Takimi i 26 tetorit ka krijuar tri realitete të reja, të cilat do të prodhojnë një zinxhir efektesh gjatë javëve dhe muajve në vijim
Jetojmë në kohët kur nuk është lehtë të kesh vëmendjen ndërkombëtare. Çdo kontinent është i ndezur me një apo më shumë kriza rajonale që kërkojnë vëmendjen dhe energjinë e aleatëve tanë perëndimorë. Në Kontinentin Evropian pushtimi rus i Ukrainës; në Lindjen e Mesme sikur Siria, Iraku dhe Afganistani nuk kanë mjaftuar, tani kemi edhe konfliktin e ri në mes Izraelit dhe Hamasit; në Azi tensionet e vazhdueshme në mes Kinës dhe Tajvanit, si dhe Koresë Veriore dhe asaj Jugore; ndërsa në Afrikë kemi pesëmbëdhjetë konflikte aktive nga Sudani dhe Mali, e deri te Nigeri dhe Burkina Faso. E gjithë kjo ka shtyrë madje edhe zakonisht-super-të-kujdesshme Kombet e Bashkuara të deklarojnë se “jetojmë në kohët me numër më të lartë të konflikteve të dhunshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”.
Në këtë sfond është shumë vështirë të kesh vëmendjen ndërkombëtare. Këtë e kuptuan së fundi në lëkurën e tyre qytetarët e Nagorno-Karabakut dhe Sudanit. Para syve të botës dhe brenda pak orësh Azerbajxhani zhvendosi 150.000 armenë nga Nagorno-Karabak. Në Sudan rindezja e konfliktit këtë vit shkaktoi afro 10.000 viktima dhe mbi 5 milionë të zhvendosur në atë që Kombet e Bashkuara e cilësuan si “tragjedi më të rëndë humanitare në historinë moderne". Asnjëri nga këto dy zhvillime nuk qëndroi kryelajm ndërkombëtar për më shumë se një ditë dhe asnjëri nuk prodhoi asnjë reagim serioz ndërkombëtar përtej komunikatave standarde diplomatike që bënë thirrje për përmbajtje.
Në këtë drejtim ishte tejet inkurajuese të shohësh javën e kaluar vëmendjen e tre liderëve më të mëdhenj evropianë për dialogun Kosovë – Serbi. Prezenca e tyre fizike në takimet e ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq ishte indikacion i përkushtimit të tyre për avancimin e dialogut. Tani e një kohë kancelari Scholz, presidenti Macron dhe kryeministrja Meloni, me mbështetje të SHBA-së, kanë vendosur dialogun Kosovë-Serbi si njëri nga top prioritetet e politikës së tyre të jashtme. Dhe në veçanti nga Banjska kjo vëmendje mori një impetus të ri. Që nga Banjska të deleguarit e tyre dyfishuan përpjekjet për avancimin e dialogut dhe i gjithë ky angazhim u kurorëzua me takimin e javës së kaluar. Në këtë drejtim nuk duhet nënvlerësuar rëndësinë e takimit të javës së kaluar. Ai ka prodhuar tani tri realitete të reja në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të cilat do të prodhojnë një zinxhir efektesh gjatë javëve dhe muajve në vijim.
Realiteti i parë i krijuar është dakordimi për Asociacionin “modern evropian” të komunave serbe. Pra, sipas njoftimit të tre liderëve tani më për herë të parë pas dhjetë vjetësh të gjitha palët janë dakorduar se si do të duket Asociacioni. Me fjalë të tjera, nga java e kaluar është mbyllur diskutimi se si do të duket Asociacioni. Dhe në këtë drejtim duket se Kosova ka arsye të jetë e kënaqur me versionin e dakorduar. Këtë e them për tri arsye. E para, kundërshtari më pasionant i Asociacionit, kryeministri Kurti, tashmë është dakorduar me këtë version të Asociacionit. Kjo i bie që më në fund sugjerimet e Kosovës janë marrë parasysh. E dyta, ambasadori amerikan në Kosovë, z. Hovenier, ka konfirmuar se në gjykimin e SHBA-së ky version i Asociacionit është në përputhje me tri kritere biblike të kryeministrit Kurti: (1) Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, (2) letrën e Mogherinit dhe (3) qëndrimin publik me shkrim të këshilltarit Chollet dhe përfaqësuesit special amerikan Escobar. E treta, vetë tre liderët e BE-së konfirmuan se ky version i Asociacionit është “në harmoni me praktikat dhe standardet më të mira evropiane” –parim ky i kërkuar nga Kosova tani e një kohë të gjatë.
