OpEd

Inspektorati Politik i Kosovës

Gazeta asnjëherë nuk ka pasur më shumë presion rreth një teme të javës sesa kjo rreth skandaleve që shpërthyen së fundmi në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Zyrtarë e hetues policorë, individë të lidhur me grupe interesi, kanë ofruar informacione që dëshmojnë ndikimin dhe ndërhyrjet e politikës në këtë institucion. Nga dëshmitë e ofruara del se reformimi dhe depolitizimi i IPK-së janë një mision shumë i vështirë

Publikimi në gazetë i shkrimit rreth dyshimeve se drejtori i Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, ishte i përfshirë në një skandal të marrjes së ryshfetit për të mbyllur rastin e hetimit të një OJQ-je përfundoi me fillimin e hetimeve, dhe siç paralajmërohet edhe me ngritjen e aktakuzës kundër tij. Për zbulimin dhe hulumtimin e skandalit të vitit, autorja e shkrimit, Saranda Ramaj, është shpërblyer me çmimin “Rexhai Surroi” për vitin 2017.

Ndonëse fajësia apo pafajësia e Emin Beqirit nuk është vërtetuar ende nga drejtësia, ai do të duhej të jepte dorëheqje nga posti menjëherë pas shfaqjes së dëshmive (video e audioincizime) që provojnë implikimin e tij në korrupsion. Dorëheqja do të ishte më e pakta që ka mundur ta bëjë për të mos ia humbur edhe më shumë kredibilitetin drejtorisë së Policisë, që ka për detyrë pikërisht luftimin e korrupsionit.

Por Beqiri nuk dha dorëheqje e as nuk u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës,institucion që ka mision parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e Policisë, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit të detyrës ose jashtë saj.

Ai vetëm u transferua në një pozitë më të ulët në administratë, ndërsa postin e tij e mori majori Nazim Sahiti.

Në vend se të përpiqet që të kthejë besimin në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike pas skandalit të ish-drejtorit, pasardhësi Sahiti e ktheu sërish vëmendjen e opinionit kah një nga departamentet më të rëndësishme të Policisë së Kosovës. Pjesëmarrja e tij në rrahjen e drejtorit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, që u dëshmua me një videoincizim, ishte skandali që nisi vitin 2018.

Beqiri, as Sahiti nuk dha dorëheqje nga posti, me gjithë faktet që e shfaqën atë në rolin e një rrugaçi. Si drejtor policie, me veprimin e tij të pahijshëm, Sahiti përçoi në opinion dhe te vartësit e tij mesazhin e mungesës së integritetit të drejtuesve të Policisë së Kosovës, cenoi imazhin dhe besimin ndaj Policisë dhe ngjalli frikën te qytetarët se pjesëtarët e saj mund t’i qërojnë hesapet personale me grushte në rrugë me këdo, në pikë të ditës dhe të mos japin përgjegjësi.

As Sahiti nuk u suspendua. Ndaj tij vetëm nisën hetime për sulm dhe lëndim të lehtë trupor.

Skandalet e Beqirit dhe Sahitit duket se hapën kutinë e Pandorës, nga e cila filluan të dalin parregullsi dhe skandale të tjera të fashitura për më shumë se një dekadë të veprimtarisë së Inspektoratit të Policisë së Kosovës. Pas ardhjes së Sahitit në krye të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike u shpërfaqën edhe ndasitë në dy klane “të përkrahësve” të Sahitit dhe të Beqirit në Polici dhe në IPK. Të dyja grupet filluan përpjekjet për diskreditimin e klanit tjetër, duke nxjerrë informata kundër njëri-tjetrit.

Gazeta asnjëherë nuk ka pasur më shumë presion rreth një teme të javës sesa kjo rreth skandaleve dhe parregullsive që shpërthyen në Inspektoratin Policor, që nga publikimi i skandaleve të Beqirit e Sahitit dhe masave disiplinore që nuk u ndërmorën ndaj tyre.

Dy muajt e fundit gazetarja Saranda Ramaj, e cila ka hulumtuar problemet në IPK, është “bombarduar” nga informacione që i sillnin vullnetarisht asaj hetues e zyrtarë policorë dhe njerëz të lidhur në një mënyrë me figura politike dhe udhëheqës institucionesh.

Presione “shoqërore” kanë bërë më së shumti njerëz të afërt me Nazim Sahitin. Ka pasur të atillë që janë thirrur edhe në lidhje të paqena shoqërore me gazetaren për të ndikuar që ajo të mos “shpupurisë” fort në implikimet e Sahitit. Disa madje kanë ofruar informacione për skandale të tjera të pazbuluara brenda Policisë në këmbim të ndërprerjes së hulumtimit të mëtejmë rreth drejtorit të Krimeve Ekonomike.

