OpEd

Improvizimi

Dialogu i rifilluar me pompozitet në Bruksel duket se po shndërrohet në një proces të improvizuar dhe impotent. Arsyet për këtë janë objektive dhe kanë të bëjnë me nxitimin e panevojshëm për t’i sjellë palët në tavolinë dhe me vetë palët dhe atë çfarë përfaqësojnë ato në tavolinën e Brukselit.

Në kohën kur Kosova po përballet me fazën më të rëndë të pandemisë, urgjenca e kryeministrit Hoti për ta top-prioritizuar si çështje dialogun me Serbinë, po e shpërfaq atë si një person që nuk është në kontakt me realitetin e vështirë që është krijuar në Kosovë, e që në masë të madhe është edhe pasojë e vetë projektit politik, në të cilin ai bën pjesë.

Me heqjen e masave kufizuese që në ditët e para të qeverisjes, me mungesën e përgatitjes dhe dijes për t’u përballur me pandeminë dhe me arrogancën e juristit Zemaj që pretendon të luajë rolin e ministrit të Shëndetësisë, në periudhën më të rëndësishme të kësaj ministrie që nga paslufta, Qeveria Hoti ka zhbërë tërë punën e suksesshme të Qeverisë Kurti për uljen e lakores së rasteve aktive dhe hyrjen graduale në një normalitet të ri.

Nga ditët e para të qeverisjes së Hotit, kur në Kosovë ishin nga 10-20 raste të reja në ditë, situata degradoi me shpejtësi në ditë në të cilat i kemi nga 150-250 raste. Në një gjendje të tillë alarmante shëndetësore supozimi do të ishte që kryeministri shqetësim primar do të duhej ta kishte menaxhimin sa më të mirë dhe eventualisht tejkalimin e pandemisë.

Por, ajo çfarë është parë deri më tash ka qenë një preokupim obsesiv për realizimin e video-konferencave dhe takimeve me Vuçiqin. Përveç këtij dimensioni të raportit të Qeverisë Hoti me qytetarët, në kontekstin e dialogut me Serbinë, shqetësuese është edhe çështja se kë përfaqëson Avdullah Hoti në këtë dialog. Gjeneza e qeverisë së tij është thelbësisht ilegale dhe ilegjitime. Pas ndërrimit të qëndrimeve me të cilat subjekti i tij garoi në zgjedhjet e fundit dhe pas eliminimit politik të kandidates për kryeministre nga partia e tij, Hoti arriti të zgjidhet kryeministër vetëm pas presionit të paparë më herët të presidentit mbi deputetët e Kuvendit, në orët e para pasmesnatës para seancës së Kuvendit. Gjithashtu, deputeti i cili ia mundësoi shumicën tashmë ishte i dënuar për krime ekonomike. Me një krijim të tillë kaq të kontestueshëm, Hoti

është i papranueshëm për qytetarët dhe nuk do të arrijë të krijojë konsensus kombëtar për dialogun me Serbinë. Rezultati i mospërparimit drejt konsensusit kombëtar sigurisht që nuk nënkupton status-quo, por regres edhe të mëtutjeshëm.

Në kontekstin e dialogut, çarjet e para publike përbrenda Qeverisë u shfaqën kur kryeministri Hoti shkoi në Bruksel me një delegacion që në kuptimin protokollar e përmbajtjesor është optimal për vizitë kortezie, por assesi për diskutimin e çështjeve historike. Në delegacione të tilla gjithnjë duhet të jetë pjesë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, veçanërisht kur takimi bëhet me përfaqësuesit e Serbisë. Pak ditë pas takimit në Bruksel, ministrja Haradinaj shkroi se nuk është pajtuar me suspendimin e përpjekjes për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Një reagim shumë i vonshëm, por gjithsesi një simptomë e mungesës së konsesusit edhe përbrenda Qeverisë.

Dy ditë para takimit të radhës në Bruksel, Hoti thirri një Forum të Liderëve Politikë të vendit dhe përfundoi në takim me dy ministra të tij, nënkryetarin e partisë së tij dhe dy-tre zyrtarë të partive të tjera nga niveli i mesëm përfaqësues. Përgjatë këtij takimi, që u shndërrua në shënjues të mungesës së konsensusit, Hoti zyrtarizoi sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të partisë së tij si koordinator për dialogun, pa sqaruar kompetencat dhe qëllimet të cilat do t’i ketë ai. Pa legjitimitet e me qeverisje ilegale, Hoti nuk po arrin të krijojë konsensus as brenda qeverisë që ai drejton. Një mungesë e tillë legjitimiteti mund të përkthehet në impotencë të procesit të dialogut në Bruksel, por në anën tjetër përbën rrezik të madh për interesat e Republikës së Kosovës.