Ky realitet i ri tani e tutje do të njihet në historinë e dialogut si “dakordimi i 26 tetorit”. Nga data 26 tetor 2023 më nuk do të këtë diskutime se si duhet të duket Asociacioni, por si do të funksionalizohet ai. Me fjalë të tjera rubikoni është kaluar.
Realiteti i dytë i krijuar është formalizmi i obligimit të Serbisë për njohjen de fakto të Kosovës. Që nga dakordimi i Marrëveshjes Bazike dhe shtojcës respektive BE-ja është përmbajtur nga cilësimi i obligimeve të Serbisë në kuadër të këtyre marrëveshjeve si “njohje de fakto” të Kosovës. Rrjedhimisht, asnjë zyrtar i BE-së asnjëherë nuk e ka përdorur këtë togfjalësh. Kjo ndryshoi më 26 tetor. Nga 26 tetori togfjalëshi “njohja de fakto” është bërë pjesë integrale e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë zhvillim assesi nuk duhet nënvlerësuar. Ky hap nga ana e BE-së do të shkaktojë një efekt zinxhir jashtëzakonisht të rëndësishëm në kuadër të përpjekjeve të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve diplomatike me pesë vende mosnjohëse, por edhe më gjerë, duke i hapur kështu rrugë Kosovës për faktorizimin e saj inkremental ndërkombëtar. Nga ana tjetër ky zhvillim tani do të rritë presionin mbi Serbinë për të nderuar obligimet e saja në kuadër të Marrëveshjes bazike, respektivisht (1) njohjen e simboleve dhe dokumenteve të Kosovës; (2) mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe (3) shkëmbimin e misioneve diplomatike.
Realiteti i tretë i krijuar është dinamika e re e dialogut. Përfshirja e tre liderëve në kuadër të dialogut ka lartësuar tani dialogun në një fazë të re dhe më dinamike. Në pesë paragrafë të shkurtër palët ftohen tri herë për të vepruar “pa vonesa”, të bëjnë “progres të shpejtë” dhe të “dakordohen menjëherë”. Me fjalë të tjera nuk jemi më në nivelin e lojërave të llojit “nga CEFTA në SEFTA” apo “kam dhimbje në dorën e djathtë”. Tani priten hapat seriozë nga palët për të zbatuar marrëveshjen bazike. Dhe kjo tani nuk është më çështje muajsh, por çështje javësh.
Në përgjithësi Kosova ka arsye të jetë e gëzuar nga takimi i liderëve i javës së kaluar. Unë besoj se propozimi i liderëve të BE-së i 26 tetorit, i cili është më afër interesave të Kosovës se sa atyre të Serbisë, është pasojë e drejtpërdrejtë e Banjskës. Si pasojë e sulmit në Banjskë liderët e BE-së i kanë mohuar Vuçiqit ngritjen e një Asociacioni i cili do të ishte më afër interesave të Serbisë. Po ashtu, ata kanë lartësuar pozitën e Kosovës në kuadër të marrëveshjes bazike duke njohur publikisht obligimet e Serbisë në kuadër të marrëveshjes si “njohje defakto” të Kosovës.
Dhe ndonëse qëndrimet e Kosovës dhe të aleatëve ishin në përgjithësi të harmonizuara javën e kaluar, në një aspekt ishte e qartë se palët dallojnë: çështja e nënshkrimit. Gjëja e parë që Kurti tha pas takimit të javës së kaluar ishte “Serbia ka refuzuar të nënshkruajë...pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”. Kjo ishte në kontrast si i shohin gjërat liderët e BE-së të cilët nënvizuan se “formalitetet, përfshirë ato sa i përket miratimit, nuk duhet të pengojnë progresin”. Pra, qartazi theksi i tyre është tek zbatimi praktik, jo tek nënshkrimi formal. Dhe në fakt historia e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se nënshkrimi nuk është asnjë garanci e suksesit. Çfarë dobie ka Memorandumi i nënshkruar i Budapestit për Ukrainën sot? Nga ana tjetër një nga sukseset më të mëdha diplomatike – Koncerti i Evropës – ishte pasojë e një dakordimi politik, jo nënshkrimi juridik. Kriza e Kubës si një nga episode më pivotale ndërkombëtare nuk u zgjidh me vendosjen e firmave mbi një dokument diplomatik, por mbi dakordësinë politike të liderëve të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Mund të vazhdojë kështu, por besoj, çfarë dua të them është e qartë: bota, sikur dialogu Kosovë – Serbi, nuk vuan nga mungesa e nënshkrimeve mbi dokumentet diplomatike, por nga mungesa e vullnetit politik për të avancuar interesat e përbashkëta të palëve kundërshtare.