin.
Dje Parlamenti i Shqipërisë për herë të parë në historinë e këtij shteti qysh nga formimi i tij me një shumicë absolute votash të deputetëve e shkarkoi presidentin e Republikës së saj, Ilir Meta.
E për ironi, sot, në Tiranë në Pallatin e Brigadave zhvillohet Samiti i Krerëve të Ballkanit Perëndimor. Shumë mesazhe diplomatike dhe politike vetëm përbrenda një jave. Sigurisht se edhe këta liderët e Ballkanit Perëndimor do t’i kenë pas ca ditë që të reflektojnë mbi qasjen e presidentit Biden dhe se reflektimi i tyre do të mund të pritet qysh nga ky samit në Tiranë.
Për dallim nga ajo se si funksionon mendësia ballkanike dhe fuzat e shkurtra në kokat ballkanike, politikëbërja amerikane e ka një kontinuitet dhe mundohet që atë ta mirëmbajë dhe ta rifreskojë sa herë që të jetë nevoja, por në thelbin e saj qasja mbetet e njëjtë më mes administratash të ndryshme. Kjo ngase kryetarët, Senati dhe Kongresi mund të ndërrojnë se kush zgjidhet dhe kush e përbën shumicën, mirëpo të gjitha institucionet e tjera të cilat merren me politikëbërjen amerikane vazhdojnë punën e tyre "business as usual" dhe mbesin në shërbim të shtetit pavarësisht se kush është i ulur, ku në cilin moment në kohë dhe hapësirë.
Diçka nga e cila politikëbërja ballkanike e pse jo edhe ajo shqiptare në veçanti do të mund që të nxirrte leksione. Ndoshta gabim nga ana e ime që e përdora termin "leksione" në vend të "mësimeve", ngase politikanët shqiptarë termin "leksio" mund ta kuptojnë si aksione të lekëve.
Nëse kjo verë nuk do të na premton temperatura të larta klimatike, veprimet dhe situatat politike medoemos se do të sjellin temperatura të larta. Ka kohë që unë jetoj me atë ndjesinë "diçka është duke u zier" dhe një ditë ajo gjë do të gufojë. Ende nuk po mundem që ashtu me saktësi ta vendos gishtin mbi hartë dhe të them "ja ky është ai vend, i cili do të shpërthejë" e ndoshta të gjitha veprimet e administratës amerikane e kohës së fundit kanë pikërisht të bëjnë me atë përmbylljen e rrethit të interesave të tyre që pikërisht të mos vijë deri te një shpërthim i radhës i çfarëdo natyre qoftë në këtë regjion dhe që "njëherë e përgjithmonë" ky vend baruti, ku vetëm një shkëndijë e vogël nevojitet që të ndizet i tëri, t’i vihet një stabilitet afatgjatë, progresiv dhe zhvillimor.
Këtu do të vlente ajo thënia, e cila i atribuohet David Attenboroughut, mirëpo faktikisht nuk dihet se kush e ka thënë saktësisht.
"Nëse mblidhni 100 milingona të zeza dhe 100 milingona të kuqe, dhe i vendosni në një kavanoz qelqi asgjë nuk do të ndodhë. Por, nëse merrni kavanozin, tundeni me forcë dhe e lini në tryezë, milingonat do të fillojnë të vrasin njëra-tjetrën.
Të kuqet besojnë se milingonat e zeza janë armiku, ndërsa të zezat besojnë se milingonat e kuqe janë armiku, e në fakt armiku i vërtetë është personi që tundi kavanozin. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në shoqëri në temat e ndryshme si:
Burra vs gratë
E zezë vs e bardhë
Besimi vs shkenca
Të rinjtë vs të moshuarit
etj.
Para se të luftojmë njëri-tjetrin, duhet ta pyesim veten: Kush e tundi kavanozin?
E këtë kavanozin e qelqtë ballkanik tradicionalisht e kanë tundur qendra politike interesash meskine. E tani në shekullin e 21 këto interesa meskine kanë evoluar dhe janë shumë më të avancuara me metodologjitë e tyre, që të mund të identifikohen dhe të konspirohen shumë lehtë. Ato futen thellë në shoqëritë të cilat i kanë në cak dhe injektojnë propagandën dhe dezinformimin, si dhe shantazhin e tyre. Herët apo vonë përçarjet përbrenda shteteve dhe shoqërive bëhen hendeqe të cilat vështirë kapërcehen pa ndonjë konflikt të armatosur, sidomos në kavanozin e qelqtë ballkanik. Këto skena i kemi ende të freskëta nga shthurja e të ashtuquajturit shtetit të Jugosllavisë. Ndarja e ish-republikave jugosllave ishte e përgjakshme, si dhe me elemente të verifikuara tashmë në to. E ato plagë mbesin ende të hapura. Të hapura mbesin edhe plagët nga lufta e cila e kaploi edhe Kosovën e viteve 1998-1999. Ende mbesin 1,000+ persona të pagjetur, fati i të cilëve që nga koha e luftës nuk dihet. E edhe pas 22 vjetësh që nga përfundimi i luftës ende shfaqen hezitime për zbardhjen e fatit të tyre dhe që së paku familjarëve të tyre t’u jepet një lloj ngushëllimi.
Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë me bisedimet e tyre, të gjitha përgatitjet janë bërë edhe nga ana amerikane si aleat i yni më i ngushtë i shtetësisë dhe lirisë sonë, se marrëveshja duhet të jetë një lloj kompromisi i dhimbshëm midis palëve. Kompromisin e dhimbshëm nga ana jonë e kemi pas para dyerve tona një kohë të gjatë, por disi na ka konvenuar që t’i mbyllnim sytë dhe që të mos pranonim prezencën e tij në mesin tonë, e në zhargonin popullor "tupani bie për ata që kanë vesh". Edhe tupani i fundit i Joe Bidenit me urdhrat e tij administrativë do të bjerë për ata që kanë vesh!