OpEd

Kah, ministër?

Vlerësoj se gabimi më i madh i Kurtit në qeverinë e tij të dytë, ka qenë sakrifikimi i Arben Vitisë për fushatën e Prishtinës. Kalkulimi i doli keq: edhe e humbi Prishtinën, edhe e humbi ministrin që rrezatonte një lloj sigurie. Kështu, një ministër që, për aq kohë sa shërbeu, ia doli ta shtynte para vaksinimin, u zëvendësua me një mjek që ta merr mendja është ministër i Jashtëm e jo i Shëndetësisë

COVID-i shpërtheu prapë. Dhe nuk është se nuk pritej, ngase Omicroni u paraqit nga fundi i vitit të shkuar në Afrikën e Jugut dhe prej atje, nëpër kushedi çfarë rruge erdhi në Kosovë.

Ndërkohë, ne në Kosovë u kënaqëm me nga dy doza (kushdo që i ka marrë) dhe vendosëm, me gjasë, se virusi nuk na bën gjë, prandaj masivisht vendosëm se nuk kishim nevojë për dozën e tretë përforcuese. Në fakt, vendosëm se për të do të kishim nevojë vetëm për të udhëtuar jashtë, sepse kushton më lirë sesa të bëhen teste PCR apo antigjen që duhet paguar laboratorëve.

Zyrtarisht, që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë janë vaksinuar 903.683 njerëz me vaksinën e parë; 823.956 me të dytën; 103.756 me të tretën dhe 387 me të katërtën. Kanë vdekur gjithsej 3.146 njerëz, prej të cilëve 3 vdiqën javën që po e lëmë pas. Numri i rasteve aktive e kalon tremijëshin.

Pra, vetëm 12% e atyre që janë vaksinuar e kanë marrë dozën përforcuese. Dhe sinqerisht, nuk po çuditem fare se përse ndodh kjo.

Kur Ministria e Shëndetësisë e bëri publike se ishte autorizuar vaksinimi i fëmijëve prej 5-11 vjeç, për kureshtje i lexova komentet e qytetarëve në faqen e MSH-së në FB. Po e qes pjesën më të madhe të tyre ashtu siç ishin shkruar:

Hiq mos u lodhni me dhen info se njet se kem mi vaksionu fenit..kaloni nice me kto rrena

Qysh obligative jau q. N. Dallavergjive kun as ni ligj bot sguxo meta ba obligim vaksienne ehh tatimin pron po e ki obligim edhe taksen rrugore me vetur tjerat qinu me gjith to matrapza ku ke virusi qe 2 muj a veq qetash si erdhen tjeshtit rrite 3000 mij as nja sosht tu testu kurr hiq mis rreni

Shkoni more ne r.s mos na i helmoni femijet

Shihni andrra të kota tash e 100 vjet e fundit he ju vaksinoft i Madhi Zotë për tan jeten juve qe doni me i tranu edhe fmit. O kry quran. Zoti ta theft qafen

Ae keni ba njet edhe qita fmi mi mbyt me vaksina a

Njoftim drejt vdekjes

Hiq skem nevoj per informata sjem tu i vakcionu fmit

Mos na prekni ne fmi

Hiqi meniher kto informata se kush sti merr ato vaksina mi myt thmin me to

More as veten as femiun as plakun as kerkon hiq se jeni ka lypni me tjav vaksinu juve kryt jeni qu pesh Zoti ju vraft .

Kurr per jet fmija mi skan me mar vaksina 2 i kom mar jam pishmon sa tok e qiell

idiota mos jepni asnje informat po thuni se nuk duhet vaksinu

Si nuk keni turp bre me be kesi thirrje, te medhejt I helmuat edhe femijet tash!

Boll more se doni me i mar ne qaf edhe Femijet, e doni me na izolu veq Kosoven mos me mujt me dal kasht Kosoves kerkun, tu rrejt me shifra maramendese per Virus edhe krejt VV, edhe at her kur ka qen na izoloj palidhje pat me na myt

Paramendone sa vjet merr kohe ni vaksine per studim, pastaj per testim, e ne fund per dhenje tek njerzit. Une kurren e kurres nuk i japi femiut tim.

Shyqyr qe nuk jetoj ne at vend zot na ruj kerrkush nuk fol per vaksina ne europ tybestikfa aq ma teper per femijet ncncncnc

Hupni more toka ju lshoft

ne past prinder budalle me ua dhon keto vakcina femijve

Per kete po i rrisni çdo dite shifrat e t infektuareve

Po shihen rezultatet e atyre që i kan marr vaksinat disa kan probleme me zemer disa me harresë disa me mpirje te gjakut.

Veq deksha se fmija mi kurrr me marr helmin e Jahudive.

Me pas mundesi per vete me e hek edhe at doz we e kam marr mir ishte ba,e lere femis mi jap kurrr le te semuret ska gja,jemi ne prind qe kujdesem e jo merr vakcin e nuk din qka merr.

Asnjeher nuk do ju jap femijeve , ashtut qysh edhe vet se kom marr asnje, edhe kish qene mire prinderit me protestu kete vendim te flliqur

* * *

Vetë numri i njerëzve që nuk e kanë marrë dozën e tretë tregon se në mesin e tyre ka shumë si këta komentues lart. Aty në atë mes ka të tillë që besojnë se me dy doza e kanë kryer punën me COVID-in, ka të tjerë që besojnë se janë të mbrojtur nga një aurë e padukshme dhe se virusi nuk do t’i prekë; të tjerë që u frikësohen gjilpërave e shiringave, etj. etj. Arsye gjenden me bollëk dhe po të mos ishte kjo sëmundje ngjitëse, do të ishte punë për ta a e marrin apo jo vaksinën. Duke qenë ngjitëse, bëhen përgjegjës për përhapjen e sëmundjes, sado e mohojnë ekzistencën e saj. Ndërkohë shteti nuk ka si t’i detyrojë ta marrin, edhe pse e shpall vaksinimin e obligueshëm.

