Me presionin e kombinuar politik, medialo-propagandistik, financiar, policor e fetar, Serbia parandaloi pjesëmarrjen e serbëve të veriut në zgjedhjet lokale të organizuara nga Kosova. Me këtë, Beogradi deshi të dëshmojë se Serbia vendos në emër të serbëve në veri të Kosovës. Ndonëse për vite ka pasur një lloj qetësie, aty-këtu ka pasur edhe patrullime të përbashkëta policore, në të cilat ka pasur edhe shqiptarë edhe serbë, strukturat paralele të Serbisë asnjëherë nuk kanë pushuar të veprojnë në Kosovë. Se ato ishin integruar ka qenë vetëm një iluzion që e ka krijuar dialogu i Brukselit. Në këtë mënyrë, Beogradi mban gjallë idenë për ndarjen e Kosovës. Prandaj edhe përdor terme si “okupim”, “invazion”, etj, duke insistuar që veriu i Kosovës të trajtohet si pjesë për të cilën vendos Beogradi
Zgjedhjet që institucionet e Kosovës, në përputhje me ligjet, megjithatë, do të shërbejnë për të sqaruar disa gjëra të cilat do ta determinojnë procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces i cili qëmoti ka dalë nga binarët në të cilët besohej se e ka vendosur dialogu i Brukselit. U dëshmua se Kosova mund të organizojë zgjedhje në veri. U dëshmua se ato edhe mund të kalojnë pa dhunë. Dhe bashkësia ndërkombëtare nuk i vuri në dyshim ato zgjedhje, duke pranuar se autoritetet e Kosovës kanë bërë gjithçka që serbët të marrin pjesë në to. Përfshirë edhe duke shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve dhe afatin e regjistrimit të kandidatëve.
Por tash bashkësia ndërkombëtare do ta ndërrojë qasjen dhe do të vendosë në thelb të qasjes faktin se në zgjedhje nuk morën pjesë shumica e madhe e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës. Do të thonë se “Kosova ka të drejtë në qëndrimet e saj“, por do të kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për të siguruar kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë do të heshtin ndaj faktit se Beogradi pa asnjë problem ka ushtruar me vite presion ndaj serbëve të Kosovës për t’u mbajtur si vegël të Serbisë, e jo për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Një numër i madh i raporteve interne të Bashkimit Evropian me vite kanë tërhequr vërejtjen se ndaj serbëve që nuk janë pjesë e Listës Serbe është ushtruar trysni dhe frikësim.
Në anën tjetër, Beogradi deshi të dëshmojë se Serbia vendos në emër të serbëve në veri të Kosovës.
Ndonëse për vite ka pasur një lloj qetësie, aty-këtu ka pasur edhe patrullime të përbashkëta policore, në të cilat ka pasur edhe shqiptarë edhe serbë, strukturat paralele të Serbisë asnjëherë nuk kanë pushuar të veprojnë në Kosovë. Se ato ishin integruar ka qenë vetëm një iluzion që e ka krijuar dialogu i Brukselit. Në këtë mënyrë, Beogradi mban gjallë idenë për ndarjen e Kosovës. Prandaj edhe përdor terma si “okupim”, “invazion”, etj., duke insistuar që veriu i Kosovës të trajtohet si pjesë për të cilën vendos Beogradi.
Kosova në muajt e fundit ka arritur deri në një masë të mbushë zbrazëtirën e sigurisë në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës. Por në të njëjtën kohë në veri kanë ndodhur dhjetëra djegie të veturave, kryesisht të serbëve që kanë dashur të marrin targa të Kosovës. Kanë ndodhur edhe barrikadat të cilat u hoqën vetëm pas një angazhimi të stërzgjatur politik ndërkombëtar. E vetëm një arrestim ka ndodhur për djegien e veturave, edhe pse ka pasur shumë pohime nga politikanët e Kosovës, dhe këshilltarë të politikanëve, të cilët me postimet e tyre kanë lënë përshtypjen se e dinë se kush po i bën këto djegie. Dhe me të drejtë, serbët e Kosovës, sidomos ata në veri, janë ndier të frikësuar që të dalin në zgjedhjet e Kosovës. Dhe do të vazhdojnë të jetojnë në një limbo, duke besuar se po jetojnë “në vendin e tyre në Serbi”, e në anën tjetër, duke u përballur me nevojën se duhet të pajisen me dokumente të Kosovës. Edhe këtë dilemë ua ka mbajtur gjallë dialogu i cili, as pas 12 vjetësh, nuk ka dhënë përgjigjen se çka është Kosova. Madje BE-ja me sjelljen e saj, kinse neutrale ndaj statusit, dhe së fundi me pranimin se njohja e ndërsjellë nuk është qëllimi i dialogut, vetëm e ka inkurajuar Serbinë që të forcojë edhe më shumë kundërshtimin e realitetit. Për më tepër, Beogradi bën edhe kërcënime të hapura, siç deshi të dëshmojë dhe me pjesëmarrjen e liderëve të serbëve të veriut të Kosovës në një paradë ushtarake në Batajnicë. Dhe kur flet se “do të bëjë çmos që të ruhet paqja!”, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përdor si arsye faktin se Serbia atë luftë “do ta humbte nga NATO-ja” e jo pse do me çdo kusht paqe.
Strukturat paralele të Serbisë nuk janë shuar kurrë. Policët serbë që kanë veshur uniformat e Policisë së Kosovës kanë qenë rregullisht nën urdhrat e Beogradit. Së paku kështu është krijuar përshtypja në bazë të deklaratave të vetë politikanëve nga Serbia.
Komunat ilegale kanë vazhduar të lëshojnë lloj-lloj dokumente edhe pas marrëveshjes së vitit 2013. Në këtë mënyrë, në vend të serbëve të Kosovës përmes dialogut në Kosovë është integruar Serbia. Asnjë serb i Kosovës nuk ka mundur të hyjë në Kuvendin e Kosovës nëse nuk e ka pasur lejen nga Beogradi. Serbët e Kosovës ndoshta ishin më të integruar para dialogut sesa pasi ai filloi para 12 vjetësh.
E gjithë kjo situatë nuk është normale, ndërsa fjalori që përdorin politikanët e Kosovës dhe të Serbisë, sidomos ata të Serbisë, krijon përshtypjen se jemi në prag të konfliktit të hapur e jo në prag të normalizimit. Përmes normalizimit të mosnjohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, dialogu i Brukselit ka krijuar një status quo të ri, apo edhe një konflikt të ngrirë, në të cilin Serbia konteston de jure shtetësinë e Kosovës, por de facto konteston edhe të drejtën e Kosovës që të ketë kontroll mbi një pjesë të territorit të saj.