Në përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës kemi parë rilindjen e shtetit dhe të identitetit ukrainas, shpërbërjen e imazhit të Rusisë së fuqishme, forcën e pakontestueshme të Perëndimit dhe ngritjen e paevitueshme të Jugut Global
Është javë historike. Këtë javë shënohet përvjetori i agresionit rus të Ukrainës që shkaktoi luftën më të madhe në Kontinentin Evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Pamjet e kësaj jave të presidentit të buzëqeshur Biden nën sirenat e sulmit ajror në Kiev do të zënë vend kryesor në historinë moderne të civilizimit. Ardhja personale e presidentit Biden në Kiev ishte garanci më e madhe për përkushtimin e SHBA-së ndaj Ukrainës. Kjo ishte në veçanti e rëndësishme tani kur Rusia është duke ndryshuar strategjinë e saj karshi luftës në Ukrainë. Pas dështimit të planit A për pushtimin e shpejtë të Ukrainës, presidenti Putin është duke u përgatitur për një luftë të gjatë që ka për qëllim lodhjen dhe përçarjen e aleancës perëndimore në përkrahje të Ukrainës. Shpresa është se kjo do t’i sjellë Rusisë kushtet më të favorshme për negocimin e fundit të luftës. Prandaj pikërisht në këtë drejtim nuk ishte rastësi që presidenti Biden hoqi çdo dyshim për përkushtimin amerikan në përkrahje të Ukrainës kur tha: “Rusia asnjëherë nuk do të fitojë në Ukrainë. Asnjëherë”. Ndërkohë 1200 km në lindje, presidenti Putin mbajti fjalimin e vet vjetor para Kuvendit Federativ të Rusisë. Fjalimi ishte riciklim i sloganeve të vjetra për “denazifikimin e Ukrainës” dhe mbrojtjen e Rusisë nga dominimi amerikan. E vetmja risi ishte dalja zyrtare e Rusisë nga Marrëveshja për Zvogëlimin dhe Kufizimin e Armëve Ofensive Strategjike – marrëveshja e fundit në mes SHBA-së dhe Rusisë për zvogëlimin e arsenalit bërthamor.
Sidoqoftë, përtej fjalimeve të dy presidentëve është e dobishme të reflektojmë për mësimet që mund të nxjerrim nga viti që po lëmë pas. Janë së paku katër mësime.
1. Ngritja e Ukrainës. Para një viti, për shumicën e qytetarëve në botë Ukraina ishte vend i panjohur. Një lloj paralagjeje ruse. Sot, një vit pas pushtimit rus, Ukraina ka krijuar identitetin e vet ndërkombëtar krejtësisht të veçantë dhe të dallueshëm prej atij rus. Ky identitet u krijua falë mijëra akteve dhe historive të heroizmit dhe atdhedashurisë që kanë ardhur nga Ukraina gjatë këtij viti. Në orët e para pas pushtimit rus të Ukrainës kur u paralajmërua që kolapsimi i Kievit është çështje orësh, presidenti Zelensky publikoi videon “selfi” në mbrojtje të kryeqytetit. Po ashtu, në orët e para të pushtimit rus, presidenti Zelensky do t’i përgjigjet ofertës perëndimore për largim nga Ukraina me fjalinë e famshme: “Më duhet municion, jo evakuim”. Udhëheqja e presidenti Zelensky inspiroi një popull të tërë. Ata u bashkuan rreth presidentit të tyre. Armët u ngritën jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë. Rezistenca krijoi momente historike sikur ai i refuzimit të dorëzimit të ushtarëve të fundit ukrainas në ishullin Gjarpri me përgjigjen epike: “Russian warship, go f*** yourself”. Ata u kapën robër lufte, por pas pak javësh Ukraina u hakmor me fundosjen e luftanijes “Moska”. Me kalimin e kohës ajo çfarë filloi si rezistencë politike e inspiruar nga presidenti Zelensky do të shndërrohet në fushatë të suksesshme ushtarake ukrainase. Ushtria ukrainase jo vetëm se prishi planet ruse për pushtimin e shpejtë të Ukrainës, por me kalimin e kohës ajo përmbysi ecurinë e luftës duke kthyer nën kontroll të saj 50% të territoreve të okupuara nga Rusia. Ky sukses ushtarak u përkthye në vetëbesim për të ndërmarrë akte të guximshme dhe të sofistikuara ushtarake sikur ai i minimit të urës së Krimesë. Dhe gjatë gjithë këtij viti nuk kemi mësuar vetëm për rilindjen ushtarake të Ukrainës, por edhe për historinë, ekonominë, artin, kulturën dhe popullin ukrainas. Kësisoj, të gjithë mësuam kuptimin e ngjyrave kaltër dhe verdhë në flamurin ukrainas, mësuam rëndësinë e tokave dhe grurit ukrainas, mësuam për artistët, violinistët dhe sportistët ukrainas. Pra, në pak fjalë gjatë këtij viti ishim dëshmitarë të ngritjes së identitetit ukrainas në skenën ndërkombëtare si asnjëherë më parë në histori të saj.
