OpEd

Jazzi, “Dallasi” dhe çmontimi i fuqisë së butë amerikane

Fuqia e butë amerikane është e rëndësishme ngase e tregon Amerikën për atë që është në tërë madhështinë e saj: një vend i lirë që mban premtimin e një bote të lirë e demokratike. Një bote që pa Amerikën çfarë e kemi njohur deri më tani rrezikon të rrëshqasë në kaos dhe konflikte të nxitura nga regjimet autoritare e diktatoriale

Fuqia e butë është aftësia e një shteti për të ndikuar te vendet e tjera pa e përdorur forcën apo detyrimin. Në kontekstin e politikës globale, fuqia e butë, apo “soft power” në anglishte, është përdorur që nga periudha e luftës së ftohtë. Në sfidat aktuale gjeopolitike, kur dominimin botëror po e kërkojnë regjimet autoritare, si Kina e Rusia, rëndësia e fuqisë së butë mbetet po aq e rëndësishme sa ka qenë në periudhën e luftës së ftohtë. Instrumentet e fuqisë së butë janë të nduar-nduarshme dhe ato fillojnë prej kulturës, duke përfshirë muzikën e filmin, mediet, bursat studimore, ndihmat ndërkombëtare e kështu me radhë. Mundësia për të ndikuar në rrjedhat shoqërore, politike e ekonomike të vendeve të tjera është një prerogativ i vendeve me fuqi ekonomike dhe me mundësi financiare për të përdorur fuqinë e butë. Si e tillë, SHBA-ja historikisht ka përdorur fuqinë e butë për të formësuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndikuar në dinamikat politike globale. Gjatë Luftës së Ftohtë, muzika jazz, mediat dhe kinematografia shërbyen si mjete për të sfiduar narrativin e bllokut komunist dhe për të promovuar imazhin e një shoqërie të hapur dhe të lirë. 

Kështu, për shembull, SHBA-ja gjatë luftës së ftohtë i përdori muzikantët e jazzit, si Louis Armstrong e Duke Ellington dhe të tjerë, nëpër turne botërorë dhe kësisoj e ngriti imazhin e saj përtej perdes së hekurt. Kinematografia është instrument tjetër i fuqisë së butë. Dihet se në Rumani, ndikim të madh në rrëzimin e diktatorit, Nikolae Ceausescu, pati seriali i mirënjohur “Dallas”, të cilin pushteti i atëhershëm rumun e lejoi për ta treguar “dekadencën kapitaliste”, por që pati efekt të kundërt, sepse njerëzit në Rumani përmes këtij seriali e kuptuan “ëndrrën amerikane” dhe mësuan se ekziston një tjetër lloj jete përtej asaj që ishin mësuar ta shihnin dhe ta përjetonin në varfërinë e izolacionizmit diktatorial komunist.

Për ta ilustruar më tej efikasitetin e fuqisë së butë, po i marr si shembull programet studimore që vendet e ndryshme të botës i financojnë për vendet e treta. Shumë liderë të botës së tretë kanë studiuar në SHBA, Britani të Madhe, Francë, Gjermani e vende të tjera përmes bursave të dhëna nga qeveritë e këtyre vendeve. Pjesëmarrësit e këtyre programeve shpesh kanë ndikuar në orientimin demokratik dhe në politikën e jashtme të vendeve të tyre. Këto bursa shihen si investim afatgjatë dhe qeveria amerikane ka një numër programesh me të cilat i financon studimet e të huajve në SHBA. 
Njëri prej tyre – Fulbrighti, pjesëmarrës krenar i të cilit jam edhe unë e që menaxhohet nga Instituti ndërkombëtar i edukimit në kuadër të Departamentit amerikane të shtetit – është ndër programet më prestigjioze. Së fundi lexova në një postim në platformën Linkedin se punonjësit e Institutit të edukimit ndërkombëtar që e menaxhon programin Fulbright janë pushuar nga puna në vazhdën e ndërprerjes së programeve të jashtme të Qeverisë së SHBA-së. 

Natyrshëm që në mesin e instrumenteve më me ndikim të fuqisë së butë janë edhe medie dhe ndihma ndërkombëtare. Gjatë viteve të shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta, sikur shumë bashkëmoshatarë të tjerë, unë jam rritur me lajmet e Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë e BBC në gjuhën shqipe, e (atëherë) serbo-kroate, të cilat i dëgjonte rregullisht babai im, edhe vet gazetar me profesion. 
Këto media publike amerikane dhe britanike tregonin një pasqyrë tjetër të zhvillimeve rajonale dhe globale, duke e sfiduar narrativin zyrtar të mediave në ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë komuniste, si dhe në vendet tjera të kampit socialist. Në këtë mënyrë, këto mediume ishin drita në terrin informativ që mbretëronte në hapësirën komuniste. Ndikimi i tyre përtej perdes së hekurt ishte i jashtëzakonshëm ngase ishin burime të rëndësishme informacioni për publikun, duke treguar një realitet ndryshe nga ai i propaganduar nga regjimet komuniste.

