OpEd

Kalbja e vërtetë në FMN

Nëse një organizatë ndërkombëtare si FMN-ja nuk mund t’i jetësojë të mirat bazike publike të botës apo t’i adresojë të këqijat publike globale si pandemia dhe kriza klimatike, atëherë nuk i shërben qëllimit. G7-shi veçse është treguar se është i pabarabartë në detyrën e udhëheqjes globale, dhe megjithëkëtë liderët e tij po mundohen që ta përmbysin përdorimin e institucioneve multilaterale në adresimin e sfidave të mëdha transnacionale me të cilat po përballemi. Historianët e së ardhmes do të pyeten se përse vendet e kamura të së sotmes i shtinë vetes në këmbë bash në këtë mënyrë

Janë të shumta arsyet për të qenë kritikë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, porse kriza e legjitimitetit me të cilën përballen tani që të dy institucionet nuk bazohet në ndonjërën prej tyre. Përkundrazi, është shpërfaqur për arsye të gabuara dhe po i shërben përforcimit të problemeve reale që kanë pllakosur funksionimin e institucioneve të Bretton Woodsit.

Polemika aktuale buron nga manipulimi i pretenduar i Bankës Botërore me indeksin vjetor “Doing Business”, me qëllim të përmirësimit të rejtingjeve të Kinës dhe Arabisë Saudite. Krejt kjo po ia kërcënon kokën drejtoreshës menaxhuese të FMN-së, Kristalina Georgieva, e cila ishte zyrtare e kryeekzekutivit të Bankës Botërore në kohën e veprimeve të pretenduara.

Banka Botërore e caktoi kompaninë ligjore amerikane, “WilmerHale”, për ta hetuar çështjen. Por raporti i saj bazohej më tepër në aludime sesa në fakte, duke e nxitur laureatin e Çmimit Nobel për Ekonomi dhe ish-kryeekonomistin e Bankës Botërore, Joseph E. Stiglitz, që ta përshkruajë rastin si “një sulm dashakeq” dhe pjesë të një tentim puçi kundër Georgievas. Hetimi qe përqendruar njashtu pikësëpari në Kinë, duke e nënvlerësuar kësisoj rolin e mundshëm të kryetarit të Bankës Botërore, David Malpass, në influencimin e rejtingut të Arabisë Saudite, e cila çuditërisht ishte deklaruar si reformatorja kryesore e botës në raportin “Doing Business” të 2020-s.

Raporti i “WilmerHalesit” vjen si një dhuratë e pikur prej qielli për republikanët në Kongresin amerikan, të cilët po e kërkojnë dorëheqjen e Georgievas. Por zjarri aktual moralist lidhur me manipulimin e të dhënave e anashkalon faktin se indeksi “Doing Business” – i cili tani është ndalur – ishte thellësisht me të meta dhe haptazi politik qysh nga fillimi. Ama, mjerisht, pati tejet ndikim në përcaktimin e perceptimit të investuesve dhe të përzgjedhjeve të politikëbërësve.

Problemet ishin legjion. Si fillim, indikatorët që i përdori dolën drejtpërsëdrejti nga qasja e politikës ekonomike “Washington Consensus”, pavarësisht vlefshmërisë apo zbatueshmërisë së tyre në kontekste të ndryshme. Siç specifikoi historiani i Universitetit të Columbias, Adam Tooze, “Doing Business” ishte përherë “një konstruksion i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm, i shkrepur me maturi dhe me gjykime komplekse”.

Vetë kritika ime përqendrohet në faktin sesi indeksi i ka parë rregullimet në akëcilën qeveri si të kushtueshme dhe të padëshirueshme, teksa ka trajtuar taksat vetëm si një kosto e jo si një mjet për t’i siguruar infrastrukturën, institucionet dhe forcën e arsimuar punëtore që u nevojiten bizneseve me qëllim të funksionimit.

Më 2018, Paul Romer, asokohe kryeekonomist i Bankës Botërore, ka thënë se ideologjia djathtiste në Bankë ka luajtur rol kritik në ndryshimet metodologjike që i transformuan rejtingjet e vendeve, dhe i ka kërkuar falje Qeverisë majtiste të Kilit për uljen artificiale të rejtingut të saj. Një vlerësim më i fundit dhe i pavarur akademik ka aluduar se indeksi i mat vetëm rregullat de jure në vend të de facto zbatimit të tyre, ndërsa “nganjëherë i shpërblen politikat që u sjellin përfitime bizneseve në kurriz të objektivave më të gjera sociale”.

