OpEd

Izolimin pushtetarëve, liberalizimin qytetarëve

Ka individë me emër e mbiemër në Kosovë, të cilët duhet t'u japin zgjidhje kushteve të Brukselit për liberalizimin e vizave. Ata janë 120 deputetët e Kuvendit dhe jo më shumë se 200-300 individë në Qeverinë dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë. Brukseli do të duhej t'ua bllokonte këtyre udhëtimin në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura. Brukseli s’ka pse t’i dënojë të gjithë qytetarët për shkak të dështimit që vjen nga pushtetarët.

KOSOVA SOT është vendi i vetëm në Evropë pa liberalizim vizash Schengen. Por, duket se këtu nuk është fundi i mizorisë. Në këtë gjendje, e izoluar, Kosova është duke e përjetuar edhe rritjen e skepticizmit në shteteve anëtare të Schengenit për çështjen e lëvizjes së lirë.

Popullariteti i partive të ekstremit të djathtë në disa nga vendet kryesore të Evropës, ndonëse ende pa potencial të përmbysjes së mainstreamit politik, ka bërë që edhe partitë e tjera të jenë më të kujdesshme sa i përket kontrollit të kufijve.

Kjo gjithsesi do të shkojë duke u thelluar si problem, i cili, ndër të tjera, do t’i thyhet në duar edhe kosovarëve.

Shtetet e Schengenit duket se tashmë kanë filluar të ashpërsojnë edhe kriteret e lëshimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

DITË MË PARË me të drejtë u reagua e protestua gjithandej për faktin se dy individëve të dalluar të shoqërisë në Kosovë, Eroll Bilibanit dhe Agon Maliqit, nuk u janë dhënë vizat Schengen për të udhëtuar në Gjermani, gjegjësisht Poloni, ku ata ishin të ftuar në kapacitete profesionale.

Erolli e Agoni, kësaj radhe, u bënë fytyrat përfaqësuese të qindra mijëra kosovarëve – studentë, biznesmenë, profesorë, gazetarë, pensionistë - të cilët kanë nevojë për të udhëtuar, por kjo e drejtë themelore e njeriut iu mohohet.

Dhe madje pa asnjë faj të vetëm.

Megjithatë, faji për bunkerizimin e Kosovës e ka një adresë. Kësaj radhe ajo adresë më pak është në shtete si Gjermania dhe Polonia, por është në Prishtinë.
Ka dy kushte të qarta nga Komisioni Evropian që kanë mbetur të plotësohen për t'ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave - janë demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit.

Është folur, debatuar e shkruar shumë se sa të padrejta janë, se si të njëjtat nuk u janë kërkuar në këtë mënyrë edhe shteteve të tjera që kanë fituar liberalizimin, se Brukseli është treguar dorështrënguar më shumë se me të tjerët me Kosovën dhe shumë argumente të këtilla e të ngjashme. Për më tepër, të gjitha këto argumente qëndrojnë. Janë të sakta. Është padrejtësi.

Mirëpo, kjo padrejtësi vështirë se tash do të përmirësohet, në atë mënyrë që BE-ja të thotë se do të heqë dorë p.sh. nga ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend. Edhe nëse vlerësohet se është bërë një gabim me këtë kusht me rastin e Kosovës, Brukseli nuk do të heqë dorë nga ky “gabim”, meqë do ta thyente një parim, i cili më vonë do të mund t’i hakmerrej në kushtëzimet e tjera.

Kështu që, kushtet mbeten dhe adresa për zgjidhje mbetet. Në Prishtinë.

KA INDIVIDË me emër e mbiemër në Kosovë, të cilët duhet t'u japin zgjidhje këtyre kushteve.

Ata janë 120 deputetët e Kuvendit dhe jo më shumë se 200-300 individë në Qeverinë dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Bllokimi i liberalizimit të vizave nga Brukseli është vendim radikal, për të na dënuar kolektivisht si qytetarë të Kosovës.

Unë besoj, pra, thellësisht se ky dënim është i gabueshëm, thellësisht jofer dhe jonjerëzor.

Sinqerisht, besoj se efektin shumë më të madh do ta arrinte Brukseli nëse do ta merrte një masë alternative bllokuese si synim presioni për t'i plotësuar dy kushtet për Kosovën.

Që i bie: Brukseli duhet t'ua bllokojë udhëtimin 120 deputetëve të Kuvendit dhe atyre 200-300 individëve në Qeveri e institucione të drejtësisë, meqë të njëjtit nuk e ndajnë fare hallin e njëjtë të izolimit me bashkëqytetarët e tyre. Shumica prej këtyre 300-400 individëve, të cilëve po ua shohin sherrin gati 2 milionë shtetas të Kosovës, për vete me kohë kanë siguruar lirinë e lëvizjes duke u pajisur me pasaporta të shteteve të tjera. Këtyre 300-400 individëve, mospuna e të cilëve ka bllokuar liberalizimin e vizave, as që iu bëhet dert se a janë të izoluar kosovarët, derisa ata udhëtojnë lirshëm, në shumicën e rasteve duke shfrytëzuar edhe vetë paratë e taksapaguesve, të cilët i kanë getoizuar.

Brukseli do të duhej t'ua bllokonte udhëtimin deputetëve, qeveritarëve e gjyqtarëve për t’i zgjidhur problemet e mbetura.

Brukseli s’ka pse t’i dënojë të gjithë qytetarët për shkak të dështimit që vjen nga pushtetarët.

Qytetarët s'kanë pse ta vuajnë dështimin e pushtetarëve!

[email protected]

Twitter: @adriatikk