Jordania po hyn në shekull të ri me sfida të reja, por përvojat e shekullit të parë dhe deklarimi i mbretit Abdulla II për reforma politike dhe ligjore janë çelës për një përtëritje të Jordanisë si vend demokratik properëndimor
Vjet, më 1 shtator, Libani zyrtar festoi 100-vjetorin e themelimit me kufijtë e sotëm, kurse ky festim zyrtar u prit ndryshe prej opozitës si “krijesë” e Francës kolonialiste, e cila me Britaninë e Madhe - në bazë të marrëveshjes sekrete Sykes-Picot në maj 1916 - krijuan kufijtë e Lindjes së Mesme ashtu siç duket tani. Ndaj, nëse shikohen kufijtë tani duken se janë vizituar lehtë me vizore, e vetë ministri britanik i kolonive W.Churchil u lavdërua më 1921 se ai në një pasdite shumë shpejt i caktoi me vizore kufijtë e Jordanisë.
Vërtet Jordania e sotme ishte deri më 1918 pjesë e Vilajetit të Sirisë, ku në Damask, më 8 mars 1920, u shpall pavarësia e Sirisë së madhe nga një kuvend që u zgjodh sipas ligjit osman duke përgatitur një kushtetutë përparimtare për atë kohë, e cila e caktoi një sistem parlamentar dhe laik për shtetin e ri. Mirëpo Franca dhe Britania modifikuan marrëveshjen e 1916-s dhe e zbatuan atë me forcë duke eliminuar ndërtimin e demokracisë së parë në rajon. Ndaj vlen të përmendet këtu libri i historianes amerikane Elizabith F. Thompson “How the West Stole Democracy from the Arabs”, i cili u botua më 2020, pra në 100-vjetorin e atij sistemi demokratik e laik që u inspirua prej Perëndimit.
Si pasojë e revoltës vendase, Londra deshi ta qetësonte rajonin duke ia ofruar princit Faisal, që u zgjodh mbret i Sirisë së madhe më 1920, që të bëhet tani mbret i Irakut më 1921, kurse vëllait të vet princi Abdulla, që arriti papritmas në Amman si “nënmbret i Sirisë” që të bëhet në krye të një principate të re: Principata e Trans Jordanit më 1921 nën mandatin britanik. Kështu, princi u pajtua dhe më 11 prill e formoi qeverinë e parë, kurse më 1928 u aprovua kushtetuta që vazhdoi të jetë në fuqi deri më 25.05.1946 kur Jordania gëzoi pavarësinë e plotë.
Në vitin e themelimit Jordania kishte nja 300 mijë banorë me shumicë beduinë, kështu që princi Abdulla, i cili erdhi prej Hixhazit arriti të sundojë mirë vendin me mbështetjen e fiseve të vendit. Mirëpo Jordania ka tani nja 10 milion banorë me një strukturë tjetër fare si pasojë të zhvillimeve të mëdha në Lindjen e Mesme gjatë 100 vjetëve të fundit.
Trans Jordania më 1921 dukej si vend pa perspektivë, sepse i mungonin bazat natyrale, ekonomike, shoqërore dhe ekonomike. Si vend me shkretëtirë, pa infrastrukturë, me disa qyteza modeste, Jordania arriti në saje të sistemit probritanik e më vonë proamerikan, të bëhet “oazë stabiliteti” në rajon duke përfituar nga krizat në rajon me ardhjen e valëve të vazhdueshme të njerëzve me përvojë e me kapital prej vendeve fqinje (Palestina, Siria, Iraku e Egjipti) që krijuan me kohë një popullsi aktive në çdo fushë (bujqësi, industri, tregti etj.), me çka Ammani u shndërrua prej një qyteze të vogël me nja 10 mijë banorë në një monopol në rajon me 3-4 milionë banorë.
Në kohën e Luftës së Ftohtë Perëndim-Lindje dhe asaj arabo-arabe, Jordania përfitoi shumë prej ndihmave perëndimore, si dhe arabe (veçmas saudite) për të mbrojtur veten prej radikalizmit të viteve ‘50-‘70 (të Egjiptit, Sirisë e Irakut). Si në kohën e princit themelues Abdulla (1921-1951) ashtu edhe në kohën e djalit Husein (1952-1999) Jordania kishte mirëkuptim dhe lidhje sekrete me udhëheqësit e shtetit të ri (Izraeli) që kishin një armik të përbashkët: radikalizmi arab. Kështu Jordania me kufij më të gjatë me Isrealin ishte “mur mbrojtës” për sigurinë e Izraelit . Mirëpo radikalizmi i ri izraelit e shikonte ndryshe Jordaninë, si një vend me shumicë palestineze ku duhet palestinezët ta kenë shtetin e vet e jo në ato vise të okupuara më 1967. Kjo krijoi një ftohje të theksuar të lidhjeve midis sovranit Abdulla II (nipi i Abdullahut I) dhe kryeministrit Netanyahut në vitet e fundit.
