E shkruar si nekrologji apo ekzaminuar si autopsi, vdekja e Ballkanit të Hapur është shembull i radhës se si idetë e mira dështojnë për shkak të zbatimit të dobët. Por ky epilog ka një fund të lumtur. Të gjitha synimet e Ballkanit të Hapur tani kanë mundësinë të rilindin në kuadër të Procesit të Berlinit
Nuk mbaj mend sa shumë deklarata dhe shkrime kam bërë në kundërshtim të Ballkanit të Hapur. Prandaj, kam pritur që njoftimi për “kryerjen e misionit të tij”, të cilin e shpalli befasisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të më sjellë ndonjë kënaqësi morale. Por duhet pranuar që nuk u ndjeva kështu. Nuk gjeta satisfaksion në vdekjen e Ballkanit të Hapur, pasi që ajo erdhi me kosto të madhe politike për rajonin. Për më shumë se tre vjet ajo lëvroi kaos në rajonin tonë, duke e mbjellë farën e sherrit dhe të përçarjes së ashpër politike brenda pothuaj çdo vendi të rajonit. Kësisoj, ajo e parandaloi çfarëdo bashkëpunimi efektiv rajonal.
Po ashtu, nuk më erdhi mirë për vdekjen e Ballkanit të Hapur, pasi që në fund fare nuk ka asgjë universalisht të keqe me Ballkanin e Hapur. Kufijtë e hapur, tregtia e lirë, bashkëpunimi i shtuar ekonomik, komunikimi më i afërt politik – të gjitha këto janë themelet e procesit integrues evropian dhe indikatorët e shoqërive progresive liberale në rajonin tonë. Pra, që nga fillimi, ideja e Ballkanit të Hapur ishte plotësisht e qëlluar, sidoqoftë mënyra e zbatimit të saj ishte e dënuar për dështim që nga fillimi. Në këtë drejtim është e dobishme të bëjmë një autopsi të vdekjes së Ballkanit të Hapur, duke u ndalur tek arsyet kryesore të dështimit të tij.
1. Duplifikim me procesin e Berlinit
Në qëllimet e veta, Ballkani i Hapur ishte plotësisht identik me qëllimet e Procesit të Berlinit. Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ishte ngritur pikërisht për të sjellë në rajonin tonë katër liritë themelorë të BE-së, por edhe t’u ofrojë vendeve të Ballkanit financimin e nevojshëm për transpozimin e këtyre katër lirive dhe reformave përcjellëse evropiane. Kësisoj, Procesi i Berlinit u dizajnua si forumi kryesor i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, por çdoherë me synimin e qartë strategjik për integrim në BE. Thënë ndryshe, Procesi i Berlinit do të shërbente si trampolinë për anëtarësim në BE.
Për të pasur sukses cilado iniciativë rajonale ajo duhet të përmbushë tri parakushte themelore: (1) të ketë lidership të lartë politik, i cili do ta sigurojë koherencën politike të pjesëmarrëseve, (2) të ketë kapacitet të fuqishëm administrativ, të aftë për të jetësuar vizionin politik dhe (3) të ketë financim të bollshëm buxhetor për të mbështetur vizonin e proklamuar politik. Procesi i Berlinit i përmbushi të tri këto parakushte: Gjermania mori përsipër lidershipin politik, Komisioni Evropian mori përsipër administrimin teknik, BE-ja ndau fillimisht 1 miliard euro grante të cilat stimuluan investimet prej 4 miliardë eurosh, ndërsa për vitet 2021-2027 BE-ja e rriti mbështetjen e saj me 9 miliardë euro grante, të cilat do të stimulojnë 20 miliardë euro të tjera në investime.
Falë gjithë kësaj pune, deri më sot në rajonin tonë janë shtruar 1000 km rrugë të reja dhe 327 km hekurudha, janë shtuar 560 km të linjave 400 kV, 123 MW energji të ripërtritshme dhe 176 km gazsjellës, 2.1 milionë qytetarë kanë përfituar nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe trajtim të ujërave të zeza, u sigurua përkrahje financiare për 5,905 biznese të cilat krijuan 45,000 vende të reja pune, u ndërtuan shkolla të reja për 100,000 nxënës, një port i ri detar u ndërtua, ndërsa një tjetër u rinovua. Dhe në gjithë këtë mes, lind pyetja: Çfarë bëri Ballkani i Hapur?
Ballkani i Hapur nuk bëri asgjë, pasi që nuk përmbushi asnjërin nga tri parakushte themelore, që kërkon çdo iniciativë e suksesshme e bashkëpunimit rajonal. Ai nuk gëzoi as lidership të lartë politik, as kapacitet të aftë administrativ, as financim të bollshëm buxhetor. Rrjedhimisht, të qenit në duplifikim të plotë me Procesin e Berlinit, ai ishte i dënuar për dështim që nga fillimi.
