Nuk u mbush as edhe një vit dhe ministri i Shëndetësisë “ngriti flamurin e bardhë”, tek e pa se nuk është i lehtë shpështjellimi i lëmshit në shëndetësi. Ironike që Latifi jo që nuk arriti ta frenonte ikjen e trurit, por në fund iku edhe vetë
Nga SHBA-ja erdhi me plot entuziazëm. Qysh në ditën kur u emërua ministër, në krye të një dikasteri të shpërfillur ndër vite, luftë i shpalli një fenomeni që kishte nisur ta gërryente sistemin e shëndetësisë, edhe ashtu të pllakosur. Tha se do ta ndalonte “ikjen e trurit”. Madje, ky ishte premtimi i tij i parë. Ama, ministri Rifat Latifi nuk u mjaftua me aq. Premtoi se do t’i përvilte mëngët e t’i bënte zgjidhje katrahurës në shëndetësi. Shpresonte se shëndetësinë do ta kthente në atë gjendje që t’i bindte specialistët e ikur të ktheheshin në vendin e tyre. Kishte pritje të mëdha se Rifat Latifi, kirurg me renome, do ta fuste shëndetësinë në binarë, në rrugën e duhur...
Por, nuk u mbush as edhe një vit dhe ministri i Shëndetësisë “ngriti flamurin e bardhë”, mbase edhe i vetëdijshëm që lëmshi në shëndetësi është më i madh se që e kishte paramenduar. Ironike që ministri jo që nuk arriti ta frenonte ikjen e trurit, por në fund iku edhe vetë.
Në këtë vit jo të plotë të të qenët në krye të Shëndetësisë, famë bëri për udhëtimet. Madje i ishte dhënë edhe nofka “ministri i udhëtimeve”. SHBA-ja, Greqia e Austria ishin ndër destinacionet e tij më të përmendura. Në takimet jashtë vendit madje fliste edhe për liberalizim vizash. Nuk kishte rëndësi se çfarë trajtohej në seminaret e konferencat ku merrte pjesë dhe sa përkonin ato me realitetet e shëndetësisë kosovare. Fundja, “edhe në Greqi po ikin mjekët”, si tha vetë.
***
Derisa ministri ndodhej në aeroplan, problemet në Kosovë rëndoheshin. Largimi i profesionistëve mjekësorë vetëm sa mori hov. U rrit numri i mjekëve që mësyjnë Evropën apo institucionet private, duke i lënë ato publiket, në kërkim të kushteve më të mira.
Të shumta kanë qenë këto javë raportimet në KOHË për ikjen e anesteziologëve, fenomen ky që rrezikon ta paralizojë tërë shëndetësinë. U raportua se për tre vjet kanë ikur afro 20 për qind të anesteziologëve, derisa QKUK-ja po funksionon me vetëm 48 në vend të 120 anesteziologëve, sa i duhen për të qenë plotësisht funksional ky shërbim. Në këtë mes, nuk është se ministri nuk u mundua të gjejë zgjidhje: U kërkoi ndihmë anesteziologëve të pensionuar.
Tek muajt kalonin, ministri Latifi mbase e kishte kuptuar se entuziazmi i tepërt e kishte përcjellë në ditën kur mori detyrën. Nisi të bënte thirrje për durim, tek jepte afate pesë apo dhjetëvjeçare për kthimin në binarë të shëndetësisë.
“Problemet në shëndetësi nuk zgjidhen brenda natës”, tha ai.
Një konstatim i tillë nuk do shkencë. Nevojitet kohë për shpështjellimin e lëmshit në shëndetësi, të krijuar nga neglizhenca e keqpërdorimet ndër vite. Një lëmsh i tillë qytetarëve u ka kushtuar me blerje terapish të shtrenjta, në mungesë barnash esenciale. Nëpër institucionet shëndetësore në Kosovë ka raste kur mungojnë edhe gjërat elementare. Listat e pritjeve vazhdojnë e nganjëherë vetëm sa zgjaten.
Mungesa e infrastrukturës, e rrjedhimisht edhe e shërbimeve, bën shpesh që pacientët të paguajnë shuma të mëdha për t’u trajtuar në institucione private, apo edhe jashtë vendit. Borxhet e Fondit për trajtim jashtë vendit janë milionëshe, si pasojë e keqpërdorimeve ndër vite.
Kaosi i tillë zor të zgjidhej nga aeroplani, ku mund ta gjejë më së shpeshti ministrin.
***
Partia në pushtet mund ta ketë pasur nominalisht prioritet shëndetësinë, por një gjë e tillë nuk u pasqyrua me buxhet e angazhim.
Nuk u pasqyrua as me stabilitet, kur është në pyetje vetë drejtimi i dikasterit: Kosova tani është në pritje të ministrit të tretë të Shëndetësisë të Qeverisë Kurti.
I pari ministër qëlloi në kohë pandemie, kur ishte prioritet luftimi i saj. Fushata e vaksinimit mbase është një nga të paktat storie suksesi. Por, suksese e tjera nuk është se mund t’i numërosh.
Përballë një gjendjeje të tillë, Qeveria rishtazi formoi Komision Ekzekutiv për Shëndetësi, ku kryesues është kryeministri. Latifi tha të mos i ishte prishur qejfi. Ky komision, si pretendonte ai, nuk ia zbehte pozitën. Por, pak më tepër se dy javë që nga themelimi i atij komisioni, ministri, që erdhi me aq shpresë të madhe, vendosi të dorëhiqet. Pas vetes la një bilanc jo aq mbresëlënës, ani që synimet i kishte të mëdha. Ama, gjatë 11 muajve në krye të tij nuk kaloi asnjë ligj. Në këta 11 muaj, shëndetësia publike nuk është se ka pasur ndonjë përmirësim. Mungesat e barnave vazhdojnë, e trendi i largimit të mjekëve nga sistemi publik vetëm sa është bërë më i furishëm...
Shëndetësisë mbase i duhet një menaxher i mirë, e jo një mjek i shquar.