Esenca e këtij lloj reagimi është se përderisa vaksinimi ka qenë shumë i suksesshëm në fillim, mbase edhe për shkak të inercisë, ajo që i ka munguar përherë Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë një fushatë vetëdijesimi. Fushatë që është dashur të ishte e përhershme dhe shumë thjesht e koncipuar, ashtu që sa më shumë njerëz t’ia kuptojnë rëndësinë vaksinimit dhe vetë sëmundjes.

Por jo, fushata e vaksinimit ndodhi në fillim, me nja tri-katër videospote bajagi bajate dhe dikur, posaçërisht vjet në këtë kohë, thjesht u ndal. Edhe kjo është një arsye se përse e kemi vetëdijen kaq të ulët, dhe jo vetëm për virusin.

* * *

Vlerësoj se gabimi më i madh i Kurtit në qeverinë e tij të dytë, ka qenë sakrifikimi i Arben Vitisë për fushatën e Prishtinës. Kalkulimi i doli keq: edhe e humbi Prishtinën, edhe e humbi ministrin që rrezatonte një lloj sigurie.

Kështu, një ministër që, për aq kohë sa shërbeu, ia doli ta shtynte para vaksinimin, u zëvendësua me një mjek që ta merr mendja është ministër i Jashtëm e jo i Shëndetësisë.

Alarmante ishte seria e shkrimeve dhe storjeve për Fondin për shërimin jashtë vendit. Për të gjithë, por jo edhe për ministrin e Qeverinë.

Skandaloze është që grupin punues për hartimin e Ligjit të ri për Sigurime Shëndetësore ta kryesojë njeriu për të cilin ka dyshime se e ka keqmenaxhuar Fondin, e që anëtar i këtij grupi punues të jetë njeriu i dënuar për korrupsion me vendim të formës së prerë – e që askush në Ministri të mos denjohet madje ta japë një përgjigje. Se për shkarkime as që flitet bile.

Porse ka edhe më zi. E besoj është përtej skandalit vizita e djeshme e ministrit në Austri për t’i takuar dy eurodeputetë, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë.

Në komunikatën e MSH-së, tekstualisht thuhet kështu: “Në këtë takim u bisedua për mundësinë e zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës, e po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”.

* * *

Ministri nuk e ka kuptuar se sistemi shëndetësor i Kosovës nuk avancohet me vizita shoqatave, spitaleve private turke, me qëndrime të zgjatura në Amerikë. Përderisa askush nuk ka dalë t’ia kontestojë aftësinë profesionale si kirurg shumëvjeçar, sjelljet e tij të bëjnë t’ia kontestosh aftësinë për ta udhëhequr një dikaster.

Ministri është shembulli më eklatant që dëshmon se për të qenë ministër i Shëndetësisë nuk duhet patjetër të jesh mjek. Patjetër duhet ta kuptosh sistemin dhe të punosh shumë për ta rregulluar funksionimin e tij. Mungesën e njohurive për mjekësi i merr prej këshilltarëve që i zgjedh vetë.

Sot bëhen fiks tetë muaj qëkur ministri është emëruar në këtë post. Nuk e di nëse mund të gjejmë një gjë në këta tetë muaj që do t’ia arsyetonin titullin dhe përgjegjësinë që e ka marrë. Nuk e di nëse do të mund të veçohej një veprim i vetëm tiji që do të tregonte se këtë punë e ka marrë me shumë seriozitet.

Ka ditë që flitet se më shumë, e më shumë mjekë e braktisin Kosovën për të punuar jashtë vendit, sepse janë të pakënaqur me statusin që kanë këtu. Nuk e di sa është kjo e vërtetë, po ku ka tym ka edhe zjarr – pra do të shohim gradualisht kur të nisin, nëse nisin, të shpallen konkurset për vende të lira pune në sektorin shëndetësor.

Disi është ironike që kjo ikje e përfolur po ndodh në kohën kur këtë dikaster e udhëheq ministri i cili në konferencën e tij të parë për shtyp kishte deklaruar se: “Do të ndalim largimin e trurit nga vendi”, ndërkohë që ai vetë është rast ikjeje truri jashtë.

Zgjedhja e Rifat Latifit ministër, vazhdoj të besoj, është zgjedhje e gabuar, jo e vogël, e kryeministrit. Është fakt se shëndetësia nuk e ka bërë asnjë hap para në këta tetë muaj. Përkundrazi. Shikuar kështu, mbase zgjidhja më e mirë do të ishte që Latifi të dorëhiqej. E nëse nuk vjen dorëheqja, duhet të pasojë shkarkimi dhe zëvendësimi i tij me një person që ka disiplinë të rreptë ushtarake, edhe pa qenë ushtar.

Janë bërë shumë vjet që sistemi shëndetësor ka funksionuar në një kaos të vetin, për shkak të shumë interesave dhe shumë parave që kanë qenë të përfshira në të. Natyrisht se për ta thyer atë kaos duhet vendosmëri, punë e dije. Shëtitjet nëpër botë nuk barazohen me asnjërën nga to.

[email protected]