Historikisht kemi mësuar se elitat të cilat udhëheqin një vend pa mbështetje popullore, e veçanërisht ato të vendeve më të dobëta në kuptimin ekonomik, politik e ushtarak, synojnë ta kompensojnë mungesën e mbështetjes së brendshme duke bërë kompromise të dhimbshme jashtë vendit, në përpjekje për të legjitimuar vetë ekzistencën e tyre jolegjitime e jopopullore. Pra, ta mbushin hapësirën që lë mungesa e mbështetjes së qytetarëve, me mbështetje nga faktorë të jashtëm për shkak të lehtësisë së kompromisit në negociata me ta. Për këtë jemi të gjithë dëshmitarë të veprimeve të fundit të Qeverisë Hoti, të

mbështetura edhe nga presidenti i vendit. Tri ditë pas krijimit të koalicionit, Hoti hoqi reciprocitetin si parim ndërkombëtar në marrëdhëniet me Serbinë. Një absurditet i tillë është vështirë të shpjegohet. Por, sado absurde të jetë, dëmi i rëndë dhe shumë konkret është bërë sepse pas këtij vendimi pozicioni i Kosovës ka rrëshqitur më shumë drejt Kushtetutës së Serbisë, sesa që ka konsoliduar zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, disa ditë para takimit të parealizuar në Washington DC, Hoti suspendoi subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke ndaluar çfarëdo aplikimi në organizata ndërkombëtare. Ky vendim e bëri të panevojshëm angazhimin dhe shpenzimin e kohës, mjeteve financiare dhe energjisë që ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, po bënte për ta penguar Kosovën në këtë proces. Pra, punën e angazhimin e këtij të fundit, Hoti e përmbushi me një vendim të qeverisë së tij. Nuk mund të trajtohet seriozisht një kryeministër i tillë, i cili largon reciprocitetin si parim të marrëdhënieve ndërkombëtare në raport me Serbinë, duke theksuar që po e bën këtë në mënyrë që në fund të dialogut t’i arrijë marrëdhëniet e barabarta me Serbinë.

Aq më pak mund të trajtohet seriozisht një kryeministër i tillë, i cili suspendon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke theksuar që po e bën këtë në mënyrë që në fund të dialogut ta anëtarësojë Kosovën në OKB. Vendimet e tilla kanë sabotuar pozicionin negociues të Kosovës, sepse kujtojmë që këto nuk u morën si kompensim për lëshime eventuale nga ana e Serbisë, por u morën në fazën e para-negociatave, përderisa Serbia vazhdonte luftën e saj diplomatike kundër Kosovës. Një situatë e tillë sigurisht që mund të arsyetohet me mungesën e dijes dhe vullnetit për t’u përgatitur për këtë proces. Por, kjo është edhe simptomë e qartë e kompromiseve të mëdha në dialog, si kompensim për mbështetjen e vogël në vend.

Në anën tjetër të tavolinës është presidenti i Serbisë, Vuçiq, një autokrat i cili tashmë ka nën kontroll 2/3 e Kuvendit të Serbisë, pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita si pasojë e mungesës së demokracisë dhe kapjes së shtetit nga ana e tij. Situata e përçudnuar në dialogun e Brukselit qëndron edhe në faktin që Vuçiq ka në dorë edhe Qeverinë e Hotit, nëpërmjet

Listës Serbe. Përderisa Hoti përfaqëson pakicën e shqiptarëve, por edhe pakicën në Kuvend, pa Listën Serbe qeveria e tij mbetet me vetëm 50 vota përbrenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo situatë e bën të pakuptimtë dialogun në Bruksel, kur Vuçiq rolin e tij të autokratit në Serbi arrin ta luajë edhe brenda dialogut në zyrat e BE-së. Dialogu me Serbinë nuk mund të jetë prioritet i Kosovës, veçanërisht në periudhën më të rëndë të pandemisë, e cila u ka dalë nga kontrolli Qeverisë dhe institucioneve shëndetësore të vendit.

Gjithashtu, për një dialog të tillë nevojitet legjitimitet politik, përgatitje e qëndrueshmëri dhe konjuktura aktuale politike ka mungesë të legjitimitetit e përgatitjes dhe, si rezultat i kësaj, edhe të qëndrueshmërisë. Me një qeveri të vendosur në pushtet nëpërmjet akrobacioneve politike në kohën pandemie; një qeveri e pakicës shqiptare dhe e pakicës së Kuvendit; dhe një qeveri e cila varet nga votat e Listës Serbe e cila publikisht u zotua se në dialog do të jetë në anën e Vuçiqit dhe do t’i mbrojë interesat e Serbisë, nuk mund të garantohet proces serioz dialogues dhe barazi mes palëve.

Në këtë situatë, në rastin më të mirë, dialogu i Brukselit mund të jetë riprodhim i dialogut të vitit 2011, me marrëveshje të pjesshme e teknike, të cilat nuk e përmirësojnë jetën e askujt. Ndërsa, në rastin më të keq mund të rezultojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të dëmshme për Kosovën, e cila në fund do të mbetet e paimplementuar, për shkak të pafuqisë politike të Hotit për ta bërë këtë.

Parakushti primar për suksesin eventual të negociatave të Brukselit është barazia mes palëve dhe kjo barazi nuk mund të arrihet nëpërmjet Hotit. Në këto kushte, Kosovës i nevojiten zgjedhjet e përgjithshme. Më 6 tetor, qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë ndryshuar pakthyeshëm kursin politik të vendit dhe ky ndryshim aktualisht po pamundësohet nga Qeveria Hoti dhe nga PDK-ja si mbështetëse e saj nga ulëset e opozitës. Prandaj, qytetarët sot po kërkojnë zgjedhje nëpërmjet peticionit më të madh të nënshkruar ndonjëherë në Kosovë. Demokracia që po kërkojnë qytetarët është domosdoshmëri, sepse ajo sjell barazinë brenda vendit dhe barazinë me vendet e tjera.

(Autori është Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje)