Kërkesa për status të vendit kandidat duhet të jetë festë e aleancës sonë evropiane, jo një pikë ndarjeje e re në mes nesh
Mançuria është rajon në juglindjen e Kinës. Ajo është popullarizuar në botë falë librit “Kandidati mançurian” i autorit Richard Condon, si dhe dy filma pasardhës me Frank Sinatran, Meryl Streepin dhe Denzel Washingtonin. Libri tregon storien e një toge ushtarake amerikane që zihet rob nga ushtria sovjetike gjatë luftës së Koresë në vitin 1952. Ata dërgohen në rajonin Mançuria dhe bëhen subjekt i një programi të veçantë psikologjik të shpëlarjes së trurit, me ç’rast njëri nga ta, rreshteri Raymond Shaw, përzgjidhet si kandidat për të infiltruar sistemin politik të SHBA-së me qëllim të përmbysjes së Qeverisë amerikane nëpërmjet një ndërmarrjeje komplekse hipnotizimi dhe konspiracioni.
Që nga ajo kohë termi “kandidati mançurian” simbolizon një ndërmarrje apo individ që është i dëmshëm për interesat e vendit – pa marrë parasysh synimet e tij.
***
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar synimin e saj për të dorëzuar kërkesën për statusin e vendit kandidat apo për ta njohur zyrtarisht si “kërkesë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Kërkesa është hapi fillestar që e vë në lëvizje një proces kompleks hapash dhe që idealisht shpie drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Një shembull tipik i gjuhës burokratike për të thënë ndryshe se një vendi i njihet zyrtarisht e drejta për t’u anëtarësuar dikur në BE. Pra, është vetëm fillimi i një procesi shumë, shumë, shumë, të gjatë integrues.
Synimi për të dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE nuk është risi. Pothuaj çdo program politik i çdo qeverie në këta disa vjet të fundit ka përmbajtur synimin për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në BE. Sidoqoftë, përderisa synimi nuk është risi, akti i dorëzimit do të ishte. Asnjë qeveri deri më sot nuk ka bërë një gjë të tillë, sepse ka kuptuar se një kërkesë e tillë do ishte dështim që në fillim.
Arsyeja kryesore e fatit ogurzi të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE ndërlidhet me atë që ndërlidhet çdo proces i faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës: dialogu me Serbinë. Pa progres në dialog me Serbinë as nuk mund të bëhet fjalë për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE. Ky parim është tani më i çimentuar në çdo dokument të rëndësishëm të BE-së, por edhe në çdo korrespodencë apo bisedë politike në mes të liderëve të BE-së dhe liderëve të Kosovës.
Në këtë kontekst konsideroj se dorëzimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat do të ishte i gabueshëm për, së paku, katër arsye.
E para, pa progres në dialogun me Serbinë kërkesa do të shndërrohet në një humbje të radhës në rrugën tonë integruese. Gjasat janë të mëdha që ajo as nuk do të shqyrtohet fare nga Këshilli i Ministrave të BE-së. E gjitha çfarë do të ndodhë është se në konkluzionet e takimit të Këshillit do të evidentohet se “Këshilli vëren (takes note of) aplikimin e Kosovës” dhe se “Këshilli fton Kosovën të bëjë progres në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me qëllim të avancimit të rrugës së saj evropiane”. Një zhvillim i tillë do të ishte i paprecedentë, pasi që do të ishte hera e parë që kërkesa e një vendit për statusin e vendit kandidat nuk do shqyrtohej fare. Është fare lehtë e imagjinueshme se si Serbia do të përdorë një zhvillim të tillë në argumentimet e saja ndërkombëtare kundër faktorizimit ndërkombëtar të Kosovës. Me fjalë të tjera, do të kishim një tjetër dështim në UNESCO dhe në INTERPOL.
E dyta, një kërkesë e tillë do të dëmtonte agjendën evropiane në Kosovë. Dështimi i realizimit të liberalizimit të vizave tanimë ka dëmtuar mbështetjen qytetare dhe politike në Kosovë për procesin integrues. Përgjegjësinë e madhe për këtë dështim e ka klasa e papërgjegjshme politike, e cila ka ngritur artificialisht pritjet e qytetarëve për liberalizimin e vizave, në mungesë të përmbushjes së kërkesave që vijnë nga BE-ja. Dështimi i kërkesës për statusin e vendit kandidat do të ishte gozhdë e radhës në arkivolin e agjendës evropiane të Kosovës.
E treta, një kërkesë e tillë do të konsolidonte përshtypjen ndërkombëtare për joseriozitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Viteve të fundit zhvillimet që kanë karakterizuar demarkacionin me Malin e Zi apo ato që e karakterizojnë sot Asociacionin e Komunave Serbe kanë krijuar një perceptim të Kosovës si palë joserioze në arenën ndërkombëtare. Një harbut ndërkombëtar i cili nuk është i aftë të nderojë obligimet e veta ndërkombëtare. Në këtë drejtim Kosova duhet të evitojë krijimin e situatave, ku përsëri perceptohet si aktor joserioz ndërkombëtar. Kosova e di se kërkesa për statusin e vendit kandidat nuk do të këtë sukses. Dorëzimi i saj do të ishte në kundërshtim me qëndrimin e aleatëve tanë. Në këtë sens konsideroj se Kosova duhet të sigurohet që në arenën ndërkombëtare është çdoherë në koordinim të plotë me aleatët e saj. Kjo ka qenë çdoherë formulë fituese e Kosovës. Rrjedhimisht, aplikimi për statusin e vendit kandidat duhet të jetë hap i natyrshëm dhe i koordinuar me BE-në dhe jo një konflikt i ri me aleatët tanë.
E katërta, dështimi eventual për statusin e vendit kandidat do të shndërrohet në temë debati të brendshëm polarizues politik, me ç’rast mazhoranca dhe opozita do të internacionalizojnë një proces të jashtëm politik dhe do të kërkojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin tonë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Kjo do të shkelte parimin bazë të procesit integrues, i cili kërkon unitet të plotë politik për agjendën më përbashkuese të shoqërisë sonë.
***
Mirëkuptoj vullnetin fisnik të Qeverisë për dorëzimin e kërkesës për status të vendit kandidat dhe jam dakord qind për qind se Kosova meriton plotësisht statusin e vendit kandidat. Në fakt, jam i bindur se Kosova i përmbush shumë më shumë se të gjitha vendet e rajonit kriteret për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por debati para nesh nuk është teorik. Është praktik.
Pyetja që kemi para nesh nuk është se a e meriton Kosova statusin e vendit kandidat?
Këtu jemi të gjithë dakord: po, patjetër se e meriton.
Pyetja që kemi para nesh është se cila është mënyra më e mirë për të fituar statusin e vendit kandidat? Dialog i urtë dhe bashkëpunimi i durueshëm, që na afron me aleatët tanë ndërkombëtarë, apo veprimi i ngutshëm dhe i njëanshëm që zgjeron hendekun në mes nesh dhe BE-së. Kërkesa për status të vendit kandidat duhet të jetë festë e aleancës sonë evropiane e jo një kandidaturë mançuriane.