OpEd

Ide për ecje prapa në dialog, e jo për normalizim të plotë të raporteve

Idetë që të hiqet dorë nga njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë si qëllim i dialogut, qoftë edhe për një periudhë dhjetëvjeçare, sikur edhe ajo që të mos synohet anëtarësimi në OKB, janë ide për kthim prapa në dialog. Kosova dhe Serbia mund të jetojnë edhe pa e njohur njëra-tjetrën. Mund edhe të kenë disa lloj raportesh. Por nuk mund të kenë raporte normale

Në një proces në të cilin mungesa e transparencës është sikur sëmundje kronike, e i tillë është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që me “lehtësimin” e BE-së zhvillohet në Bruksel, ka shumë hapësirë për plasimin e ideve, dokumenteve, strategjive, kornizave apo planeve me qëllime të ndryshme, adresa, qëllimet e të cilave nuk mund të zbulohen asnjëherë.

Dialogu që nga nisja e tij e pati krijimin e rrethanave për plasimin e versioneve të ndryshme si mangësi kryesore, e ndoshta edhe të qëllimshme. Dhe jemi mësuar tashmë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shprehin qëndrime dhe interpretime të ndryshme, shpesh diametralisht të kundërta, për gjërat e njëjta. Dhe jemi mësuar që BE-ja të mos pranojë “të futet në mes” dhe të sqarojë se kush e thotë të vërtetën. E kur BE-ja bën tentime për të “sqaruar” apo për të hedhur poshtë, apo për të konfirmuar diçka, kjo nuk i shkon. Sepse nuk është e qartë.

Kështu ndodhi edhe javën e shkuar kur portali “Albanian Post” botoi një artikull që bazohet në një “kornizë” të pretenduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja tentoi ta injorojë atë dokument. Por injorimi në rrethanat e sotme kurrsesi nuk mjafton që diçka të hiqet nga rendi i ditës. I saktë apo jo, autentik apo jo, serioz apo jo, ai dokument pati efekt të madh në tërë rajonin, por edhe më gjerë. Ishte edhe një shembull se si në ditët e sotme nuk mjafton ta konsiderosh një gjë “lajm të rremë”, apo “dokument që nuk ekziston” e ai të zhduket menjëherë nga diskursi publik.

Jo vetëm që idetë e përmendura në atë tekst të gazetës, që thirret në tekstin e kornizës, prapa së cilës pretendon se qëndrojnë Franca dhe Gjermania, u bënë dominuese në diskursin publik për një javë, por ato do të vazhdojnë të jenë në krye të diskursit në javët dhe muajt në vazhdim, derisa të mos dael ndonjë “dokument” apo “strategji” apo “kornizë tjetër”.

Sepse as mohimet nuk janë bindëse. Vizita të shpeshta të të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, në Kosovë dhe Serbi, takime në New York, prania fizike në disa prej këtyre vizitave e zyrtarëve të lartë nga SHBA-ja, e pastaj edhe Gjermania e Franca, nuk mund të përkufizohen si “takime ku u eksploruan opsionet për vazhdimin e dialogut”. As nuk mund të mohohet ekzistimi i një dokumenti me përgjigjen “si parim dhe rregull e përgjithshme, BE-ja nuk i komenton dokumentet e supozuara, qoftë autenticitetin e tyre apo përmbajtjen”. Në të gjitha këto vizita diçka është diskutuar, disa ide është dashur të jenë prezantuar. Ndoshta ka pasur, apo edhe nuk ka pasur dokumente të prezantuara me shkrim. Por në këtë moment nuk shohim gatishmëri për transparencë nga ana e BE-së, as nga Qeveria e Kosovës, e as nga zyrtarët e lartë nga Parisi e Berlini.

Ndoshta vërtet për procesin nuk është mirë të flitet shumë në publik. Kjo e ka një emër: mungesë e transparencës.

Nuk mund të quhet transparencë ajo që bën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai më së shumti ka folur për këtë “kornizë të re” apo, siç e ka quajtur ai “armaturë të re” të dialogut. Por ai e ka bërë këtë duke manipuluar shumë. Ai ka thënë se ndodhet nën presion të madh, ndërsa për “dokumentin” ka thënë se “ata ia kanë dhënë, por nuk e ka marrë”. Pastaj ka thënë se “e ka lexuar, por ka refuzuar ta merr”. Më vonë se “e ka lexuar, por nuk e ka mbajtur mend krejt atë që aty shkruan” dhe në fund, kur është pyetur se “ku është ai dokument tash” e është përgjigjur se “ai po pret që ta marrë”.

