Edhe pse jam përkrahës i madh i qeverisjeve pa koalicion, për shkak të fuqisë për ndryshim, efektshmërisë që këto qeveri mund të kenë dhe për faktin se përgjegjësia është e qartë, “qeverisja me tepsi” duket se e ka një problem: avashllëkun
Këto 45 ditët e para të Qeverisë Kurti 2 ishin ditë të një qeverisjeje të zakonshme. E ky është problemi, ngase kjo qeveri ka marrë mandat të plotë pikërisht për një qeverisje ndryshe. Ditët e para të Qeverisë Kurti 1 ishin shumë më produktive sesa këto të Qeverisë Kurti 2. Ja disa arsye:
1.
Qeveria e koalicionit qeverisës mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u votua në Kuvend më 3 shkurt 2020, kishte më pak poste ministrore sesa kjo e tanishmja. Përkundër asaj se dy parti të mëdha hynë në koalicion qeverisës, arritën që postet ministrore t’i ulnin prej 21 sa ishin në Qeverinë Haradinaj në 15; si dhe postet e zëvendëskryeministrave nga pesë në vetëm dy.
Qeveria Kurti 2, si e vetme në qeverisje, mund të zbatonte pa problem premtimin zgjedhor të 2019-s se ekzekutivi i Kosovës nuk ka nevojë për më shumë se 12 ministri, 24 zëvendësministra, 10 këshilltarë politikë të kryeministrit, e jo më shumë se 24 zëvendësministra. Por, në këtë mandat, Qeveria Kurti 2 mbajti numrin e njëjtë të ministrave (15) dhe dërgoi në katër numrin e zëvendëskryeministrave. Një qeveri me më pak poste ministrore është edhe më e efektshme, por edhe më pak shpenzuese.
2.
Përkundër asaj se koalicioni i vitit 2020 mes LVV-së dhe LDK-së ishte koalicion i dy partive gati të barabarta për nga fuqia politike në Kuvend dhe dy partive të dy poleve të kundërta ideologjike, njëra e majtë e tjetra e djathtë, prapë se prapë arritën që të aprovonin një program të përbashkët qeverisës, shumë më shpejt sesa Qeveria Kurti 2. Në Qeverinë Kurti 1 plani qeverisës u aprovua 31 ditë pas marrjes së mandatit, kurse në Qeverinë Kurti 2 nuk kemi parë plan qeverisës as pas 45 ditësh.
3.
Në Qeverinë Kurti 1, Vetëvendosje po merrte për herë të parë pushtetin në nivel qendror. Ky fakt ishte i mjaftueshëm që ndaj Vetëvendosjes të kishte mirëkuptim më të madh edhe nëse do vonohej në aprovimin e planit apo do të kishte vonesa në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Qeveria Kurti 2 është një qeveri tashmë e sprovuar në qeverisje dhe puna në këtë mandat do të duhej të ishte me intensitet më të lartë.
4.
Vendimet e para të Qeverisë Kurti 1 dërguan sinjale të qarta për një prerje me qeveritë e kaluara, duke anuluar vendimet e dëmshme për buxhetin e shtetit. Kësisoj, në shkurt e mars të vitit 2020, u anulua vendimi për rritjen e pagave të njerëzve të afërt me kabinetin e kryeministrit, u anuluan vendimet për emërimin e koordinatorëve nacionalë, u anulua vendimi për dhënien e dhjetëra-milionave euro pa proces prokurimi për punët shtesë në autostradën e Shkupit. Në Qeverinë Kurti 2 deri më tani mungojnë vendime të tilla të mëdha.
5.
Reagimi ndaj pandemisë që u shfaq në mesin e muajit mars 2020 ishte shumë më i mirë sesa po e shohim tash me Qeverinë Kurti 2. Në Qeverinë Kurti 1 u vendosën masa të qarta kufizuese, u komunikua drejt me publikun sa u përket masave, si dhe në afat rekord u aprovua pakoja emergjente fiskale prej afër 180 milionë eurosh, e cila mbetet një ndër nismat më të mira sa i përket adresimit të problemeve me pandeminë, përkundër asaj se u aprovua në nguti.
Në Qeverinë Kurti 2 kemi një mbyllje totale të Ministrisë së Shëndetësisë, që konfidencialitetin rreth negocimit me vaksina është duke e përdorur si arsyetim për mbyllje totale. Masat dyjavëshe kufizuese që u vendosën nuk ishin fare bindëse, edhe për faktin se në rritjen e rasteve me virus kishte ndikuar edhe fushata zgjedhore dhe, si partia më e madhe, Vetëvendosje bart fajin më të madh në proporcion me fuqinë e saj politike.
6.
Komunikimi me publikun, e me mediat në veçanti, në Qeverinë Kurti 1 ishte dukshëm më i mirë sesa po e shohim tani në Qeverinë Kurti 2, ani pse kjo qeveri ka emëruar dy persona përgjegjës për marrëdhënie me mediat. Vetëm mbrëmë në lajmet qendrore të KTV-së ishin së paku dy kronika të cilat mbylleshin me fjalët “përkundër se televizioni ka dërguar pyetje/kërkesa në Qeveri, deri më tash nuk kemi marrë asnjë përgjigje”. Një fillim zhgënjyes nga një qeveri e cila ka premtuar transparencë të plotë.
Nga mund të vijë kjo letargji e ditëve të para të Qeverisë Kurti 2? Arsyeja e vetme mund të jetë rehatia në numra. Për dallim nga Qeveria Kurti 1, e cila opozitën më të madhe e kishte te partneri i saj qeverisës, tani Qeveria Kurti 2 është e vetme në qeverisje dhe nuk e ka aspak telashe opozitën në Kuvend. Vetëvendosje tani qeveris “me tepsi”, ashtu siç e kërkonte kryeministri Edi Rama pushtetin, të qeverisë i vetëm, pa e ndarë “tepsinë” e pushtetit me askënd tjetër.
Edhe pse jam përkrahës i madh i qeverisjeve pa koalicion, për shkak të fuqisë për ndryshim, efektshmërisë që këto qeveri mund të kenë dhe për faktin se përgjegjësia është e qartë, “qeverisja me tepsi” duket se e ka një problem: avashllëkun.
Është gabim i madh nëse Qeveria Kurti 2 relaksohet në qeverisje, duke u mbështetur te koha e mjaftueshme katërvjeçare që do ta ketë. Mirëpo, ndryshimet që janë premtuar kërkojnë veprime të menjëhershme, ngase janë komplekse për t’u zgjidhur.
Papunësia nuk do të mund të zgjidhet brenda një mandati katërvjeçar, por nëse dëshirojmë të shohim sado pak ndryshim, vendimet e mëdha duhet të merren që tash. Procesi i vetingut në institucionet e drejtësisë tani po del se është më i komplikuar sesa kur premtohej me lehtësi, ngase kërkon ndryshime kushtetuese, që nuk do të jenë të shpejta. Duke filluar nga muaji qershor, Qeveria Kurti 2 do të jetë me një këmbë në Prishtinë e me tjetrën në Bruskel, për shkak të rifillimit të dialogut dhe kjo do ta humbë edhe më shumë fokusin nga problemet e tjera esenciale me të cilat përballen qytetarët.
Thjesht, Qeveria Kurti 2 nuk ka ditë për të humbur, e këto 45 ditë të para ishin ditë të humbura.