OpEd

Ironitë e historisë

Nëse nesër Rusia dhe Ukraina fillojnë dialogun politik për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si do të arsyetohet mungesa e po të njëjtit vullnet në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Historia e luftërave është histori e keqleximit të synimeve dhe bindjeve të palëve kundërshtare. Para nisjes së Luftës së Parë Botërore pak njerëz kanë besuar se lufta me të vërtetë mund të ndodhë në kontinentin evropian. Që nga Luftërat e Napoleonit kishin kaluar 100 vjet dhe “Koncerti Evropian” kishte ruajtur me sukses balancën e interesave të fuqive të mëdha evropiane. Në këtë sfond të paqes, ekonomitë dhe shoqëritë evropiane ishin lidhur në një masë të paprecedent historike dhe thjesht ishte e paimagjinueshme që lufta do të kthehej ndonjëherë në tokën evropiane. Ajo konsiderohej si diçka arkaike dhe e prapambetur që Evropa ka lënë pas vetes.

Sidoqoftë, nën sipërfaqen e paqes dhe progresit palët kundërshtare shumë shpejt e bindën veten se lufta është opsion jo vetëm real, por edhe i arsyeshëm. Pas vrasjes së Ferdinandit në Sarajevë, Vjena ishte absolutisht e bindur se shkatërrimi i Serbisë ishte e vetmja rrugë përpara, përkundër indikacioneve të qarta se kjo do ta përfshinte Rusinë në një luftë në mes fuqive të mëdha. Nga ana tjetër, Rusia sapo ishte poshtëruar nga humbja e Bosnjës dhe cari i Rusisë, Nikolasi II, i kishte premtuar vetes se kurrë më nuk do të lejonte një poshtërim të tillë. Në gjithë këtë mes politik, ku emocionet ishin flakë fare, vendi më i fuqishëm evropian i asaj kohe nuk mund të qëndronte injorant ndaj zhvillimeve respektive. Rrjedhimisht, Kaiseri Wilhelm II ishte i gatshëm t’ua bënte të qartë të gjithëve se Gjermania e ka fjalën e fundit në kontinentin evropian.

Po ashtu, të gjithë liderët e kohës kanë qenë të bindur jo vetëm se lufta është e vetmja zgjidhje e arsyeshme, por ata ishin të bindur se kjo do të jetë një luftë shumë e shkurtër. Ishte verë kur nisi Lufta e Parë Botërore dhe me një ceremoni protokollare para ushtarëve që niseshin për në front, Kaiseri mbajti një fjalim ku, mes të tjerash, tha: “Do të ktheheni në shtëpi para se vjeshta t’ i obligojë gjethet të bien në tokë”. Në Mbretërinë e Bashkuar i gjithë vendi ishte i bindur se “çdo gjë do të përfundojë para Krishtlindjeve”. Kjo është edhe arsyeja përse në atë kohë asnjë vend nuk ka pasur plane defansive luftarake, por vetëm ato ofansive që parashikonin një fitore të shpejtë ndaj kundërshtarëve. Plani i famshëm i gjeneralit gjerman Schlieffen parashikonte ofansivë masive në frontin perëndimor dhe pushtimin e Francës në vetëm gjashtë javë, dhe në anën tjetër izolimin e frontit lindor dhe kapitullimin e menjëhershëm të Rusisë. Asnjë nga këto supozime nuk mund të ishin më gabim.

Arsyeja përse u ktheva në historinë e Luftës së Parë Botërore është për të ardhur tek mesazhi se jo shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Lufta e sotme në Ukrainë ka potencialin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm si pasojë e keqleximit të synimeve dhe bindjeve të palëve kundërshtare. Sot, sikur në zanafillën e Luftës së Parë Botërore, pakkush beson se lufta mund të kthehet përsëri në kontinentin evropian. Sikur atëherë, edhe sot Evropa është duke gëzuar paqen tani e gati 100-vjeçare falë idesë së Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo ka stimuluar një lidhje të paprecedent ekonomike, sociale dhe kulturore në mes të popujve evropianë. Evropa përsëri ka refuzuar dhunën si mjet për zgjidhjen e problemeve dhe lufta konsiderohet përsëri diçka e prapambetur.