Një zyrtar policor ka treguar se ka vite që në sirtarët e IPK-së rrinë dëshmi të deponuara për veprime të paligjshme të Sahitit, por që asnjëherë nuk është iniciuar ndonjë procedurë.

Janë ofruar edhe hetues policorë që janë nën hetime për veprime të paligjshme me informata dhe sqarime për të mbrojtur apo për të distancuar veten nga lidhjet me grupet e interesit brenda Policisë. Me informatat që kanë ofruar ka pasur edhe përpjekje që ta vënë në lajthitje gazetën ose ta shfrytëzojnë për hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve. Sepse në IPK duket se secili heton secilin. “Nëse ti po më heton mua, edhe unë ta gjej ose ta montoj një skandal ty” - kjo del të jetë motoja e funksionimit në IPK, sipas dëshmive të vetë punonjësve të këtij institucioni.

“IPK është e depolitizuar. Udhëhiqet nga parimet e profesionalizmit, objektivitetit, paanshmërisë politike dhe mosdiskriminimit. Gjatë ushtrimit të veprimtarisë, IPK është e pavarur”, thuhet në Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës.

Por informacionet e argumentuara dhe të paargumentuara që i janë ofruar gazetës e dëshmojnë të kundërtën. Ato çojnë në dyshimin, që ka bazë për t’u hetuar, se në Policinë e Kosovës dhe në Inspektoratin Policor ka grupe të ndryshme të interesit të lidhura me krerët më të lartë të politikës, të sistemit të drejtësisë dhe të biznesit. Duke politizuar Policinë dhe IPK-në, politikanët e shtrojnë terrenin për ta mbrojtur dhe për ta amnistuar veten nga hetimet e mundshme rreth përfitimeve të paligjshme nga bizneset nëpërmjet korrupsionit.

Politikanët që aktualisht kanë ndikim më të madh në Inspektorat janë prej kreut të shtetit e deri te politikanët e partive në koalicionin qeverisës, por edhe të një pjese të opozitës. Ndërhyrjet dhe ndikimet politike i kanë pohuar në biseda konfidenciale edhe zyrtarë policorë, dhe këto informata tashmë janë duke u hulumtuar nga gazeta.

Mossuspendimi i Emin Beqirit dhe i Nazim Sahitit ka dëshmuar edhe se sa i mbrojtur dhe i kontrolluar nga politika është posti i drejtorit të Krimeve Ekonomike.

Këto raste nxorën në pah edhe dobësitë e sistemit prokurorial dhe mungesën e vullnetit të Prokurorisë për të hetuar të dyshuarit që u shërbejnë interesave të politikës. Në shkresat e prokurorëve që janë marrë me rastin janë identifikuar gabime profesionale ose nga injoranca ose nga frika e pasojave të veprimeve të tyre të ligjshme.

Në këso konstalacionesh politike dhe biznesore që kontrollojnë Policinë dhe IPK-në, me gjithë vullnetin e shprehur, ministri aktual i Punëve të Brendshme, ashtu si edhe ushtruesja e detyrës së kryeshefes (e cila nga veprimet dhe mosveprimet e saj më shumë lë përshtypje se “e ka zënë taksirati” të jetë në krye të IPK-së) vështirë se do të mundë t’ia dalin t’i këpusin lidhjet e rrënjosura thellë të politikës e krimit dhe ta kthejnë IPK-në në misionin themelor të respektimit dhe zbatimit të ligjshmërisë.

Ndër ata që kanë “cicëruar” ka pasur edhe zyrtarë policorë të cilët i kanë ofruar informata gazetës, jo për interes personal, por me qëllim të publikimit të së vërtetës rreth zhvillimeve në IPK dhe pastrimit të këtij institucioni nga pjesëtarë të lidhur me politikën, krimin e korrupsionin.

Gazeta do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjitha informatat që vijnë nga kushdo që ka vullnet të denoncojë shkeljet e ligjit dhe korrupsionin e politikanëve e të zyrtarëve policorë, me qëllim të depolitizimit, reformimit dhe përmirësimit të imazhit të Policisë dhe IPK-së. Siç bën në çdo rast, informacionet do t’i publikojë vetëm të konfirmuara me fakte dhe të dokumentuara. Pa marrë parasysh presionet, nuk do t’iu dalë krah asnjëherë shkelësve të ligjit.

[email protected]