OpEd

“Injeksioni i Irmës” përballë pandemisë

Me fillimin e pandemisë, një formë e aktualitetit tashmë përfundoi. Thirrjet për rikthim në normalitetin paraprak janë thirrje të dëshpëruara, ato kanë funksionin e teologëve të Jobit apo mjekëve të Irmës: shmangien nga momenti traumatik që asgjë më nuk do të jetë e njëjtë. Kthimi në normalitet nënkupton krijimin e një normaliteti të ri

Më 23 korrik të vitit 1895, Sigmund Freud pa një ëndërr. Kjo ëndërr u bë ndoshta ëndrra më e famshme në teorinë dhe praktikën psikoanalitike: Injeksioni i Irmës, e cila konsiderohet si interpretimi më pedant e elokuent i ëndrrave. Në psikoanalizë, kjo ëndërr konsiderohet si fillim i procesit të interpretimit të ëndrrave dhe rrjedhimisht, teknikës psikoanalitike.

Freud e shkroi ëndrrën në mëngjesin e ditës së nesërme. Ëndrra fillon me një bisedë ndërmjet Freud dhe pacientes së tij Irma në një aheng, rreth dështimit të trajtimit psikoanalitik për shkak të një infeksioni të saj në fyt. Në një moment, përkundër hezitimit fillestar të Irmës, Freud i afrohet asaj dhe shikon thellë në gojën e saj, e cila e konfronton me pamjen e tmerrshme të mishit të gjallë. Në momentin e përballjes me tmerrin e papërballueshëm të infeksionit, ëndrra fillon e merr karakter komik: në skenë hyjnë tre mjekë, shokë të Freudit. Siç ndodh zakonisht me mjekët – prezenca e tyre është gjithnjë objekt-shkaktar i komikes – në një zhargon quasi-profesional, ata tentojnë të justifikojnë në mënyra të ndryshme arsyet se pse infeksioni i Irmës nuk është faji i askujt (nuk ka pasur injeksion, injeksioni ishte i pastër, etj…). Për ata që kanë prirje ose preferenca teologjike, struktura e ëndrrës është identike me librin e Jobit, në të cilën katastrofa që i ndodh Jobit – pavarësisht interpretimeve të tre shokëve të tij teolog – nuk ka përmbajtje apo kuptim ontoteologjik. Sikurse katastrofat me Jobin, edhe infeksioni i Irmës është totalisht dhe absolutisht pa kuptim më të thellë sesa forma e shfaqjes së saj.

Kërkimi i shpëtimit në figura apo në kuptim transcendental ka edhe kandidatë të tjerë: AIDS, katastrofat ekologjike, Hollokausti… dhe sot, pandemia Covid 19. Në këtë kuptim, është e domosdoshme të insistohet në rezistencën ndaj idesë së ‘kuptimit të thellë’ të katastrofave. Ajo në të cilën nuk duhet të insistohet është kuadri filmik karakteristik Hitchcock-ian i perspektivës nga “pamja e Syrit të Zotit.”

Struktura e ëndrrës së Irmës është e duhura për ta shpjeguar qasjen tonë ndaj pandemisë. Nga sharlatanët nihilistë të cilët e mohojnë vetë ekzistencën e virusit, te liberalët (jo më pak sharlatanesk) që horizont të argumentimit e kanë rëndomësinë moraliste. Këto dyja janë dy anët e medaljes, konstitutive e fushës në të cilën konservatorët nihilistë dhe liberalëve moralizues ekzistojnë. Pikërisht për këtë arsye, ky antagonizëm është përbrenda logjikës së njëjtë hegjemonike. Në psikoanalizë, 1+1 gjithnjë është e = me 3.

Sikurse te rasti i Jobit, edhe te Irma, shumësia e interpretimeve të kuptimit shërbejnë si errësim i efektit të traumës me mbuloja simbolike.

Ideologjia e Virusit

Pandemia Covid 19 i imponon disa pyetje, të cilat për jo-ekspertët si puna ime, natyrisht se nuk mund as t’i mendojnë, e lëre më t’i përgjigjen. Aparati konceptual i një filozofi është jo vetëm i ndryshëm, por në instancë të fundit, është radikalisht i ndryshëm nga ai i shkencëtarit (ndonëse, ekzistenca e të parit është e kushtëzuar nga puna e të dytit). Por, kjo nuk e bën më pak të rëndësishme filozofinë, sidomos në epokën tonë. Periudha jonë historike, së cilës pandemia ia dha një shtysë të paparë, karakterizohet nga një dezorientim i tërësishëm. Debati publik në Kosovë është në masën më të madhe i organizuar mbi premisat e “mjekëve” të Irmës, apo shokëve teologë të Jobit, në emisione televizive, të personifikuar në figurën e analistit. Këta njerëz ndryshe mund të quhen edhe zëdhënësit ideologjikë të së tashmes. Pra, jo njerëz që mundohen ta kuptojnë aktualitetin dhe rrjedhimisht ta interpretojnë atë; këta vetëm artikulojnë atë që tashmë ekziston, por në nivel të dhimbshëm e të dëshpëruar intelektual. Raporti i shikuesit me ta nuk mund të quhet ndryshe, përveçse raport mazohist.

