OpEd

Josep Borrell dhe Borrellët tanë të brendshëm

Si mundet dikush që nuk është i bindur vetë se Kosova duhet të jetë e pavarur, të ndërmjetësojë dhe ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën si të pavarur? Si dhe, si të binden përfaqësuesit e Kosovës, të cilët besojnë se Kosova është e pavarur, të arrijnë një platformë të përbashkët për ta bindur Serbinë se Kosova është e pavarur?

ËSHTË PLOTËSISHT legjitime dilema: Nëse ndërmjetësues në dialogun Kosovë – Serbi është një politikan, i cili është shprehur kundër pavarësisë dhe shteti i të cilit nuk e njeh Kosovën, atëherë si mundet ai ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën.

Ministri i Jashtëm spanjoll, 72-vjeçari Josep Borrell Fonteles, është emri i kompromisit i shteteve të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të lartë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, i cili pritet të ndërmjetësojë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Bile, caktimi i pasardhësit të Mogherinit të diskredituar ishte pritur me ngulm nga përfaqësuesit politikë të Kosovës, si hapësirë për të kthyer në rrjedhë të favorshme për Kosovën dialogun e qorrsokakut të deritashëm. Mirëpo emri i kompromisit të BE-së, për shkak të aktivitetit të tij të deritashëm, lë pak për të shpresuar se do të jetë ndërmjetësues i zgjidhjes së kompromisit të Prishtinës dhe Beogradit, duke i mundësuar Kosovës anëtarësimin në OKB dhe njohjen.

Borrell, në disa raste, ka nënvizuar se Spanja nuk do t’iu bindet presioneve për ta njohur shtetin e Kosovës.

Mirëpo ka pasur edhe një rast, kur duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se cili do të ishte qëndrimi i Spanjës, nëse vetë Serbia do ta njihte Kosovën, politikani i rryer ishte përgjigjur: “Atëherë kjo më nuk i bie pavarësi e njëanshme... mos prisni që të bëhemi më katolikë se Papa!”.

Sidoqoftë, pavarësisht se si do të zhvillohet dialogu, një antiindependentist për Kosovën në një pozitë ndërmjetësuesi në dialogun me Serbinë nuk mund të cilësohet si një lajm ngushëllues, pas largimit të Mogherinit.

Teksa ky nuk është komplikimi i vetëm i procesit.

NËSE VERËN E kaluar ishte menduar se s’ka ku të shkojë më shumë komplikim në skenën e brendshme politike kosovare sa i përket qasjes në dialogun me Serbinë, vera e këtij viti vetëm se sa na ka treguar se temperaturat nuk po ngrihen vetëm në termometër.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ka precizuar rolet e bartësve të pushtetit në institucionet shtetërore në kuadër të politikës së jashtme, tashmë ka ndikuar që konsensusi të jetë edhe për disa hapa të mëdhenj larg.

Nëse deri më tash ka pasur 3-4 adresa që kanë pasur qasje të kundërt se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialog, me çfarë platforme dhe me çfarë qasjeje ndaj marrëveshjes përfundimtare, tash ka shumëfish më tepër.

Fillimisht, pas tërheqjes së PSD-së nga Ekipi Negociator, aty kanë mbetur hëpërhë vetëm përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar. Mirëpo edhe brenda tyre qartazi ka qëndrime të ndryshme se si duhet të vazhdohet tutje.

Limaj dhe Nisma vlerësojnë se s’ka më kurrfarë kuptimi që një trupë politike të quhet “delegacion shtetëror” kur aty nuk ka edhe përfaqësues të opozitës.

Kryeministri Haradinaj, edhe pse vetë ishte angazhuar ta formonte një ekip gjithëpërfshirës, është kujdesur që të dërgojë njerëz të besuar të tij, në një takim enigmatik në Berlin me përfaqësuesit e Serbisë, për të cilin takim as nuk i ka informuar bartësit e tjerë të institucioneve, as nuk ka shprehur gatishmëri për të treguar se për çka konkretisht është diskutuar.

Presidenti Thaçi, në anën tjetër - i cili në njëfarë forme ishte vënë para aktit të kryer me formimin e Ekipit Negociator dhe me kalimin e Ligjit për dialog në Kuvend – me aktgjykimin e Kushtetueses ka arsyetuar se ai do të vazhdojë negociatat në cilësinë e tij institucionale.

Tutje, LDK-ja dhe LVV-ja trumbetojnë se kanë arritur një fitore me vendimin e Kushtetueses, mirëpo nuk tregojnë se si do të mundë të arrihet nesër një pajtueshmëri e shumicës parlamentare për të votuar një marrëveshje eventuale me Serbinë.

Për më tepër, PDK-ja ende është e ndikuar në masë nga veprimet e presidentit Thaçi në kuadër të dialogut, kurse në postin e ministrit të Jashtëm kemi Pacollin, AKR-ja e të cilit ka mbetur me vetëm një deputet në Kuvend.

Dhe krejt në fund, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, vazhdojnë të jenë krejtësisht kundër çfarëdo vendimi të Qeverisë së vendit lidhur me dialogun me Serbinë, duke e parë ekipin e Beogradit si përfaqësuesin e tyre në këtë aspekt.

A KA SE SI të komplikohet edhe më tepër? Hm, në politikën kosovare befasitë janë malli më i lirë në treg. Mirëpo një gjë që mund të thuhet me siguri, tash për tash, është se nuk ka asnjë qartësi se si do të zhvillohet qasja e BE-së, SHBA-së dhe e shteteve të tjera të fuqishme në kontekstin e mbështetjes së Kosovës.

Ajo që dihet mirëfilli është se Kosova, sot për sot, vazhdon të mbetet e vetmja pa liberalizim vizash në Evropë, e vetmja pa perspektivë të qartë eurointegruese, e vetmja pa rrumbullakim të shtetësisë, me refuzime gjithnjë më të shpeshta të anëtarësimit nëpër organizata dhe institucione ndërkombëtare dhe me numër thuajse inekzistent të njohjeve të reja.

A do të jetë në një situatë më të favorshme nesër?!

[email protected]

Twitter: @adriatikk