Është e rëndë t’i shohësh të rinjtë të largohen nga vendi. Me Kastriotin, shokun tim, Kosovës së fundi po i largohet edhe një i ri, siç i janë larguar shumë të tjerë, ndër ta edhe mjekë, inxhinierë e profesionistë të tjerë. E shumë të tjerë pritet të largohen, nëse klasa politike nuk i hap sytë përnjëmend mirë e në vendin tonë “të bëhet mirë”
Me Kastriotin jemi shokë nga fëmijëria. Ai punon taksist, ndërsa sa herë më bie të udhëtoj me të, prekim çështjet e ndryshme me të cilat po ballafaqohen qytetarët në Kosovë.
“Shtir o burrë o bo me gjallnu këtu”, janë fjalët e Kastriotit, që është baba i tre fëmijëve.
Ai tregonte se sa të vështirë e ka ta kalojë muajin. Thotë se po të mos ishte vëllai i tij, të cilin e ka në Gjermani, nuk e di se çka do të bënte.
Shpresat e Kastriotit se vendi ynë do të ndryshojë për së miri janë zbehur. Për politikanët nuk është se ka shumë dëshirë të flasë, e nuk është për t’ia zënë as për të madhe, marrë parasysh telashet që ka.
“O krejt njejt janë vallahi”, thotë Kastrioti që është 35-vjeçar.
Gjatë këtij udhëtimi 10-15-minutësh sa e bëmë kësaj radhe, ai më tregoi se si gruan e ka diçka sëmurë dhe se i është dashur të bëjë një incizim e disa analiza, natyrisht siç ndodh zakonisht, në privat dhe me kosto të lartë. Më tha se i është dashur të hyjë borxh, pasi nuk ka sigurim shëndetësor, siç nuk kanë shumica e qytetarëve në Kosovë, e nuk pritet të kenë edhe për disa vjet.
Në spital publik nuk kishte gjasa ta bënte gruaja e tij incizimin që i duhej, pasi lista e pritjes ishte e gjatë.
Me shqetësim e kishte lexuar lajmin së fundi nga spitalet në Pejë e Gjakovë për mungesë stafi, e se nëse vazhdohet me largime të mjekëve, specializantëve e infermierëve, atëherë nuk do të mund të ofrohen shërbime 24-orëshe në disa reparte të këtyre spitaleve.
Shumë punonjës shëndetësorë po i shohin vendet perëndimore apo edhe sektorin privat si shpëtim, në mungesë të kushteve në spitalet publike. Kërkesat e mjekëve për rritje të pagave janë të vazhdueshme, siç janë edhe të policëve e mësimdhënësve.
Nga shëndetësia biseda me Kastriotin kaloi te rryma. Kastrioti informohet rregullisht nëpërmjet telefonit, dhe kishte lexuar lajmin se KESCO-ja po kërkon t’i dyfishojë tarifat.
“Pasha Zotin s’dojnë me na lon me marrë frymë”, thotë ai.
Kastrioti jeton në një banesë njëdhomëshe, ndërsa deri tash gjatë dimrit thotë se është nxehur me rrymë. Mirëpo, me tarifat e propozuara dhe po ashtu me paralajmërimet se mund të ketë krizë energjetike gjatë dimrit, ka filluar të mendojë për ta rregulluar nxehjen me dru apo pelet.
“I thashë vllaut me mi çu do pare. Edhe ai boll problem pe ka, se jon rrit çmimet. Po s’kom qahre pa e ndreq, me kthy me pelet ndoshta. Ministrja tha mos pe subvencionojnë e po lirohet pak, se edhe peleti o shtrenjtu. Hallin e kom te fëmijët”, tregon ai.
Kësaj radhe biseda jonë ishte më e shkurtër, pasi ishte fundjavë, e rrugët e kryeqytetit nuk ishin të stërngarkuara si zakonisht, kështu që nuk arritëm të preknim edhe tema të tjera.
Zakonisht kur rruga është më e ngarkuar, ngjan që arrijmë edhe deri te problemet në nivel global, e mundohemi t’i deshifrojmë ato e ta gjejmë burimin e tyre.
Sa herë që përshëndetemi, përdorim fjalët “ishalla po bëhet mirë”.
***
Por, te Kastrioti e po ashtu edhe te shumë qytetarë të tjerë nuk sheh shumë optimizëm për këtë.
