OpEd

Ismail Kadare (s’)fiton Çmimin Nobel për Letërsi

Si t’i bëjmë ballë epidemisë së lajmeve të rreme (fakenews), në kohën kur secili me lehtësinë më të madhe ndonjëherë mund të prodhojë dhe të shpërndajë informata, si rrugë e shkurtër për arritje të qëllimeve?

MË NË FUND: Ismail Kadare fiton Çmimin Nobel për Letërsi. ?

#Yes

Statusi im i para 8 minutave ishte fakenews i qëllimshëm.

250 like për 5 min. ?

Kazuo Ishiguro e ka fituar! ?

Javën tjetër në “KOHA Ditore” e lexoni kolumnen time për fakenews.

KOLUMNA e paralajmëruar është kjo që tash po e lexoni, kurse dy statusat i kisha publikuar në Facebook ditën kur po ndahej Çmimi Nobel për Letërsi.

Eksperimenti im duket se doli i suksesshëm.

Krejt me qëllim e kisha planifikuar që vetëm 5 minuta para se Akademia Suedeze ta shpallte zyrtarisht laureatin e Nobelit për vitin 2017, ta ushqeja pritjen e kamotshme të shqiptarëve që Ismail Kadare ta fitojë çmimin e rëndësishëm dhe ta përgënjeshtroja në minutat në vazhdim.

Frika ishte se po ta postoja lajmin e rremë nja një orë para ndarjes së çmimit, atëherë edhe portale të ndryshme mund ta publikonin si lajm dhe të komplikohej situata shumë më tepër sesa qëllimi i eksperimentimit jetëshkurtër të fenomenit të fakenews. Madje një kolege në KTV mori në telefon portalin Koha.net që, për çdo rast, t’i paralajmëronte se unë po bëj shaka, se lajmi nuk është i vërtetë, në mënyrë që as rastësisht të mos publikonin diçka.

KA SË PAKU, disa mësime të thjeshta të këtij eksperimenti disaminutësh me fakenews në Facebook, të cilat u vërtetua se mund të shërbejnë edhe si shpjegim për gjithë fenomenin në fjalë.

Statusi se Kadare ka fituar Nobelin i mori më shumë se 250 pëlqime brenda 5 minutash, kurse përgënjeshtrimi i mori më pak se 20 për pesë minuta. I bie që njerëzit janë të prirë të reagojnë shumë më tepër për një lajm të pavërtetuar që i trazon - qoftë për të mirë, qoftë për të keq – sesa për një lajm të vërtetë qartësues.

Tjetra, se edhe skeptikët më të mëdhenj, rreken të besojnë pa hezitim lajme të cilat vijnë nga një burim i njohur dhe i besueshëm.

Këto dy mësime në fakt janë të vjetra thuajse që nga ekzistimi i lajmit të transmetueshëm, që i bie disa shekuj Para Erës Sonë; që kur Mark Antoni bëri vetëvrasje i dëshpëruar nga lajmi i rremë se Kleopatra ka vrarë veten, e deri te shembujt që pretendojnë se Donald Trump sot është president i SHBA-së për shkak të përdorimit dinak të pikërisht lajmeve qëllimshëm të rreme.

Vetëm se zhvillimi i hovshëm teknologjik bashkëkohor ka bërë që ky fenomen sot të jetë prezent dhe lehtësisht i realizueshëm në përmasat më të mëdha të imagjinueshme ndonjëherë në histori.

Si shembull, vetëm kujtoni pak numrin e njerëzve të cilët viteve të fundit kanë debatuar me ne për “një të vërtetë” për shkak se e kanë lexuar në Facebook (sic!). Pra, nuk citojnë asnjë burim të njohur ose të besueshëm, nuk thonë as “KOHA Ditore”, “New York Times” ose “China Today”, por i referohen rrjetit social ku kanë qasje dhe prodhojnë përmbajtje rrafsh gjysma e të gjithë njerëzve që popullojnë botën sot.

Sa e lehtë është atëherë të manipulohet në shumë mënyra e për gjithfarë qëllimesh me lajme të rreme në internet.

Buzzfeed, një kompani mediale amerikane ka vërejtur se 20 lajmet më të lexuara të shpërndara nëpërmjet të Facebookut lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA që të gjitha janë plotësisht të rreme, ose fakenews, duke lënë kështu mbrapa lajmet më të lexuara të vërteta për zgjedhjet që janë botuar në 19 mediumet më të mëdha amerikane.