Andaj, në kaosin dezorientues, filozofi mund të kontribuojë jo në debatin ekzistues, por duke intervenuar me pyetjet bazike të tipit: ku përfundojnë statistikat dhe fillon ideologjia? Kjo mund të bëhet në fushat si shëndeti publik, ekonomia (e cila gjithnjë është politike) dhe shëndeti mendor, e kështu me radhë. Dhe filozofia gjithnjë vjen në ‘fund të ditës’, kur i gjithë aktiviteti ditor i shkencëtarit, militantit politik, dashnorit, artistit, tashmë ka përfunduar. Filozofia gjithmonë është në vonesë në performimin e funksionit të saj; ajo vjen vetëm atëherë kur aktualiteti ka kaluar në procesin e tij formësues, dhe tashmë është në formën e tij përfundimtare. Siç thotë Hegeli, huti i Minervës fillon të fluturojë vetëm në fillim të muzgut.

Me fillimin e pandemisë, një formë e aktualitetit tashmë përfundoi. Thirrjet për rikthim në normalitetin paraprak janë thirrje të dëshpëruara, ato kanë funksionin e teologëve të Jobit apo mjekëve të Irmës: shmangien nga momenti traumatik që asgjë më nuk do të jetë e njëjtë. Kthimi në normalitet nënkupton krijimin e një normaliteti të ri.

Ekonomikisht jemi para një rrënimi të madh, madje sipas disa analizave, recesioni do të jetë shumë më i madh sesa gjatë krizës financiare të 2008-9, e madje edhe më i thellë sesa Depresioni i Madh. Në këtë krizë, Evropa do të goditet më së shumti, për dallim nga fuqitë e tjera ekonomike. (Këtu duhet mbajtur në mend që, për fat shumë të keq, Evropa është në proces të pakthyeshëm e dezintegrimit; secili akt dhe veprim i BE-së është veçse konfirmim i vazhdueshëm i procesit të zhbërjes së saj!).

Por, shpëtimi i ekonomisë (me hapje) bëhet në llogari të shëndetit publik. Pandemia do të zgjasë, dhe përderisa kjo gjendje do të vazhdojë për një periudhë të pallogaritshme në terme konkrete, riorganizimi i tërësishëm e fundamental i ekonomisë globale nuk është më çështje ëndrrash utopike. Ajo që mbetet utopi është besimi se gjërat do të rikthehen në normalitetin e tyre dhe me të, edhe ekonomia si e tillë do të rifillojë lulëzimin e saj. Kapitalizmi nuk është vetëm marrëdhënie specifike e prodhimit shoqëror, por ai është edhe formë e jetës. Kriza e shëndetit publik dhe ekonomisë do t’i dezintegrojnë të dyja – së paku në formën të cilën ne i njohim ato. E ardhmja në vetvete nuk do të jetë e ndritshme, nëse ajo lihet në vetvete. Perverzioni i aktualitetit tonë qëndron në faktin që e gjithë jeta shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, etj është në mëshirën e mekanizmave të tregut! Akselerimi i krizës ekonomike dhe politike domosdoshmërisht do të dërgojë në gjendje barbarie: ku të sëmurët, të vjetrit, të dobëtit, të varfrit, etj mund e duhet të vdesin, vetëm që ekonomia (dhe, si pasojë, akumulmi primitiv I kapitalit) të vazhdojë normalisht. Ndërsa, në këtë situatë, ‘mesi i artë’ është inekzistent, materialisht dhe strukturalisht.

