OpEd

Kadal-dale

Humbësit e gjithë kësaj tirade të Sindikatës jemi të gjithë ne që jemi duke i humbur tri javë të kohës sonë duke u marrë me një kërkesë, megjithatë, iracionale dhe komplet egoiste të SBASHK-ut; që merremi me hapat e ngadalësuar të Qeverisë drejt Ligjit të Pagave dhe krejt ligjeve të tjera që kanë nevojë për kalim e zbatim urgjent dhe sado dinamike që duket jeta të cilën e jetojmë gjërat po shkojnë kadal-dale, thuajse e kemi krejt kohën e botës para vetes. Dhe ndërkohë që ne merremi me greva, me 50 apo 100 eurot që do të paguhen ose jo, gjërat lëvizin andej nga fqinji ynë verior, kryetari i të cilit mban seanca maratonike në Kuvend për të treguar se si do ta mbrojë “popullin e përvuajtur serb” në Kosovë e për t’i paralajmëruar disa nga gjërat që do të mund të ndodhin në muajt vijues

U mbushën dy javë, trashmë po hyjmë në të tretën të grevës së arsimtarëve dhe një pjesë të nëpunësve publikë dhe vazhdojmë ta shtrojmë pyetjen e njëjtë: Pse?

Greva e nisur fillimisht me edukatoret në çerdhe e që vazhdoi më pas në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, duket se ka nisur ta humbë kompaktësinë e grevistëve. Nuk e di se përse e kam bindjen se po qe se njëmend e kuptojnë se nuk do të paguhen për kohën sa qëndrojnë në grevë, do ta ndërpresin atë menjëherë. Për shkak se asnjëherë si tash nuk kanë pasur më pak simpati për grevën që po e mbajnë. Ngase greva e tyre në situatën njësoj të nderë ekonomikisht për të gjithë nuk ka asnjë logjikë.

Mbase logjika do të gjendet te deklarata e kryetarit të SBASHK-ut se “...të mos lejojmë Kosovën të bëhet shtet diktatorial që do t’i shtypte sindikatat, sepse shtypja e sindikatave do ta vriste demokracinë” – apo diçka të ngjashme. E gjithë kjo pas paralajmërimit se grevistët nuk do të paguhen për ditët sa do të qëndrojnë në grevë.

Tashmë është përmendur, ligji është shumë i qartë: askush nuk guxon ta mohojë të drejtën e grevës; askush nuk guxon ta përjashtojë kë nga puna për shkak të grevës; punëdhënësi ka të drejtë të mos u paguajë rroga atyre që rrinë në grevë. Pra, po qe se zbatimi i ligjit në pikën e fundit konsiderohet shkelje e demokracisë, kjo vetëm e vërteton problemin që e kanë edhe nxënësit tanë, kur arsimtarët nuk kuptojnë atë që lexojnë. Virusi PISA i gjithëpërhapur, ndërkohë që luftimi i tij duket se as që ka nisur.

* * *

As takimi me Kurtin nuk solli zgjidhje. Dolën prej aty, Jashari duke thënë se greva do të vazhdonte se ashtu e kërkonte anëtarësia, kurse Kurti i hidhëruar se përse Jashari i ishte drejtuar me “vëlla, na ndihmo”. Pra, kjo e para mbase edhe e vërtetë, po qe se mund të mbahen takime elektronike me 20 mijë veta njëkohësisht. Kjo e dyta krejtësisht irrelevante për këtë situatë.

Të lënduarit nga krejt kjo gjendje janë fëmijët pa asnjë diskutim, si dhe prindërit dhe gjyshërit që duhen gjetur mënyrën si t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, të zënë me ndonjë aktivitet e që të mos e humbin atë pak vullnet që mund ta kenë për të shkuar në shkollë tash.

Humbësit e gjithë kësaj tirade të Sindikatës jemi të gjithë ne që jemi duke i humbur tri javë të kohës sonë duke u marrë me një kërkesë, megjithatë, iracionale dhe komplet egoiste të SBASHK-ut; që merremi me hapat e ngadalësuar të Qeverisë drejt Ligjit të Pagave dhe krejt ligjeve të tjera që kanë nevojë për kalim e zbatim urgjent dhe sado dinamike që duket jeta të cilën e jetojmë, gjërat po shkojnë kadal-dale, thuajse e kemi krejt kohën e botës para vetes.

Dhe ndërkohë që ne merremi me greva, me 50 apo 100 eurot që do të paguhen ose jo, gjërat lëvizin andej nga fqinji ynë verior, kryetari i të cilit mban seanca maratonike në Kuvend për të treguar se si do ta mbrojë “popullin e përvuajtur serb” në Kosovë e për t’i paralajmëruar disa nga gjërat që do të mund të ndodhin në muajt vijues.

