OpEd

Ibrahim Rugova apo Rexhep Qosja, Sali Berisha apo Fatos Nano?

A e duan shqiptarët e Kosovës më shumë Shqipërinë sesa vetë shqiptarët e Shqipërisë, apo shqiptarët e Shqipërisë e duan më shumë Kosovën sesa shqiptarët e Kosovës? Apo me dashurinë e diasporës shqiptare nuk krahasohet asnjë tjetër?!

MË I MIRË është Rexhep Qosja se Ibrahim Rugova! Fatos Nano është proserb, kurse Sali Berisha patriot i madh!

Nuk ka kaluar shumë kohë, prejse këto kanë qenë ndër debatet më të zjarrta në Kosovë dhe në Shqipëri. Dhe, më tepër se sa kanë pasur mendim qytetarët e Kosovës për figurat politike të Kosovës, kanë pasur ata të Shqipërisë. Njëjtë ka ndodhur edhe anasjelltas. Popullaritetin që e ka gëzuar një kohë Sali Berisha, rrallë ta ketë gëzuar cilido politikan tjetër. Ose edhe Rugova e Qosja në Shqipëri.

Pastaj erdhën edhe protagonistët e rinj, Hashim Thaçi, Pandeli Majko, Edi Rama, Ramush Haradinaj, Ilir Meta, Albin Kurti...

Konstantja mbeti e njëjtë. Pavarësisht se kush ka qenë i votuar në Kosovë, gjegjësisht në Shqipëri, “verdiktin” përfundimtar janë rrekur t’ia japin ata që as kanë mundur t’i votojnë. Vulën shqiptarëve të Kosovës ua kanë dhënë shqiptarët e Shqipërisë, si dhe atyre të Shqipërisë shqiptarët e Kosovës.

PATJETËR SE DUHET të ketë ndonjë keqkuptim. Vështirë të jetë e shpjegueshme me ndonjë nga shkencat sociale se një grup shoqëror mund ta dojë një grup tjetër shoqëror, sado të afërt që ta ketë, sesa vetë ata veten.

Një fakt: Është mirë që shqiptarët, në të pesë shtetet e rajonit të Ballkanit ku jetojnë, mendojnë dhe bashkëndiejnë me sukseset dhe dështimet, gëzimet dhe dështimet e njëri-tjetrit. Mirëpo, shpesh kjo shohim të shkojë përtej racionales.

Shto këtu edhe shqiptarët e diasporës, të cilët për arsye edhe të vetëkuptueshme, shpesh shohin realitetet në shtetet e shqiptarëve me syze edhe më të errëta se ç’janë në të vërtetë (ndonëse nuk janë edhe shumë vezulluese këto realitete), rezultati – sharje dhe ofendime të pafundme. Sharje e ofendime ndaj vetë atyre të cilëve besojnë se po ia duan të mirën.

Shqiptarët e diasporës i akuzojnë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, se s’po e duan shtetin, se s’po dinë ta udhëheqin shtetin. Ngjashëm mendojnë edhe shqiptarët e Kosovës për ata të Shqipërisë, si dhe anasjelltas. Pa përjashtuar kritikat për “mungesë bashkëpunimi të faktorit politik shqiptar” në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, duke harruar se vetë në Kosovë e në Shqipëri “faktori politik” është pikë e pesë.

PËR SHKAK SE i dhanë pak më tepër vetes të drejtë të përzihen në punët e njëri-tjetrit, mes të tjerash, duket se marrëdhëniet ndërmjet të katër liderëve të dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, kurrë nuk kanë qenë në nivelin më të brishtë sesa aktualisht.

Fillimisht brenda Kosovës nuk po durohen mes vete Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, njëjtë siç po shohim edhe në Shqipëri të ndodhë ndërmjet të Ilir Metës dhe Edi Ramës. Por, tash edhe Thaçi me Metën, si dhe Rama me Haradinajn kanë filluar të mos i kursejnë edhe në publik kritikat e nganjëherë edhe ofendimet e vrazhda ndaj njëri-tjetrit.

Të mos harrojmë, këta në të njëjtën kohë janë liderë të dy shteteve shqiptare, të cilët shpesh thonë se do të duhej të bashkoheshin në një shtet të vetëm. Tash paramendojeni se çka do të kishte ndodhur po të ishin brenda një shteti.
Plus që, si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë sot ndër shtetet më së paku të zhvilluara të Evropës, për fajin edhe të vetë këtyre liderëve.

NDËRKOHË, SA U përket “politikave të mëdha”, mund të tingëllojë si përgjithësim, por megjithatë qëndron:
Për shembull, Kosova e njeh Shqipërinë më mirë se Shqipëria e njeh Kosovën;
Kosova e njeh Kosovën më mirë se Shqipëria e njeh Kosovën;
Kosova e njeh Serbinë më mirë se Shqipëria e njeh Serbinë.
Kështu që kur të flitet për çështjen shqiptare, e veçanërisht çështjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duhet të respektohet rendi i këtyre gjërave!

Njësoj, siç Shqipëria e njeh Shqipërinë më mirë se Kosova e njeh Shqipërinë;

Shqipëria e njeh Greqinë më mirë se Kosova e njeh Greqinë.

Së këndejmi, kur flitet për çështjet Shqipëri-Greqi, duhet të respektohet edhe këtu rendi i gjërave.

Se kështu, pa dyshim edhe do të mundë të duhemi më shumë ndërmjet vete!

Ose, s’do të jemi një, por do të jemi pesë – pikë e pesë!

[email protected]

Twitter: @adriatikk