Në Kosovë, Indeksi mbi Perceptimin e Korrupsionit ka shembur propagandën e Kartelit Mohues të Shpresës, ndërsa në Shqipëri ka zbuluar se sa shumë regjimi i Ramës ngjason me sundimin e mbretit të fundit të Afrikës
Holywoodi ka shpjeguar më mirë se kushdo se çfarë është karteli në botën e krimit. Nga filmi “Scarface” e deri te seriali “NARCOS”, secili nga ne kemi kuptuar rëndësinë e ushtrimit të monopolit dhe ruajtjes së interesave në botën e krimit. Në kartel nuk ka tolerancë për negocimin e monopolit apo ndryshimin e status quos. E gjithë ekzistenca e tij varet nga ruajtja e interesave të kartelit nga ndërhyrjet e jashtme.
Suazilandi është monarkia e fundit absolute e Afrikës. Pasqyrimin më të mirë të gjendjes së Suazilandit e shpërfaq festa e tyre kryesore: Umhlanga. Në fund të verës, mijëra vajza të pamartuara mblidhen për tetë ditë për të festuar virgjëritetin e tyre para mbretit dhe qytetarëve. Gjatë festës ato vallëzojnë gjysmë të zhveshura. Gjatë ceremonisë mbreti zgjedh 365 vajza, të cilat do të jetojnë në Pallatin Mbretëror. Nga këto, mbreti ka të drejtë të zgjedhë njërën për gruan e tij të radhës. Familjet e vajzave të cilat refuzojnë pjesëmarrjen duhet të paguajnë haraçin një lopë.
Rekordi i Kosovës
Vitin që lamë pas Kosova shënoi ngritje më të lartë vjetore në historinë e publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Kosova u ngrit në rangim për 17 vende, duke tejkaluar kështu të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi. Dhe këtë e ka arritur pa pasur një vit të plotë të qeverisjes së re. Kjo arritje patjetër se legjitimon përpjekjet e Qeverisë për avancimin e sundimit të ligjit.
Tani, edhe pse Kosova pati ngritje të shkëlqyeshme vjetore, viti 2021 nuk ishte vit me rangim më të mirë të Kosovës në kuadër të Indeksit. Rangimi më i mirë ishte në vitin 2017, gjatë qeverisjes së z. Isa Mustafa, kur Kosova shënoi perceptim më të ulët të korrupsionit ndonjëherë. Sidoqoftë, ky rangim erdhi pas qeverisjes trevjeçare të z. Mustafa. Prandaj, për qëllime krahasimi çdo herë duhen analizuar trendët njëvjeçarë.
Duke e thënë këtë, konsideroj se patjetër duhet njohur meritat e mirëqeverisjes së z. Mustafa, pasi që gjatë gjithë kohës së qeverisjes së tij perceptimi i korrupsionit ka shënuar rënie lineare. Njëkohësisht nuk duhet harruar që z. Mustafa e ka arritur këtë duke qenë në koalicion me PDK-në, e cila tashmë kishte hijen e rëndë të korrupsionit omniprezent. Prandaj, duhet pranuar se z. Mustafa e ka pasur shumë më vështirë se z. Kurti të instalojë parimet dhe praktikat e shëndetshme të mirëqeverisjes, pasi që në çdo vendimmarrje më të rëndësishme ai ishte i kufizuar nga koalicioni me PDK-në.
Duke u kthyer tek e sotmja, arritja e jashtëzakonshme e mazhorancës së re na ka ofruar dëshmi se Kosova ka vullnet dhe kapacitet për reforma të thella politike, ekonomike dhe sociale dhe se ne nuk jemi pafundësisht të dënuar që të jemi delja e zezë e rajonit. Institucionet e reja të Kosovës kanë dëshmuar se janë të afta që ta ngrenë vendin nga letargjia shumëvjeçare politike, të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe ta pozicionojnë Kosovën si lidere e rajonit në vendosjen e standardeve të mirëqeverisjes.
Karteli i Mohimit të Shpresës
Që nga fillimi i Qeverisë së re armiku i saj kryesor nuk ishin reformat në avancimin e sundimit të ligjit, vështirësitë në menaxhimin e pandemisë apo sfidat e krizës energjetike. Armiku më i madh ishte, dhe mbetet, luftimi i fushatave dezinformuese të ideuara, dizajnuara dhe zbatuara nga një kartel i akterëve parapolitikë, të cilët janë përbashkuar rreth një qëllimi të vetëm: ruajtja e status-quos së vendit dhe rrjedhimisht i interesave të tyre, duke i bindur qytetarët se shpresa për ndryshim është iluzion, ndërsa besimi në institucione gabim.
