OpEd

Izraeli pas zgjedhjeve: vendi përsëri në udhëkryq

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve doli në shesh një ngërç që ndoshta nuk do të mund ta shpëtojë Izraelin prej zgjedhjeve të reja, të pestat brenda dy vjetëve, në verën e ardhshme. Nuk është më Izraeli ai i viteve 1949-1977, kur partitë kryesore (Mapam, Mapai dhe Partia e Punës) udhëhiqnin qeveritë që sollën ato suksese të mëdha për Izraelin (Ben Gorion, Levi Eshkol, Golda Meire më vonë Isak Rabin e deri Ejhud Barak), pasi që e majta u dobësua dhe u paraqitën shumë parti të djathta. Vetë sistemi politik dhe rrjedhat politike në rajon ndikuan në fragmentimin e partive të mëdha (Mapam, Mapai e madje Likudi në fund) dhe në paraqitjen e partive të vogla të djathta fetare dhe ekstreme, saqë tani në Parlamentin e ri u futën 13 parti, lista dhe koalicione. Kështu, vetë partia Likud në krye me Benjamin Netinyahun humbi gjashtë vende e tani ajo, si partia më e madhe në Izrael, nuk ka më shumë se 30 vende (nga 120 vende).

Mirëpo kësaj radhe Netinyahu nuk e ka të lehtë ta formojë qeverinë e re për shkak të polarizimit të madh në Parlamentin e ri në dy taborë (me Netinyahun e kundër Neinyahut) në prag të paraqitjes së tij në gjykatë në përballje me akuza të rënda për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

E hëna e 5 prillit 2021 ishte ditë që do të mbahet në mend në historinë e Izraelit: ishte hera e parë prej krijimit të shtetit më 1948, që një kryeministër në detyrë paraqitet në gjykatë në përballje të akuzave të rënda për korrupsion dhe shfrytëzimin e detyrës zyrtare për interesat personale. Kuptohet, Netinyahu dy vjet iku prej kësaj dite duke shtyrë vendin në katër zgjedhje gjatë dy vjetëve të fundit, vetëm për të mbajtur imunitetin si kryeministër. Mirëpo seanca gjashtorëshe, që do të vazhdojë më vonë, e lë presidentin Reuven Rivlin në dilemë, sepse mu atë ditë mbaroi konsultimet me partitë politike për kryeministrin e ri. Sipas ligjit, presidenti duhet ta ngarkojë kryetarin e partisë që fitoi më së shumë vota ose që ka fituar më së shumti vota të anëtarëve të Parlamentit të ri.

Në këtë rast Netinyahu ishte ai që me partinë e tij fitoi 30 vende në Parlamentin e ri (prej 120 vendeve) dhe ai që kishte vota të 52 të deputetëve të rinj, kurse kundërshtari i tij Yair Lapid (kryetari i partisë së dytë Yesh Atid) më 17 vende në Parlament dhe 45 vota të deputetëve të rinj. Mirëpo ajo që kishte ndodhur një ditë më parë në gjykatë e la presidentin në dilemë midis ligjit e moralit. Kështu, të nesërmen, më 6 mars, presidenti Ruvlin u paraqit jashtë protokollit duke thënë se përkundër “vlerave dhe moralit” ai i dha afat 28 ditë Netinyahut për ta formuar qeverinë e re, duke theksuar se “asnjë nuk ka shanse reale” për ta fituar besimin e Parlamentit.

Kësaj here Netinyahu nuk e ka lehtë t’i sigurojë 61 vota në Parlament, sepse ka dy parti që luhaten midis Nitinyahut dhe Lapidit: partia Yamina në krye me Neftali Bennettin, si dhe Lista e Bashkuar palestineze, proislame në krye me Mansur Abbas. Me fjalë të tjera, janë këto që do të kenë më shumë rol kësaj here për caktimin e kryeministrit të ri. Kështu, do të shkojnë disa javë derisa të dihet se kush do ta formojë qeverinë ose a do të shkojë vendi në zgjedhje të reja në verë.

Edhe pse Netinyahu ka 52 vota të deputetëve, nuk e ka lehtë të merret vesh me kryetarin e partisë, Yamina Bennett, që ka 7 vende në Parlament, sepse ai po kërkon të bëhet kryeministër me rotacion me Netinyahun ose do të kërkojë disa ministri me peshë. Në anën tjetër, kundërshtari i Netinyahut, Lapid, pranon që Bennett të bëhet kryeministër me rotacion, gjë që e vështirëson përpjekjen e Netinyahut për sigurimin e 61 votave. Mirëpo pengesa tjetër është më e ndjeshme: involvimi i Listës së Bashkuar palestineze proislamike që ka 4 vende në qeverinë e Netinyahut. Ndonëse kryetari i Listës, dr.Mansur Abbas, tha se ai është i gatshëm të bashkëpunojë qoftë me Netinyahun ose Lapidin, partia Yamina është kundër formimit të një qeverie me vota palestineze, gjë që nuk ndodhi asnjëherë në historinë e Izraelit, ndonëse palestinezët përbëjnë gati 20 për qind të popullsisë. Ndaj, Netinyahu nuk e ka të lehtë të pranojë kushtet e partisë Yamina dhe të sigurojë edhe dy vota disidente prej partive të tjera që të ketë 61 vota, sepse në këtë rast do të formonte një qeveri ultra të djathtë që nuk do të shikohej me sy të mirë prej komunitetit më të madh hebraik në botë (SHBA-së), e cili dha shumicën e votave për Bidenin që ka një qasje tjetër fare ndaj Lindjes së Mesme.

Skenari i dytë, nëse dështon Netinyahu në afatin kushtetues (28+14 ditë) në formimin e qeverisë, është që presidenti Ruvlin ta ngarkojë Lapidin që ka tani 45 vota të deputetëve dhe mund të merret vesh me partinë Yamina dhe me dy listat palestineze (6+4 vende në Parlament) që të formohet një qeveri vetëm me një qëndrim të përbashkët: largimi i Netinyahut me aprovimin e ligjit të ri që nuk e lejon deputetin që është i ngarkuar me akuza të formojë qeveri. Në këtë rast do të mund të formohet një qeveri me qendrën e djathtë demokratike, me përkrahjen e partive të vogla të së majtës dhe dy listave palestineze, që do të ishte më e hapur për politikën e re të Bidenit në Lindjen e Mesme.

Skenari i tretë, nëse dyshton i dyti, është që presidenti Ruvlin t’ia kthejë Parlamentit këtë detyrë, kështu që ai deputet që i mbledh 61 vota mund të formojë qeverinë. Por në rast se nuk realizohet ky opsion brenda dy javëve, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja në shtator, që do të ketë pasoja për stabilitetin e vendit dhe të rajonit.

Pa marrë parasysh cili skenar mund të realizohet, Izraeli nuk do të ketë qeveri stabile me këtë sistem zgjedhor, i cili krijon shumë përfitime për partitë e vogla në llogari të partive kryesore të dikurshme që kanë formuar lehtë qeveritë izraelite deri më 2006 sikur Mapam, Mapai, Partia e Punës dhe Likudi. Pra, zgjedhja do të ishte në aprovimin e një ligj të ri zgjedhor, i cili vështirë do të kalojë në një parlament ku dominojnë partitë e vogla!