Presioni politik ndërkombëtar është i madh derisa qasja e opozitës vazhdon të jetë super oportuniste. Por kjo assesi nuk do të thotë se jeta jonë, edhe ashtu e komplikuar, duhet të na vështirësohet edhe më shumë për shkak se pushteti funksionon me inercinë e populizmit, mbrohet me arrogancë, ndërkohë që reflekton mosdije aty ku gjërat duhen prerë për ta arritur ndryshimin radikal
Java më nisi me një shuplakë të madhe fytyrës kur iu qasa platformës e-Kosova për ta marrë faturën e tatimit në pronë. Shuma e tatimit, krahasuar me vitin e kaluar, ishte 60% më e madhe. Natyrisht se nuk e kuptoja se si u bë që, pa asnjë paralajmërim të vetëm, faturat të vinin aq të fryra. Po të na kishin paralajmëruar me kohë, mbase edhe do ta kuptonim ndryshimin më lehtë, ani pse ndodh në kohën e krizës më të madhe ekonomike me të cilën po ballafaqohemi prej kohësh.
Jam e sigurt se nuk do të bëhej temë kjo punë, po të mos ishin tatimpaguesit e rregullt ata që sinjalizuan për ndryshimin drastik të vlerave të faturave. Ngase prejse është hequr obligimi për ta paguar tatimin në mënyrë që të regjistrohet vetura, arkëtimi i tatimit ka rënë në të gjitha komunat. Pra, falë zhurmës së krijuar dhe reagimeve shfajësuese të zyrtarëve komunalë, të nesërmen, edhe pse i ftuar të raportonte për tjetër gjë, ministri Murati u mor në pyetje nga deputetët për këtë çështje.
Populizmi
Ajo që doli në pah qe se në tetor të 2022-s, Ministria ua kishte bërë me dije komunave se e kishte bërë vlerësimin e pronave. Gjithnjë sipas ministrit, thuhej se vetëm tri (nuk e dimë cilat) komuna e kishin kundërshtuar vlerësimin e bërë.
Si qytetare, nuk e kam kuptuar se si e kanë vlerësuar pronën për të cilën paguaj tatim. Vlera i është rritur 60% krahasuar me vjet dhe gjendja e pronës gjysmëshekullore vlerësohet “e mirë”. Nuk mbaj mend të ketë ardhur ndonjëri nga vlerësuesit për të parë nëse objekti është në gjendje të mirë ose jo. Me gjasë ka funksionuar metoda e tahminit.
Gjithashtu e morëm vesh se Ligji ishte përgatitur nga Qeveria Mustafa më 2017; ishte miratuar nga Qeveria Haradinaj më 2018 dhe se ligji kishte paraparë edhe tatimin 100% mbi tokat në vitin e pestë të veprimit të këtij ligji, që i bie ky vit. Por, ky argument nuk qëndron te rasti i pronës për të cilën paguaj tatim – është banesë në një ndërtesë kolektive, pa tokë për t’u tatimuar. Mbase qëndron argumenti që vlerësimi i pronave në të shkuarën ka qenë i ulët. Mbase.
Por fakti qëndron se askush, nga asnjëri nivel, nuk ua ka bërë me dije qytetarëve se tatimi më 2023-n do të jetë më i madh. Do të thotë të gjithë kanë heshtur, mbase duke e pritur momentin që kur të “zbulohen” faturat të nisin e ta fajësojnë njëri-tjetrin. Komunat e caktojnë normën e tatimit në pronë që derdhet në buxhetin e tyre, porse e kanë një limit nën të cilin nuk mund të shkojnë, sepse ashtu e thotë ligji. E kjo do të thotë se ligji që do ta përcaktonte normën, është dashur të jetë përgatitur dhe miratuar vitin e shkuar, ashtu që t’i paraprinte situatës të cilën tash propozohet të zgjidhet me një masë puro populiste.
