Çdo ditë e natë dikush flet për të kaluarën si aktor i saj, çdo ditë e natë dikush thotë se ka qenë në Rambouillet dhe Vjenë, ka qenë në Bruksel e Paris, ka qenë në mbledhjen e historike të kësaj lëvizjeje dhe asaj partie, në këtë front të luftës dhe atë betejë. Çdo ditë e natë bëhet garë për shkrimin e historisë dhe moslejimin që ajo të marrë një formë konsistence, madje aq sa të mos dimë a kemi qenë ne pjesë e asaj të kaluare apo e tëra ka qenë një realitet paralel. Aty, në ato ndeshje historish të papërfunduara bërrylat kujdesen të mos lejohet të duket fytyra e Fehmi Aganit.
1.
Herën e parë që vdiq Fehmi Agani, mbaj mend se kur e nxorën nga morgu i Prishtinës për t’ia dorëzuar bashkëshortes, koka i qe e mbuluar me çarçaf e nuk qenë të mbuluara çorapet e bardha e të leshta. Nuk besoj të ketë qenë një vendim i paramenduar simbolizmi - diçka që duhej të fshihte me çarçaf turpin e ekzekutimit të një intelektuali të njohur për paqe, tolerancë e dialog - por ato, çorapet e leshta të nevojshme për atë pranverë të vitit 1999 që nuk po vinte, më dukeshin si e vetmja gjë që del se donte të tregonte pushteti i asaj kohe që ekzekutoi profesorin Agani më 6 maj të vitit 1999, diku kah Lipjani, ndërsa përpiqej që të mbërrinte në Shkup për të bërë atë që bënte më së miri, të përpiqej që me urtësi e këmbëngulje t’i pajtonte shqiptarët e Kosovës (dhe ish Jugosllavisë) ngjyrimeve të ndryshme politike. Çorapë të leshtë ka mundur të ketë çdokush atë ditë, kokën e tij, të gjallë a vdekur ka mundur ta mbajë vetëm ai.
2.
Bëhen këtë javë tashmë 24 vjet që pushteti serb nuk gjen formë se si ta heqë atë çarçaf të bardhë me të cilin u përpoq t’ia mbulojë fytyrën, kokën dhe namin.
Dihet saktësisht se si prej cilit njësit të uniformuar të Serbisë u ndal Fehmi Agani, cili epror kërkoi nga eprorët e tij udhëzim se çka të bëjë me të, cilët persona të uniformuar u larguan me të në një veturë dhe në cilën lëndinë e ekzekutuan.
Në Serbi ende ekziston përpjekja që të thuret një rrëfim që duhet të shpjegojë disi se e tëra nuk ka ndodhur, apo në rastin më të keq, se është një keqkuptim.
Në të gjallët, njëri prej historianëve të rinj serbë (e pastaj ambasador në Greqi) Dushan Batakoviq dilte shpesh në mediat e Beogradit për të treguar se si nga shtrati i spitalit, ku rrinte sepse kishte pësuar infarkt, i kishte kërkuar pushtetit që ta ruanin Fehmi Aganin, si njeri të paqes e dialogut. Rrëfimi i dr.Batakoviqit nuk është se ka ndonjë peshë; edhe po të ishte ashtu siç thotë, qartazi fjala e tij qenka shpërfillur lehtësisht.
Por, fakti se u përsërit disa herë në medie më jep të drejtë interpretimi të një gjendje disonance kolektive kognitive e Serbisë, që duhet të shpjegojë se shteti ka zhvilluar luftë kundër “terroristëve shqiptarë”, se Fehmi Agani nuk ishte “terrorist shqiptar” dhe se shteti ka vrarë Fehmi Aganin. Këto tri thënie nuk shkojnë së bashku, siç nuk shkojnë shumica e arsyetimeve të ligjërimit të sotëm serb mbi Serbinë si shtet i cili u bombardua nga NATO sepse donte paqe.
