Tani që presioni mbi Kosovën për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (Asociacioni) është në rritje, është e rëndësishme që në dialogun e lehtësuar nga Brukseli të përdoren jo vetëm argumente të politikës së brendshme se Asociacioni duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e vendit (për të cilat qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare se Asociacioni do të jetë konform Kushtetutës më duket po aq garantues dhe i sinqertë sa edhe letra e Mogerinit se marrëveshja e Asociacionit e vitit 2015 nuk ka pasur kompetenca ekzekutive), por edhe të standardeve ndërkombëtare të cilat dekurajojnë ndarjen e pushteteve mbi baza të theksuara etnike dhe territoriale.
Shembulli më i mirë për t’u marrë parasysh është jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila në gusht të këtij viti në rastin Kovačević v Bosnia and Herzegovina rikonfirmoj se Marrëveshja e Dejtonit mbi ndarjen e pushteteve në baza të theksuara etnike dhe territoriale është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Para se të analizoj rastin në fjalë, do të bëj një elaborim të shkurtër të Marrëveshjes së Dejtonit për ndarjen e pushteteve mbi bazë etnike dhe territoriale. Në fund do të argumentoj se si jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut mund të shërbejë në negociimin e Asociacionit.
Sfondi i problemit: Marrëveshja e Paqes së Dejtonit për ndarjen e pushtetit në Bosnjë-Hercegovinë
Ndërmjet vitit 1992 dhe 1995, Bosnjë-Hercegovina përjetoi një luftë brutale. Pjesa më famëkeqe e luftës përfshin gjenocidin e Srebrenicës gjatë të cilit serbët e Bosnjës vranë rreth 8000 meshkuj boshnjakë. Në vitin 1995 lufta përfundoi pasi tre grupet kryesore etnike, boshnjakët, serbët dhe kroatët ranë dakord për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të sponsorizuar ndërkombëtarisht. Dejtoni arriti t'i jepte fund luftës, por nuk arriti pajtimin mes popujve. Në vend të kësaj, Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, e cila është produkt dhe aneks i Dejtonit, krijoi një shtet të ndarë në vija etnike dhe territoriale. Shteti përbëhet nga Federata dhe Republika Srpska, dhe ka tre popuj përbërës: boshnjakët, kroatët dhe serbët. Qytetarët që jetojnë në Federatë kanë të drejtë të votojnë për një boshnjak dhe kroat dhe të zgjidhen si boshnjak ose kroat në atë territor. Qytetarët që jetojnë në Republika Srpska kanë të drejtë të votojnë vetëm për serbë dhe të zgjidhen si serbë në atë territor. Kushtetuta e çimentoi këtë ndarje duke siguruar marrëveshje të shumta të ndarjes së pushtetit bazuar në linjat etnike. Për shembull, Dhoma e Popullit (pjesë e parlamentit) përbëhet nga pesë boshnjakë dhe pesë kroatë që vijnë nga Federata, dhe pesë serbë nga Republika Srpska, dhe Presidenca (kreu kolektiv i shtetit) përbëhet nga tre anëtarë: një boshnjak, një kroat dhe një serb.
Gjykata e Strasburgut: paqja sigurohet me demokraci dhe jo me etnokraci
Nuk ka dyshim se Marrëveshja e Dejtonit diskriminon popujt jopërbërës, por edhe vet popujt përbërës që kërkojnë sistem demokratik të qeverisjes. Siç argumenton një aplikues pranë Gjykatës së Strasburgut, thelbi i problemit vjen nga fakti se “Bosnjë- Hercegovina nuk është një demokraci e vërtetë, por një “etnokraci” në të cilën etnia – dhe jo shtetësia – është çelësi për sigurimin e pushtetit dhe burimeve […] Grupet etnike dominuese ("popujt përbërës") kontrollojnë institucionet shtetërore për të çuar përpara interesat e tyre, ndërsa të gjithë të tjerët, si ai, janë qytetarë të dorës së dytë pa ndikim real në jetën politike dhe të ardhmen e vendit" (Kovaçeviq kundër Bosnjë-Hercegovinës, paragrafi 44).
Në dhjetor 2009, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi në Sejdiq dhe Finci se sistemi zgjedhor në Bosnjë-Hercegovinë ishte diskriminues pasi nuk lejonte që një qytetar hebre dhe një rom të zgjidheshin në Dhomën e Popullit ose Presidencë, sepse nuk i takonin njërit nga tre popujt përbërës. Më 29 gusht 2023, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Kovaçeviq kundër Bosnjë-Hercegovinës vendosi edhe një herë mbi papajtueshmërinë e Marrëveshjes së Dejtonit për ndarjen e pushtetit në linjat etnike dhe territoriale me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Në rastin Kovaçeviq, Gjykata e Strasburgut vërejti “se Presidenca është organ politik i shtetit dhe jo i etnive” (paragrafi 73) dhe se sistemi aktual në Bosnjë-Hercegovinë nuk e reflekton këtë. Për sa i përket organit legjislativ, Gjykata e sfidoi hapur sistemin aktual duke deklaruar se “askush nuk duhet të detyrohet të votojë në bazë etnike, pavarësisht nga këndvështrimi i tij politik” (paragrafi 74).