Ka dokumente që shpesh rrjedhin në publik, ndonëse janë “të kufizuara”, “interne” apo edhe “konfidenciale”. Por shpesh të tillat mund të dihet se nga vijnë, në cilën formë janë. Dokumentet e tilla jozyrtare shpërndahen shpesh në formën e “non paperave”, “drafteve” apo “Ad Memoare”. Në bazë të gjuhës së përdorur, përdorimit të termeve, përmbajtjes shpesh edhe mund të kuptohet pak a shumë se nga cilat adresa kanë mundur të vijnë dokumentet e tilla. Shpesh mediat që i botojnë e dinë se nga vijnë, dhe sa janë të besueshme, por kanë të drejtë ta mbajnë sekret burimin e tyre. Sepse kur rrjedh një dokument nuk është përgjegjësi e gazetarëve që të mos e bëjnë publik. Për më tepër, nëse mendojnë se është në interes të publikut, e kanë obligim ta botojnë, gjithmonë duke e ruajtur burimin dhe duke mos e përdorur për manipulime.

Ky dokument, për nga gjuha e përdorura me një probabilitet të madh mund të thuhet se nuk është shkruar nga BE-ja, sidomos jo nga dikush që është i angazhuar në procesin e dialogut.

Sepse në BE askush nuk do të “premtonte” se, në rast se pranon marrëveshjen, “Serbia do të shpallej lidere politike dhe ekonomike në rajon”. Nuk është politika ndërkombëtare një garë ku dikush dikë e shpall kampion. E BE-ja nuk mund të shpallë kampion. Në anën tjetër, shumë e dyshimtë është edhe thënia se “vendet e rajonit do të shkonin në bllok drejt integrimit në BE”. Kjo do të ishte në kundërshtim me parimin kryesor të procesit të zgjerimit, e ai është qasja individuale në proces ku secili kandidat do të vlerësohej në bazë të meritave të veta. Dhe dallimi është aq i madh, saqë askush nuk mendon më për “paketë të përbashkët” në procesin e zgjerimit. Mali i Zi është më i avancuari, ka hapur të gjithë kapitujt. Shqipëria dhe Maqedonia janë disa vjet prapa dhe sapo i kanë nisur negociatat. Bosnjë-Hercegovina nuk ka as mendim për status kandidati, ndërsa Kosova as që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Pra, vështirë që dikush në BE do të mendonte të krijonte tash një bllok prej 6 shteteve, i cili në paketë do të ecte drejt integrimit në BE.

Janë disa terme që më së shpeshti përdoren nga Serbia si “Prishtina” dhe “Beogradi” apo “Qeveria Kurti”. Sepse në BE, sidomos në shkëmbimet e brendshme joformale, përmenden Kosova dhe Serbia, apo Qeveria e Kosovës, e jo emrat e kryeqyteteve.

Por pa marrë parasysh besueshmërinë e këtij dokumenti nuk ka dyshim se disa nga idetë e përmendura aty janë duke u shqyrtuar. Së paku nga ana e disa pjesëmarrësve në dialog.

E ato ide nuk janë në favor të arritjes së shpejtë të një zgjidhjeje, por më shumë kanë për qëllim për të vonuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve dhe për t’i ndihmuar presidentit të Serbisë, Vuçiq që, së paku për një periudhë, të heqë qafe dy tema për të cilat muajve të fundit është rritur presioni. E para është njohja e ndërsjellë, ndërsa e dyta që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Njohjen e ndërsjellë, si qëllim të dialogut, e ka përmendur shumë kohëve të fundit administrata amerikane, por edhe Gjermania, shumë shtete të BE-së, si dhe Parlamenti Evropian. Pranimi i një zgjidhjeje “kalimtare” sipas së cilës “njohja do të vijë në rend dite pas 10 vjetësh, do të ishte një lehtësim i madh për Vuçiqin.