Ndihmat ndërkombëtare kanë qenë një tjetër komponent thelbësor i strategjisë së fuqisë së butë amerikane. Përmes tyre, SHBA-ja ka financuar projekte dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në formësimin dhe transformimin institucional, shoqëror e ekonomik të vendeve në transicion dhe të atyre me deficit demokratik. Njëra prej agjencive më të fuqishme të zhvillimit ndërkombëtar është edhe USAID-i, apo Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Përmes USAID-it, SHBA-ja ka financuar projekte të zhvillimit ekonomik dhe të demokratizimit në vende me sfida të mëdha institucionale. Këto ndihma kanë luajtur rol qendror në ndërtimin e institucioneve dhe në nxitjen e stabilitetit demokratik në shumë vende në zhvillim dhe në thellimin e aleancave afatgjata në mes të SHBA-së dhe vendeve të treta.

Mbyllja e USAID-it, shuarja e fondeve për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë si dhe shkurtimi i programeve studimore për të huajt janë veprime që e reduktojnë ndikimin e SHBA-së në skenën globale. Ky kurs i politikës izoluese përbën një ndryshim rrënjësor nga strategjia tradicionale amerikane, duke hequr dorë nga një mjet kyç i diplomacisë së saj. Përderisa shuarja e miliardave të ndihmave zhvillimore amerikane për vendet e treta që jepeshin përmes USAID-it u bë me arsyetimin se po shuhen programe që nuk janë në linjë me synimet e politikës së administratës së presidentit Donald Trump, shuarja e Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë u bë pa ndonjë arsyetim që do ta justifikonte nevojën e mbylljes së këtyre medieve që për një kohë të gjatë kanë qenë flakadan i lirisë dhe i demokracisë në vendet e ndryshme të botës. Tërheqja nga këta mekanizma krijon sfida të reja për rolin global të SHBA-së dhe e hap rrugën për rritjen e ndikimit të fuqive të tjera. 

Në një botë gjithnjë e më multipolare, ku konkurrenca për ndikim është e ashpër, fuqia e butë mbetet mekanizëm kyç për ruajtjen e dominimit strategjik amerikan. Prandaj, politikat që e reduktojnë atë nuk duhet të shihen thjesht si masa financiare por si ndryshime me pasoja të thella në arkitekturën gjeopolitike globale.

Në këtë kontekst, vendimi i administratës Trump për të shkurtuar apo për të eliminuar disa nga këto instrumente ngre shqetësime serioze lidhur me të ardhmen e ndikimit amerikan në botë. Kjo qasje ngre pikëpyetje mbi pasojat afatgjata, sidomos kur fuqitë e tjera, si Kina dhe Rusia, po i intensifikojnë përpjekjet për të zgjeruar ndikimin përmes strategjive të ngjashme. Mungesa e një pranie të fuqisë së butë amerikane krijon vakum, të cilin këto vende mund ta shfrytëzojnë. Kina, përmes investimeve të mëdha në projekte infrastrukturore po e zgjeron ndikimin e saj ekonomik dhe politik. Rusia, në anën tjetër, ka intensifikuar fushatat e dezinformimit dhe ka rritur ndikimin mediatik në rajone të ndryshme të botës. Në këtë kontekst, largimi i SHBA-së nga skena e fuqisë së butë e zvogëlon aftësinë e saj për t’i mbrojtur vlerat demokratike dhe për të ndikuar në rrjedhat e politikës globale.

Në një botë me më shumë se një qendër të fuqisë ekonomike dhe ushtarake, fuqia e butë është e domosdoshme për të ndikuar në rrjedhat politike, ekonomike e shoqërore sipas interesit kombëtar. Çmontimi i kësaj fuqie të butë nga presidenti Trump ia heq Amerikës një levë të fuqishme të politikës së jashtme, në të cilën ajo e ka shtyrë agjendën e saj politike pa pasur nevojë të detyrojë apo të shtrëngojë si aleatët ashtu edhe ata që i ka më pak aleatë. Eliminimi i fuqisë së butë si mekanizëm shtetëror është në kundërshtim me kuptimin e sloganit “Make America Great Again”, ngase e zvogëlon praninë dhe ndikimin amerikan në shumë vende që janë jashtë ndikimit të saj të drejtpërdrejtë. Në këtë aspekt, detyrimi dhe shtrëngimi janë instrumente afatshkurtra. Asnjë shtet, duke përfshirë edhe SHBA-në, nuk mundet që të gjitha synimet e saja politike t’i arrijë vetëm përmes detyrimit dhe shtrëngimit. Por, fuqia e butë është mekanizëm afatgjatë që e bën një shtet të madh, si Amerika, të jetë vërtet e madhe, sepse bukuria e Amerikës nuk është vetëm fuqia e saj ekonomike dhe ushtarake, por edhe premtimi dhe idealet të cilat ajo i mban: liria dhe demokracia. 

Prandaj, fuqia e butë amerikane është aq e rëndësishme sepse e tregon Amerikën për atë që është në tërë madhështinë e saj: një vend i lirë që mban premtimin e një bote të lirë e demokratike. Një bote që pa Amerikën çfarë e kemi njohur deri më tani rrezikon të rrëshqasë në kaos dhe konflikte të nxitura nga regjimet autoritare e diktatoriale.