OpEd

Ka nisë me ra zilja

Kulminacioni i ditës së djeshme qe reagimi i opozitës së tanishme dhe pushtetit të dikurshëm që ka qenë në gjendje ta arrestonte e ta rrihte një djalosh që i kishte thënë "hajn" Thaçit, për të mos i përmendur dhjetëra protestat dhe "bishtin nën shalë". Reagimi i djeshëm i policisë është korrje e asaj që është mbjellë me vite. Në vend se të parandalohen hajnia dhe krimet, parandalohet liria e shprehjes së mospajtimit me një vendim qeverie. Tjetër është nëse protestuesit tregohen të dhunshëm, atëherë edhe reagimi i dhunës së shtetit duhet të jetë proporcional. Sepse përndryshe kalojmë në anarki

Nëse e diela, sikurse te hebrenjtë, llogaritet fillimi i javës atëherë edhe unë po e nis rrëfimin kësaj jave me ndeshjen që e mbylli Evropianin e futbollit 2020. Është hera e parë, ka më shumë se 40 vjet, që nuk arrita ta shikoj ndeshjen finale të kampionatit për shkak se më mori gjumi.

Jam e sigurt se po të kishte qenë ajo një ndeshje dinamike dhe e bukur, kjo nuk do të ndodhte. Pra, ata 70 minutat e ndeshjes që i shikova qenë të mërzitshëm. Ndeshja përfundoi si përfundoi dhe Italia u shpall kampione. Mirë boll. Përfundoi edhe ky kapitull, tash e presim nisjen e Olimpiadës.

* * *

E hëna në Kosovë gdhiu me lajmin se në Deçan mund të flitej për helmim masiv të popullatës. Ngjarja që nisi me paraqitjen e mbi 300 personave në kërkim të ndihmës mjekësore dhe mbërriti në mbi 1500 të nesërmen, ngjalli jo pak shqetësime gjithandej.

Mbase me një reagim paksa të vonuar të IKSHPK-së, u morën mostrat nga vendi dhe pacientët për të konstatuar, sipas komunikatës së parë, se uji ishte i pastër.

Me një reagim gjithashtu të vonuar nga Ministria e Shëndetësisë, u kuptua se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan nuk kishte thuajse fare barna esenciale. E me gjasë nuk i kishte as Ministria – për pasojë, një sasi e konsiderueshme barnash u tërhoq nga Barnatorja e QKUK-së dhe u dërgua në Deçan.

Pas raportimit të KOHËS për depon qendrore të Ministrisë, edhe nuk është çudi që aty nuk ka barna. Apo se aty nuk mund të gjenden barnat. Apo se edhe nëse gjenden barnat mbase janë të papërdorshme për shkak të kushteve në të cilat mbahen ato.

Pas pamjeve të transmetuara në KOHË, Prokuroria është dashur të futej e ta hetonte turpin e MSH-së me një depo të tillë.

Sido që të jetë, tek në "ditën e tretë të kiametit" në Deçan u gjendën kryetarja e shtetit, zëvendëskryeministrja e dytë dhe ministri i Shëndetësisë. U tha që gjithçka ishte nën kontroll, e me atë rast u dëgjua edhe korrigjimi i deklaratës së kryetarit të Komunës së Deçanit – që një ditë më parë ishte ankuar se e kishin lënë të vetëm të merrej me emergjencën. Teksa ishin krejt grumbull aty, Ramosaj tha se institucionet i kishin dalë në ndihmë me kohë.

Po mirë, u morën edhe mostrat e tjera ndërkohë e madje disa u dërguan jashtë shtetit – për të dalë në fund se burimi i infeksionit kishte qenë uji, sepse në të janë gjetur tri baktere, ndër to edhe e bezdisshmja Escherichia Coli.

Gastroenterologët e shpjegojnë këtë infeksion shumë thjesht: ai bartet me rrugë fekale-orale. Pra, nuk duhet shumë filozofi për të supozuar se uji i pijes është ndotur nga ujërat e zeza. E as nuk duhet shumë filozofi për të imagjinuar se ne jemi ekspertë për të shkatërruar krejt çfarë ndërtojmë – pra edhe në gjendje ta shpojmë gypin e ujësjellësit për ta përdorur ujin për vadë, e të mos mërzitemi po qe se andej pari ka ndonjë gropë septike apo ndonjë përrua që bart ujërat e zeza.

