Kronologjia e Zajednicës u është e njohur edhe atyre që kanë votuar e që ende janë të ulur në Kuvend; e edhe atyre që tash merren me media, universitete e punë të tjera jashtë Kuvendit. Por mbi të gjitha i është e njohur Memli Krasniqit, për shkak se ish-shefi i tij në Parti e në Qeveri ishte nënshkruesi i saj. I është e njohur edhe Lumir Abdixhikut, ngase ish-shefi i tij në Parti, i cili edhe e bëri deputet fillimisht, kishte qenë nënshkrues i marrëveshjes kundërkushtetuese. Si shefa partish, bartin përgjegjësi të tërthortë edhe për gabimet e paraardhësve të tyre
Lajmi i javës 1: KOHA shkroi për caktimin e një precedenti shumë të rrezikshëm për sigurimin e barnave pa garanci cilësie. Zbatimi, përkatësisht, interpretimi i gabuar i një udhëzimi administrativ kishte për t’i kushtuar 7 milionë euro buxhetit të Kosovës për sigurimin e insulinës. Por, për më keq, ka mundur t’i kushtonte me shëndet kushedi sa pacientëve që vuajnë nga diabeti, për shkak se do të furnizoheshin me barna që nuk do të kishin asnjë garanci cilësie – pra se edhe do të mund të prodhoheshin edhe në ndonjë kuzhinë, e të shiteshin për bar.
Dy ditë mbas raportimit, tenderi milionësh u anulua, pas reagimit të vetë kryeministrit e më pas edhe të u.d. ministres së Shëndetësisë. Është mirë ta shohësh fuqinë e një mediumi që argumenton shkeljet e rreziqet, e më pas që këto argumente të merren për bazë për veprime konkrete.
Lajmi i javës 2: Dje, me një procedurë super të përshpejtuar të Këshillit Drejtues të UP-së, u shkarkua rektori Naser Sahiti. Një ditë më herët, ky e kishte paraqitur në Këshillin Etik një profesor të UP-së për plagjiaturë. E ky profesor, që nga 1 tetori i sivjetmë, është edhe anëtar i zgjedhur i Këshillit Drejtues të UP-së. Pra njëri nga ata 8 anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së që e shkarkuan rektorin, pa e dhënë asnjë argument të vetëm nëse ka pasur keqmenaxhim, e nëse ka pasur, cilat kanë qenë pasojat. U caktua një u.d. e rektores (sinqerisht nuk e kuptoj përse) dhe u shpallën zgjedhjet për rektorin e ri.
“Shkapje” e institucioneve i thënçin!
Lajmi i javës 3: Doli një draft për statutin e Zajednicës që rrodhi nga qarqet perëndimore e që qarkullon me titullin "drafti gjerman", që duket të jetë pjesërisht vepër e një fondacioni të një partie politike gjermane që drejton Qeverinë në Berlin.
Përmbajtja e këtij drafti është e keqe. Është thuajse replikë e gjithë atyre kapitujve të marrëveshjes nënshkruar nga Isa Mustafa më 2015-n, që Kushtetuesja i ka shpallur antikushtetuese.
E me gjithë faktin se në asnjë vend nuk u tha se ky është propozim i Qeverisë gjermane dhe se ky do t’iu jetë qarkulluar të interesuarve zyrtarisht, dje në konferencë shtypi doli kryetarja Osmani dhe e shpalli fake news dhe tha se nuk kishin marrë asnjë propozim gjerman, ndërkohë që njëkohësisht thotë se e përkrah nismën franko-gjermane, të cilën, natyrisht, askush nuk e di se çfarë konkretisht nënkupton.
E nuk e besoj se mund të dihet, përderisa nuk ka komunikim nga kryetarja e shtetit, si simbol i unitetit, me të gjitha partitë politike që e bëjnë Kuvendin e Kosovës. E këso takimesh do të duhej të kishte, ngase bëhet fjalë për një çështje të rëndësisë kulmore për Kosovën. Do të duhej të kishim mësuar tashmë nga përvoja e së kaluarës, ku i gjithë procesi i “normalizimit” u monopolizua nga një njeri: Hashim Thaçi.
* * *
Para një jave erdhi Lajçaku. Këtë javë erdhi Escobar. Nuk kuptuam shumë nga ajo që u fol me Kurtin dhe Osmanin, por e dëgjuam kërkesën që të shtyhej zbatimi i vendimit për letërnjoftimet e targat. Kjo u pasua dje nga një kërkesë e re nga BE-ja, me të njëjtën përmbajtje: që procesi i targave të shtyhej për 10 muaj. Se përse 10 muaj, e jo dy apo pesë, nuk u tha, pos që u tha se duhej organizuar fushatë ndërgjegjësimi, ashtu që njerëzit të kuptonin se përse duhej nxjerrë letërnjoftimet e Kosovës dhe përse targat ilegale duheshin zëvendësuar me targat e Kosovës.
Absurde kjo kërkesa për ndërgjegjësim, se edhe po të organizoheshin 500 fushata, problemi nuk është në Kosovë, por problemi është në Beograd. Nëse duan të na thonë se ky është një koncesion që duhet bërë për të ecur një hap para, do të ishte më mirë t’u shmangen pallavrave diplomatike e të tregojnë konkretisht pse duhet lëshuar pe ndaj inatit patetik të Vuçiqit.
