Rikonfigurimi i gjeopolitikave kërkon rikonfigurim të politikave ndërlidhëse shqiptare (fjala është për krejt rajonet shqiptare). Prandaj, përtej karshillëkut e kapadaillëkut brendapolitik shqiptar në të gjitha anët, për të fajësuar me zhargonin se, “gjithçka që përmendet për luftën është lajthitje, apo ikje e qëllimshme nga problemet e brendshme”, nuk është gjykim dhe vlerësim i kthjellët, madje duket i rrezikshëm
Entuziazmi për “fundin e historisë” ala Francis Fukuyama tashmë është varrosur. Ngadhënjimi dhe shkëlqimi i përkohshëm i neoliberalizmit pas shkërmoqjes se ideologjisë komuniste dhe përqafimi pa kushte i këtij koncepti politiko-ekonomik nga pothuajse shumica e kombeve dhe shteteve të botës janë fenomene që u kanë ndodhur perandorive apo lëvizjeve fetare në kohërat e ngadhënjimeve të tyre. Por kurrë nuk ka nënkuptuar që ngadhënjimi i një ideologjie apo sistemi të ketë ecur gjithnjë njëtrajtshëm. Demokracia liberale perëndimore, sipas Francis Fukuyama, është forma finale e qeverisjes njerëzore në të gjithë globin. Por mësimet nga historia e vërtetojnë të kundërtën. Gjithçka është në konkurrencë të pandalshme (nuk po e përdorim fjalën luftë), që zhvillohet me mjete të ndryshme: nga konkurrenca e ideve dhe materializimeve të tyre , deri te konkurrenca ushtarake. I gjithë procesi i konkurrencës ndërmjet ideve, synimeve e mjeteve mund të shpjegohet në bazë të evolucionit. Pra, nuk ka “fund të historisë”, por vazhdim të procesit evolutiv të ideve e politikave që janë në pozicione antagoniste, të cilat sendërtojnë vazhdimisht realitete dhe gjendje të reja. Jo rastësisht në këtë kohë të turbulencave gjeopolitike të shfaqura në logun e betejave po rishfletohen me vëmendje doktrinat e Sun Tzus, Carl von Clausewitzit, apo të Makiavelit.
Përgjumja e shoqërive perëndimore pas triumfit mbi antipodet e kryesuara me ideologjinë komuniste zgjati aq shumë, sa ish-konkurrentët e djeshëm e sfiduan Perëndimin edhe më rrezikshëm se dikur që ishin përballë njëri-tjetrit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Perëndimi ishte proaktiv në mbrojtjen e vlerave të saj dhe ishte në sulm për ta mundur rendin tjetër të bazuar në vlera të kundërta të liberalizmit, pluralizmit, tregtisë së lirë, konceptit të të drejtave të njeriut etj. Ndërkaq tash Perëndimi është në dekadencë. E dhimbshme për ta pranuar, por diagnoza është pikërisht kjo. Tashmë iniciativat po i marrin pikërisht ato vende që e kanë bartur rolin e antagonizmit ndaj neoliberalizmit dhe demokracisë dhe kanë arritur ta sfidojnë, jo me fuqi të butë të ekonomisë e kulturës, por me forcë, prapa të cilës vijnë të tjerat. Pas përgjumjes gjatë tri dekadave të kaluara, Perëndimi dhe vlerat që i përfaqëson demokracia dhe neoliberalizmi në të gjitha kontinentet, po sfidohet nga shtetet që po bëjnë përpjekje për një rend të ri botëror për ndarjen e zonave të interesit, e pse jo edhe përmbysjen e krejt asaj çka mishërohet me Perëndimin. Parashenjat e një rikonfigurimi post-Amerikë dhe fuqizimin e demokracive joliberale e kanë parashikuar saktësisht pothuajse para gati dy dekadave edhe Fared Zakaria e studiues të tjerë.
Pozicioni i shqiptarëve në Evropën Juglindore është i lidhur ngushtë me bllokun e demokracive perëndimore. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që të rrimë të përgjumur. Nevojitet të shihet, thënë pa eufemizëm, përtej përgjumjes së aleatëve. Ne jemi dëshmitarë të diskursit që rekomandohet gjithmonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare, se: nuk ka zgjidhje ushtarake, por vetëm politike... se çështja e shqiptarëve shumicë të Kosovës duhet të zgjidhet vetëm me mjete paqësore, se filan çështja duhet të zgjidhet vetëm me mjete paqësore, se nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut... Se çështja e shpërbërjes së Jugosllavisë duhet të bëhet vetëm përmes dialogut... E rezultatet i kemi parë dhe përjetuar. Realpolitika ka vepruar e vepron sipas logjikës së veprimit e dialogu gjithmonë, pa dyshim, është në raundin post-final... Pak a shumë kështu ka treguar para gati dy shekujve edhe prusiani Carl von Clausewitz.