Në arritjen e këtij qëllimi ky kartel i mohimit të shpresës ka ndërmarrë një numër të fushatave dezinformuese me synim të delegjitimimit të institucioneve të reja dhe mohimit të shpresës së qytetarëve për ndryshim. Kësisoj, ata fillimisht e akuzonin Qeverinë për antiamerikane. Qeveria doli amerikane. Shkuan aq larg, saqë thoshin se do të largohet ushtria amerikane. Ushtria amerikane nuk lëvizi. Pastaj gjatë pandemisë e akuzonin Qeverinë si e paaftë për të siguruar vaksina. Qeveria i siguroi vaksinat. Pastaj thanë se Qeveria e re po e kap shtetin. Doli që opozita fitoi në të gjitha komunat. Së fundmi, gjatë krizës energjetike e akuzuan Qeverinë si e paaftë për të siguruar rrymë. Qeveria siguroi rrymë.
Lidhja përbashkuese e gjithë kësaj propagande është mohimi i ndryshimit që ka ndodhur në Kosovë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Pra, ky kartel i mohimit të shpresës ka një qëllim, dhe një qëllim të vetëm: mbylljen e Kosovës në rreth vicioz të stagnimit dhe mohimin e shpresës së qytetarëve për progres, duke ruajtur kështu interesat e tyre individuale dhe grupore.
Në këtë sens, rangimi i shkëlqyeshëm i Kosovës në Indeksin për Perceptimin e Korrupsionit nga Transparency International ka shembur një pjesë të rëndësishme të kësaj propagande të Kartelit Mohues të Shpresës.
Rama dhe mbreti i fundit i Afrikës
Përveç Kosovës, rekord historik në kuadër të Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut. Brenda një viti të vetëm rangimi i Maqedonisë së Veriut u përmirësua për 24 vende. Po ashtu, edhe Mali i Zi ka arsye të festojë. Mali i Zi vazhdon të perceptohet si vend me më së paku korrupsion në Ballkan. Në fakt, sot Mali i Zi perceptohet më pak i korruptuar se tri vende të Bashkimit Evropian: Hungaria, Bullgaria dhe Rumania.
Nga ana tjetër, humbëset më të mëdha të rajonit janë Shqipëria dhe Serbia. Shqipëria është duke vazhduar rënien e vazhdueshme në rangimin e Indeksit. Nga viti 2016, perceptimi i korrupsionit është rritur në Shqipëri nga viti në vit. Në total, Shqipëria ka rënë në rangim për 27 vende që nga viti 2016. Sot ajo është vendi më i korruptuar i rajonit. Sot Shqipëria rangohet pak më mirë se Suazilandi, i cili sundohet nga mbreti i fundit i Afrikës: Mbreti Mswati III. Pra, nëse vazhdon me këtë trend, Shqipëria vitin tjetër do të jetë e barabartë me monarkinë e fundit absolute të Afrikës, ku janë të ndaluara partitë politikë, ku mbreti emëron qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin, dhe i cili ka blerë 15 “Rollce-Roycat” për secilën nga 15 gratë e tij në një kohë kur 60% të qytetarëve jetojnë në varfëri, ndërsa vendi vazhdon të këtë shkallën më të lartë të infektimeve me HIV/AIDS në botë.
Serbia, po ashtu, ka arritur një rekord, vetëm jo nga ato me të cilat krenohet. Në vitin 2021, Serbia është perceptuar me nivelin më të lartë të korrupsionit në historinë e rangimit të saj në kuadër të Indeksit.
Rruga përpara
Patjetër se duhet njohur progresin e shkëlqyeshëm të Qeverisë së re në kuadër të instalimit të parimeve të shëndosha të mirëqeverisjes. Sidoqoftë, po ashtu duhet njohur se kjo mazhorancë e re nuk është në garë me historinë, por me të ardhmen. Prandaj, përderisa këtë vit Kosova shënoi një rekord nacional, vitin tjetër duhet të jemi ambiciozë që të vendosim rekord të ri rajonal. Në fakt, nuk duhet bërë shumë për të arritur këtë. Vetëm duhet ruajtur standardin e treguar deri më sot.