Fati i Georgievas do të përcaktohet në takimin vjetor të bordit të FMN-së, këtë muaj. Por edhe në rast se mbetet në postin e saj, kundërthënia rreth “Doing Business” ia ka dëmtuar reputacionin dhe ndikimin (i cili edhe mund të ketë qenë qëllimi). Ç’është më e rëndësishmja, ky episod nuk duhet lejuar që t’i turbullojë problemet reale në funksionimin e institucioneve të Bretton Woodsit: fuqinë joproporcionale të Shteteve të Bashkuara; qasjen thellësisht prociklike të FMN-së kundruall vendeve që ia kërkojnë mbështetjen, gjë kjo që bie ndesh me mandatin e saj fillestar; dhe jogatishmërinë e ekonomive të avancuara të G7-s për t’ua mundësuar institucioneve multilaterale adresimin e problemeve globale.

Kur FMN-ja u themelua më 1944, ishte larg vizionit fillestar të John Maynard Keynesit për një bashkim ndërkombëtar që do t’i trajtonte të gjitha vendet në mënyrë të barabartë. Në vend të kësaj – dhe jo befasisht – ky institucion e reflektoi fuqinë relative të vendeve të asaj kohe. SHBA-ja e siguroi hisenë vendimtare në të drejtat për votë dhe kuota, dhe, bashkë me vendet e Evropës Perëndimore, mundej t’i përcaktonte politikat, programet dhe alokimet e FMN-së.

Me gjithë ndryshimet domethënëse në ekonominë globale që prej asaj kohe, kjo strukturë e brendshme e fuqisë ka mbetur kryesisht e pandryshuar. Edhe pas rialokimit më të fundit, më 2016, SHBA-ja e mban 16.73 përqindëshin e hisesë së votës, përderisa vendet e OECD-së kanë një hise të kombinuar prej më shumë se 60 për qind. Gjatë presidencës së Donald Trumpit, SHBA-ja e bllokoi një alokim të kuotave të reja që, mes tjerash, do ta rrisnin hisenë e Kinës. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian mund të ushtrojnë të drejtën e vetos ndaj çdo vendimi të FLM-së. Dhe nën një marrëveshje të kahershme transatlantike “gjentëlmenësh”, shefi i Bankës Botërore është emëruar nga SHBA-ja, derisa ai i FMN-së nga një vend evropian.

Mirëpo kritika mbase më e kobshme ndaj FMN-së ndërlidhet me faktin se si funksionojnë programet e saj. Huat e Fondit jo vetëm që janë joadekuate për vendet që përballen me vështirësi në mbulimin e pagesave, por edhe shoqërohen me aq kushte të pafavorshme, përfshirë shkurtimet e rënda buxhetore, saqë shumica e vendeve kërkojnë që t’i shmangin. Pavarësisht kësaj, FMN-ja madje u zbaton interes shtesë vendeve që detyrohen të marrin hua të majme nga Fondi për një periudhë të gjatë kohore, duke ua përkeqësuar kësisoj rezultatet ekonomike.

Përqendrimi i FMN-së në shtrëngim fiskal është kritikuar fort, përfshirë edhe nga vetë ekonomistët e saj, por ka vazhduar edhe gjatë krizës me COVID-19. Kjo e tradhton vetë qëllimin fillestar të FMN-së: që t’u jepen hua kundërciklike vendeve në vështirësi ashtu që ekonomitë e tyre të mund të rimëkëmben me një dëm të paktë shkaktuar popullsive të tyre.

Nga ana e saj, Georgieva është zotuar që ta rrisë financimin e pakushtëzuar të FMN-së nëpërmjet një alokimi të ri 650 miliardë dollarësh për të drejtat e veçanta të tërheqjes (aset ky rezervë i Fondit). Ajo njashtu bëri thirrje për më pak shtrëngime në pakot e rimëkëmbjes, si dhe për reformimin e arkitekturës ndërkombëtare të borxhit. Mbase kjo është arsyeja përse ata që po mundohen ta largojnë nga posti rastis të jenë mu ata që e kundërshtojnë çdo lloj ndryshimi progresiv në institucionet e Bretton Woodsit.

Përpjekjet e tilla jo vetëm se janë të padrejta, por edhe shkurtpamëse. Nëse një organizatë ndërkombëtare si FMN-ja nuk mund t’i jetësojë të mirat bazike publike të botës apo t’i adresojë të këqijat publike globale si pandemia dhe kriza klimatike, atëherë nuk i shërben qëllimit. G7-shi veçse është treguar se është i pabarabartë në detyrën e udhëheqjes globale, dhe megjithëkëtë, liderët e tij po mundohen që ta përmbysin përdorimin e institucioneve multilaterale në adresimin e sfidave të mëdha transnacionale me të cilat po përballemi.

Historianët e së ardhmes do të pyeten se përse vendet e kamura të së sotmes i shtinë vetes në këmbë bash në këtë mënyrë.

(Jayati Ghosh, sekretar ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare për Ekonomi Zhvillimore, është profesor i Ekonomisë në Universitetin e Massachusettsit, Amherst, dhe anëtar i Komisionit të Pavarur për Reformimin e Taksave Ndërkombëtare në Korporata. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)