Shumicën e atyre që i ka përmbushur, Izraeli i ka arritur me anë të përpjekjeve të tij porse në pjesën më të madhe të tyre është ndihmuar nga historia e tij, nëpërmjet mbështetjes substanciale ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga filantropia e hebrenjve amerikanë. Bëhet përherë më e paqartë nëse një mbështetje e tillë do të jetë e disponueshme po qe se Izraeli shihet si vend jodemokratik dhe që e përqafon ekstremizmin fetar. Gjithë këto do t’i shqetësonin miqtë e shumtë të Izraelit përreth botës, të cilët i admirojnë të arriturat e vendit dhe të cilët ia duan të mirën. Por është më pak e qartë nëse do t’i shqetësojnë mjaftueshëm edhe izraelitët në mënyrë që të bëjnë disa përzgjedhje të vështira, porse të domosdoshme
Religjioni dhe mrekullitë rëndom shkojnë dora-dorës, andaj nuk do të duhej të ishte fort befasi që shteti hebraik, i cili porsa e shënoi ditëlindjen e 75-të, është një lloj mrekullie më vete. Në shumë mënyra, ekzistenca e Izraelit është e mbinatyrshme, pasi që qysh si shtet i porsalindur mezi se e shmangu ngufatjen në djep nga ushtritë shumë më të mëdha të fqinjëve arabë që pushtuan në majin e 1948-s.
Që atëherë, Izraeli u përball me shumë më tepër luftëra, si dhe një mori sulmesh më të vogla. Por rrëfimi më i madh është se Izraeli jo veç që mbijetoi, por edhe lulëzoi.
Sot është shtet i pothuajse 10 milionë qytetarëve. Është demokraci në një pjesë bote të dominuar nga regjimet autoritare. Megjithëse nuk e ka ndonjë resurs natyror për ta theksuar, ekonomia e saj, me një sektor teknologjik të klasit botëror, është në lulëzim. Bruto prodhimi i saj vjetor për kokë banori është rreth 55.000 dollarë, shkallë kjo që e vë atë në mesin e 20 shteteve kryesore të botës, përpara Kanadasë, Japonisë dhe pjesës më të madhe të Evropës.
Arritjet e jashtëzakonshme të Izraelit janë një prej shkaqeve përse shumë fqinj arabë të Izraelit e kanë pranuar ekzistencën e tij. Izraeli tani gëzon paqe zyrtare me Egjiptin dhe Jordaninë, sikurse edhe me Marokun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin. Ka marrëdhënie joformale dhe në rritje me shtetet e tjera arabe, përfshirë Arabinë Saudite, teksa fokusi i rajonit po i përshtatet një pranie të reduktuar amerikane dhe në të cilën Izraeli po shihet si partner i rëndësishëm në përpjekjet për konfrontimin e kërcënimeve që i paraqet Irani.
Por e ardhmja e Izraelit mbetet e shqetësuese dhe e paqartë.
Në rend të parë janë kërcënimet e vazhdueshme të jashtme. Këtu zënë vend Siria, e cila është shndërruar në qiell të sigurt për vartësit iranianë midis luftës së saj civile dhe Libani, ku Hezbollahu e ka krijuar atë që faktikisht e përbën një shtet të mbështetur nga Irani përbrenda një shteti buzë kufirit verior të Izraelit, prej ku më se 100.000 raketa shënjestrojnë jugun. Për sa i përket vet Iranit, Republika Islamike tani mund që brenda pak javësh të prodhojë mjaftueshëm uranium të pasuruar për disa bomba bërthamore, që do të thotë se po i afrohet kapacitetit për ta kërcënuar Izraelin me sulm.
Një problem madhor për Izraelin mbetet çështja e pazgjidhur palestineze. Kjo në një masë të madhe është rezultat i Luftës Shtatëditore të qershorit të 11967-s, konflikt ky që e ndryshoi trajektoren e Izraelit.
Tani janë rreth pesë milionë palestinezë që jetojnë në tokat e okupuara nga Izraeli. Negociatat për ta krijuar një shtet të ndarë palestinezë iu afruan suksesit në disa rrethana. Do të argumentoja se refuzimi palestinez për ta pranuar atë që ishte ofruar (sado e papërkryer që të ishte) e reflektoi një dështim kolosal të udhëheqjes; por sado që iu afruam kësaj pike, është e qartë se gjasat për një zgjidhje me dy shtete janë përherë më të largëta, duke i pasur parasysh politikat izraelite dhe ato palestineze.
