Rreth djegies së veturave, Trumpit në polici dhe zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi
1.
Për disa ditë në pjesën veriore të Kosovës u zhvillua një garë interesante e normalitetit. Pas dakordimit për Planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe Ohër, qytetarët që kishin automjete me targa KM e të ngjashme të sistemit paralel të pushtetit u rreshtuan me rregull për të kryer kontrollin teknik dhe procedurat e tjera të nevojshme për të marrë targa RKS. Këtë e bënë pas presionit disamujor publik e jopublik (ai jopublik me kërcënime) se duhej t’u mbeteshin besnikë targave të vjetra. Me shpalljen e arritjes së dakordimit për Planin evropian, qytetarët u bënë interpretues më meritorë të saj, duke konstatuar se është normale të regjistrosh veturën tënde me targat RKS dhe se nuk është normale të mbash targa KM, sepse, në fakt, ato janë targa simbolizuese të jonormalitetit.
Për disa ditë u dogjën veturat e qytetarëve serbë që kishin regjistruar veturat e veta me targa RKS, pra që kishin dashur të kalonin në normalitet. Pas jo shumë kohe u arrestua një person i cili dyshohet se i kishte djegur këto vetura dhe po ashtu dyshohet ta ketë bërë këtë duke qenë pjesëtar i organizatës së quajtur Mbrojtja Civile, që për njëzet e kusur vjet ka qenë strukturë paralele e sigurisë, e subkontraktuar nga Serbia te njerëzit “e fortë” në pjesën veriore të Kosovës.
Në këtë garë, i arrestuari dyshohet se ka bërë veprime që gjendja rreth targave në veçanti (dhe e përgjithshmja në tërësi) të mos e kalojë pragun e normalitetit. Pra, normalitetin mund ta kenë dëshiruar dhe e dëshirojnë qytetarët e veriut - apo këtë gjendje tashmë e njohin si domosdoshmëri të pashmangshme - por me këtë nuk pajtohen ata që dyshohet si i dhanë urdhër të dyshuarit për djegie.
2.
Ngjarja është interesante nga shumë këndvështrime, por më duket fillimisht interesante nga aspekti i tipit të refleksit në mjediset serbe në pjesën veriore të Kosovës. Refleksi i parë natyror te popullata serbe në Kosovë është se meqë është arritur marrëveshja për normalizim gjërat duhet të kalojnë në normalitet. Refleksi i parë natyror i politikës së djegësit të veturave ishte se normaliteti do ta bëjë rolin e tij të panevojshëm: nëse gjërat kthehen në normalitet, kujt i duhen strukturat paralele të sigurisë? Në një rreth vicioz që e ushqejnë njëri-tjetrin, strukturat paralele janë të nevojshme sepse gjendja është jonormale, dhe gjendja është jonormale sepse për këtë ekzistojnë strukturat paralele.
Dhe ky argument mund të ngrihet edhe më, për disa shkallë. Madje u ngrit gjatë një konference të jashtëzakonshme shtypi në Beograd, në të cilën u paraqit shefi i grupit më të madh të deritanishëm politik të serbëve të Kosovës, Listës Serbe, dhe në të cilën u kërcënua se nëse nuk lirohet djegësi i dyshuar i veturave do ta organizojë kryengritjen e përgjithshme të serbëve të Kosovës kundër institucioneve të vendit. Në kontekstin e garës për normalitet, ky grup politik përnjëherë e sheh veten në pozitë të njëjtë si djegësi i supozuar i veturave: në gjendje normale kujt i nevojitet një grup i këtillë politik?
Deklarata e Rakiqit për kryengritje nuk e kaloi vijën e qëndrueshmërisë: nuk u mbajt në media elektronike e portale as disa orë. Një thirrje e këtillë që është vepër penale në çdo legjislacion bashkëkohor nuk e meritoi vëmendjen as 24 orë, duke u devalvuar si thirrje e një kohe të paranormalizimit.
Por, jo, Kosova ende nuk ka hyrë në periudhën ku tërhiqet vija mes “para” dhe “pas” normalizimit. Ende gjendet në fazën ku po kalohet një kufi mendor, dhe siç u pa në vepër me rastin e veturave, gatishmëria qytetare për ta kaluar këtë kufi jo domosdoshmërisht do të kalojë pa pengesa.
