Pas kryerjes së detyrës qeveritare, Powelli foli kundër devijimit joliberal që do të karakterizonte Partinë Republikane. Ai vazhdoi të mbetej njeri i moderuar dhe karakter i fortë deri në fund. Në këtë pikë të kujtonte shumë bashkëkohës të tij, përfshirë Brent Scowcroftin dhe George P. Shultzin, që të dy ndërruan jetë së fundmi. Fatkeqësisht, për SHBA-në dhe botën janë të paktë në jetën publike amerikane ata që sot mund të zënë vendin e tyre
New York – Colin Powell, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Amerikane, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-sekretari i Shtetit, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 84-vjeçare, ishte tamam amerikan, i biri i prindërve emigrantë. Ai përherë ishte në gjendje gatishmërie, aso që këshillonte që “të mos rrëmbehesh nga frikët ose kundërshtuesit” dhe se “optimizmi i përhershëm është forcë shumëfishuese”.
Të gjithë ne jemi formësuar prej përvojave të jetës së hershme dhe Powelli nuk bënte përjashtim. Për të ishte Lufta e Vietnamit, ku kishte shërbyer dy orë si oficer i ri ushtrie. Ai e kishte kuptuar qartësisht se si politika dhe lidershipi i dobët do të mund të kushtonin jetë njerëzish dhe do të mund të shkatërronin institucionet, dhe i kishte kuptuar abstraksionet globale që kishin arritur deri në Uashington e që zbatoheshin në mënyrë gjysmake anembanë botës. Me këtë përvojë të drejtpërdrejtë ushtarake, lufta për Powellin asnjëherë nuk ishte më pak se reale.
Përvoja e Powellit në Vietnam ndikonte thelbësisht në të menduarit e tij si politikëbërës. Kjo ishte reflektuar në “Doktrinën Powell”, që ishte kriter themelues që do të shqyrtohej para përdorimit të forcës ushtarake. Ishte një thirrje për zbatim me kujdes të forcës ushtarake, nëse nuk mund të shmangej assesi. Lufta ishte për Powellin mundësia e fundit. Artikuluar pas kaosit të fushëbetejës klasike të Luftës së Gjirit dhe në kulmin e debateve për më pak intervenime në Ballkan dhe Somali, Doktrina Powell bënte thirrje për shtruarjen e pyetjeve specifike dhe gjetjen e përgjigjeve specifike.
A ka objektiva të rëndësishme dhe të qarta të cilat mund të jetësohen më së miri nëpërmjet përdorimit të forcës ushtarake? A do të përfitonit ju me gjasë prej kostove të pritshme të larta? Si do të ndryshonte situatën dhe çfarë mund të pasonte përdorimi fillestar i forcës ushtarake?
Ishte pyetja e fundit që do ta kthente në referencë para Luftës së Irakut më 2003 që do të njihej si rregulla: Nëse e thyen, e pronëson. Powelli e dinte fort mirë se masa e intervenimit nuk matej me atë se si niste, por si përfundonte.
Kam punuar ngushtësisht me Powellin kur ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe punoja për Këshillin e Sigurisë Kombëtare në kohën e presidentit George H.W. Bush, dhe përsëri sa ishte sekretar Shteti dhe unë drejtoja politikën e planifikimit të stafit nën presidentin George W. Bush. (Powell ishte edhe anëtar i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme për 35 vjet me radhë dhe shërbeu si anëtar bordi nga viti 2006 deri më 2016.) Ai vihej në siklet prej përdorimit të kufizuar të forcës për t’i sinjalizuar armiqtë, në vend se të përdorej forca e vërtetë për t’i neutralizuar ata. Kjo bëri që ai të lartësonte Luftën e Gjirit të vitit 1991 vetëm pasi presidenti Bushi plak ia dha atij trupat dhe pajisjet e kërkuara. Seria e njëjtë e pyetjeve e bën Powellin që të këshillonte të mos shkohej deri në fund deri në Bagdad më 1991 dhe që të tregohej i matur kundër luftës nën presidentin e dytë Bush.
A kishte gjithmonë të drejtë Powell? Sigurisht që jo. Dëmi më i madh në profilin e tij ishte paraqitja e si sekretar Shteti para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shkurt 2003 për të mbrojtur ndërhyrjen ushtarake në Irak. Siç e dimë tani, ajo që diktatori i Irakut, Saddam Hussein, po fshihte nga inspektorët ndërkombëtarë nuk ishte armë e shkatërrimit në masë, por fakti që ai nuk kishte asnjë.
Procesi që çoi në deklaratën e Powellit në OKB është udhëzues. Duke pasur parasysh një skenar që zyra e zëvendëspresidentit Dick Cheney kishte përgatitur vetëm disa ditë më parë, Powell këmbënguli që komuniteti i inteligjencës të shqyrtonte dhe vërtetonte çdo fjalë. Në fund, më shumë se 90 për qind e draftit fillestar u ndryshua ose u eliminua. Powell e bëri të qartë se ai do të jepte vetëm vërejtje të informuara nga ajo që dinte qeveria dhe, duke pasur parasysh pasigurinë e natyrshme të inteligjencës, atë që gjykonte të ishte e saktë.
Ne e dimë se tani deklarata ishte pjesërisht e pasaktë, për shkak të asaj që njihet si "paragjykim konfirmimi". Duke supozuar se Saddam Hussein posedonte armë të shkatërrimit në masë, analistët e inteligjencës dhe politikëbërësit priren t'i kushtojnë më shumë vëmendje informacionit që duket se konfirmon premisat e tyre dhe zhvlerëson informacionin që nuk kishte.
Ajo që u mungon shumicës së kritikëve është se Powell bëri përpjekje të mëdha për të vërtetuar të vërtetën dhe se ajo që ai tha ishte çfarë e mendonte për të vërtetë. Dikush mund të jetë gabuar pa qëllim keqdashës. Për më tepër, do të ishte lexim i gabuar i historisë të bëhej përgjegjës Powell për luftën e kushtueshme dhe të pamenduar që pasoi. I vetëm në mesin e këshilltarëve të lartë të George W. Bushit, ai nuk e shtyu atë dhe, siç treguan ngjarjet e mëvonshme, Bush ishte i përgatitur për të hyrë në luftë pa shumë mbështetje ndërkombëtare. Në fund të fundit, përpjekjet e Powellit në OKB nuk janë thelbësore për të kuptuar pse dhe si Shtetet e Bashkuara shkuan në luftë.
Pas kryerjes së detyrës qeveritare Powelli foli kundër devijimit joliberal që do të karakterizonte Partinë Republikane. Ai vazhdoi të mbetej njeri i moderuar dhe karakter i fortë deri në fund. Në këtë pikë të kujtonte shumë bashkëkohës të tij, përfshirë Brent Scowcroftin dhe George P. Shultzin, që të dy ndërruan jetë së fundmi. Fatkeqësisht, për SHBA-në dhe botën janë të paktë në jetën publike amerikane ata që sot mund ta zënë vendin e tyre.
(Autori është presidenti i Këshillit të Punëve të Jashtme. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).