Kjo gjë padyshim se është e keqe për palestinezët, por njashtu edhe për demokracinë dhe sigurinë e Izraelit. Okupimi i vazhdueshëm do të kërkojë prani të madhe dhe të përhershme ushtarake ndërsa do ta dobësojë pozicionin e Izraelit në botë.
Sfida e tretë është e brendshme. Izraeli është themeluar në masë të madhe prej refugjatëve hebraikë nga Evropa. Dallgët e mëdha pasuese të emigrantëve mbërritën nga Lindja e Mesme dhe nga shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Izraeli i sotëm është i përbërë nga këta emigrantë dhe pasardhësit e tyre, si dhe nga arabët e krishterë dhe ata myslimanë (rëndom të quajtur arabë izraelitë apo izraelitë me origjinë arabe) sikurse edhe nga pasardhësit e tyre po jetonin përbrenda kufijve modernë të Izraelit të para dhe pas 1948-s.
Rezultati është se Izraeli po u afrohet zgjidhjeve fundamentale të identitetit. Nëse synon të mbetet shtet demokratik, atëherë nuk mund që përherë të sundojë mbi më se pesë milionë palestinezë dhe t’ua mohojë atyre të drejtën e shtetësisë dhe të drejtat e tjera që shkojnë bashkë me të. Por nëse do që të mbetet shtet hebraik, nuk mund të qeverisë në një vend që ia shton pesë milionë palestinezë popullatës së saj ekzistuese prej dy milionë arabëve izraelitë. Diçka duhet të japë.
Ekziston edhe një dinamikë shtesë: rritja e shpejt e popullatës hebraike ultra-ortodokse, e cila tani përbën rreth 1.3 milionë apo 14 për qind të izraelitëve. Qëndrimet e tyre fetare ushtrojnë një ndikim të madh në qëndrimet e tyre se si Izraeli duhet të organizohet dhe të udhëhiqet.
Përderisa shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për izraelitët, përjashtim përbëjnë ultra-ortodoksët, shumica e të cilëve zgjedhin të mos e kryejnë këtë shërbim. Shumë prej tyre studiojnë dhe luten në vend që të punojnë apo t’i kontribuojnë ekonomisë në ndonjë lloj forme.
Nëpërmjet procesit politik, ata përpiqen ta krijojnë një shoqëri në të cilën interesat fetare, siç ata i perceptojnë, kanë përparësi para dëshirave të izraelitëve shekullarë. Trendët demografikë sugjerojnë se ata edhe mund të korrin sukses në fund.
Rezultati është se Izraeli, në ditëlindjen e 75-të, përballet me sfida që janë jo më pak ekzistenciale sesa ato prej ushtrive okupuese në historinë e hershme. Protestat e fundit rreth ndryshimeve të propozuara që do ta rrisin kontrollin politik mbi atë që është konsideruar si gjyqësor tejet i pavarur nxjerrin në pah faktin se Izraeli është një vend i polarizuar demokratik.
Mjerisht është larg më lehtë të përshkruhen sesa të sugjerohet se si këto probleme mund të zgjidhen.
E krejt këto kanë krijuar një çështje të re. Shumicën e atyre që i ka përmbushur, Izraeli i ka arritur me anë të përpjekjeve të tij, porse në pjesën më të madhe të tyre është ndihmuar nga historia e tij, nëpërmjet mbështetjes substanciale ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga filantropia e hebrenjve amerikanë. Bëhet përherë më e paqartë nëse një mbështetje e tillë do të jetë e disponueshme po qe se Izraeli shihet si vend jodemokratik dhe që e përqafon ekstremizmin fetar.
Gjithë këto do t’i shqetësonin miqtë e shumtë të Izraelit përreth botës, të cilët i admirojnë të arriturat e vendit dhe të cilët ia duan të mirën. Por është më pak e qartë nëse do t’i shqetësojnë mjaftueshëm edhe izraelitët në mënyrë që të bëjnë disa përzgjedhje të vështira porse të domosdoshme.
(Richard Haass, kryetar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, është autor i librit: The Bill of Obligations: The Ten Habits of Good Citizens”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).