Kështu, në prag të 100-vjetorit, si një ndër vendet më të varfra me ujë në botë, që u mbështet në ndihma perëndimore dhe arabe (të vendeve të Gjirit), Jordania dukej të ishte në një paradoks: Ajo që kishte potenciale ushtarake e intelektuale t’i ndihmonte vendet e Gjirit (Omanin, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Katarin) në vitet ‘60-‘70, tani Jordania me një borxh prej 50 miliardë dollarësh është në varësi të atyre vendeve ku punojnë gati një milion jordanezë, të cilët e mbështesin ekonominë e Jordanisë me dërgesat e tyre (nja 5 miliardë dollarë në vit).
Kështu, në prag të 100-vjetorit, Jordani përjetoi krizë serioze në mandatin e presidentit Tump, i cili e anashkaloi qëndrim tradicional amerikan për dy shtete funksionale (izraelit e palestinez) duke përkrahur Netanyahun për më shumë aneksime të territoreve palestineze e duke nxitur vendet e Gjirit (Emiratet e Bashkuara, Bahrejnin dhe Arabinë Saudite) për normalizimin e marrëdhënieve të tyre me Izraelin, me çka mori fund “roli funksional” i Jordanisë midis Izraelit e shteteve të Gjirit.
Kështu, tani dolën sfidat e reja, në mesin e të cilave është Jerusalemi. Siç dihet, Jerusalemi i vjetër ishte në kuadër të Jordanisë deri në luftën e vitit 1967. Me Marrëveshjen për Paqe midis Izraelit e Jordanisë më 26.10. 1994 Jordanisë iu njoh njëfarë e drejte për ruajtjen e vendeve të shenjta myslimane në Jerusalem. Por tani tensionet po rriten midis Jordanisë e Izraelit mu për shkak të Jerusalemit, sepse Izraelit i përgjigjet që ndonjë tjetër vend arab i Gjirit ta zëvendësojë Jordaninë në këtë sferë.
Pas sukseseve të Jordanisë në shekullin e parë, i cili u shndërrua prej një vendi periferik në një vend vital në Lindjen e mesme, shekulli i ri filloi me një krizë brenda familjes mbretërore në fillim të prillit 2021 që la jehonë të madhe pasi që ish-trashëgimtari Hamza (2000-2004) u akuzua për lidhje me ndonjë shtet (supozohet të Gjirit) për një destabilizim të vendit. Ndonëse kriza brenda familjes mbretërore u zgjodh shumë shpejt, por tani më mesin e të arrestuarve është ish-ministri i Financave dhe ish-shefi i Pallatit Mbretëror, Basem Awadallah, i cili njëkohësisht ka nënshtetësinë saudite dhe është këshilltar i trashëgimtarit saudit, Muhamed Bin Salman.
Tani Jordania po hyn në shekull të ri me sfida të reja, por përvojat e shekullit të parë dhe deklarimi i mbretit Abdulla II për reforma politike dhe ligjore janë çelës për një përtëritje të Jordanisë si vend demokratik properëndimor që tani duhet të mbështetet më shumë në burimet e veta, pra të lirohet prej presioneve izraelito-arabe me presidentin e ri amerikan Biden dhe kryeministrin e ri izraelit, duke marrë parasysh se ndihma vjetore amerikane (ekonomike e ushtarake) arrin në 1.5 miliardë dollarë, me çka Jordania zë vendin e tretë në botë në listën e ndihmave amerikane pas Izraelit e Egjiptit.
(Autori është themelues dhe drejtor i Qendrës “al-Kud” për Studime Politike në Aman, Jordani, prej vitit 2000, e cila është një tank-think aktiv, si dhe opinionist me jehonë që paraqitet rregullisht në gazetën jordaneze “al-Dustur”, ku u botua ky vështrim më 18 mars 2021)