Rrjedhja e incizimeve tregon se çfarë sistemi i kalbur është krijuar në këta 20 vjet. Sistem në të cilin notojnë më së miri ata që kurdo që t'u teket qejfi mund ta thërrasin këdo të veshur me pushtet dhe kurdo për t'i treguar se dinë diçka për ta, që do të ishte më mirë të mos dilte në publik. Për të mirën e
Lajmi më alarmant i javës qe rritja enorme e rasteve të reja me COVID-19 dhe tash me variantin Delta. Prej javës së fundit të korrikut janë regjistruar madje 1229 raste të reja. Me këtë progresion shpejt do ta mbërrijmë njëmijëshin brenda një dite, sikur na kishte ndodhur në kohët me të këqija, kur as vaksina nuk kishim.
Nga ana tjetër, deri dje janë administruar gjithsej 478 mijë doza, prej të cilave 165 mijë njerëzve u janë dhënë të dyja dozat. Kjo i bie më pak se 10% e popullatës së përgjithshme, dhe i vetmi konstatim që vlen këtu është se kjo është pak.
Tash nuk ka absolutisht asnjë arsye që të ankohemi për mungesë vaksinash, për shkak se ato janë - po mbërrijnë rregullisht si prej prodhuesit prej të cilit Kosova i ka blerë vaksinat, ashtu edhe prej programit COVAX, që nuk është duke na lënë keq me vaksina të falura.
Ajo që po na mungon është vetëdija - të cilën duket prej kohësh se e kemi humbur, dhe po na mungon detyrimi ligjor që e gjithë popullata prej 18 vjeç e më lart duhet të vaksinohet. Ashtu siç janë të detyrueshme të gjitha vaksinat që i marrin fëmijët sipas programit kombëtar të vaksinimit, ashtu do të duhej të detyroheshim të gjithë që ta marrim vaksinën anti-Covid. Thuajse ende nuk e kemi të qartë se sa shumë na ka goditur kjo pandemi, jo vetëm në njerëz, në shëndet fizik, në financa, por edhe në shëndet mendor.
* * *
Hapja pas një periudhe të gjatë kufizimesh duket të ketë qenë gabim trashanik. Përderisa është evidente se është llogaritur në ardhjen masive të diasporës, prania e të cilëve është më se evidente në aspektin e rritjes së qarkullimit të parasë në korrik dhe fillimgusht, megjithatë nuk është menduar fare se me heqjen e detyrimit të mbajtjes së maskës, erdhëm në pikën kur menduam se virusi kaloi dhe se nuk mund të na bëjë më asgjë.
E po na bën, dhe më e keqja është se varianti i ri i këtij virusi është duke i goditur edhe fëmijët, të cilët nuk janë pjesë e programit të vaksinimit. Së paku jo në Kosovë. Dhe përderisa në SHBA tashmë po insistohet që të merret edhe doza e tretë e vaksinës, në Kosovë ende ka mjekë e punëtorë të tjerë shëndetësorë që nuk e marrin vaksinën. Të mos flas për arsimtarët - ata që duhet t'i mësojnë fëmijët se si duhet qenë i përgjegjshëm në shoqëri.
Përvoja e shoqërisë sonë tregon se kur kemi trysni e detyrim pranojmë të nënshtrohemi dhe atëherë bëhemi të përgjegjshëm me zor. Porse në këtë pandemi, e cila mund të na detyrojë që të karantinohemi sërish, nuk kemi rrugëdalje tjetër pos vaksinimit. Ende nuk po e kuptojmë se përderisa mund të mos mërzitemi për veten, do të duhej të mërziteshim për të tjerët, të cilët janë viktima potenciale të neglizhencës sonë.
* * *
Dhe pandeminë për një çast shumë të ndritshëm na e bënë ta harronim xhudistet tona të arta që u kthyen nga Japonia të hënën. Iu bë pritje shtetërore e edhe popullore, fillimisht te “Zahiri” në Prishtinë, e më pas të nesërmen në Pejë.
Ekipi i xhudos ka shumë vjet që na sjell gëzime. Dhe përherë ky ngazëllim na jep një shtytje për të besuar se mund të bëhemi të mirë e të mbarë, pavarësisht faktit se dita më ditë na bëhet të dëgjojmë për skandale të të gjitha formateve dhe kalibrave - trade mark i këtij shteti të brishtë që nuk është më vetëm i vjedhur, por është edhe i kalbur.
E fundit që u dëgjua qenë jo përgjimet, por audioincizimet e bashkëbiseduesit me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, që kanë rrjedhur qëllimisht në mediume për ta arritur një qëllim. Para se të konstatohet se këto incizime kanë për qëllim t'i godasin personat e caktuar të pushtetit, në fakt janë më parë qërim hesapesh mes ish-ortakëve të mediumeve që e akuzojnë njëri-tjetrin për mungesë etike profesionale dhe "pastrime imazhesh".