Pandemia ka shkaktuar pasoja shumë të rënda në (atë që sot quhet) shëndeti mendor. Ekziston një presion mendor i jashtëzakonshëm në të jetuarit nën kushtet e mbylljes së imponuar, e pastaj për shkak të frikës dhe pasigurisë ekzistenciale. Duke e thjeshtëzuar deri në banalitet: numri i njerëzve në depresion është në rritje (sipas disa raporteve, në Italinë veriore mbi 70% e meshkujve janë të afektuar, në Spanjë fëmijët në qytetet e mëdha kanë ankth gjatë natës, etj). Dhe këtu nuk po flasim për rritjen e jashtëzakonshme të shitjes së qetësuesve dhe në përdorimin e drogave. Cila duhet të jetë qasja jonë? Lacan flet për identifikimin me simptomën – në mënyrë të paturpshme. Të gjitha ritualet e vogla, sjelljet e ‘çuditshme’, formulat operative, etj – të gjitha duhet lejuar dhe duhet të jenë të pranuara. Gjithçka që funksionon është e pranueshme nëse ajo na shpëton nga kolapsi mendor. Madje edhe mohimi fetishist është i pranueshëm: e di shumë mirë (sa serioze është situata), por megjithatë (sillem sikur nuk e di). Nëse antagonizmi ndërmjet etikës kundër moralit ka pasur ndonjëherë kuptim, atëherë tash është momenti kur pa hezitim mund të heqim dorë nga agjencia e lapërdhishme e moralit, në favor të etikës. Në Kosovë kjo është çështje e urgjencës, jo vetëm për shkak të rrethanave shoqërore konservatore, por edhe për shkak të sistemit pothuajse jo-ekzistent të trajtimit të shëndetit mendor.

Fundi i një epoke

Fillimi i pandemisë në Kosovë u shoqërua nga ajo që tashmë njihet si virus politik, i kurorëzuar më mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti dhe krijimin e një qeverie të “re.” Kjo është qeveri e cila jo që nuk ka plan, vizion e program për qeverisjen e vendit në rrethana të krizës pothuajse ekzistenciale (shëndeti publik, kriza e jashtëzakonshme ekonomike, problemet politike në raport me bisedimet me Serbinë, etj), por madje as plan për menaxhimin e vetvetes. Qeveri në krizë për vetvete, dhe në vetvete. Kjo është vetëm se forma karikatureske e vetvetes, ku raporti ndërmjet shënjuesit dhe të shënjuarit nuk mund të konstituohet assesi. Zbrazëtira ndërmjet këtyre dyjave është terreni i ideologjisë. Kjo qeveri nuk është mohimi apo manipulimi i demokracisë (tek e fundit, demokracia ekziston për t’u “manipuluar”); kjo qeveri është shprehja më konsistente e vyshkjes së një sistemi të tërë. E këtë, as demokracia më autentike e mundur nuk mund ta shpëtojë.

Limiti i patejkalueshëm i aktualitetit nuk është ekuivalent i nihilizmit të punk-ut: dorëzimit para aktualitetit si të tillë, vetëm pse ai është i tillë siç është. Fundi i një epoke hap mundësitë për rimendimin e së ardhmes dhe këtu është vështirësia qenësore. Disfata e qeverisë Kurti shënjon fundin e përpjekjes të aktualitetit të saturuar përmbajtësisht. Prandaj, orientimi në mendim është urgjencë po aq e domosdoshme, sa edhe rrëzimi nga pushteti i kësaj qeverie anakronike e ahistorike.

Si rregull i përgjithshëm, në politikë ekziston një problem fundamental i orientimit: fundi i një sekuence gjithnjë vjen më herët se gatishmëria jonë për ta pranuar dhe elaboruar atë. Duket sikur ne gjithnjë duam të deklarojmë se ‘një hap tjetër është ende i mundur në të njëjtin drejtim.’ Kjo është pika ku pasojat reale politike i japin hapësirë/mundësi një mbuloje më të sublimuar të politikës. Çështja e identifikimit të pikës së çarjes është shumë e vështirë, dhe kjo nuk do asnjë dilemë. Për më tepër, është edhe më e vështirë të pranohen limitet e së kaluarës dhe mësim mbi premisat e këtyre limiteve. Në këso situatash, tundimi është i madh, cili e zbulon paradoksin e situatës. Liderët dhe intelektualët të cilët deklarojnë se “mund të vazhdojmë”, fillojnë e duken si profetë falso. Ndërsa, liderët dhe intelektualët të cilët deklarojnë se “kemi dështuar” fillojnë e fitojnë më shumë respekt.

Vështirësia, pra, qëndron në shfrytëzimin e kësaj “ndarjeje” (ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes) dhe zbrazësisë së krijuar prej saj. Kjo konsiston në gjetjen e mënyrave për të vazhduar tutje, edhe nëse ajo përfshin suspendimin e një strategjie ekzistuese, pa e ‘ditur se ku po shkon.’

Kjo nuk është ekuivalent i dorëzimit, përkundrazi, shenjat e dorëzimit apo lodhjes së konceptit shfaqen atëherë kur mendohet se në rrethana të reja, mund të vazhdohet me aparatin konceptual dhe metodologjik të kaluar. Pranimi i përfundimit të një sekuence është parakushti i kontinuitetit në sekuencën që tashmë po vjen.

(Autori është PhD në filozofi dhe profesor i filozofisë)