OpEd

Interesi i Beogradit… dhe i Moskës

E interesi i Prishtinës është në kundërshtim me interesin e Beogradit e të Moskës. Dilema që mbetet është: A do t’ia bëjmë ne vetë (me ose pa vetëdije) argatin interesave të Beogradit dhe të Moskës?!.

NUK MUND TË thuhet me saktësi se kush e ka tërhequr këmbëzën ndaj Oliver Ivanoviqit. Nuk mund ta dimë as edhe a do të zbulohen ndonjëherë dorasit, njësoj siç nuk janë zbuluar deri më sot edhe shumë vrasje, plagosje, djegie veturash e vepra të tjera terroriste e kriminale në veri të Kosovës.

Mirëpo, mund të dimë me saktësi se në interes të kujt shkon kjo vrasje.

Adresa është - Beogradi. Ose edhe – Moska.

Oliver Ivanoviq, një politikan kontrovers, ishte ndër ata pak serbë që zëshëm nuk u pajtuan me politikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të formacionit të tij politik në Kosovë, Listën Serbe.

Me vrasjen e tij tashmë porosia është e qartë: Kushdo që denjon ta vërë në pikëpyetje politikën e Vuçiqit në Kosovë mund ta paguajë edhe me jetë.

Një rrezik të këtillë e kishte paralajmëruar shpesh kohëve të fundit edhe vetë Ivanoviq, siç kishin tërhequr vërejtjen edhe politikanë të tjerë serbë që nuk janë me Listën Serbe, si Slobodan Petroviq, Slavisha Petkoviq, Nenad Rashiq, Aleksandar Jabllanoviq e Petar Miletiq.

Me atentatin ndaj Ivanoviqit, secili prej këtyre, por edhe të tjerët që kanë pasur shpresa për të bërë diçka, do të mendohen mirë dy herë.

Interesi tjetër i Beogradit në këtë rast është edhe t’i tregojnë botës se shteti i Kosovës nuk funksionon. Se institucionet e Prishtinës nuk janë të zonjat që ta kontrollojnë territorin që pretendojnë se e menaxhojnë, por edhe se nuk janë të afta që të zbulojnë krimet.

Edhe Moskës i interesojnë të njëjtat.

MË MASHTRO një herë marre për ty, më mashtrove herën e dytë – marre për mua. Këtë shprehje amerikane kemi filluar ta dëgjojmë shpesh kohëve të fundit edhe nga politikanët kosovarë. Mirëpo, duket se në rastin e Gjykatës Speciale u mashtruan dy herë.

Herën e parë, kur e sollën veten para aktit të kryer për ta votuar Gjykatën Speciale. Tash, kur disa po mendojnë se mund ta votojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

I pëlqeu o s’i pëlqeu shqiptarëve të Kosovës (personalisht kam qenë kundër që nga fillimi), Gjykatës Speciale mbase do të mundë t’i shmangeshim në rast se:
- S’do të ndodhnin ngjarjet e marsit 2004;
- Kosova vetë paraprakisht do ta themelonte një Gjykatë për Krime Lufte, dhe;
- Nëse raporti i njëanshëm i Dick Martyt kurrë nuk do të miratohej në Këshill të Evropës.
Tashmë për gjithçka është tepër vonë - ka pi’ macja ujë!
Nëse tash disa deputetë të Kuvendit të Kosovës do të mashtrohen ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, të cilën i njëjti Kuvend e ka miratuar, vetëm sa do ta bëjnë Kosovën një banana republikë, ku nuk vlejnë as ligjet e veta, as marrëveshjet ndërkombëtare, as respekti për SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e shtetet e tjera mike, sponsorizuese të pavarësisë.
Se ata që do t’i akuzonte Gjykata Speciale gjithsesi s’do të mundë t’i shmangen drejtësisë ndërkombëtare, nëse ia ka mësyrë derën. Pra, vetëm mund të koritemi pa mundësi për ta shpëtuar dikë.

E këtë interes e ka Beogradi… dhe Moska.

E para, që të përpiqet të ndikojë në perceptimin e botës sa i përket luftës në Kosovë, e dyta – edhe më e rrezikshme se e para – që Kosovën ta armiqësojë me shtetet perëndimore.

Fitorja më e madhe e Beogradit dhe e Moskës sot do të ishte prishja e Kosovës me Perëndimin.
S’ka nevojë t’i çojnë as tanket e as avionët.

INTERESI I TRETË i Beogradit, e gjithsesi edhe i Moskës, është që Kosova të armiqësohet me Malin e Zi.

Mali i Zi sot ka rreth 35 për qind popullatë që e mbajnë veten si serbë, kurse vetëm dy vota në Kuvend e ndajnë forcat politike që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ato që vlerësojnë se ajo është pjesë e Serbisë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Malit të Zi ka qenë më e dhimbshmja për Beogradin, e barasvlershme ndoshta edhe me njohjen e të gjitha demokracive perëndimore bashkë. Porosia e dhënë me rastin e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Mali i Zi ka qenë e rëndë për ta, se ajo vlen: Nëse edhe shteti vëlla po mendon se Kosova është e pavarur, përse të mos mendojnë njëjtë edhe të tjerët.

Kështu që Beogradit sot, e edhe Moskës, i konvenon që Kosova ta problematizojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Beogradi llogarit se nesër në pushtet do të vijë opozita proserbe dhe do ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës, dhe çdo prolongim i marrëveshjes vetëm sa rrit gjasat për një ndryshim të këtillë. Gjithashtu, Beogradi përpiqet ta paraqesë Prishtinën si të padenjë dhe të papjekur për marrëdhënie ndërfqinjësore dhe respektim marrëveshjesh ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Moska, e cila ka kundërshtuar ashpër anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, fërkon duart tek sheh që një shtet si Kosova, të cilin e mbron NATO-ja ka telashe me një shtet anëtar të NATO-s.

Kështu që mbase kurrë nuk mund të thuhet se a ka pasur Beogradi, ose edhe Moska, gisht në Marrëveshjen e Demarkacionit, por se gjithçka rreth saj po iu shkon atyre në interes.

E interesi i Prishtinës sa u përket të gjitha këtyre më sipër është në kundërshtim me interesin e Beogradit e të Moskës.

Dilema që mbetet është bukur e thjeshtësuar: A do t’ia bëjmë ne vetë (me ose pa vetëdije) argatin interesave të Beogradit dhe të Moskës?!

[email protected]

Twitter: @adriatikk