OpEd

Hurmaniteti në aksion!

Në çmendurinë e tij dje, Vuçiqi deklaroi se më 1 tetor, Serbia do ta ndërmarrë një hap

Teksa po e shënoja titullin e Ditarit të radhës dhe numrin rendor që e vë për shkaqe dokumentimi në telefon, ku në fakt edhe e shkruaj ditarin tim, në sy më ra numri rendor 208, i cili menjëherë ma kujtoi se janë bërë 208 javë, apo 4 vjet qysh se e shkruaj këtë Ditar. Thënë të drejtën, asnjëherë s’e kisha menduar se do të zgjaste kaq shumë.

Sidoqoftë, edhe java e 208-të shënon ngjarje dhe zhvillime të reja, si në vend, ashtu edhe në botë. Edhe pse temat për të cilat do të shkruaj nuk i kisha menduar paraprakisht, prapë do të jetë ky një Ditar spontan, duke i komentuar ngjarjet ashtu nga koka, jo doemos në rrjedhën e tyre kronologjike.

Nuk kam se si mos e komentoj takimin e djeshëm të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës me ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, me ç'rast u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi për pranimin e 25 tonë hurmave nga Arabia Saudite, nëpërmjet ambasadës në Tiranë.

Mendoj se me këtë rast, Mbretëria e Arabisë Saudite e dëshmoi se sa shtet hurmanitar është. Nuk e di nëse e dhuruan edhe naftën, e cila do të nevojitet për transportimin e 25 tonelatave me hurma nga Tirana, për në Kosovë.

Ditën e djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq mjaft i tërbuar pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila do t’i vendosë masat e reciprocitetit për shtetasit serbë, të cilët nuk do të mund të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës me letërnjoftimet serbe, por atyre në kufi do t’u jepen dokumente përcjellëse, të lëshuara nga organet kosovare, njëjtë si vepron Serbia ndër vite ndaj shtetasve kosovarë.

Në çmendurinë e tij dje, Vuçiqi deklaroi se më 1 tetor, Serbia do ta ndërmarrë një hap "vdekjeprurës" ndaj Kosovës. Mëkat që aty nuk pati ndonjë gazetar të mirinformuar, për t’i treguar Vuçiqit se 1 tetori është ditë e shtunë, e ne kosovarët nuk punojmë të shtunave, dhe se do të jemi të zënë duke ngrënë hurma.

E po qe se Agim Bahtiri ende do të ishte kryetar i Komunës së Mitrovicës, ja edhe rasti ideal që me gjithë krizat globale dhe sfidat me të cilat po përballen shtetet e ndryshme se si do t’ia bëjnë me ngrohje gjatë dimrit, si rezultat i invazionit rus në Ukrainë dhe të gjitha sanksioneve të vëna kundër Rusisë, Kosova jonë do të mund të ngrohej me bërthama të hurmave, dhe në këtë mënyrë të shndërrohej në një fuqi të re bërthamore hurmane në Evropë.

Është pak për t’u çuditur se si nuk reagoi aspak "garantuesi i mos-sulmit të Serbisë ndaj Kosovës", €di Rampa. Ndoshta se ishte i zënë me pjesëmarrjen e tij në samitin e radhës të vendeve anëtare të NATO-s, apo nga frika se 25 tonelatat e hurmave, të cilat nga Mbretëria e Arabisë Saudite të destinuara për Kosovë do të kalojnë nëpër Tiranë, mund të shkaktojnë trazira në berzën e barishteve të Lazaratit. Apo, mbase edhe ka qenë i zënë duke lobuar për pranimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, si një forcë e re bërthamore hurmane në rajon e më gjerë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu deklaroi se nuk ka asgjë nga bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke aluduar në masat e fundit të reciprocitetit, të fuqizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës. E shihni, loja e të barabartëve asnjëherë nuk i konvenon Serbisë, njëjtë do të ishte edhe me pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativën "Open Balkan". Ajo aty nuk do të mund të hynte si shtet sovran, por vetëm si një rajon që do të shfrytëzohej për nevojat e "Open Balkan-it".