Në mesin e problemeve të shumta me të cilat përballet qytetari ynë, si mungesa e vendeve të punës, rritja e çmimeve, mungesa e sigurimeve e shërbimeve shëndetësore, mungesa e infrastrukturës dhe cilësisë në arsim, varësia energjetike nga dy termocentrale të stërvjetruara e shumëçka tjetër, kryetemë e debatit në shoqërinë tonë ditëve të fundit është bërë çështja nëse duhet vajzat të lejohen të mbajnë shami nëpër shkolla. Nëse duhet ndryshuar urdhri administrativ e të lejohet mbajtja e shamive në shkolla, përfshirë në shkolla fillore.
Në lidhje me këtë çështje u deklarua së fundi edhe kryeministri, që tha se nuk është për ndalim të shamisë, por që kufiri i moshës të jetë nga 16 vjet.
Pas disa ditëve, sërish më ra të takohem me Kastriotin. Kësaj radhe ai më dha një informatë të re.
“I shtina letrat për viza”.
Kishte shpresuar gjatë se do të bëhet mirë dhe kishte rezistuar ta merrte rrugën e kurbetit. Shpesh përmendte se sa të vështirë e ka të largohet nga familja.
Ai më tregonte për radhët e gjata që ishin në Ambasadë.
“Kish pasë kallabllak n’Ambasadë, po ikin njerëzia”.
Nëpër ambasadat e shteteve perëndimore po vazhdon të jetë numër i madh i atyre që po aplikojnë për një vizë pune. Shqetësimi i Kastriotit është ndoshta i njëjti me ato të shteteve hezituese të Bashkimit Evropian, që kanë bllokuar deri tash liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Me pasë liberalizimin, vallahin tutna që ish shpraz vendi”, thotë Kastrioti.
Për debatin për shaminë që ka dalë si kryetemë së fundi, Kastrioti është i shkurtër.
“O njerëzia po e kanë problem me siguru bukën, s’di qysh po kanë vakt me u marrë me këto sene”, thotë ai.
Ka edhe tema që na bëjnë të ndihemi krenarë me vendin tonë, si sukseset e sportistëve e të artistëve tanë. Me krenari i kujtojmë medaljet e arta olimpike të fituara nga xhudistet tona. Po ashtu, mburremi kur flasim për yjet tona të muzikës e filmit.
***
Por, Kastrioti ka humbur shpresën se për të do të bëhet mirë në Kosovë. Ai po e pret që sa më shpejt t’i dalë viza e punës për në Gjermani e t’i bashkohet vëllait të tij që punon në një firmë të ndërtimtarisë.
politike vazhdojnë ta fajësojnë njëra-tjetrën për problemet e shumta në vendin tonë. Por, të rinjve si Kastrioti, që është baba i tre fëmijëve, nuk është se ju intereson kjo shumë. Ata po kërkojnë që në vendin e tyre të jetojnë dinjitetshëm. Të kenë vende pune, të përkujdesen që në tavolinë të ketë mjaftueshëm ushqim për familjet e tyre, që t’i shkollojnë fëmijët në një sistem më cilësor arsimor, e po ashtu, kur të kenë nevojë për mjekë, të mos u duhet të shkojnë në privat apo edhe në shtete të tjera.
Pas disa ditëve, sërish u takova me shokun tim Kastriotin. Kësaj radhe udhëtimi ynë ishte edhe përshëndetës.
Ai më tregoi se kishte marrë vizën dhe se po pret nga shtatori ta nisë punën në Gjermani.
Tek ai vërehej një lloj mërzie se po i duhet ta lëshonte vendin, por edhe një lehtësim, pasi do të jetë tash në gjendje të ofrojë një jetë më të dinjitetshme për fëmijët e familjen e tij.
Unë i urova Kastriotit fat të mbarë. Është e rëndë t’i shohësh të largohen të rinjtë nga vendi.
Me Kastriotin, Kosovës po i largohet edhe një i ri, siç i janë larguar shumë të tjerë, ndër ta edhe mjekë, inxhinierë e profesionistë të tjerë. E shumë të tjerë pritet të largohen, nëse klasa politike nuk i hap sytë përnjëmend mirë e në vendin tonë “të bëhet mirë”.