Kjo nuk do të ndodhë nëse punëtorët nuk kanë vend në tryezën e negociatave. Çfarëdo zotime të reja që ka sjellë COP26 në skenën globale, do të na duhet ta dyfishojmë punën e ndërtimit të institucioneve, me theks të veçantë në zgjerimin e pjesëmarrjes për t’i përfshirë qytetarët e zakonshëm. Parandalimi i një fatkeqësie klimatike do të kërkojë eksperimentim të gjerë me teknologjitë e reja, dhe, jo më pak e rëndësishme, me institucione të reja në të gjitha nivelet
Në konferencën për ndryshimin klimatik, të mbajtur javën e kaluar nga Kombet e Bashkuara në Glasgou (COP26), iu bashkova panelit me politikanë të njohur kombëtarë, përfshirë ministren e parë të Skocisë, Nicola Sutrgeon, dhe ministren spanjolle të Transicionit Ekologjik, Teresa Ribera, për të diskutuar sesi mund të merremi seriozisht me ekonominë e gjelbër. Derisa liderët botërorë po merreshin me zotime e qëndrime, për atë që aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg, e hodhi poshtë si “blla blla blla!”, paneli jonë i grave u fokusua në çështjen thelbësore se çfarë vegla dhe institucione i duhen botës, me qëllim të dekarbonizimit. Pas COP26-shit, është me qartë se kurdo se zotimet dhe politikat që vijnë nga lart-poshtë nuk janë të mjaftueshme. Në vend të kësaj na duhet transformim strukturor dhe institucional nga poshtë.
Shpresa jonë e vetme e ruajtjes së ngrohjes globale brenda limiteve “të sigurta” është të zgjerohet transicioni i gjelbër brenda investimeve publike, që kanë për qëllim të kalojnë paradigmën e devijimit ekonomik. Meqë ndryshimi klimatik është fenomen dinamik dhe jolinear, procesi i frenimit ose përmbysjes është jashtëzakonisht i vështirë për të parashikuar shpejtësinë dhe përmasat e ndryshimit, varen nga shkallëzimi i drejtimit tjetër. Transformimi mund të sjellë reagim pozitiv, por edhe të ketë efekte të shumta kumulative.
Ky është saktësisht qëllimi i asaj çfarë e kam quajtur politika e inovacionit me orientim misionar. Duhet të përdorim burime dhe politika ekonomike të bashkëlidhura me objektivat e nevojshme, në kohën e shpërthimit të inovacioneve teknologjike dhe për formësim të tregjeve të reja. Secili mision duhet të jetë frymëzues dhe kërkon shumë aktorë dhe sektorë për të sjellë novacione dhe për të bashkëpunuar në forma të reja, qoftë për një qytet të dekarbonizuar, ose për oqean pa materiale plastike të hedhura në të. Secili mision duhet të grumbullojë investime prej shumë aktorëve, me kushtëzime të lidhura për çfarëdo forme të mbështetjes publike, me qëllim të kontribuojë në këtë shkallëzim që do të zgjeronte horizontin aktual teknologjik dhe do të jetë uverturë për të ardhme të dekarbonizuar. Por që t’i realizojmë qëllimet tona, atëherë duhet të ketë një politikë ekonomike të orientuar për këtë synim, duke u bazuar në të gjitha nivelet e politikave dhe hapave prej atyre lokalë deri te ata globalë.
Në nivelin ndërkombëtar, ta zëmë një “CERN për teknologjinë klimatike”, mund të koordinojë investimet nga qeveritë pjesëmarrëse, duke përdorur një fond kolektiv për financimin e zhvillimit të teknologjive inovative, që sektori privat të mos veprojë kokë në vete. Ideja është hedhur në raportin final të Panelit të G7-s për Qëndrueshmëri Ekonomike, ku unë e kam përfaqësuar Italinë.