Ministri Murati propozoi që komunat të vendosin t’ua falin taksapaguesve 100-euroshin e parë të tatimit. Nuk kaluan as tri orë dhe krejt asamblistët e VV-së nëpër komuna dolën me lajmërime se do ta propozojnë këtë masë në kuvendet e tyre komunale. Se a do të miratohet kjo nismë apo jo, mbetet të shihet. Porse improvizimi me shtesa prej 50 e 100 eurosh deri në miratimin e një ligji dhe falja e 100 eurove deri në miratimin e një ligji tjetër, tregon për mungesë koncepti dhe gjithashtu tregon për një qasje shumë të padrejtë të kësaj qeverie karshi segmenteve të ndryshme të popullatës.
Sektori publik rri nën dardha dhe ha dardha – pavarësisht se çfarë të ardhurash i kanë të punësuarit. Unë kësaj pune logjikën nuk po ia gjej, sepse nuk e ka, pos që është populizëm i pastër – asi që në fund të vitit ia mundëson ministrit të dalë e të tregojë se i ka shpërndarë kaq milionë kaq vetave për t’u ndihmuar ta luftojnë inflacionin.
Arroganca
Ministri Murati mbase është ylli i lajmeve, por jo për shkak të mrekullive që i bën me financat e shtetit, por me sjelljen e tij karshi gazetarëve.
Të mërkurën gazetarët ishin ftuar në konferencë për shtyp, në të cilën pritej se do të paraqiteshin ministrat Murati e Nagavci. Konferenca duhej të mbahej pas mbledhjes së Qeverisë. Por në vend të konferencës, ministrat vazhduan me një mbledhje shtesë, pa i lajmëruar gazetarët se do të mund të ketë vonesë.
Pas 40 minuta pritjeje, gazetarët nisën të dilnin nga salla e konferencave në çastin kur aty ishin nisur të hynin ministrat e apostrofuar. Nuk ishte hera e parë që Murati i linte gazetarët ta prisnin, dhe atyre u plasi kupa. Vendosën ta bojkotonin konferencën në shenjë proteste, të cilën edhe ua shpjeguan ministrit dhe zëdhënësit të Qeverisë.
Zëdhënësi i Qeverisë, në vend se të dilte më herët, e t’u kërkonte falje gazetarëve për vonesën, apo edhe t’u tregonte se konferenca do të shtyhej e t’i luste të ktheheshin më vonë, i akuzoi se po punonin kundër interesit publik.
Është shumë interesante qasja tek argumenti i “interesit publik” nga zyrtarët e këtij ekzekutivi. Interes publik për ta është transmetimi vetëm i asaj që duan të plasojnë qoftë me komunikata, deklarata e ndonjëherë edhe konferenca për shtyp. Për ta nuk ekziston interesi publik kur gazetarët presin me ditë e me javë të marrin përgjigje për pyetjet konkrete që janë në interes të opinionit, për të mos thënë se janë interes publik.
Do të thotë, komisionarja për informim e privatësi do të nisë të ngufatet me kërkesat e gazetarëve për qasje në dokumente publike, ose thjesht krejt storiet dhe shkrimet e mediumeve do të dalin me shpjegimin se “filan institucioni u pyet për temën, por as pas dy javësh nuk dha përgjigje”.
Kjo qasje arrogante dhe e pasjellshme nuk është gjë e re për ne – ngase e kemi përjetuar me vite të tëra nga të gjitha qeveritë. Por kjo arrogancë e mostransparencë tash vjen nga qeveria e cila një nga atutë kryesore për të ardhur në pushtet e ka pasur kritikën ndaj mostransparencës dhe arrogancës të qeverive të shkuara. E ka pasur premtimin se “nuk do të kishte çfarë të fshihte”. E për thuajse dy vjet pushtet, në fakt “nuk ka çfarë të mos fshehë”. Komunikimin me opinionin publik nëpërmjet gazetarëve e ka skajshmërisht të mbyllur, të centralizuar dhe kufizuar në konferenca shtypi për temat që ajo do që t’i shpalosë. Ashtu siç bënte Thaçi kur sorollatej lart e poshtë dhe merrej vesh për këmbim territoresh.