Rikonfigurimi i gjeopolitikave kërkon rikonfigurim të politikave ndërlidhëse shqiptare (fjala është për krejt rajonet shqiptare). Prandaj, përtej karshillëkut e kapadaillëkut brendapolitik shqiptar në të gjitha anët, për të fajësuar me zhargonin se, “gjithçka që përmendet për luftën është lajthitje, apo ikje e qëllimshme nga problemet e brendshme”, nuk është gjykim dhe vlerësim i kthjellët, madje duket i rrezikshëm. Nuk duhet ta luajmë rolin e budallait të dobishëm në kohën kur fqinji verior po armatoset nga po mundet. Madje, në kontinentin e Evropës asnjëri shtet nuk ka zyrtarisht raporte të tilla të konfliktit të hapur sikur që është Kosova në raport me Serbinë, kur kjo e fundit edhe në Kushtetutën e saj, edhe në pretendimet e saj e konsideron Kosovën si pjesë integrale të saj, të cilën mundohet ta rikthejë në momentin kur konsideron se është koha e duhur. Lufta për territore në Ukrainë i ka thyer të gjitha parashikimet se në Evropën e shekullit njëzet e një nuk mund të ketë luftë, aq më pak luftë me përmasa të Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësisht historia na ka mësuar se veprimet dhe synimet e një shteti, apo kombi kundër shtetit apo kombit tjetër nuk janë ndalur me fjalë, por me veprime. Me fjalë nuk qenë ndalur as thirrjet deri në lutje të anglezëve e të francezëve drejtuar Hitlerit për të mos e sulmuar Çekosllovakinë e atëhershme. As kur Polonia me shpirt në fyt, e gjendur përballë përbindëshit nazist, shpresonte se do ta mbanin fjalën aleatët, kryesisht Britania e Madhe, se në rast se do të sulmohej nga Gjermania naziste do të hidhej në mbrojtje të menjëhershme. Madje miopia e vendeve liberale atëbotë pati shkuar deri aty sa sikur nuk donin ta shihnin se si armatosej Gjermania naziste, të cilën vetëm një dekadë më herët e kishin sfiduar me dorëzim.
Ne shqiptarët (por jo vetëm) e kemi përjetuar në lëkurë kohën e lëkundjeve tektonike të gjeopolitikave rajonale e botërore. Para 112 vjetësh me siguri se shumica e shqiptarëve që ishin nën Perandorinë Osmane nuk do ta konceptonin se tërheqja e saj do t’i ekspozonte aq pamëshirshëm para fqinjëve agresorë që i pretendonin tokat shqiptare. Të papërgatitur e të shkapërderdhur, pikë e pesë, bëri që më shumë se gjysma e trojeve t’iu ekspozoheshin spastrimit etnik, vrasjeve dhe gjenocidit që nga Podujeva e Kumanova e deri në Janinë. Fatmirësisht sot pozita jonë është dhe mund të jetë shumë më e favorshme dhe më e konsoliduar: më e përgatitur për krijimin e rrethanave të reja gjeopolitike dhe ushtarake. Përgatitja ushtarake e fqinjit verior, Serbisë, është përgatitje për pritjen e momentit, për të cilin moment duhet të jemi të përgatitur edhe ne. Dhe duhet të jemi. Kukamat e shumta nëpër medie se po “armatoset Serbia” duhet racionalizuar me veprime konkrete tonat. Tek e fundit me vajtime e ankime nuk ndalet fqinji verior nga synimet e veta. Ne sot në regjionin e quajtur Ballkan jemi po aq sa serbët... Pa zhurmë, pa eufori, pa frikë, por me punë e me konsolidim të brendshëm e të jashtëm, me miq e aleatë historikë e gjeostrategjikë. Gjithsesi me vetëbesim. Fundi i fundit krijimi i balancave të forcave e ruan më së miri paqen, ashtu siç e ruan malin tuta.