OpEd

Inteligjenca artificiale dhe prapambetja natyrale

Viti 2023 mund të jetë vit në të cilin inteligjenca artificiale do të ndryshojë përgjithmonë shumë profesione e shumë fusha

Dhjetori i vitit që po e lëmë pas shënoi dy ngjarje të rëndësishme dhe kontradiktore: përderisa shteti i Kosovës kërcënohej nga barrikaduesit dhe protestuesit që tentonin të futeshin nga Serbia në territorin e Kosovës, në një pjesë tjetër të botës po zhvillohej ngjarja më e rëndësishme në planet, finalja e Kupës së Botës në Futboll, e cila po shikohej nga miliarda njerëz.

Po në muajin dhjetor, përderisa në Kosovë temë kryesore ishte femicidi, ku gratë vriten me sëpata e me plumba para dyerve të Gjinekologjisë, e ku shëndetësia është në kolaps e sistemi arsimor prodhon analfabetë me diploma, në vendin e tej Paqësorit, në ShBA, po bënte bujë të madhe programi chatGPT, program i inteligjencës artificiale, i cili që tani po revolucionarizon marrëdhëniet tona online e në realitet. Programet e inteligjencës artificiale pritet që të qesin jashtë përdorimit ose të ndryshojnë rrënjësisht punën e shumë profesionistëve.

Ndër ta edhe profesionin tim të analistit, opinionistit apo kolumnistit. Çfarë i duhet dikujt opinioni, kolumnet e analizat e mia, kur një program i inteligjencës artificiale, si chatGPT mund të gjenerojë përgjigje e analiza shumë më shpejt e më saktë? Nëse këtij programi të inteligjencës artificiale (IA) i kërkoj që të shkruajë një kolumne për Kosovën, brenda dy sekondave fillon të shkruajë një kolumne, e cila përmban 296 fjalë dhe në të përfshihen të gjitha karakteristikat gjeografike, ekonomike e politike. Kjo kolumne e shkruar nga IA tregon se Kosova është një vend pa dalje në det, që ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga rreth 100 shtete, por që ende nuk e ka siguruar njohjen nga vende të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit, si Rusia e Kina. IA po ashtu përmbledh edhe argumentet kryesore pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës, tregon për sektorët më të rëndësishëm ekonomikë dhe sfidat sa i përket korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Nëse pyes për performancën në qeverisje të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti, përgjigjja e IA është diplomatike, duke treguar se qeverisja ka treguar disa rezultate sa i përket luftës kundër korrupsionit, ndryshimit të legjislacionit, masa të kufizuara për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme, porse qeverisja është përballur me aktakuza për autoritarizëm, mosmarrje në konsideratë të zërave opozitarë dhe konfliktin me bashkësinë ndërkombëtare.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, në 234 fjalë IA jep një përshkrim bazik dhe të thuktë për problemet ndëretnike, influencën që ka Serbia tek popullata serbe, se si strukturat paralele minojnë shtrirjen e sovranitetit nga institucionet e Kosovës dhe se si deri më tani përpjekjet për zgjidhjen e këtij kontesti kanë qenë të pasuksesshme. Por, këshilla e IA është që palët duhet të punojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse finale.

Nëse ju intereson të kuptoni për arritjet kryesore në sport, brenda sekondash IA gjeneron një ese impresive duke treguar për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, sukseset e xhudisteve në lojëra olimpike, sportet luftarake individuale ku kosovarët kanë treguar suksese tradicionalisht. Në pyetjen për të listuar figurat e shquara të skenës botërore që kanë origjinë nga Kosova, IA liston nga Dua Lipa e deri tek Alketa Xhafa-Mripa.

Nëse e pyes për gjendjen e mediave në Kosovë, IA brenda pak sekondave do të gjenerojë një analizë prej 230 fjalëve në të cilën tregohet se Kosova ka një ambient mjaft divers të mediave, por që përballen me probleme të shumta të pavarësisë, vetëcensurës e intimidimit të gazetarëve.

Dhe në tërë këtë ‘bashkëbisedim’ ajo çfarë është më impresive, që përgjigjet janë thuajse qind për qind të sakta. Të vetmin lëshim që IA e bëri gjatë një dite bashkëbisedimi ishte ai që filmbërësin e ndjerë Artan Minarolli e portretizon si një artist nga Kosova e jo nga Shqipëria. Por, edhe në këtë ‘gabim’ unë për herë të parë mësova për Artan Minarollin dhe veprimtarinë e tij filmike.

Një mjet si ky, i qasshëm për të gjithë, do të ndryshojë komplet mënyrën se si mësimdhënësit vlerësojnë punimet e nxënësve dhe studentëve; se si pacientët marrin diagnozën shëndetësore, se si disenjatorët do të punojnë në të ardhmen, se si programerët do të ushtrojnë punën e tyre, e deri tek ajo se si avokatët do të përgatisin lëndët për gjykata.

IA është transformuese, ngase fokusi do të kalojë nga ai/ajo që zotëron dije, tek ai/ajo që di si të parashtrojë pyetjet. Kur po jetojmë në një epokë transformuese, si mund të përdoret e kaluara si udhërrëfyes për të ardhmen? Për dallim nga analistët e kolumnistët, pjesë e punës së të cilëve është edhe të luajnë deri diku edhe rolin e orakullit, IA refuzon të hyjë në analiza që përmbajnë parashikime për të ardhmen, duke tërhequr vërejtjen se parashikimet e tilla historikisht janë të pasakta.

E ky zhvillim rapid në fushën e inteligjencës artificiale domosdo do të jetë transformues edhe për Kosovën. Por IA nuk do të mund të largojë barrikadat rrugëve të veriut. Krahas shpresës së vitit 2023 do të jetë viti i përmbylljes së negociatave me një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale, mbetet të shpresojmë se 2023 do të jetë vit kur institucionet e Kosovës e kuptojnë thellësinë e batakut ku jemi futur si shoqëri dhe se si IA mund të përdoret për transformimin e shumë fushave, duke filluar nga sistemi arsimor.