Anëtarësimi i Kosovës në OKB ka qenë një prej qëllimeve vitin e kaluar. Por kjo ka qenë në kohën kur akoma nuk kishte shpërthyer armiqësia mes Rusisë dhe pjesës demokratike të botës. Edhe në BE pranonin se nga Serbia do të kërkojnë që të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB. Dhe nga kjo kërkesë nuk kanë hequr dorë. Nëse Serbia do të pajtohej, ndërsa Rusia nuk do të lejonte, kjo do të ishte një gjë tjetër. Por nga Serbia pritej që qartë të shprehej se nuk është kundër. Heqja dorë nga kjo kërkesë do t’ia lehtësonte shumë Serbisë situatën, sepse ajo nuk do të kishte nevojë që në mënyrë specifike të kërkojë me shkrim nga Rusia që të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ato që përmenden se janë “kërkesa” nga Serbia, siç është “pranimi se Kosova është realitet politiko-ligjor” në vend të njohjes, nuk është diçka e re. Madje, nëse asgjë tjetër, ky dialog mes të tjerash ka ndihmuar që Serbia ta pranojë këtë realitet. Serbia ka pranuar se Kosova ekziston si territor ku ajo nuk e ushtron pushtetin. Serbia dhe të gjitha shtetet e BE-së, pa marrë parasysh se a e kanë njohur Kosovën apo jo si shtet, në mënyrë formale duke vendosur me të marrëdhënie diplomatike, kanë pranuar se Kosova është “entitet i veçantë”. Kosova, për shembull, ka Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në me territor që nuk është nën administrimin e Serbisë. BE-ja e ka nënshkruar këtë marrëveshje pa paragjykuar qëndrimet e vendeve anëtare ndaj statusit. Edhe Serbia ka një MSA me BE-në, e cila nuk përfshin territorin e Kosovës. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Serbisë nuk përfshin ata që jetojnë në Kosovë, edhe nëse janë formalisht shtetas të Serbisë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë që dëshmojnë se Serbia, ndonëse nuk e njeh Kosovën, ka pranuar se Kosova ekziston si entitet, ku ajo nuk ka kompetenca. Prandaj kjo kërkesë nuk do të ndryshonte shumë krahasuar me realitetin e tashëm.

Ndërsa edhe BE-ja, sado e përmbajtur që është, ka thënë disa herë se dialogu nuk është “për statusin e Kosovës” e as “për çështjen e Kosovës” siç flitet në Beograd, por është për “normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Pra, për BE-në, edhe për shtetet që e kanë njohur, edhe ato që nuk e kanë njohur, Serbia dhe Kosova janë dy entitete të ndara.

Idetë që të hiqet dorë nga njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë si qëllim i dialogut, qoftë edhe për një periudhë dhjetëvjeçare, sikur edhe ajo që të mos synohet anëtarësimi në OKB, janë ide për kthim prapa në dialog. Kosova dhe Serbia mund të jetojnë edhe pa e njohur njëra-tjetrën. Mund edhe të kenë disa lloj raportesh. Por nuk mund të kenë raporte normale.

Edhe ideja që “Serbia të ketë qëndrim pasiv” ndaj anëtarësimit të Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, apo UNESCO e Interpoli, duket paksa i ekzagjeruar. Gjithsesi pajtimi i Serbisë, qoftë edhe i heshtur, do të ndihmonte në këtë drejtim. Por edhe në rast se Serbia nuk pajtohet, Kosova prapë mund dhe me gjasë do të bëhet anëtare e këtyre organizatave. Sepse në to vendimet merren me shumicë e jo doemos me konsensus. Kosova tashmë është anëtarësuar në disa organizata, edhe pse Serbia fuqishëm e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Nëse i ka votat në favor, Kosova mund të anëtarësohet në shumë organizata, sidomos evropiane, me apo pa pajtimin e Serbisë.

Ajo që dialogu tash ka më së paku nevojë, pas dështimeve më shumë se dhjetëvjeçare, është hyrja e tij në një status quo të re. E idetë për zgjidhje kalimtare, apo të përkohshme, nuk e zgjidhin problemin, por vetëm e vonojnë atë, duke krijuar hapësirë edhe në terren për tensionime të njëpasnjëshme, siç edhe kanë ndodhur në dhjetë vjetët e fundit dhe siç ndodhin edhe sot. Logjika se “nuk duhet të pajtohemi për statusin e Kosovës” po “mund të bashkëpunojmë” që tashmë quhet si “logjikë e Ballkanit të Hapur”, është pikërisht logjika që ka sjellë deri tek stagnimi në dialog, në procesin e pajtimit në rajon dhe në tërë procesin e integrimeve të rajonit në BE. E vetmja logjikë që çon përpara proceset është ajo e zgjidhjes së problemeve kryesore, pasi zgjidhja e tyre do të hapte rrugë për përdorimin e energjisë pozitive për avancimin e vërtetë të rajonit drejt integrimeve në BE.