Austria është bërë arenë e shërbimeve sekrete ruse. Sipas mediave gjermane, dyshohet se shërbimi ushtarak rus ka ndikuar në dirigjimin e seminareve të Akademisë Diplomatike në Vjenë. Në krejt këtë çorbë duket se është i përzier edhe një boshnjak, i cili në Vjenë përfaqëson institutin IFIMES nga Lubjana, i njohur më shumë si qendër që përrallat i shet si analiza politike
“Instituti me dy punëtorë dhe me 100 spekulime: IFIMES-i i Lubjanës nuk ofron analiza serioze”. Ky është titulli i një shkrimi që pata botuar më 28 maj 2017, pra 7 vjet më parë. Më 10 shtator 2019, një tekst tjetër imi mbante këtë titull: “IFIMES ose instituti për kashelasha nga Lubjana”. Në të dy shkrimet argumentohej se IFIMES – sipas vetëpërshkrimit “Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe të Ballkanit” - është një zyrë që nuk duhet të merret seriozisht për shkak të analizave të bazuara kryesisht në spekulime. Në të kaluarën IFIMES shpesh është marrë seriozisht në disa vende të Ballkanit pasi plasonte analiza pompoze, paralajmëronte ndryshime tektonike në skenat përkatëse politike dhe shpesh njoftonte pa asnjë bazë për planet që gjoja po përgatit Perëndimi për të hequr qafe apo përkrahur këtë apo atë politikan.
Shtatë dhe pesë vjet pas teksteve të mia, gazeta e njohur gjermane DIE ZEIT në një hulumtim të gjerë ka arritur të sigurojë indikacione që zbulojnë joseriozitetin dhe rrezikun potencial të këtij instituti me seli në kryeqytetin slloven. Të shkojmë me radhë.
Akademia Diplomatike e Vjenës është një institucion me reputacion. Aty përgatiten diplomatët e ardhshëm austriakë, të cilët shërbejnë në Ministrinë e Jashtme në Vjenë, nëpër ambasadat austriake anekënd botës dhe në organizata ndërkombëtare. Shpesh kjo akademi fton personalitete të ndryshme për t’iu drejtuar pjesëmarrësve të seminareve. Ministrja e Jashtme e Finlandës, homologu i saj nga Kostarika, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së - të gjithë këta kanë marrë pjesë në aktivitete të Akademisë Diplomatike muajve të fundit. Në mars ky institucion e ftoi edhe Millorad Dodikun, liderin nacionalist të serbëve të Bosnjës dhe dorën e zgjatur të Rusisë në Ballkan. Sipas DIE ZEIT disa dokumente të zbuluara sugjerojnë se një bashkëpunëtor i shërbimit sekret ushtarak rus me emrin Artem Kurejev ka ndikuar në formulimin e agjendës së një seminari të Akademisë Diplomatike në Vjenë. Shërbimet sekrete perëndimore nuk kanë dyshim se Kurejev është bashkëpunëtor i shërbimeve ruse. Ai e mohon këtë.
Personi me të cilin Kurejev mban kontakt në Vjenë quhet Anis Bajrektareviq, i lindur në Sarajevë. Në Vjenë ai prezantohet si përfaqësues i institutit IFIMES të Lubjanës. Në këtë rol Bajrektareviq bashkëpunon me Akademinë Diplomatike të Vjenës në organizimin e eventeve të ndryshme.
Më 1 korrik 2020 ai organizoi një seminar në Akademinë Diplomatike, pastaj edhe një tjetër. Sipas hulumtimeve të DIE ZEIT, sponsor i këtyre takimeve ishte shërbimi sekret ushtarak rus (GRU). Bazuar në dokumentet e siguruara, Kurejev kërkoi nga Bajrektareviq dhe nga Akademia Diplomatike në Vjenë që të diskutohet mbi interesat ekonomike të SHBA-së në Evropë dhe mbi atë se përse Bashkimi Evropian duhet të distancohet nga interesat e SHBA-së dhe të NATO-s dhe të bashkëpunojë me ekonominë e Rusisë. Në dokumente Kurejev dhe Bajrektareviq shprehen të lumtur që ishte arritur të organizohej një “event mirëkuptues ndaj Rusisë”. Kjo ishte arritur falë përpjekjeve të sofistikuara që e tëra të mos duket “si propagandë e qullët ruse”.
Në biografinë e tij Artem Kurejev shkruan se nga viti 2005 deri më 2015 ka punuar për shërbimin sekret rus FSB. Bajrektareviq nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e DIE ZEIT. Gazetarët e kësaj gazete shkruajnë se, në bazë të dokumenteve, Bajrektareviq i kërkoi Kurejevit në prill të vitit 2021 që t’ia paguajë një biletë avioni për në Stamboll. Atje Bajrektareviq dyshohet të ketë takuar një person nga rrethi i Kurejevit. Në dokumente mund të lexohet se Bajrektareviq i kërkonte Kurejevit para për shërbimet e tij. Po ashtu Bajrektareviq theksonte se mbase është vështirë të gjendet një partner për të legalizuar “para të padeklaruara”.
Austria prej vitesh është bërë një arenë e shërbimeve sekrete ruse.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Tages Anzeiger”, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili është profesor në Universitetin e Vjenës, tha para një viti: “Jo pa të drejtë Austria perceptohet si shumë proruse. Me përjashtim të partisë së vogël liberale NEOS, të gjitha partitë kanë pasur një raport të afërt ose shumë të afërt me Rusinë. Një miks prej antiamerikanizmit, antikapitalizmit dhe dashamirësisë naive ndaj Rusisë ndikon që Ukraina të shihet si koloni e SHBA-së”.
Në Austri veprimtaria e agjentëve të huaj është e dënueshme vetëm nëse drejtohet kundër Austrisë. Me fjalë të tjera: spiunët mund të merren lirisht me spiunazh kundër çdokujt tjetër, çdo shteti, çdo organizate ndërkombëtare. Për shkak se shërbimet sekrete austriake mund të jenë të infiltruara nga rusët, shërbimet e shteteve perëndimore nuk i ndajnë të gjitha informatat me kolegët e tyre austriakë. Në një raport për vitin 2023 të Drejtorisë austriake për Mbrojtje të Shtetit (DSN) dhe për Informata shprehet shqetësimi se reputacioni ndërkombëtar i vendit është në rrezik. Sipas DSN, Austria po e humb atraktivitetin si seli e organizatave ndërkombëtare. Ka “veprimtari” të cilat paraqesin “kërcënim serioz”, thuhet në raport, të cilin e citon DIE ZEIT. Fjala është për spiunazh, dezinformim, infiltrim. Pas shumicës së këtyre operacioneve qëndron Rusia. Si qendër e spiunazhit rus në Vjenë konsiderohet selia e përfaqësisë diplomatike të Federatës Ruse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në lagjen Donaustadt. Në kulmin e saj qëndrojnë më shumë se një duzinë antenash të mëdha satelitore. Sigurisht jo për të kapur valët e ndonjë radioje në Siberi.