Me shpalljen e rezultateve zyrtare të premten për zgjedhjet e katërta me radhë brenda dy vjetëve të fundit, që u mbajtën të martën më 23 mars, duket se Izraeli po del nga një ngërç në tjetrin, saqë mund të shkojë në verë në zgjedhjet e reja, si pasojë e rrethanave të reja lokale, rajonale e ndërkombëtare.
Në Izrael, tri ditë përpara doli të premten demonstrata e 59-të e radhës, më e madhja deri tani në Tel-Aviv e Jerusalem kundër Netanyahut dhe kursit të politik që shkaktoi një ndarje të thellë vertikale në shoqërinë midis shoqërisë civile laike dhe shoqërisë konservative fetare, duke krijuar tensione që kërcënojnë ardhmërinë e vendit.
Në arenën rajonale, Netanyahu arriti të depërtonte deri në Emiratet Arabe dhe në Bahrain, por krijoi tensione të panevojshme me vendin fqinj (Jordani) në prag të zgjedhjeve. Kështu, si pjesë e fushatës së tij zgjedhore, ai u përgatit të nisej për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara të premten më 12 mars, duke deklaruar se Emiratet do të investonin në Izrael 10 miliardë dollarë, por Jordania nuk ia dha lejen aeroplanit të tij të fluturonte nëpër Jordani, kurse Emiratet e Bashkuara qenë të detyruara të kërkonin shtyrjen e vizitës që të mos shfrytëzohej për qëllime zgjedhore. Kështu, java e parafushatës zgjedhore në rajon nuk solli ndonjë dobi për Netanyahun, por përkundrazi.
Në arenën ndërkombëtare Netanyahu pësoi më shumë me humbjen e Trumpit dhe ardhjen e Bidenit në Shtëpinë e Bardhë. Trumpi në mandatin e tij ia dha të gjitha Netanyahut: njohja e sovranitetit izraelit mbi Golanin; hapja e Ambasadës amerikane në Jerusalem duke e njohur kështu si kryeqytet të Izraelit; njohja e së drejtës së Izraelit ta aneksojë një pjesë të mirë të Palestinës Lindore (Bregu Perëndimor i Jordanit); ngrirja e ndihmave amerikane palës palestineze si mjet presioni etj. Mirëpo me ardhjen e Bidenit në Shtëpinë e Bardhë kursi i politikës amerikane ndryshoi shumë shpejt ndaj Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin. Ngrirja e njohjeve të sovranitetit dhe aneksimit të territoreve palestineze duke promovuar parimin për dy shtete sovrane, izraelite e palestineze, duke nxitur negociatat midis tyre për marrëveshjen rreth kufirit, duke përfshirë edhe Jerusalemin, e duke përtërirë edhe ndihmat financiare për palestinezët gjatë fushatës zgjedhore.
Ndonëse kryeministri Netanyahu zhvilloi një fushatë të hovshme zgjedhore duke paraqitur sukseset e tij në vitin e fundit, sikurse hapja e Ambasadës së parë arabe (e Emirateve) në Tel-Aviv dhe Ambasada e parë myslimane (Kosovës) në Jerusalem, partia e tij (Likud) pësoi humbje duke fituar vetëm 30 vende në parlamentin e ri, pasi kishte 36 më parë. Kjo është humbje e rëndë, sepse për të siguruar 61 vende për qeverinë e re tani është më vështirë se përpara. Më të gjitha votat e partive më të djathta e ultrafetare Netanyahu mund të ketë 59 vende (duke përfshirë edhe partinë Yamina). Në anën tjetër, me një ndarje vertikale të thellë në Izrael kampi tjetër (qendër e djathtë) në krye me kryetarin e partisë Yesh Alid, Yari Lapin, që fitoi 10 vende, ka tani 57 vende dhe i bashkon vetëm një qëllim: largimi i Netanyahut prej skenës politike me anë të ligjit që ia ndalon deputetit të ngarkuar me akuza për korrupsion ta formojë qeveri. Tani të dy kampet shikojnë nga Lista e bashkuar arabe në krye me Mansur Abbas, që ka fituar 4 vende në parlamentin e ri.
Kështu, tani duket se Lista arabe e Bashkuar është ajo që vendos fatin e Netanyahut, por kjo nuk duket aq lehtë.
Ç’është e vërteta, pakica palestineze brenda Izraelit me kufijtë ndërkombëtarë (pra jashtë Palestinës Lindore që është nën okupim) përbën gati 20% të popullsisë, që arriti të përfaqësohej në parlamentin e fundit më 15 vende (nga 120), që ishte suksesi i saj më i madh që nga 1948-a. Mirëpo në prag të zgjedhjeve të reja u formuan dy lista arabe, Lista e përbashkët laike në krye me Ajman Aude dhe Lista e bashkuar me orientim islamik në krye me Mansur Abbas.
Në krahasim me Listën e përbashkët, e cila fitoi 6 vende dhe është në kampin kundër Netanyahut, Lista e bashkuar arabe është e gatshme për bashkëpunim me Netanyahun, duke ia siguruar shpëtimin prej gjykimit dhe burgut, por me çmim të lartë. Në anën tjetër, në qarqet izraelite - e sidomos të djathta dhe ultrafetare - do të ishte shok të formohej një qeveri në Izrael me ndihmën e një liste arabe që kërkon kompromise të papranuara për shumicën e kampit të Netanyahut. Në anën tjetër, nëse Netanyahu arrin të formojë një qeveri me këto parti të djathta dhe ultrafetare do të bjerë ndesh me administratën e re amerikane dhe hebrenjtë e SHBA-së (të cilët 70% votuan për Bidenin), sepse këto parti fare nuk pranojnë ndonjë shtet palestinez pranë tyre.
Deri më 31 mars, kur mbaron afati kushtetues dhe presidenti Rivlin bën konsultime me partitë e blloqet parlamentare për ta ngarkuar Netanyahun ose Lapidin për formimin e qeverisë, Izraeli do të hyjë në një pranverë të nxehtë politike që mund të përfundojë me shpërndarjen e parlamentit të ri dhe zgjedhjet e reja në verë, sepse insistimi i Netanyahut për të vazhduar me çdo çmim në krye të qeverisë kësaj here është më vështirë dhe nëse realizohet do të këtë pasoja brenda dhe jashtë me partnerin kryesor SHBA.