2. Mllefi ndaj BE-së
Problemi i radhës i Ballkanit të Hapur ishte që ai u portretizua jo si një iniciativë strategjike e menduar mirë për hir të së mirës së rajonit, por si akt impulsiv mllefi dhe hakmarrjeje ndaj BE-së. Mbledhja inauguruese e Ballkanit të Hapur në vitin 2019 ndodhi në sfondin e një kohe, kur BE-ja nuk qe e aftë të marrë vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. As qe e aftë të japë liberalizimin e vizave për Kosovën apo statusin e vendit kandidat për Bosnjën. Në këtë sfond, tre liderët e Ballkanit menduan se një iniciativë e re “nga rajoni dhe për rajonin” mund të shërbente si levë presioni BE-së me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së saj drejt rajonit tonë. Një qëllim fisnik, por përsëri i ekzekutuar dobët. Tre liderët, dhe në veçanti Rama dhe Vuçiqi, shkuan shumë larg në goditjet ndaj BE-së. Nga vënia në dyshim të pjesëmarrjes në samitet me BE-në e deri te krahasimi i shëndetit të BE-së me Putinin, ata shndërruan Ballkanin e Hapur në një forum mllefi anti-Evropian. Por çdo gjë nuk ngeli vetëm në nivelin e fjalëve, por kaloi edhe në vepra. Kësisoj, në takimin e fundit të Ballkanit të Hapur u ftuan si anëtar nderi vende më antievropiane, siç janë Hungaria dhe Turqia. Rrjedhimisht, ajo që ishte në dukje forum antievropian, u bë edhe në vepra forum antievropian. Si përfundim, çdokush me pak sens në kokë vendosi të qëndrojë sa më larg kësaj ndërmarrjeje të çuditshme.
3. Përçarja e rajonit
Ajo që filloi e përçarë, përfundoi e dështuar. Për shkak të historisë komplekse të rajonit tonë, bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor çdoherë është trajtuar me kujdes kirurgjik. Para nisjes së çdo iniciative janë zhvilluar diskutime dhe konsultime të pafundme me të gjitha palët në mënyrë që të dëgjohen dhe akomodohen të gjitha këndvështrimet dhe interesat. Ky proces ka siguruar se çdo palë ndihet komod në kuadër të forumeve rajonale.
Shpesh ky proces ka rezultuar me dakordime suboptimale, por të cilat palët i kanë vlerësuar të domosdoshme për hir të ruajtjes së konsensusit dhe gjithëpërfshirjes rajonale. Me një fjalë: uniteti para së gjithash.
Ky parim u shkel që nga dita e parë në Novi-Sad. Ky “original sin” nuk u korrigjua as me kalimin e kohës. Vërejtjet e vendeve mospjesëmarrëse asnjëherë nuk u trajtuan me seriozitet dhe mendje të hapur. Në vend të kësaj, ata u shërbyen me arrogancë dhe përbuzje. Ajo çfarë filloi si përçarje e vogël, u shndërrua në hendek të pakapërcyeshëm.
4. Mungesa e vëmendjes ndërkombëtare
Në rajonin tonë asgjë serioze nuk ndodh pa vullnetin dhe lidershipin e fuqive të mëdha. Ballkani i Hapur e përjetoi këtë fat. Edhe pse e trumbetuar me fanfarë si iniciativë evropiane nga iniciuesit e saj, vetë BE-ja nuk e mbështeti asnjëherë. Gjatë vizitës në Beograd dhe Tiranë, kancelarja Merkel refuzoi madje ta shqiptonte togfjalëshin “Open Balkans”. Njëjtë veproi edhe presidentja e Komisionit Evropian, von Der Leyen. Injorimi i BE-së ishte shurdhues.
SHBA-ja, nga ana tjetër, ishte diku në mes të injorimit dhe kurtuazisë. Me një anë ata ofronin mbështetje për iniciativën, por në anën tjetër ngrinin kushtet e kësaj mbështetjeje. Këto kushte i elaboroi z. Escobar: (1) qëllimi i Ballkanit të Hapur nuk duhet të jetë bashkëpunimi rajonal, por integrimi në strukturat evropiane, (2) Ballkani i Hapur është projekt ekonomik dhe nuk mund jetë projekt politik, (3) të shmanget duplifkimi me iniciativat ekzistuese, dhe (4) të sigurohet gjithëpërfshirja. Ndonëse e thënë në gjuhë diplomatike, praktikisht ky ishte dënim me vdekje i Ballkanit të Hapur, pasi që respektimi i këtyre kritereve kërkonte integrimin dhe subordinimin e plotë të Ballkanit të Hapur nën Procesin e Berlinit. Ndonëse me vonesë, këtë e kuptuan edhe vetë iniciuesit e Ballkanit të Hapur.
Kudo që qëndroni në debatin “Procesi i Berlinit vs Ballkani i Hapur”, ajo çfarë na përbashkon të gjithë neve është synimi për një rajon më të integruar, më të hapur dhe më evropian. Të vërtetat e proklamuara nga Ballkani i Hapur ende sot qëndrojnë. Ende sot kamionët humbasin afërsisht 26 milionë orë në vit në pikëkalimet kufitare brenda Ballkanit. Ende sot vonesat në kufi janë pesë herë më të gjata se në BE. Ende sot për çdo investitor serioz është me e dobishme të investojë në një treg të vetëm prej njëzet milionë konsumatorësh sesa në gjashtë tregje të fragmentuara.
Kemi shpenzuar më shumë se tre vjet kohë duke e debatuar formën e bashkëpunimit rajonal, përderisa thelbi i tij ka ngelur i injoruar. Prandaj sot, kur ky debat mbyllet, para rajonit shfaqet mundësia e shkëlqyer që i papenguar të vendosë gjithë energjinë politike në avancimin e Procesit të Berlinit. Sidoqoftë duke shikuar përpara duhet njohur se çfarëdo progresi i mëtutjeshëm do të varet nga një e vërtetë absolute: BE-ja duhet të tregojë vizion dhe lidership politik për rajonin tonë. Bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit do të këtë sukses vetëm nëse shoqërohet me avancim të rrugës integruese në kuadër të procesit të zgjerimit. Bashkëpunimi rajonal dhe anëtarësimi në BE janë dy anët e së njëjtës medalje. Dështimi i BE-së për të siguruar këtë vetëm do ta mbjellë farën e lindjes së një Ballkani të Hapur 2.0, duke ushqyer kështu një rreth vicioz ballkanas të stagnimit.