E përsëriti për kushedi të satën herë se nuk do ta njohë Kosovën e pavarur. Tha gjithashtu se nuk do t’i pranonte targat e tjera të regjistrimit që nuk do të ishin ‘KM’, sepse “ato janë dëshmi e pranisë së Serbisë në Kosovë”. Thuajse këto janë shenjat e vetme të pranisë së Serbisë në Kosovë, kur falë marrëveshjeve “historike” në Bruksel e kemi edhe Elektroekonominë e Serbisë në veri, edhe Telekomin e Serbisë gjithandej në Kosovë e edhe platformat serbe të futbollit që na ofrohen nga operatorët kabllorë në Kosovë dhe që na detyrojnë që ta dëgjojmë transmetimin në serbisht, sepse nuk japin opsion gjuhe tjetër për të zgjedhur. Për të mos e përmendur sistemin arsimor serb në shkollat serbe, si dhe shërbimin shëndetësor të lidhur për Beogradin nëpër enklava.

Se nuk do ta pranojë Kosovën shtet të pavarur është më se e mundur, për shkak se kjo do të shihej si disfatë e politikës serbomadhe të, dikur shefave të tij, Sheshel e Millosheviq, të cilëve u shërbeu me vite. Por, mbase do ta pranonte po ta kishte mbi kokë një aktakuzë të palosur në ndonjë sirtar apo ndonjë premtim edhe për më shumë koncesione nga Kosova për ta arritur qëllimin e gjymtimit të funksionalizimit të Kosovës si shtet. Siç tashmë ka ndodhur në Bosnjë.

Deklarata e Vuçiqit për targat e regjistrimit është në fakt blof dhe ajo që nuk po dihet është se çfarë po kërkon në këmbim të tyre. Pas targave përmendi një kornizë të re bisedimesh me ndërmjetësimin e BE-së dhe më në fund tha se ka hequr dorë nga këmbimi i territoreve, që kishte qenë në tavolinë kur bisedonte me Thaçin.

Ende nuk e kemi parë kornizën e re, e Kurti nuk e përmendi pas takimit me Lajçakun, porse përfshirja e edhe të dy zyrtarëve evropianë, një gjermani e një francezi, mbase do të thotë se tashmë ka një plan të ri, mbase një “Ahtisari plus”, ku do të kërkohen ende koncesione nga Kosova. Për shkak se Kosova, qëkur kanë nisur këto bisedime, përherë u gjet në defensivë, thuajse Kosova kishte qenë agresorja, thuajse ne i kishim borxh çfarëdo Serbisë, e cila në krah tonin megjithatë ecën drejt Evropës më shpejt se ne.

* * *

Jemi duke humbur shumë energji për tema që do të duhej të gjenin zgjidhje shpejt. Përderisa javën e shkuar u tha se në komunat që udhëhiqen nga VV-ja vende-vende nuk ka ndërprerje të mësimit, në këtë javë doli se edhe Gjakova e udhëhequr nga AAK-ja kishte vendosur të niste vitin shkollor.

Jashari dje deklaroi se anëtarësia do të vendosë nëse vazhdohet greva ose jo. Nëse do të veprojë njësojë sikurse pas takimit me Kurtin, vendimin do ta marrë vetë dhe me gjasë do ta vazhdojë atë. E arsimtarët do të duhej ta prisnin këtë punë dhe t’u ktheheshin nxënësve. Tashmë u shpalosën koeficientet e rrogave që do t’i marrin posa të miratohet ligji, plus do t’i marrin nga 50 euro, me masën që i diskriminon punëtorët në sektorin privat, pra nuk e kanë asnjë arsye të vetme për të vazhduar me ndëshkimin e fëmijëve për inatin e dikujt.

E hëna do të duhej t’i mirëpriste krejt fëmijët nëpër shkollat e tyre, kurse Qeveria do të duhej të zgjohej dhe të dilte nga stili kadal-dale, i cili është duke e karakterizuar punën e saj në këta 18 muaj.

Po, po e dimë se ndryshimi nuk mund në ndodhë brenda natës. Por asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë kur gjërat nuk lëvizin nga vendi dhe kur dikasteret e caktuara në këtë Qeveri i udhëheqin njerëzit që duket se nuk janë të përgatitur për këtë punë.

Përderisa lajmi shumë i mirë është që nuk kemi skandale keqpërdorimesh e hajnish, lajmi shumë i keq është që nuk ka asnjë investim askund. I keq është që mbahen paratë e mbyllura në buxhet. I keq është që gjendja në sektorët kyç nuk është se ka ndryshuar për të mirë. Përkundrazi.

Krahas gjithë këtyre problemeve, sa artificiale e sa reale, problemin kryesor vazhdojmë ta kemi dialogun. Kjo çfarë kemi tash është përpjekje për të sanuar një dëm të madh të krijuar para thuajse një dekade dhe nxjerrja e maksimumit nga një proces ku ne me vullnetin tonë e kemi qitur sovranitetin tonë në pazar.

E këtu, më shumë se askund, ka nevojë për unitetin politik të të gjithëve që e bëjnë skenën politike të Kosovës. Nuk e besoj se do të ketë sërish ekip uniteti, por e besoj se do të duhej të kishte runde të rregullta konsultimesh me partitë opozitare për të qenë më të fuqishëm në prezantimin e interesave tona në këtë proces.

Dhe pikërisht ky proces nuk e duron ritmin kadal-dale. Duhet ritëm tjetër. Një ritëm stabil pa dilema dhe me shumë qartësi. E, mbi të gjitha, me vendosmëri dhe qëndrueshmëri. Ndryshe as nuk bëhemi krejt sovranë, as krejt funksionalë.

[email protected]