Arroganca kthehet bumerang dhe në fund kushton edhe me vota.
Mosdija
Bashkë me arrogancën shkon injoranca. Të martën, KOHA raportoi për faktin se pacientët që duhet të operohen nëpër Klinikat e SHSKUK-së, detyrohen që t’i blejnë vetë edhe penjtë kirurgjikalë. Ndërkohë, në mjekimin intensiv në QKUK, mjekët e infermierët nuk janë të pajisur me dorëza sterile për operacione e për plagë të hapura e as me ato josterile për shërbime të tjera. QKUK-ja nuk ka as infuzione 100-mililitërshe e as qese urinare.
“Ndonëse bëhet fjalë për mungesë të produkteve elementare, SHSKUK-ja ka zgjedhur të mos i përgjigjet KOHËS në lidhje me këtë çështje. E KOHA e ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë e Bordin e SHSKUK-së për këto mungesa, asnjëri nga këto institucione nuk është përgjigjur. SHSKUK-ja për dy javë, gjashtë herë ka heshtur e nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet konkrete të KOHËS. KOHA pati raportuar se rreth 1 milion e 300 mijë euro për barna dhe për material shpenzues, dedikuar për vitin 2022, kanë shkuar në suficit, shkaku që menaxhmenti dështoi t’i përfundonte proceset e prokurimit. Krahas kësaj, SHSKUK-ja ka të paktën katër muaj që nuk ka arritur të sigurojë blejë as shampon për pastrimin e duarve dhe letra për tualet”, përfundonte raporti.
Pra, përderisa e kemi pasur shumë të qartë që shëndetësia në Kosovë është nëpërkëmbur qëllimisht për dy dekada, sepse përherë ka qenë burim i sigurt i të ardhurave nga keqpërdorimet që janë bërë me buxhetin më të madhin (pas atij të infrastrukturës, ku gjithashtu i është qepuar sa është mundur), ajo që kemi parë në dy vjetët e fundit është asnjë lëvizje para dhe vazhdimi i problemeve të njëjta. Po e quaj mosdije qasjen e kësaj qeverie ndaj shëndetësisë. Vetë fakti se disa muaj me radhë kryeministri ka qenë kryekoordinatori i këtij dikasteri (sic!), duke e pasur mbi kokë presionin maksimal të ndërmjetësve, dhe se ama bash asgjë pos zëvendësimit të ushtrueseve të detyrës me ushtruese të re të detyrës nuk ka ndodhur për të mirë.
E problemi i shëndetësisë për këtë qeveri nisi kur Kurti e dogji Arben Vitinë dhe e bëri kandidat për Prishtinën, e të cilën e humbi. Problemi vazhdoi t’i thellohej kur e solli një kirurg të pensionuar, i cili besonte se duke shëtitur nëpër botë do ta sillte ndryshimin. Kirurgu shkoi, Vitia u kthye në postin e vjetër, por edhe u kthye te të njëjtët njerëz që prej kohësh e udhëheqin ministrinë përbrenda. E merr ministrinë në kohën kur ka shumë ushtrues detyre drejtorësh dhe kur nuk ka as program e as plan pune.
Përderisa nuk dëshmohen keqpërdorimet eventuale përbrenda SHSKUK-së, rezultatet e këtij ekzekutivi në lëmin e shëndetësisë reflektojnë një mosdije të thellë për problemet dhe situatën. Për më keq reflektojnë mungesë vizioni se si të shkohet para dhe si të dilet nga kjo situatë e turpshme dhe e patolerueshme.
* * *
Presioni politik ndërkombëtar është i madh, derisa qasja e opozitës vazhdon të jetë super oportuniste. Por kjo assesi nuk do të thotë se jeta jonë, edhe ashtu e komplikuar, duhet të na vështirësohet edhe më shumë për shkak se pushteti funksionon me inercinë e populizmit, mbrohet me arrogancë, ndërkohë që reflekton mosdije aty ku gjërat duhen prerë për ta arritur ndryshimin radikal. Kështu, vazhdojmë ta huqim shtegun kolektivisht.