Përndryshe, para ca ditësh u lëshua edhe baloni testues nga ana e AAK-së, i quajtur Pal Lekaj, i cili deklaroi se "Open Balkan" nuk është iniciativë e keqe. Por, njëjtë sikurse balonat e mbushur me helium, edhe ky balon vetëm sa do të ngjitet lart në hapësirë dhe do të bartet nga rrymat e erërave poshtë e lartë, derisa të mos përplaset diku dhe të shpërthejë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, nënshkruan dokumentin dhe pajtohet me pranimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. Dy vendet e dorëzuan neutralitetin e tyre ushtarak pas invazionit rus të Ukrainës, dhe si shtete fqinje me Rusinë kanë pasur plotësisht të drejtë në brengat e tyre, kështu që një anëtarësim në Aleancën Atlantike ushtarake do të ishte zgjidhje më e mirë afatgjatë për vendet e tyre.

Lufta e Dytë e Ftohtë Botërore është në pikat e saj pivotale, ndërsa pasojat do të barten me vite të tëra, si në Evropë ashtu edhe në skenën politike globale. Çdo shtet evropian veçse është dëshmitar i ngritjeve enorme të çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, energjisë, si dhe të ushqimit. Kjo ngritje enorme e kostos së jetesës më së shumti hetohet në shtresat e mesme, shtresë kjo edhe ashtu e tëholluar e shoqërisë, e në veçanti hetohet në xhepat e shtresave më të varfra të shoqërisë. Për Britaninë e Madhe veçse po flitet se masat e recesionit do të jenë edhe më të ashpra se të atyre në shtetet e tjera evropiane.

Ashtu siç e kam thënë edhe shumë herë më parë, invazioni rus në Ukrainë do ta rishkruajë renditjen shoqërore dhe globale të shekullit 21. Duke mos e ditur ende epilogun e kësaj lufte, ne mbetemi vetëm në pjesën e supozimeve të analizave tona. Nëse ajo arrin që të mbetet vetëm në suazat e kufirit të Ukrainës, duke mos u përhapur edhe në vendet përreth e ku shumica e tyre tashmë janë anëtare të NATO-s, atëherë edhe do të mund të vinim në një konkludim se herët apo vonë do të arrihej një marrëveshje midis palëve të përfshira në luftë. Mirëpo, në anën tjetër, duke e parë numrin e civilëve të vrarë, si dhe infrastrukturës së shkatërruar pamëshirshëm nga ana e palës ruse anembanë trojeve ukrainase, një gjë e tillë e sjell udhëheqjen ukrainase në një pozitë edhe më të vështirë të ndonjë pajtimi apo marrëveshjes së mundshme. Në fakt, presidenti ukrainas, Zelensky, kërkon edhe në shumë armatim të rëndë nga aleanca e NATO-s, në mënyrë që ushtria ukrainase të mund t’i kundërvihet agresorit rus në mënyrë edhe më efikase.

Nëse asgjë, Ukraina definitivisht është shndërruar në arenë për testimet e ndryshme të veprimeve të ndryshme të armatimeve në aksion. I pamë dronët e Turqisë "Bayraktar", që tashmë kanë arritur famë në tregjet e armatimeve në botë dhe të cilat për shkak të efikasitetit të tyre tashmë janë shumë të kërkuara, teksa porositë për to vërshojnë prodhuesin e tyre turk.

Gjithashtu, pamë armatimet kundër tankeve, siç janë ato të prodhimit britaniko-suedez NLAW, ato të prodhimit amerikan "JAVELIN", apo edhe dronët antitank kamikazë "SWITCHBLADE". Të gjitha këto po testohen dhe po tregohen shumë efikase ndaj tankeve të presupozuara të pashkatërrueshme ruse. Kështu, industria e armatimeve në botë veçse çka do të lulëzojë edhe më shumë në këtë shekull, duke shënuar rritje dhe profite edhe më enorme, e në të njëjtën kohë t’i avancojë armatimet me teknologjitë edhe më të reja.

Për ta shkatërruar njëri-tjetrin, njeriu përgjatë historisë së njerëzimit asnjëherë nuk ka reshtur së mahnituri.

P.S. Specialiteti ynë delikatesë, hurmagjikat nuk marohen me hurma … apo siç kanë thënë latinët e lashtë, "homo homini, hurmus est".