Edhe Osmani, edhe Qeveria janë deklaruar kundër shtyrjes, por nuk e besoj se do të mund të bëjnë ndonjë gjë më shumë pa rrezikun që situata të përshkallëzojë po qe se Vuçiqi ashtu vendos.
Të kujtojmë se dy serbë që kishin vendosur t’i regjistronin veturat e tyre me targat e Kosovës dhe pas disa orësh mbetën pa to se ua dogjën. Por nuk dëgjova asnjë reagim të askujt në BE që do ta dënonte këtë vandalizëm.
T’u kthehemi vizitave të emisarëve. Ajo që jo vetëm po nuhatet, por edhe po përsëritet është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që u bë obligim ndërkombëtar në çastin kur Kuvendi i Kosovës e miratoi Marrëveshjen “historike” të 2013-s.
Pra, çështja kyç që çon drejt përfundimit të dialogut me Serbinë është nëse Kosova do të lëshojë pe dhe do të pranojë themelimin e autonomisë serbe në Kosovë – një punë që nuk është dashur as të vihet në rend të ditës, e lërë më të pranohej me nënshkrim.
* * *
Historia e Zajednicës tashmë dihet. Por për rifreskim do të duhej kujtuar disa data e detaje.
Gjashtë javë para se të nënshkruhej marrëveshja, KOHA tashmë e kishte bërë të ditur se ajo që po përgatitej për nënshkrim në Bruksel shkonte përtej një asociacioni në trajtë të OJQ-së, për shkak se për ta themeluar një OJQ nuk duhet traktat ndërkombëtar.
Më 19 prill 2013 do të nënshkruhej “Marrëveshja Historike” mes Thaçit e Daçiqit dhe aty do të përvidhej qartazi themelimi i autonomisë serbe në Kosovë.
Më 25 maj 2013, pa e përfillur fare Kuvendin e Kosovës, Thaçi ia konfirmon Ashtonit se Kosova e pranonte Planin për zbatimin e marrëveshjes. Me gjithë miratimin e rezolutës nga Kuvendi për dialog, komisionet parlamentare, kurrë, asnjëherë, nuk u përfshin në këtë proces.
Më 27 qershor 2013, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen, duke i dhënë karakter ndërkombëtar me zbatim të detyrueshëm. Në seancë morën pjesë 88 deputetë. 84 votuan për: thuajse të gjithë deputetët e PDK-së; mbi gjysma e deputetëve të LDK-së, thuajse të gjithë deputetët e AAK-së, të gjithë deputetët serbë dhe të gjithë deputetët e pakicave të tjera. Asnjë deputet i VV-së nuk votoi, ngase ishin përjashtuar nga salla. Në fakt ishin tërhequr me dhunë prej aty nga policia, pasi me ngulm tentonin që ta pamundësonin votimin.
Më 25 gusht 2015, Isa Mustafa, në cilësinë e kryeministrit, mbikëqyrur nga Hashim Thaçi, nënshkroi edhe katër marrëveshje, ndër to zbërthimi i Zajednicës, që sipas Mustafës nuk do të ketë fuqi ekzekutive, e që sipas Beogradit do të ketë.
Më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese i shpall kundërkushtetuese madje 7 kapituj të Marrëveshjes së dytë, por nuk mund ta zhbëjë atë që tashmë e kishte katranosur Thaçi më 2013.
Datat e shënuara më lart e besoj u janë të njohura edhe atyre që kanë votuar e që ende janë të ulur në Kuvend; e edhe atyre që tash merren me media, universitete e punë të tjera jashtë Kuvendit, por mbi të gjitha i janë të njohura Memli Krasniqit, për shkak se ish-shefi i tij në Parti e në Qeveri ishte nënshkruesi origjinal i saj.
I janë të njohura edhe Lumir Abdixhikut, ngase ish-shefi i tij në Parti, i cili edhe e bëri deputet fillimisht, kishte qenë nënshkrues i marrëveshjes kundërkushtetuese.
Pa dyshim i janë të njohura edhe Ramush Haradinajt, por ky për dallim nga dy të parët, bile e pranoi ftesën për t’u takuar me Kurtin në lidhje me procesin e dialogimit, pa vënë kusht tjetër, pos që marrëveshja përfundimtare ta ketë edhe vulën e Amerikës. E besoj se është shumë i vetëdijshëm për gabimin që e bënë deputetët e tij kur e dhanë votën për ratifikim.
Kosova mund të vazhdojë të funksionojë me politikën e saj të inateve edhe kushedi sa kohë, por kur dikur të këndellen dhe të vendosin ta harrojnë zakonin, mbase më nuk do të ketë Kosovë në këtë trajtë.
Papërgjegjësia politike e një njeriu, Hashim Thaçit, e solli Kosovën në situatën kur duhet vendosur nëse do ta cungojë ende sovranitetin e vet apo do ta mbrojë edhe me dhëmbë po u desh.
Papërgjegjësia kolektive e 63 deputetëve shqiptarë që votuan për ta ratifikuar këtë marrëveshje tash kërkon shpagimin me përgjegjësinë politike të këtyre tri partive parlamentare dhe liderëve të tyre.
Sidomos, meqë janë këta tre liderë që këtë Qeveri e quajnë të “praktikantëve”.
Meqë këta kanë më shumë përvojë, do të duhej përdorur atë për të dalë të suksesshëm nga pozita në të cilën është futur Kosova për teke personale dhe, natyrisht, inate.