OpEd

Integrimi atrofik

Raporti i djeshëm i BE-së konfirmoi se reformat në Kosovë janë duke ndodhur, por jashtëzakonisht ngadalë. Ato kanë hyrë në stadin e atrofisë. Kjo nuk është karakteristikë vetëm e kësaj qeverie. Kështu ishte edhe më herët. Reforma ka pasur edhe në kohën e Qeverisë Thaçi, Mustafa apo Haradinaj. Reforma ka edhe sot në Qeverinë Kurti, por sikur atëherë, edhe sot, këto reforma janë të pamenduara mirë dhe të ndikuara nga kalkulime afatshkurtra politike

Dje u publikuan raportet e fundit të BE-së për dhjetë vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, përfshirë edhe për Kosovën. Këtu te ne si zakonisht vlerësimet për raportin shkuan në ekstreme, nga zëvendëskryeministri z. Bislimi, i cili nënvizoi se raporti “tregoi se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së”, e deri te kryetari i PDK-së, z. Krasniqi i cili tha se “është raporti më negativ që ka marrë vendi ynë ndonjëherë”. 

Dhe si zakonisht, e vërteta qëndron diku në mes. 

Le të fillojmë me gjërat e mira. Këtë vit Komisioni Evropian ka vendosur që të avancojë përgatitjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE brenda dy kapitujve të rëndësishëm: kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria. Ky vendim i Komisionit Evropian është njohje e progresit të Kosovës brenda këtyre dy kapitujve ndër vite, por edhe njohje të progresit të bërë këtë vit. Për shembull në kapitullin 15, raporti njeh progresin e ndjeshëm të bërë këtë vit me hartimin e strategjisë së re të punësimit, ligjit të ri të punësimit, angazhimin e inspektoratit të punës, lansimin e Skemës për Garantim të Punësimit të të Rinjve, si dhe lansimin e reformës së asistencës sociale. Ndërsa në kapitullin 24, raporti vlerëson në terma të lartë punën e përgjithshme të Policisë së Kosovës, me theks të veçantë lidhur me rastin e Banjskës. Po ashtu raporti lavdëron punën pioniere të Zyrës së Kryeministrit në zvogëlimin e barrës administrative, si dhe institucionet sikur Gjykata e re Komerciale, Dogana, Agjencia për Informim dhe Privatësi, KPM dhe KQZ. Krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, Kosova ka performuar mirë. Për shembull Mali i Zi dhe Kosova janë vlerësuar me notën “progresi i mirë” në më shumë raste se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Por lajmet e mira përfundojnë këtu. Le të shikojmë anët negative.

Nëse analizojmë progresin vjetor të Kosovës brenda çdo kapitulli që nga viti 2018 kur Komisioni Evropian ka lansuar metodologjinë e re të vlerësimit, atëherë na del se këtë vit Kosova ka bërë progres më të vogël vjetor që nga viti 2018. Këto dy vite të fundit janë vitet kur Kosova nuk ka arritur të mbajë trendin e reformave që kishte filluar të bëjë në vitin 2021. Me fjalë të tjera, reformat kanë stagnuar. Këtë vit në një numër të kapitujve, Kosova nuk ka arritur as të mirëmbajë progresin që kishte bërë vitin e kaluar. Për shembull, në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 3: e drejta e themelimit dhe lirisë për të ofruar shërbime, kapitulli 4: liria e lëvizjes së kapitalit, kapitulli 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitulli 20: politikat e ndërmarrjes dhe industriale, kapitulli 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 26: arsimi dhe kultura – në të gjithë këta kapituj Kosova ka bërë më pak progres se vitin e kaluar. Raporti po ashtu kritikon mjaft ashpër reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës së administratës publike, duke nënvizuar faktin se qeveria ka injoruar këshillat e ofruara.

Ashtu që nëse u kthehemi vlerësimeve të cekura në fillim të këtij shkrimi nga ana e z. Bislimi dhe z. Krasniqi vërejmë se e vërteta qëndron diku në mes. Patjetër se raporti nuk lavdëroi “agjendën ambicioze të reformave” të Qeverisë, por njëkohësisht raporti nuk ishte “më negativi që ka marrë vendi ynë ndonjëherë”. Dhe këtu edhe qëndron problemi. Reformat në Kosovë janë duke ndodhur, por jashtëzakonisht ngadalë. Ato kanë hyrë në stadin e atrofisë. 

Kjo nuk është karakteristikë vetëm e kësaj qeverie. Kështu ishte edhe më herët. Reformat ka pasur edhe në kohen e Qeverisë Thaçi, Mustafa apo Haradinaj. Reforma ka edhe sot në Qeverinë Kurti, por sikur atëherë, edhe sot këto reforma janë të pamenduara mirë dhe të ndikuara nga kalkulime afatshkurtra politike. 

Dhe ky fakt na sjell te dy shkaqe kryesore për mungesën e progresit serioz në kuadër të zbatimit të reformave në rrugën tonë integruese. Kosova vazhdon të jetë e privuar nga një klasë e pjekur dhe e përgjegjshme politike, e cila është e aftë të artikulojë dhe të dakordojë një agjendë serioze ndërpartiake të reformave, e cila do të mbështetet nga të gjitha forcat politike të vendit. Këto reforma nuk mund të bëhen nga një qeveri e vetme, pasi që ato kërkojnë kohë. Merrni shembull gjendjen në ekonomi, administratë publike, arsim apo shëndetësi. Ndërhyrjet strukturore në këto fusha kërkojnë kohë që tejkalon mandatin e çdo qeverie. 

Dhe shkaku i dytë, i cili ka penguar progresin e Kosovës drejt BE-së është mungesa e vullnetit të sinqertë të BE-së për të avancuar rrugën integruese të Kosovës. Gati tani e një dekadë, Kosova nuk ka lëvizur fare në rrugën e saj integruese. Që nga ajo kohë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë bërë progres drejt BE-së. Rrjedhimisht liderët e Kosovës kanë humbur incentivën për të përkrahur reformat e kushtueshme dhe komplekse që kërkohen nga BE-ja. Dhe e gjithë kjo na sjell prapë tek dialogu. Mungesa e progresit në dialog ngelet pengesë kryesore për avancimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo mund të na pëlqejë ose jo, por kjo nuk do të ndryshojë. Këtë nuk e ndryshoi as raporti i publikuar dje, ai vetëm e konfirmoi këtë edhe më shumë.