Ka pasur dhe ka zëra në Serbi se vrasja ka mundur të jetë një keqkuptim apo një gabim i një eprori. Por, edhe kjo gjë ka procedurën e vet; është dashur të mbahet gjykimi, të dënohen eprorët dhe ekzekutorët e të thuhet se Fehmi Agani është vrarë nga njerëz të uniformuar të Republikës së Serbisë.
Përderisa kjo nuk të ndodhë, Fehmi Agani përjeton ditë më ditë, 24 vjet me radhë vdekjen e dytë në duart e Republikës së Serbisë.
3.
Mund të jetë që Fehmi Agani vdiq herën e tretë kur emri i tij u shënua në varr, në tabelën e rrugës dhe me shtatoren para Fakultetit Filozofik. Nëse ka qenë vdekja e tij e tretë , mund të ketë qenë me fat; ka njerëz të tjerë të këtij dheu që ende nuk kanë eshtra të mbledhur për t’u shndërruar në varr, apo nuk e kanë gjetur momentin kur një komision i nderon me emër rruge e lëre më me ndonjë shtatore.
Ndonjëherë mendoj se po të mos kishte ndodhur kaq shpejt (varri, tabela e rrugës, shtatorja), vdekja e tretë e Fehmi Aganit do të shkonte pa ndonjë shenjë. Dy a tre vjet më pas, vështirë të kujtohej kush. Në zhvillimin njerëzor gjithnjë ekziston një simbol që ose tregon rrugën përpara ose tregon për jetën e lënë pas e vdekja e tretë e Fehmi Aganit ka mundur të rrjedhë pa shenjë, e të zhvillohet siç është zhvilluar prej shtatores e këtej. Ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti, Kosova ka mundur të ndërtojë një rrëfim historik, siç po e bën, ku vendimet e mëdha historike janë marrë nga strategë e Etër kombi, nga komandantë e vizionarë, por në asnjërin prej tyre nuk do të figurojnë njerëz si Fehmi Agani.
E ky njeri ka qenë vetë e me shokë të tij intelektualë truri i LDK-së, e me këtë truri i një lëvizje unikale kombëtare që i ka prirë vendit disa vjet me radhë. Rezistenca paqësore, 2 korriku, Referendumi, Kushtetuta e Kaçanikut- asnjë nga këto nuk do të ishin të mundura pa Fehmi Aganin.
Lëvizja e pavarësisë së Kosovës ka qenë pikësëpari mendore.
Dhe, ndoshta, ky mund të jetë motivi që ai ta përjetojë vdekjen e tretë.
4.
Dhe vdekjen e katërt ma përshkroi një mik me një pyetje të thjeshtë:
-Hajt më trego se kush është Fehmi Agani sot?
Pyetja e tij kishte të bënte me partinë i së cilës qe themeltar profesor Agani. Kishte të bënte, me siguri edhe me pak nostalgji; gjenerata e cila mban mend Fehmi Aganin tashmë e sheh jetën e vet si pjesë të historisë.
Por, pyetja është me vend në Kosovën e relativizimit. Çdo ditë e natë dikush flet për të kaluarën si aktor i saj, çdo ditë e natë dikush thotë se ka qenë në Rambouillet dhe Vjenë, ka qenë në Bruksel e Paris, ka qenë në mbledhjen e historike të kësaj lëvizjeje dhe asaj partie, në këtë front të luftës dhe atë betejë. Çdo ditë e natë bëhet garë për shkrimin e historisë dhe moslejimin që ajo të marrë një formë konsistence madje aq sa të mos dimë a kemi qenë ne pjesë e asaj të kaluare apo e tëra ka qenë një realitet paralel.
Aty, në ato ndeshje historish të papërfunduara ku asnjë bërryl nuk lejon të duket fytyra e Fehmi Aganit të para 24 vjetëve fiton me peshë pyetja e vdekjes së katërt të tij:
-Hajt më trego se kush është Fehmi Agani sot?