Në nivelin kombëtar, bankat e investimit publik të gjelbër mund të ofrojnë kapital të fuqishëm të nevojshëm për zgjerimin e tregjeve të dekarbonizuara. Një model premtues është Banka Kombëtare Skoceze e Investimeve (të cilën pata nderin ta ndihmoja që të themelohej), institucion publik financues, mision parësor i të cilit është ofrimi i ndihmës për dekarbonizimin e ekonomisë së Skocisë. Banka e re do të jetë katalizator i investimeve në mbarë sektorët dhe firmat që janë të specializuara për teknologji të dekarbonizuara.
I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është niveli lokal, ku aksioni klimatik materializon projekte të prekshme, si banimi i dekarbonizuar, lagjet pa makina dhe zinxhirët furnizues pa emetime. Në këtë pikë, Këshilli i Nismave Urbane, i bashkorganizuar nga Kolegji Universitar i Londrës, Shkolla Londineze e Ekonomisë dhe Habitat-i i OKB-së kanë rol kritik për të luajtur në ndarjen e informacioneve për projektet e suksesshme dhe lidhjen e tyre me marrëveshje ndërkombëtare.
Këto institucione duhet të përfshijnë edhe angazhimin qytetar dhe sidomos punëtorët e cenueshëm. Protestat e xhaketave të verdha dhe përplasjet e tjera të lëvizjeve protestuese kanë demonstruar pse momentumi prapa transicionit të gjelbër duhet të vijë nga poshtë. Mendimi prapa propozimeve të Marrëveshjes së Re të Gjelbër duhet të sjellë energji popullore, duke i vendosur qytetarët në zemër të transicionit ekonomik.
Pjesëmarrja popullore nënkupton angazhimin e qytetarëve në procese të nivelit të komunitetit, siç është Komisioni i Rinovimit Camden, i cili ka përdorur debate kyç midis shoqatave të banorëve, për t’i vendosur pronat e banimit në qendër të strategjisë së rritjes së pastër të Londrës. Do të thotë gjithashtu të ftosh shoqatat e komunitetit, kooperativat dhe sindikatat për të krijuar "partneritete të përbashkëta publike" me qeveritë. Një tjetër opsion është krijimi i asambleve të qytetarëve për ndryshimet klimatike, siç ka bërë Spanja. Risi të tilla institucionale do të shërbejnë si bazë për një kontratë të re sociale, e cila është mënyra e vetme për ta ndërtuar besimin e publikut dhe për ta arritur një tranzicion të drejtë shoqëror.
Gabimi më i madh i aktivizimit të klimës ka qenë dështimi për të krijuar një rast bindës dhe realist për një tranzicion të gjelbër, që i promovon interesat e punës. Një marrëveshje e re e gjelbër, që krijon vende të reja pune të mira, rrit standardet e jetesës dhe redukton pasigurinë dhe pabarazinë, duhet të jetë prioriteti më i lartë. Suksesi i tranzicionit të gjelbër do të varet nga masat që sigurojnë që punëtorët, vendet e punës të të cilëve kërcënohen nga dekarbonizimi, mund të fitojnë aftësi dhe punësim në ekonominë e re. Me përjashtim të kësaj, atyre duhet t'u sigurohet një e drejtë minimale e garantuar.
Kjo nuk do të ndodhë nëse punëtorët nuk kanë vend në tryezën e negociatave. Çfarëdo zotime të reja që ka sjellë COP26 në skenën globale, do të na duhet ta dyfishojmë punën e ndërtimit të institucioneve, me theks të veçantë në zgjerimin e pjesëmarrjes për t’i përfshirë qytetarët e zakonshëm. Parandalimi i një fatkeqësie klimatike do të kërkojë eksperimentim të gjerë me teknologjitë e reja, dhe, jo më pak e rëndësishme, me institucione të reja në të gjitha nivelet.
(Autorja, profesoreshë në Ekonominë e inovacionit dhe vlerës publike në Kolegjin Universitar të Londrës, është drejtoreshë themeluese e Institutit për inovacion dhe qëllim publik, UCL. Ajo është autore e “Mission Economy: A Moonshot to Changing Capitalism” (Allen Lane, 2021).Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)