Në fakt, përtej pengesave, ende është duke u përcaktuar, nëpërmjet të negociatave, se çka është normaliteti. Në brutalitetin e kundërshtive, antagonizmi i pozicioneve në thelb tash është te e drejta e qytetarit për ta regjistruar veturën e vet me targat që dëshiron, kundrejt të drejtës së tjetrit për t’ia djegur veturën mu për këtë.
3.
Dhe kjo nuk është dioptri e matjes së normalitetit.
Kam frikë se është dioptri që tejkalon kufijtë e Kosovës dhe përfshin më shumë hapësirë të kohës që jetojmë.
Përderisa po shkruaj këtë tekst i është dorëzuar policisë së New Yorkut i akuzuari Donald Trump, ish-president i SHBA-së. Ky akt i ka kutet e veta diametralisht të kundërta, ose madje disa sosh. Ndjekja e tij penale (për diçka që duket një pështjellim banal ligjor rreth një banaliteti seksual) duhet të vërtetojë normalitetin amerikan të periudhës së pas Trumpit, pra se gjyqësori në Amerikë është i pavarur dhe mund të ndjekë edhe një ish- president. Trump dhe ithtarët e tij duhet tash të vërtetojnë se është normale që sulmuan Kongresin më 6 janar 2021; po të mos njihej fitorja e Bidenit, normalitet do të ishte mosndjekja e Trumpit.
Më duket se pyetja themelore e radhës do të ishte se si ishte normale për Amerikën ta ketë zgjedhur president Trumpin? Apo, nga ana tjetër, sa do të jetë frustracioni i madh në elektoratin amerikan që arriti të zgjedhë një njeri me kualifikime dukshëm të ulëta intelektuale e të tjera për të qenë president?
Kur këto ndodhin në një superfuqi si Amerika, me traditë të gjatë demokratike, një dioptri e këtillë konfliktualiteti mbërrin pështjellime më të mëdha në një shtet të vogël si Mal i Zi. Në të, normaliteti gjatë shekulli XXI ka qenë i lidhur me emrin e Milo Gjukanoviqit. Oponentët e këtij mendimi u përpoqën, me sukses, që të krijojnë një besim te shumica e qytetarëve se nuk është normale që ky njeri të qëndrojë më në pushtet. Dhe, me organizim të gjithanshëm, përfshirë rolin e madh dinamik të Kishës Ortodokse Serbe, Milo Gjukanoviqi humbi zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Në vend të tij u zgjodh një person që ka kualifikime të spikatura akademike në Evropë, por mungesë partie e përvoje politike.
Në garën për normalitet, refleksi i parë për një shumicë njerëzish është konstatimi se është më se normale që të zëvendësohet dikush që ka ndenjur një çerekshekulli në pushtet, për më tepër me dikë që është i ri dhe që ka arritur të ketë formësim profesional e akademik në Evropë. Por, problemi bëhet më i madh nëse hyn këtu dioptria e amplitudës së kundërshtive që tashmë janë evidente në një shtet si Mali i Zi. Kundërshtia themelore në këtë shtet nuk është mes një burokracie postkomuniste dhe një lëvizjeje reformiste kundër saj. Kundërshtia themelore në këtë shtet në dy vjetët e fundit është zhvilluar rreth identitetit të Malit të Zi e malazezve si komb, dhe e përkatësisë së këtij shteti brenda botës euroatlantike apo asaj bote që është kundër familjes euroatlantike?
4.
Me normalitetin e normalizimin ka të ndodhur që të përjetohet rrjedha e ngjashme dhe jo e lehtë e rrugëtimit si me konceptet e “transicionit” dhe “reformës”.
Ato hyjnë e dalin prej ligjërimit publik, rishfaqen me valë të ndryshme, për të arritur në një moment tek kërkesa e përgjithshme: definoni konceptin “transzicion” apo “çka është për ju reforma”?
Pyetja e kohëve që jetojmë (apo ndoshta diçka e përjetuar më herët) - çka është ajo që quajmë apo synojmë të quajmë normale?