KA SË PAKU disa kategori që përcaktojnë standardet e lajmeve të rreme ose fakenews sot përgjithësisht.

Humori, parodia ose satira, e cila ka për qëllim të thumbojë dhe zbavitë, por jo domosdo të mashtrojë; përmbajtja çorientuese, në mënyrë që një ngjarje ose informacion të paraqitet në kontekst tjetër prej atij real; përmbajtja pretenduese, kur burime të vërteta kombinohen me informata të rreme; përmbajtja e fabrikuar, kur gjithçka është e rreme me qëllim të mashtrimit ose shkaktimit të dëmeve; përmbajtja manipuluese, kur informata nga situata reale sajohen në mënyrë që të mashtrojnë qëllimshëm, si dhe të tjera të ngjashme.

Tash, a nuk po jemi të gjithë sot dëshmitarë se ky fenomen ka filluar seriozisht të zë rrënjë edhe në Kosovë?

Shumësia e portaleve informative fantome në internet, lindja e portaleve satirike pa autorë, aktivizimi i individëve ose “aktivistëve” të organizuar nëpër rrjete sociale, shumica në funksion të përfitimit të pozicioneve shoqërore ose politike të individëve ose grupeve të interesit, ose në raste më të rralla edhe thjesht – për t’u dukur interesantë.

Testi i parë më i theksuar i tendencave të organizuara për të shpërndarë lajme të rreme – shpifje e insinuata - u pa në prag të zgjedhjeve të fundit nacionale, në pjesën e parë të këtij viti, kurse po haset edhe në fushatën për zgjedhje lokale.

Që të gjitha në funksion të demonizimit të kundërshtarëve politikë, qofshin LVV, LDK, PDK, AAK, NISMA, AKR e të tjerë, qofshin kandidatë për kryetarë komunash, në mënyrë që të arrihet epërsia në rezultatin zgjedhor, me synim - pushtetin.

Por, në këtë mes pyetja që shtrohet është: nëse dikush e arrin shpifjen e mashtrimin në mënyrë që të arrijë në pushtet, pse të mos e vazhdojë me shpifjen e mashtrimin në mënyrë që të mbetet në pushtet?

Sërish, ka të tillë që pohojnë se kjo po ndodh edhe sot e kësaj dite me presidentin Trump – erdhi në pushtet me fakenews, po e mban pushtetin me fakenews.

E tash, paramendojeni kur kjo mund t’i shkojë dikujt përdore në një ndër shtetet më të zhvilluara të botës, siç është SHBA-ja, sa e lehtë mund të jetë në një shtet në zhvillim, si Kosova.

SË KËNDEJMI, kujdes! Ndonëse është vështirë që njerëzit në masë mund të bëhen krejtësisht rezistentë ndaj lajmeve të rreme, së paku mund të arsimohen në mënyrë që t’i dallojnë ato.

Mbase udhëzimet më të thjeshta të cilat mund të na vijnë në ndihmë për t’i dalluar lajmet e rreme janë përmbledhur nga organizata ndërkombëtare joqeveritare me seli në Hagë, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLAI):

E para, shikojeni kush është burimi, në mënyrë që të kuptohet synimi dhe qëllimi.

E dyta, mos e lexoni vetëm titullin, por gjithë artikullin.

E treta, kuptojeni emrin e autorit, që të shihni nëse ai/ajo ekziston si person i vërtetë dhe i besueshëm.

E katërta, hulumtojeni vërtetësinë e burimeve të përdorura në lajm.

E pesta, verifikojeni datën e botimit për të parë se a është ngjarje aktuale, ose e përditësuar.

E gjashta, pyetni nëse bëhet fjalë për shaka, se ndoshta është menduar si satirë.

E shtata, bazohu edhe në paragjykimet tua, mbase po ndikojnë në gjykim të drejtë.

Dhe e fundit, këshillohu me ekspertë të fushës, në mënyrë që njerëz të pavarur e të familjarizuar me temën të ta vërtetojnë informatën.

Ose, thjesht, mund të bazoheni në atë që mësohet në secilën shkollë të mirë gazetarie: verifikoje, verifikoje dhe prapë verifikoje!

Klisheja më e përhapur, por aq e pashmangshme në zanatin e marrjes dhe dhënies së lajmit, vështirë se do t’iu lërë në baltë ndonjëherë: Edhe kur nëna të thotë “të dua”, vërtetoje edhe një herë!

[email protected]

Twitter: @adriatikk