Për mua është tepër problematike që kushdo, i kalibrit të këtij njeriu, që ka komunikuar me këta njerëz (e kush e di edhe sa biseda të tjera janë e që ne nuk i dimë) mund të ketë qasje kaq të lehtë të bisedojë të telefon madje me kryeprokurorin e shtetit, pavarësisht që nuk ka biseduar nga telefoni i tij personal, por nga telefoni i vartësit të tij. E, megjithatë, vartësi i tij është anëtar i KGJK-së - pra institucionit kompetencat e të cilit përcaktohen me Kushtetutë. E gjendet dikush, për të cilin flitet se ka shtetësi edhe të huaj, se është pasanik e se merret me turli biznesi, që mund ta thërrasë edhe një gjykatës dhe t'i thotë se duhet t'ia lirojë një veturë të konfiskuar apo të intervenojë që kjo të lirohet. Dhe këtë ta incizojë asisoj që të dëgjohet shumë pastër se çfarë po flitet. Sinqerisht, kjo shkon përtej përdorimi të thjeshtë të telefonave të mençur.
* * *
Incizimet nisën me një rrjedhje të një muhabeti me një prokurore. Muhabeti i prokurores është për analizë pak më të thellë nga ndonjë profesionist e besa edhe gjuhëtar. Alogjizmat dhe gjuha e cektë dhe e mangët tregojnë se edhe profesionistët gjyqësorë do të duhej t'i nënshtroheshin edhe testimit të gjuhës e edhe të drejtshkrimit. Fakti se nuk janë gjuhëtarë, nuk e arsyeton analfabetizmin e tyre.
Më pas pasoi muhabeti me shefin e Njësisë së Inteligjencës Financiare - dhe ky qe pasqyrimi mbase më i fuqishëm i Pronto-shtetit, të cilin e kemi krijuar këta 20 vjet. Shefi i kësaj njësie, pra që funksionon nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave, gjithashtu është i qasshëm në telefon dhe bisedon krejt çfarë t'i teket me këtë njeriun dhe i tregon se si do t'i blejë aksionet në mediume, si do t'i shantazhojë kë të mundet, dhe në këtë formë do t'ia sigurojë vetes fuqinë edhe politike.
Nga KOHA do të marrim vesh se drejtori i deridjeshëm dhe i shkarkuar i NJIF-it, qenka shkarkuar edhe para gjashtë vjetësh - për shkak se ishte konfrontuar me kryeredaktorin e portalit Blic, sepse ky i kishte botuar transaksionet e qindra mijëra eurove në llogaritë e të nominuarit të atëhershëm për kryeprokuror, Lumezi.
Nga ky rrëfim do të marrim vesh se shkarkimi ishte ndryshuar në dorëheqje të parevokueshme, kurse kjo dorëheqje do të revokohej dy ditë më vonë asisoj që Nuhiu do të emërohej u.d. i drejtorit të NJIF-it deri në emërimin e tij të ri një vit më vonë.
Në kushte normale kjo nuk mund të ndodhë. Në Kosovën e kalbur ndodh se kalon pahetuar, thuajse asgjë nuk ka ndodhur. E ka ndodhur se komisioni i cili e kishte shkarkuar, ishte i përbërë nga ministri i atëhershëm i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryeprokurori, drejtori i Policisë, drejtori i Administratës Tatimore, drejtori i Doganave dhe guvernatori i BQK-së.
Një nga anëtarët e Bordit të asaj kohe, në kushte anonimiteti, i kishte thënë KOHËS që shumica ishin të shantazhuar dhe njëkohësisht kishte presion edhe nga njerëz në pozitat më të larta që Nuhiu të kthehej në pozitë.
Pas bisedave të publikuara del se paska pasur shumë arsye për kthimin e tij në këtë post - gjërat që i ka ditur dhe në të cilat ka pasur qasje ia kanë mundësuar, në vend të luftimit të krimit, përdorimin e tyre për kërcënime, shantazhe dhe realizime kërkesash e favoresh.
* * *
Portali që nisi t'i publikonte incizimet e ndali dorën. As pardje, as dje, me gjithë paralajmërimin, nuk publikoi më asgjë. Kjo nuk flet mirë për mediumin që e ka nisur këtë seri, për shkak se del se informatat i përdor në mënyrë selektive për t'i goditur disa persona të caktuar, e jo për ta zbardhur të vërtetën e plotë. Gjithashtu tregon edhe për mundësinë shumë të hapur të një marrëveshjeje midis atyre që i kanë incizimet dhe atyre që përmenden në incizime - që prapë i bie një lloj shantazhi.
Nuk e di nëse e kanë arritur qëllimin për të cilin e kanë nisur publikimin e tyre. Një njeri u shkarkua dhe një tjetër, pas presionit të deputetëve të Komisionit për Legjislacion, dha dorëheqje nga posti i anëtarit të KGJK-së. Porse ai i cili me gjasë sërish nuk do të preket do të jetë kryeprokurori Lumezi, edhe për shkak se me hetimin e rastit do të merret Prokuroria Speciale, po ajo e njëjta e cila pati dështuar big time me rastin Pronto.
E gjithë kjo tregon se çfarë sistemi i kalbur është krijuar në këta 20 vjet. Sistem në të cilin notojnë më së miri ata, që kurdo që t'u teket qejfi mund ta thërrasin këdo të veshur me pushtet dhe kurdo për t'i treguar se dinë diçka për ta, e që do të ishte më mirë që të mos dilte në publik. Për të mirën e "të gjithëve", por jo edhe të shtetit.
Të mjerët ne ku po jetojmë.