Në të ashtuquajturën shoqëri demokratike, të ashtuquajtur janë edhe korrupsioni e krimi i organizuar
Hamdi Ibrahimi është ndër të paktët gjyqtarë që ka folur “keq” për “shtëpinë e vet”. Ai, që mund të mos jetë pa gjynahe, si kryetar i njërës nga gjykatat më të ngarkuara me lëndë në Kosovë, ka thënë publikisht se dora e krimit është brenda sistemit të drejtësisë dhe se korrupsioni është shndërruar në standard të jetesës.
Të tjerët, kolegë të tij, me heshtjen kanë lënë të kuptohet se krimi dhe korrupsioni nga këndvështrimi i tyre janë brenda “kufijve të lejuar”. Ka heshtur edhe njëri nga ta, që Ibrahimi sa ishte kryetar gjykate, ia ka përmendur emrin e mbiemrin dhe parashkrimin e lëndëve penale për 3.853 veta.
Në tryezat e përbashkëta të përfaqësuesve të gjyqësorit dhe të prokurorisë shpesh janë hedhur kritika ndaj njëra-tjetrës për dështimin e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Por, nga përvojat e deritashme, shumica e rasteve të “profilit të lartë” kanë dështuar të kenë përfundimin sipas pritjeve të denoncuesve, për shkak se në fazën e hetimeve dhe gjatë argumentimit të fakteve ka pasur lëshime dhe deformime, madje sipas njohësve të fushës dhe monitoruesve, edhe të qëllimshme.
Të akuzuarit, shumicën e herëve janë përkujdesur që procesi të marrë epilog në favor të tyre, para se të mbërrijë para aktit të kryer, pra te trupi gjykues (na janë të shpeshta pamjet se si zyrtarët me akuza të rënda shfaqen në gjykatë dhe para kamerave të hareshëm e me plot humor).
Për mosfunksionim të mirë të tri hallkave të sistemit të drejtësisë kanë tërhequr vërejtjen edhe ekspertët e drejtësisë amerikane. Autonomia e institucioneve të drejtësisë, sipas tyre, nuk mund të përkthehet si autonomi e individëve që punojnë brenda saj - të gjithë veç e veç duhet të monitorohen dhe ata që kanë dështuar t’i kryejnë detyrat me profesionalizëm të thirren në përgjegjësi.
Ka edhe një “keqkuptim” interpretimi në mënyrën e trajtimit të rasteve që kualifikohen si korruptuese. Shumica e tyre, të profilit të lartë, janë kategori e krimit të organizuar. Tipologjia e veprave penale dëshmon për lidhje të ngushtë të autorëve të tyre me shefat në strukturat e drejtuesve të partive politike nga vijnë, apo me shefat dhe strukturat në institucionin ku punojnë. Po të mos ishte kështu, shumica e të akuzuarve, nuk do t’i rrezikonin kaq hapur e nuk do t’i shmangeshin kaq lehtë përgjegjësisë. Po të mos ishte kështu, nuk do t’u qëndronin në krah liderëve edhe pas një mal akuzash publike ndaj tyre.
Pra, të akuzuarit nuk janë të vetëm, nuk janë përfshirë në korrupsion për shkak të joshjes individuale. Ata janë të tillë, ata veprojnë ashtu, sepse janë të rekrutuar, janë veshur me imunitet nga strukturat e fuqishme politike dhe veprimet e tyre bëhen edhe për llogari të “escobarëve” të politikës e grupeve të tjera të interesit.
Fundja, krimi i organizuar ka ndryshuar formë në Kosovë. Më shumë i zhvilluar është në sistemin politik dhe qeverisës, sesa në kategoritë që i njeh kriminologjia, si ta zëmë kultivimi dhe shitja e narkotikëve, trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi me emigrantë, vrasjet me pagesë, kontrabanda me armë...
Personat që në shtetet normale do të duhej të ishin protagonistë të këtyre aktiviteteve kriminale, në Kosovë i ke brenda partive politike dhe brenda institucioneve. Qëllimi final i tyre, paraja dhe jeta luksoze në vend se nëpërmjet punëve të pista, tash u është bërë realitet nëpërmjet aktivitetit legal dhe qasjes në të mirat publike. Në vend që ata të operojnë në “shpella”, të kalojnë kufirin me pasaporta false, Kosova i ka sistemuar, i ka veshur me pushtet dhe me pasaporta diplomatike. Ata janë të vetëdijshëm për peshën e veprave të paligjshme që kryejnë dhe pasojat ligjore. Por, po ashtu, secili prej tyre e di se fuqia e tij dhe grupit të interesit që përfaqëson është më e madhe, sesa vendosmëria dhe guximi i autoriteteve të sistemit të drejtësisë.
Në këto kushte, në vend se të përballen me armatën e kriminelëve, përgjegjësit e institucioneve që duhet sigurojnë rend dhe ligj, kanë zgjedhur si edhe të akuzuarit - “stilin kriminal të të jetuarit”, një mënyrë e lehtë e përfitimit material dhe e sigurimit të statusit të privilegjuar shoqëror. Këtë stil jetese e gjen edhe në institucionet e tjera ekzekutive e të pavarura. E gjen edhe në arsim e shëndetësi. Të jetuarit sipas “stilit kriminal” ka kohë që është futur si term në literaturën ndërkombëtare juridike. Kjo mënyrë jetese, sipas ekspertit amerikan të drejtësisë, Glenn Walters, veç të tjerash udhëhiqet nga papërgjegjësia, interesat hedoniste dhe shkeljet e përsëritura të rregullave dhe normave shoqërore. Ajo shfaqet edhe me akte agresive, të dhunshme, shprehje të armiqësisë ndërnjerëzore, abuzim fizik dhe emocional dhe një dëshirë të pangopshme për ta fituar kontrollin mbi të tjerët.
Emrat e përveçëm të disa prokurorëve e gjyqtarëve janë bërë po aq të njohur sa edhe të personazheve të showbiz-it e të ashtuquajturve politikanë që drejtojnë parti politike, apo janë strehuar brenda tyre.
Nëse njerëzit që sot i shohim në skenën politike meritojnë t’u themi të ashtuquajtur politikanë, nëse shumica e atyre që merren me porno-muzikë e aktrim të ashtuquajtur artistë, nëse në debatet televizive të ashtuquajtur analistë..., pse të mos quhen të ashtuquajtur prokurorët, gjykatësit, apo i ashtuquajtur edhe sistemi i drejtësisë.
Nëse të gjithë këta kanë përgjegjësinë për çfarë ka ndodhur e po ndodh ende, atëherë është krejt logjike që në Kosovë të mos ketë të dënuar për zhvatje, keqpërdorim, vjedhje, nepotizëm, kërcënim..., meqë si konkluzion në të ashtuquajturën shoqëri demokratike, të ashtuquajtura janë edhe korrupsioni e krimi i organizuar.