Për më tepër, Gjykata ndau disa vërejtje se si mund të ruhet paqja në Bosnjë-Hercegovinë. Ndryshe nga argumentet e Qeverisë, Gjykata konsideroi se “paqja dhe dialogu ruhen më së miri nga një demokraci politike efektive”. Gjykata citoi gjithashtu parashtresat ekomisioneres për të Drejtat e Njeriut, “sipas të cilave sistemi aktual, i bazuar në diskriminimin etnik, pengon pajtimin dhe progresin e kohezionit social” (paragrafi 59). Së fundi, edhe pse Gjykata nuk bëri thirrje të hapur për përfundimin e marrëveshjeve të ndarjes së pushtetit, ajo vendosi se "edhe nëse një sistem i përfaqësimit etnik mbahet në një formë, ai duhet të jetë dytësor ndaj përfaqësimit politik" (paragrafi 74). Në dritën e sa më sipër, Gjykata konstatoi se kombinimi i kërkesave territoriale dhe etnike për pjesëmarrjen në zgjedhjet për Dhomën e Popullit dhe Presidencën përbën një shkelje të nenit 1 të Protokollit Nr. 12 të KEDNJ.
Relevanca e jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut për Asociacionin
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i pashmangshëm për Kosovën. Arsyet tani më janë të qarta për të gjithë. Marrëveshja e Parë për Normalizim të Marrëdhënieve e vitit 2013 e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës ka krijuar detyrim ndërkombëtar për formimin e saj. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 gjithashtu pranon detyrueshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve paraprake. Për më tepër, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjen një numër problemesh me marrëveshjen e vitit 2015 në fund sqaron se Asociacioni duhet të formohet.
Megjithatë, përkundër që ekziston obligim për krijimin e Asociacionit, ekzistojnë fare pak nene të Marrëveshjes së vitit 2013 që tregojnë se si duhet të duket ajo. Pra, përmbajtja e Asociacionit mbetet temë e hapur. Në këtë realitet, Serbia është duke provuar doemos të imponojë përmbajtjen e Marrëveshjes së 2015 që do të krijonte një pushtet të tretë në baza territoriale dhe etnike. Dodik, duke komentuar pritshmëritë e Presidentit Vuqiq ka përmendur se Asociacioni do të jetë si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
Kosova, duke u thirrur edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të drejtë është duke konsideruar ofrimin e një entiteti të vetëqeverisjes ndërkomunale, por jo të një pushteti të tretë.
Si çdo produkt negociues, edhe Asociacioni rrezikon të jetë një diçka e ndërmjetme, që asnjëra palë nuk do ta pëlqejë, por të dyja mund ta pranojnë si pjesë e një kompromisi të imponuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe për shkak të benefiteve të tjera politike dhe ekonomike.
Në këtë betejë jo të lehtë, është e rëndësishme të sqarohet se ndarja e pushteteve mbi baza të theksuara etnike dhe territoriale jo vetëm se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Siç thekson Gjykata e Strasburgut, “paqja dhe dialogu ruhen më së miri nga një demokraci politike efektive” dhe jo në sisteme etnokratike, ku privilegjohen disa komunitete në kurriz të etnive të tjera. Për më tepër, Gjykata e Strasburgut sqaron se sistemi i theksuar i ndarjes së pushtetit mbi baza etnike në fakt e “pengon pajtimin dhe progresin e kohezionit social”.
Është e rëndësishme të argumentohet se çfarëdo Asociacioni që mëton të krijojë një entitet të shkëputur nga institucionet qendrore, me pozita udhëheqëse të garantuara vetëm për një etni, dhe me një status ligjor të vallgët në mos kundërshtues me Kushtetutën mund të ofrojë një model të përkohshëm të pajtimit në mes të dy qeverive të Kosovës dhe Serbisë, por është rescept i dështimit të pajtimit ndër-etnik, kohezionit social dhe paqes së qëndrueshme. Për më tepër, një projekt i tillë mund të pengojë progresin afatgjatë të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Për ilustrim, Marrëveshja e Dejtonit, si projekt ndërkombëtar, është shndërruar në pengesë për progres të Bosnjë-Hercegovinës në sferën ndërkombëtare. Bashkimi Evropian hapur e kushtëzon progresin në anëtarësim në BE me reformimet e pushtetit mbi ndarje etnike dhe territoriale të Bosnjë-Hercegovinës. Ky paradoks flet për një realitet ku edhe Kosova në të ardhmen mund të pengohet për anëtarësim në BE për shkak të një Asociacioni të imponuar nga vet BE.
Nga ajo që u tha më lartë, përveç argumenteve kushtetuese, Kosova duhet të përdor edhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut për të sqaruar se përse ndarjet e theksuara të pushteteve mbi baza etnike minojnë të ardhmen në një shoqëri demokratike, rrezikojnë paqen afatgjate dhe dëmtojnë procesin e pajtimit ndër-etnik dhe progresin e kohezionit social. Një narracion dhe qasje e tillë progresiste, do ta paraqiste Kosovën si palë e interesuar për të drejtat e njeriut dhe jo si palë që mund të duket (qoftë edhe në shikim të gabuar) se ka rezerva për të ofruar të drejta shtesë të komuniteteve. Qasja strategjike dhe narracioni i duhur janë esenciale për të eksploruar modele funksionale të vetëqeverisjes së minoriteteve, tejkaluar ngërçet politike dhe rritur aleancat me partnerët ndërkombëtar të përfshirë në dialog.
* Autori është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Utrehtit dhe anëtar zëvendësues i Komisionit të Venecias