* * *

Çka zbuloi rasti në Deçan?

E zbuloi shfrytëzimin e një fatkeqësie njerëzore, që fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz, për marketing politik. I gjithë faji për menaxhimin e keq të infrastrukturës që ofron ujë të pijshëm iu hodh qeverisë aktuale, nga ata që këto ujëra i kanë keqmenaxhuar qe 20 vjet.

Pra, ata të cilët nuk bënë shumë për ndërtimin e rrjeteve të reja të ujësjellësve; ata që u mjaftuan me rezervuarë ku klori hidhet me dorë, pra jo rrallë me tahmin, e me puseta të qasshme gjithandej nga kalon rrjedha e ujësjellësit as pa sigurimin minimal – ata u çuan për të kritikuar, për të sharë e për të kërkuar protesta.

Mbase do ta kenë pasur mirë, mbase t'i çonin njerëzit kundër vetes – atyre që treguan këso qasje injoruese për një gjë kaq jetike me dekada.

Zbuloi se Kosova vazhdon të jetë vend me infrastrukturë të keqe, e cila pasluftës kryesisht është ndërtuar me donacione. Dhe për të cilën nuk lodhet, për shkak se si mall i falur, shikohet si një diçka e huaj. Thuajse nga kjo nuk na varet jeta – sepse flasim për ujin pa të cilin nuk mund të jetojmë.

Rasti i Deçanit shkaktoi edhe një ortek kritikash ndaj kryeministrit Kurti, i cili nga Greqia shkroi porosi se qeveria e tij po merrej me rastin. Pas shumë insistimesh u mor vesh se kishte shkuar në një vendpushimore të shtrenjtë si mysafir i ish-kryeministrit grek dhe se po merrte pjesë në njëfarë takimi. Iu bënë thirrje që të kthehej për shkak të emergjencës, porse kjo nuk ndodhi.

Një nga arsyet do të mund të ketë qenë përpjekja për t'i bindur grekët që ta njohin Kosovën, e tjetra se thjesht gjendej në pushim vjetor me familjen. Porse shkuarja e mëpasshme në Kanë e nxiti tonin e kritikave edhe më shumë – se kësaj radhe, me shumë gjasë me paratë e buxhetit, kishte shkuar në festival për ta përcjellë premierën e filmit të Samir Karahodës. Nëse është kështu, pra se paratë e buxhetit janë shfrytëzuar për këtë udhëtim, atëherë veprimi i Kurtit është i gabueshëm dhe pas Greqisë është dashur të kthehej në Kosovë. Pavarësisht se Brukseli është më afër kur nisesh nga Kana se nga Prishtina.

* * *

Por, skandali i javës ndodhi me nënshkrimin e një dokumenti të iniciuar para tre vjetësh, që kishte qenë objekt hetimi nga Task-Forca Kundërkorrupsion në lidhje me detyrimin që u bëhet pronarëve të veturave që të paguajnë 5 euro për një tiketë ngjitëse me të cilën vërtetohet se vetura ka kaluar kontrollin teknik.

Pra, duke supozuar se në Kosovë ka 400 mijë vetura, del se një firmë e vogël, e regjistruar para tre vjetësh, do t'i marrë 2 milionë euro për t'i shtypur ato. Nuk e di a i kanë fijet e metalta që i kanë edhe kartëmonedhat e eurove, porse është çmim marramendës për një shërbim që me material të Kinës tybe nuk e kalon 50-centëshin.

Fakti se veturat e kalojnë kontrollin teknik nuk do të thotë me automatizëm se edhe regjistrohen e sigurohen. E arsyeja e pretenduar pas këtij nënshkrimi është sigurimi më i shpejtë i kartonit të gjelbër, duke e zbritur "informalitetin" e veturave në 5% nga 30% sa është tash.