Por përsëri, sikur atëherë, bindjet dhe synimet e palëve kundërshtare janë duke u keqlexuar. Para nisjes së luftës në Ukrainë liderët perëndimorë zbarkuan në Moskë për ta bindur Putinin që të ndalë planet për pushtimin e Ukrainës, duke mos kuptuar se kjo ishte çështje e mbyllur. Planet e tij tashmë ishin vendosur në lëvizje. Për të rënia e Ukrainës nën ndikimin perëndimor ishte vija e kuqe. Sikur që zgjerimi i mëtutjeshëm i dominimit të Austro-Hungarisë ishte vija e kuqe për carin Nikolas II, ashtu njëjtë zgjerimi i mëtutjeshëm i dominimit të Perëndimit drejt Ukrainës ishte vija e kuqe për Putinin. Po ashtu, sikur në kohën e Luftës së Parë Botërore, Putini ishte i bindur se pushtimi i Ukrainës është vendim i arsyeshëm dhe se do të jetë një “operacion i shpejtë special”. Sikur që tani e dimë, plani fillestar i Putinit ishte pushtimi i rrufeshëm i Kievit, dhe instalimi i regjimit të ri prorus ishte çështje ditësh. Në fakt, tani e dimë se udhëzimet zyrtare ruse ishin që ushtarët të merrnin me vete uniformat protokollare ceremoniale për të mbajtur menjëherë marshin triumfal të hyrjes në Kiev.

Siç kemi mësuar nga Lufta e Parë Botërore, luftërat rrallëherë zhvillohen sipas planifikimeve fillestare. Ajo çfarë u konsiderua luftë disajavore u shndërrua në një nga tragjeditë më të mëdha të njerëzimit që zgjati me vite. Njëjtë edhe sot, ajo çfarë u mendua si operacion i shpejtë special që do të zgjasë disa ditë, po shndërrohet në luftë që ka hyrë tashmë në vitin e dytë dhe me potencialin çdo herë të rritur të përshkallëzimit në mes fuqive të mëdha.

Kjo është edhe arsyeja përse sa do e pakëndshme tingëllon, palët kundërshtare duhet të fillojnë të mendojnë për negociatat politike që do t’i japin fund luftës. Çdo luftë dikur ka një fund. Kundërofansiva ukrainase nuk arriti caqet e saj, ndërsa Rusia qartazi nuk mund të sigurojë pushtimin total të Ukrainës. Lufta ka ngecur dhe palët kanë ngrirë pozicionet e tyre luftarake. Përkundër betejave të vazhdueshme, pushtimi i territoreve të reja ka lëvizur dhe rilëvizur nga një palë tek pala tjetër për 1000 metra katrorë. Kjo është më pak se 0.2% të sipërfaqes së Ukrainës. Në këtë kontekst palët edhe kanë dhënë indikacione për mundësinë e nisjes së negociatave të paqes. Presidenti Putin në intervistën e dhënë për gazetarin Tucker Carlson ka thënë se “ne jemi gati të negociojmë”. Nga ana tjetër, SHBA-ja ka inkurajuar privatisht Zelenskyn të jetë i hapur për negociatat me Putinin.

Sidoqoftë, a do të këtë progres në negociatat diplomatike ngelet të shihet. Mësimi që duhet marrë është se edhe palët që janë në luftë kuptojnë se ka kohë për luftë dhe ka kohë për paqe. Është pikërisht në këtë kontekst përse aleatët tanë perëndimorë e kanë shumë të vështirë të kuptojnë mungesën e vullnetit për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse nesër Rusia dhe Ukraina fillojnë dialogun politik për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si do të arsyetohet mungesa e po të njëjtit vullnet në mes të Kosovës dhe Serbisë?