2. Rënia e Rusisë. Ky vit zbuloi se Rusia është shtet i dobët. Pra, u përmbys ajo piktura e një fuqie globale politike që ka në dispozicion një forcë superiore luftarake. Në vend të kësaj u krijua një pikturë e re për Rusinë. Një pikturë e Putinit si politikan i dobët i cili ka keqkalkuluar hapat e tij me pushtimin rus në Ukrainë. Që nga fillimi Putini dështoi të formulonte një narracion koherent politik për ndërmarrjen e pushtimit të Ukrainës. Në vend të kësaj ai krijoi një pikturë të një politikani kokëkrisur me tezat e “denazifikimit”, zgjerimit të NATO-s, hegjemonisë amerikane, unifikimit të popullit rus dhe ukrainas, etj. Pas dështimit politik, radhën e kishte dështimi ushtarak. Pra, mësuam se Rusia është e paaftë të planifikojë dhe të zbatojë një fushatë të limituar ushtarake në fqinjësinë e saj më imediate. Kuptuam se mbetjet e Ushtrisë së famshme të Kuqe janë në fakt një forcë e jo-sofistikuar, e paorganizuar dhe e korruptuar oficerësh të cilët janë të paaftë t’i bëjnë ballë Ukrainës, e lëre më NATO-s. Pas ballafaqimit me realitetin ata u kthyen në një bandë terrori duke bombarduar caqe civile, duke kryer masakra, duke përdhunuar gra, duke kidnapuar fëmijë, dhe duke vjedhur frigoriferë dhe makina të larjes.
3. Fuqia e Perëndimit. Ky vit zbuloi edhe epërsinë morale, politike, ushtarake dhe ekonomike të Perëndimit. Që nga fillimi Perëndimi arriti të zbulojë paraprakisht dhe publikisht synimet ruse për pushtimin e Ukrainës. Të udhëhequr nga SHBA-ja, aleatët miratuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rezolutën për dënimin e pushtimit rus të Ukrainës me votat e 143 vendeve. Duke kuptuar se politika dhe diplomacia janë ndërmarrje fisnike, por në fund fare duhet armatosur, ata krijuan grupin prej 50 vendeve për mbështetje ushtarake Ukrainës, të cilët siguruan çdo gjë nga JAVELIN dhe STINGERS, e deri tek tanke dhe HIMARS. BE-ja vendosi sanksione të pashembullta ekonomike ndaj Rusinë dhe ndërmori një transicion dhe pavarësim agresiv energjetik nga gazi rus. BE-ja, po ashtu, ndërmori hapin e pashembullt të trajnimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e saj, ndërsa Gjermania ndërpreu projektin e gazit rus NORD STREAM 2 dhe revolucionarizoi shpenzimet e saj ushtarake. Duke njohur singularitetin e kohës, edhe Finlanda dhe Suedia neutrale hodhën neutralitetin historik në shportë dhe aplikuan për anëtarësim në NATO. Prej kohësh është hedhur dyshimi për unitetin e aleancës transatlantike. Për këtë dyshim ka pasur edhe arsye. Hendeku në mes SHBA-së dhe Evropës në çështjet globale është shpërfaqur në krizat e fundit botërore: lufta në Irak, Afganistan dhe politika shumëvjeçare ndaj Rusisë ishin të gjitha momentet e ndarjes në mes aleatëve. Përkundër këtij sfondi të ndarjes, uniteti perëndimor në mbrojtje të Ukrainës ishte dhe shënimi i rilindjes së aleancës transatlantike.
4. Rëndësia e Jugut Global. Përderisa Perëndimi ka qenë jashtëzakonisht unifikues në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës, kështu nuk ka qenë e gjithë bota. Në fakt, gjysma e botës nuk ka qenë kështu. Nëse do të shikonit hartën e botës do të kuptoni se të gjitha vendet në pjesën e poshtme të hartës – në pjesën jugore – nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë. Pra, bëhet fjalë për gjithë Amerikën Jugore, gjithë Kontinentin Afrikan, gjithë Lindjen e Mesme, Indinë dhe Kinën, në mes të tjerash. Kina në fakt jo vetëm se nuk ka vendosur sanksione, por shkëmbimi tregtar me Rusinë është rritur në vitin 2022 dhe ka arritur nivelin rekord prej 190 miliardë dollarësh. Afërsia politike në mes Kinës dhe Rusisë ka shtyrë SHBA-në të ngre dyshimet për evoluimin e kësaj afërsie politike në përkrahje ushtarake kineze për Rusinë. Afrika e Jugut është duke zhvilluar ushtrimet detare me Kinën dhe Rusinë, ndërsa Kameruni ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak. Po ashtu, vendet sikur Mali, Egjipti, Uganda, Etiopia, Mauritiusi, Kongoja, Suazilandi, Botsvana, Angola dhe Algjeria, të gjitha kanë qenë nikoqire të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Lavrov. Brazili ka refuzuar furnizimin e Ukrainës me municion, ndërsa presidenti Lulu është përmbajtur nga dënimi i prerë i Rusisë. E gjithë kjo shtron pyetjen e sikletshme për Perëndimin: A është me të vërtetë bota e unifikuar në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës? Përgjigjen në këtë pyetje e mbajnë vendet e Jugut Global, dhe rëndësia e tyre e sotme në sfondin e luftës në Ukrainë është tregues për ngritjen e tyre të paevitueshme në rendin e ardhshëm ndërkombëtar.