Pra, logjikisht po del se kjo far tikete ngjitëse do të duhej të jepej nga Qendra e Regjistrimit e jo ajo e kontrollit të automjeteve – pra atëherë kur do të sigurohej edhe vetë vetura.

Ndaj këtij vendimi dolën të protestonin aktivistët e PSD-së, të cilët po dalin të jenë protestuesit e vetëm që rrihen nga të gjitha pushtetet.

Pas aksionit ku i ngjitën ca etiketa ku thuhej "zhvatës" dhe pasi e shkruan me sprej po të njëjtën fjalë nëpër veturat zyrtare, nja 8 sish u arrestuan me dhunë të theksuar nga Policia e Kosovës. Nuk e di po qe se pas aksionit e kanë provokuar policinë që kjo të ndërhynte, apo nëse e kanë sulmuar atë në çfarëdo forme, porse pamja e arrestimit të një të moshuari me aq shumë dhunë përfundimisht doli të jetë e shëmtuar.

E tash, arsyetimi i PSD-së për protestën ishte, ndër të tjerash, se qytetarët e varfër goditeshin edhe më shumë me edhe këtë taksë, argument që e bën absurde protestën.

Cilët janë ata qytetarë të varfër që mund të blejnë vetura në rend të parë, t'i mirëmbajnë ato dhe ta paguajnë karburantin? Nëse ka të tillë që nuk i kontrollojnë e as nuk i regjistrojnë veturat – këta në fakt qëllimisht kryejnë vepër penale të shkaktimit të vetëdijshëm të rrezikut në komunikacion.

Në vend se të thuhet se çmimi është tejet i fryrë kurse komplet procedura tepër e dyshimtë, kapen me arsyetimin populist se ja po protestojnë për të varfrit – kur vetura, në esencë, është një lloj luksi për shumëkënd në Kosovë.

Porse kulminacioni i ditës së djeshme qe reagimi i opozitës së tanishme dhe pushtetit të dikurshëm që ka qenë në gjendje ta arrestonte e ta rrihte një djalosh që i kishte thënë "hajn" Thaçit, për të mos i përmendur dhjetëra protestat dhe "bishtin nën shalë". Reagimi i djeshëm i policisë është korrje e asaj që është mbjellë me vite. Në vend se të parandalohen hajnia dhe krimet, parandalohet liria e shprehjes së mospajtimit me një vendim qeverie. Tjetër është nëse protestuesit tregohen të dhunshëm, atëherë edhe reagimi i dhunës së shtetit duhet të jetë proporcional. Sepse përndryshe kalojmë në anarki.

* * *

Problemi me këtë qeveri që u ndërtua "me plebishit" është se ka krijuar shumë pritje dhe shkarja nga premtimet paraqet një zhgënjim tepër të madh mes popullsisë, që nuk do t'ia falë gabimet që në zgjedhjet e radhës të tetorit.

Ky far nënshkrimi i dokumentit për legalizimin e këtyre tiketave është vazhdim i shumë gjërave të shëmtuara që kanë ndodhur nëpër institucione, e të cilat dalëngadalë po na shpalosen. Nënshkrimi i një dokumenti të tillë ku dikush i fiton 2 milionë euro për "nalepnica" është ngjashëm, me përmasa pak më të vogla, sikur Telekomi që ka mbërritur nga 300 milionë fitim në 35 milionë borxh për më pak se 10 vjet. Këtu natyrisht flasim për shifra zyrtare, se ato nën tavolinë nuk e dimë se sa çfarë vlere kanë pasur.

Nëse njëmend kjo qeveri ka n'mend të bëjë ndryshime, le t'ia nisë më së pari me anulimin e këtij nënshkrimi mbi këtë dokument, që me vite nuk u kalua. Arsyet do të kenë qenë disa, porse zor që dikush do të mund të më bindë se një vetëngjitëse, çfarëdo të jetë ajo, mund të kushtojë 5 euro.

Pesë euro – aq sa bën parapagimi mujor për Premiumin e KOHËS, përmbajtjen e të cilit e prodhojnë 200 punëtorë...

[email protected]